Pashtriku.org, 31. 03. 2016: (Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin” – Pjesa 8) /
(Bedri Islami – B.I.) – Të dy e dimë fare mirë se si u zhvillua Mbledhja e Gjashtë e Përgjithshme, situatën, atmosferën në Mbledhje, trajtimin e problemeve, akuzat që u bënë, reduktimi i tyre i mëpasmë, etj. Mirëpo, aty u morën edhe vendime të tjera, që kishin rëndësinë e tyre kapitale. Si ka mbetur në vizionin dhe në memorien tënde kjo Mbledhje, e cila do të jetë e fundit në Perëndim?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Fatkeqësisht si një ngjarje e eksesive, e vështirë, por e domosdoshme dhe me favore, nëse u shpreha qartë. Fatkeqësi sepse përplasja kishte marrë ato përmasa, por nuk ishte rrumbullakuar, prandaj duhej penguar e sanuar. E domosdoshme, sepse metastaza e përplasjes duhej të identifikohej, për të përzgjedhur terapinë kuruese. Ajo Mbledhje gjeti zgjidhjet më të mira, të mundshme, për të menaxhuar situatën e mëtejme deri në përfundim të Luftës. Nuk kam përse ta fsheh krenarinë se e kemi bërë maksimumin e mundshëm dhe fundi ka qenë fatlum.
(Bedri Islami – B.I.) – A mendon se problemet mund të ishin tejkaluar me kohë, nëse nga Kryesia e asaj kohe do të kishte pasur një qëndrim më serioz ndaj problemeve më të kohës dhe të mos liheshin punët deri në mbledhje apo pas saj?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Kam sqaruar edhe më herët, se pyetjeve me alternativën “nëse” nuk u përgjigjem më dëshirë, sepse lënë hapësirë për spekulime. Megjithatë, mendoj se problemet, ju thoni do të ishin tejkaluar, unë do të thosha, do të ishin zgjidhur, meqë vështirë tejkalohen, nga se ishin probleme të rënda. Nëse Kryesia nuk paskësh pasur qëndrim më serioz, atëherë ai paskësh qenë vetë problemi. Në Kryesi nuk kishim ndonjë anëtar që do të donte të mos ishte serioz. Ashtu i kam vlerësuar atëherë dhe as tani nuk kam ndryshuar mendimin. Vazhdoj t’i vlerësoj se ishin seriozë dhe të përkushtuar. Mbase me duhet një shpjegim pak më i zgjeruar, meqë në bashkëbisedime të këtilla ngjan gati si me rastin kur një personalitet (ndoshta Çehovi) i kishte shkruar mikut të tij në fund të letrës: “Me fal, ngaqë nuk kisha kohë të shkrova kaq gjatë”. Në këtë rast po mundohem ta përshtat: Me fal, se nuk po kam dhunti e hapësirë për të bërë sqarime të kuptueshme, por të thukta! Lëvizjen e kanë themeluar individë, e kanë rritur individë, e kanë fuqizuar individë, gjithherë mbi baza të angazhimit vullnetar, mbi baza të besimit reciprok. Në krye të herës qemë të papërgatitur teorikisht dhe praktikisht, pa mundësi baze financiare, etj. Kishim përballë shumë armiq, shumëfish më të fortë. Ta zëmë, unë jam angazhuar si revolucionar e politikan pothuajse adoleshent, i papërgatitur teorikisht, pa përvojë. Kisha dëshirën entuziaste dhe bindjen se na takonte liria, por meqë nuk na jepej, duhej ta fitonim. Për mundësi financiare të mos flas. Nuk i dihet, po të isha i kamur, ndoshta nuk do të angazhohesha, sepse të kamurit rëndom ideal e pasion kanë pasurinë. Zhvillimet më kanë nxjerr aty, në bashkëbisedimin mes Jusufit e Kadriut, prej nga lindi Lëvizja dhe them pa modesti se ndihem krenar. Ai moment ma përcaktoi dhe ma përthithi jetën e pastajmë. Me Lëvizjen jam rritur e kalitur; jam ngritur, pak a shumë, në aspektin teorik e praktik. Ngjashëm ka ndodhur pothuajse me të gjithë që janë përcaktuar e angazhuar për veprimtari çlirimtare. Tani vjen momenti konkret, kur në Kryesi shokët e idealit, siç u thoshim atëherë, ishin bashkëveprimtarë, ishin bashkëveprimtarë sepse i kishte bashkuar e lidhur ideali dhe besimi ndaj njëri-tjetrit. Ky përcaktim duhet të ketë qenë i idealizuar, romantik, prandaj edhe i gabueshëm herë-herë, meqë assesi nuk është menduar e dyshuar se mund të mashtrojë, komplotojë, tradhtojë shoku-shokun. Për rrjedhojë, ka munguar vë- mendja, kontrolli, verifikimi. Duke pasur parasysh këto që thashë, pa ndier nevojën të sjell të tjerë faktorë, (që ka sa të duash), them se bashkëveprimtarët tanë, atëherë anëtarë të Kryesisë, nuk janë mbizotëruar me vetëdije dhe qëllimisht nga mungesa e seriozitetit dhe neglizhencës. Madje as ata që i quaj fajtorë për disa situata si Xhavit Halitin dhe Azem Sylën. Parapelqej të shpresoj, se nuk kanë komplotuar për qëllime armiqësore, por me mendimin se mënyra e veprimit të tyre sjell më shpejt e më shumë suksese. Secilit prej nesh mund t’i kishte ndodhur njësoj, sigurisht për herë të parë, por jo t’i përsëdytë të njëjtat gabime. “Po të mund të nusëroja për herë të dytë, do të nusëroja më mirë“ – kishte thënë njëherë një nuse e pakënaqur nga nusërimi i parë. Sigurisht, në rrethana të tjera, me kushte e mundësi të tjera, nuk do të kishin ndodhur gabime të ngjashme. Gabime ndodhin sepse gabimet janë njerëzore, siç thuhet. Vetëm ata që punojnë, bëjnë gabime, kurse ata që nuk punojnë, janë gabimi vetë. Por, synimi është: të ndodhin gabime sa më të pakta dhe sa më të vogla, më me pak pasoja. Për të mos u zgjatur, bashkëveprimtarëve në Kryesi, nga besimi i idealizuar ndaj njëri-tjetrit, u është përvjedhur vigjilenca për të hetuar devijimet e përplasjet fillestare. Nuk kanë vepruar qëllimisht ashtu, por ashtu kanë ditur e vepruar. Unë i bëj me faj, përse nuk kanë reaguar menjëherë ndaj atyre shenjave që dukeshin, ndaj atyre veprimeve që ndodhnin? Përse nuk kanë reaguar menjëherë, sapo koordinatori i Sektorit të rëndësisë së veçantë, bashkëveprimtari Xhavit Haliti, ka filluar dhe më vonë nuk ka dhënë fare llogari. I fajësoj për paaftësi për të mbajtur qëndrim të drejtë në mbledhjen e marsit 1997, kur unë thosha, kemi ndihmuar tri zonat e ushtrisë, sepse na janë drejtuar me kërkesa, kurse ata gjykonin se kishim prishur disiplinën, nuk kishim respektuar hierarkinë dhe kompetencat. Habitesha se si nuk mund të kuptonin në atë rast shkëputjen e lidhjeve, shansin përmes nesh për t’i ringritur ato, por insistonin në disiplinimin e Kryesisë së Nëndegës në Gjermani, që t’i dorëzonte të gjitha mjetet financiare sipas vendimeve. Habitesha, përse nuk po mbanin qëndrim, kur koordinatori i Sektorit, njëherësh anëtar i Kryesisë së KP-së, Xhavit Haliti, po ofendonte “grupin e Drenicës” si “kaçakë ”, të cilët nuk duheshin ndihmuar. Pra, nuk kishin besim as në sinqeritetin e Fehmi e Ramiz Lladrovcit që i kërkonin ndihmat për bashkëluftëtarët e tyre dhe Zonën e Drenicës. E logjika të shpie drejt konstatimit se Xhaviti kishte atë mendim e qëndrim, ngaqë ashtu e kishte dezinformuar e bindur Azem Syla që vinte nga ajo anë.
Kryesia e LPK’së Dega j.v, pas Mbledhjes së gjashtë të Përgjithshme: Bedri Islami, Ibrahim Kelmendi, Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, Ali Ahmeti, Sejdi Gega dhe Agush Buja.
(Bedri Islami – B.I.) – Cili ishte qëndrimi yt ndaj shqetësimeve që u ngritën në atë Mbledhje dhe në mbledhjet pasuese të Këshillit të Përgjithshëm, të cilat, pasi zgjodhën Kryesinë e re, miratuan edhe ngritjen e Komisionit të veçantë për shqyrtimin e ngjarjeve të luftës?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Akuzat që ngriti Hashimi fillimisht më shkaktuan befasi tronditëse. Por, as i pata pranuar për të vërteta dhe as i refuzova. I përmbahesha premisës: “Gabimet janë njerëzore”. Ato akuza nuk ma patën lëkundur besimin që kisha ndaj atyre që akuzoheshin. Gabimi ndodhi kur pjesëmarrësit e Mbledhjes u alarmuan. Nuk u alarmuan vetëm ata që kishin përgatitur goditjen dhe ata që ishin të informuar dhe po e përkrahnin për ta çuar deri në fund, ashtu siç e quaja unë, komplotin. Megjithatë Mbledhja u menaxhua falë përvojës dhe urtisë se të gjithë pjesëmarrësve. Mos qofsha i gabuar Ti ke qenë drejtues i Mbledhjes së Përgjithshme, bashkë me disa shokë të tjerë, Bardhyli, Mehmet Bislimi, Musa Xhaferi e Adnan Asllani. Edhe ata që synuan ta bëjnë këtë goditje, u përmbajtën, sepse duhet të kenë parashikuar se po t’i shkonin përplasjes dhe akuzave deri në fund, aty për aty, nuk do të dilnin fitues. Zgjidhjet e pastajme qenë operative, të shpejta, pragmatike, pothuajse krejtësisht të drejta, me të vetmen mungesë: masat ndëshkuese ndaj komplotistëve. Dëshiroj të besoj se Komisioni hetimor nuk pat propozuar masa adekuate ndëshkuese, jo pse nuk kanë ditur të ndajnë drejtësi, por sepse kanë qenë të bindur se tashmë nuk do të mund të jetësoheshin dhe të sillnin pasoja më të rënda. Edhe atëherë, edhe tani gjykoj se atë gjendje Lëvizja e kapërceu me të mjekuara me sukses, që bëri të mundur të vazhdojë rrugëtimin deri në fitore. Mbase vetëm ashtu, siç e kemi menaxhuar, ka qenë e mundur, në kohë dhe hapësirë.
(Bedri Islami – B.I.) Pas shumë kohe kishte ndodhur edhe rikthimi yt në udhëheqjen e lartë të Organizatës, si anëtar i Kryesisë së saj. Them pas shumë kohe, që nga ngritja e Qendrës Ekzekutive, pasi duke qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, nuk ishe anëtar i Kryesisë. Tani, besimi i njerëzve solli rikthimin tënd? Si e ke vlerësuar asaj kohe, në momentin e parë dhe si e vlerë- son tani, pas kaq shumë viteve?
(Ibrahim Kelmendi – I.K) – Të kuptoj, nuk qenke informuar për një segment të zhvillimeve në Lëvizje, meqë atëherë ishe në Shqipëri. Do fati e Lëvizja konsolidohet deri në atë nivel sa për herë të parë të praktikojë zgjedhje të lira, thellësisht demokratike, do të thosha edhe pluraliste, meqë Organizata jonë kishte anëtarë me bindje nga më të llojllojshmet ideopolitike. Mjaftonte kriteri përcaktues për Kosovën Republikë, të mos shfaqje racizëm, shovinizëm e fashizëm. Dhe ky emancipim, zgjedhjet e lira, po ndodhnin pasi kishim përzënë ose ishin larguar xhaferët (Durmishi e Shatri), Sabri Novosella e ca kasnecë të tyre. Në mbledhjen paraprake, para se të ndodhnin zgjedhje të lira, pata kërkuar të sanksionohej një kriter i përhershëm: në kryesi të mos zgjidheshin dy e më shumë veta nga e njëjta familje. Bëra këtë propozim sepse kishim raste kur dy e më shumë veta ishim të angazhuar në Organizatë, më konkretisht, doja të evitoja që në kryesi të mos ishim dy Kelmendë (unë dhe djali i axhës, Muhameti), si dhe dy vëllezërit Xhemajli (Mustafa dhe Emrushi). Se do të votoheshim, isha i sigurt, sepse në Lëvizjen e atëhershme, Dega j.v., ishim ndër më të arsimuarit dhe gjithashtu, ndër më të afirmuarit. I njëjtë ishte rasti edhe me Vëllezërit Xhemajli. Që debatuar shumë dhe pati polemika. Ndonjëri thoshte është diskriminim, tjetri ose tjetra thoshte cenim i lirisë elementare për të pasur të drejtë të zgjidhen, etj. Ama, unë ngula këmbë si mushka, në interes të reputacionit të jashtëm të Lëvizjes, kundër familjarizmit në organet udhëheqëse. Po mendoja, një kryesi prej shtatë anëtarësh, me dy kushërinj Kelmendë dhe dy vëllezër Xhemajli, sikur nuk shkonte. Me në fund, ndoshta pse isha veteran i Lëvizjes, ma plotësuan kërkesën. Pasoi vështirësia tjetër, cilin nga Kelmendët dhe Xhemajlët duhej privuar nga e drejta e kandidimit. Që të kurseja diskutimin, unë deklarova se po tërhiqesha nga kandidimi, me arsyetim se Muhameti ishte 6 muaj para meje, më i shkolluar dhe për respekt që kisha ndaj tij. Pastaj Mustafë Xhemaili deklaroi se po tërhiqej edhe ai nga kandidimi, me arsyetimin se Emrushi, edhe pse më i ri, kishte më shumë përvojë dhe përgatitje përkatëse në organizimin klandestin. Kjo ka qenë arsyeja konkrete, përse nuk kam qenë anëtarë, që kur ishte formuar Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm e deri në vitin 1998. Do ti, shtypi i verdhë (armiqë- sor), propaganda e strukturave të UDB-ës, të LDK-së, vetë UDB-ja, të orkestruara në luftën e tyre speciale, shpifnin: “Lëvizja e Ibrahim Kelmendit”. Dhe kjo shpifje e tyre pat marrë përmasa të atilla, sa ndonjëri nga bashkëveprimtarët bëhej xheloz dhe me ironi thoshte, po ndodh si dikur në Drenicë, që thuhej: “Shokët luftojnë, Azemit (Galicës) po i mbesin”), domethënë: Azemi në fakt nuk po luftonte, por meqë shokët po luftonin, atij po i rritej fama. Pra, jo për mungesë apo rikthim të besimit, nuk isha, përkatësisht isha anëtar i Kryesisë. Edhe në Mbledhjen e Gjashtë do të ishte zbatuar ai përcaktim i kamotshëm, por goditja kundër disa anëtarëve të Kryesisë, sidomos kundër Ali Ahmetit, Emrush Xhemailit dhe Muhamet Kelmendit, vetvetiu bëri që Muhameti të mos kishte shanse për t’u votuar, kurse unë, i bindur se do të isha produktiv, doja të votohesha, prandaj heshta kur që të dy ishim në listën e kandidatëve.
(Bedri Islami – B.I.) – Për të saktësuar gjërat: më i anatemuari nga të gjithë ishte Ali Ahmeti, por ai u zgjodh në Kryesinë e Organizatës. Edhe Muhamet Kelmendi e Emrush Xhemajli u rizgjodhën në Këshillin e Përgjithshëm. Kjo ishte faza e parë. Sipas një marrëveshje të heshtur, u vendos që shokët që ishin tashmë në luftë, të mos ishin anëtarë të kryesisë, ndaj edhe Emmrushi e Xhaviti nuk do të ishin e po ashtu as Adem Grabovci. Ndrëkohë edhe Xhavit Hasliti e Azem Syla kishin marrë detyra të rëndësishme në kuadrin e UÇK-së.Se si ndodhi me Muhamet Kelmendin, do të bashkëbisedojmë më pas. Në Kryesinë e re të Organizatës mjaft nga anëtarët e dikurshëm të Kryesisë pararendëse, nuk u rizgjodhën. Shumë prej tyre tashmë ishin në luftë ose në strukturat e veçanta të saj, kështu që nuk mund të ishin edhe në drejtimin e Organizatës, megjithëse ishin anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm. Ndonjëri edhe u tërhoq nga rikandidimi, siç ishte rasti i Rexhë Iberdemajt; ndonjë tjetër, fillimisht u tërhoq, pastaj nga këmbëngulja, rikandidoi, siç ishte rasti i Fazli Veliut. Flas vetëm për anëtarët e Kryesisë. Por, u rizgjodh Ali Ahmeti. Ç’dëshmi e parë ishte rizgjedhja e tij?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Sa për sqarim, në Kryesinë, të cilën e patëm kategorizuar si “teknike”, meqë kishim vendosur, pasi të hetoheshin akuzat, të mbahej Kuvendi tjetër dhe të zgjidhej kryesia e rregullt, sa mbaj mend, u zgjodh vetëm Ali Ahmeti, nga gjithë anëtarët e Kryesisë së vjetër. Kjo ishte dëshmi se shumica e Organizatës nuk u besonte akuzave të Hashimit, se vazhdonin të kishin besim dhe respekt ndaj Aliut. Vetëm ky fakt do të ishte i mjaftueshëm ta bënte të panevojshëm Komisionin hetues, por mirë që u ngrit, për të sqaruar edhe shumë zhvillime, devijime dhe dyshime të tjera.
(Bedri Islami – B.I.) Je i gabuar, në kryesinë teknike nuk është zgjedhur Ali Ahmeti, si antar i saj. Unë jam zgjedhur drejtues i saj, e bashkë me mua janë emëruar edhe Bardhyli, Agush Buja, Mehmet Bislimi, Sabri Kiçmari, R. Rama, Xhevat Bislimi.
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – “Viktimë“ e akuzave të Hashim Thaçit, pra, ishin edhe Xhavit Haliti, koordinues i Sektorit të rëndësisë së veçantë. Nuk u zgjodhën as Fazli Veliu, kryetari disavjeçar i Kryesisë, as Emrush Xhemajli, sekretar disavjeçar. Por, çudi e radhës për mua ishte, përse nuk u zgjodh as “komandanti suprem” i UÇK-së, Azem Syla, siç e kishte afishuar vetën me pëshpëritje të inskenuara të pjesëmarrësit në atë Mbledhje. Se mos po keqkuptohem si skandaloz, po nuk prish punë, me informimin vijues: Sapo u njoftuan rezultatet, Azemi, si rastësisht kaloi para meje dhe më tha me zë nëpër dhëmbë: “Zgjedhja jote në Kryesi i dha fund Lëvizjes!” Ia ktheva me të qeshur: “Ruaje nivelin, zoti komandant suprem!”
(Bedri Islami – B.I. /Sqarim i intervistuesit) Në kohën kur do të bëheshin propozimet për anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, tre pjesëmarrës në Mbledhje dhe një jashtë Mbledhjes, kërkuan të mos kandidoheshin për t’u zgjedhur. Në Mbledhje kërkuan Rexhë Ibërdemaj, deri atëherë anëtar i Kryesisë; Fazli Veliu, deri atëherë Kryetar i Kryesisë dhe Hasan Ukhaxhaj. Nga jashtë, përmes Ramizit, Fehmi Lladrovci kërkoi të mos zgjidhej, me arsyetimin se ishte në luftë dhe në luftë nuk duhet të ketë më angazhime partiake, por mbetet gjithnjë anëtar i Lëvizjes. Pas këmbënguljes së delegatëve, Fazli Veliu pranoi të rikandidonte, ndërsa profesor Hasani dhe Rexhë Ibërdemaj, nuk pranuan. Profesor Hasani pranoi të ishte në dy Komisione, për hartimin e Rezolutës, ku isha edhe unë dhe Fazli Veliu dhe në Komisionin e Votimit, ku ishte kryetar. Të gjitha fletët e votimit, që janë ende në arkiv, kanë firmën e profesor Hasanit. Kemi qenë 116 delegatë. Nga përfundimi i votimeve unë kam pasur 115 vota pro, që do të thotë se ka munguar vetëm vota ime. Pas meje, ka qenë Bardhyl Mahmuti me 89 vota pro. Kjo erdhi si pasojë e gjendjes së krijuar në organizatë, por edhe e një vendimi që u mor vetëm në atë Mbledhje, përcaktimi i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm sipas nëndegëve. Kjo do të thoshte se për çdo nëndegë u caktua një numër i atyre që do të ishin në Këshillin e Përgjithshëm. Në atë kohë, por edhe më pas, isha njëri ndër njerëzit që nuk i takoja asnjë ndarjeje, nëse mund të them kështu. Kisha një emër si gazetar dhe mund të isha si pikë referimi. Nuk kam pasur asnjë meritë tjetër. Më pas, njëzëri, me propozim direkt, ose si i thua ti, me aklamacion, jam zgjedhur kryetar i kryesisë teknike, e cila në të vërtetë është quajtur “e përkohshme”, pa e marrë askush parasysh mendimin tim. Propozimi është bërë nga Ali Ahmeti dhe është mbështetur nga Hashim Thaçi, ti, Ramiz Lladrovci, Emrush Xhemajli, i cili kur dolëm në pushim, më tha se kishte besim tek unë, dhe, pastaj, po ashtu, pa marrë askush mendimin tim, po me miratim njëzëri, jam zgjedhur Kryetar i Komisionit të veçantë për shqyrtimin e akuzave dhe të ngjarjeve të Luftës. Ndërsa, po ashtu, me aklamacion, pas propozimit të Hashim Thaçit, në Mbledhjen e fundit të Përgjithshme, jam zgjedhur si kryetar i grupit për shndërrimin e Lëvizjes në parti politike legale. Si duket, ti, nga ngarkesa e atyre ditëve dhe pa pasur si referim arkivin, gjë që e kam aktualisht, ke ngatërruar dy ngjarjet: zgjedhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë Teknike. Më pas, në qershor të atij viti, pasi u dhanë konkluzionet e Komisionit që drejtoja unë, ku ishin edhe Sejdi Gega e Naser Idrizi, u bë zgjedhja e Kryesisë së rregullt, përsëri me votim të lirë, të drejtpërdrejtë, nga i cili dolën 7 anëtarët e Kryesisë: Bedri Islami, Bardhyl Mahmuti, Jashar Salihu, Ibrahim Kelmendi, Ali Ahmeti, Sejdi Gega dhe Agush Buja. Në mbledhjen e parë të saj, Kryesia zgjodhi: kryetar – Bedri Islamin, pas propozimit të Bardhylit dhe mbështetjes sate; nënkryetarë – Bardhylin dhe Jasharin; përgjegjës për financat – Sejdi Gegën; Ali Ahmetin – për lidhjen me zonat operative dhe përgatitjen e ngjarjeve në Maqedoni dhe ty, si koordinator mes Kryesisë dhe Fondit.
(Ibrahim Kelmendi – I.K./ Vazhdim i përgjigjes) – Mbase jam i gabuar, në ato ditë kanë ndodhur aq shumë ngjarje njëra pas tjetrës, saqë edhe ngatërrohen, pasi në një hark prej pak ditësh, u bënë disa mbledhje, takime, ballafaqime. U ngritën e ranë akuza, u formuan e shprishën grupe, saqë është e kuptueshme, të ketë ngatërrime të këtij lloji. Por, ama, isha i bindur se jeni zgjedhur një herë kryetar me aklamacion dhe kjo paska ndodhur në zgjedhjen e kryesisë së përkohshme! Megjithatë, sa herë e kam përsëritur, me gojë e me shkrim, se zgjedhja Jote për Kryetar qe një fat i dhuruar nga Zoti, do të thoshin besimtarët, kurse unë do të thosha se ju ishit fati i Lëvizjes dhe UÇK-së. Ti dhe gjithë ata që me njohin e dinë se unë nuk lavdëroj njeri për hatër dhe as shaj njeri për xhelozi.
(Bedri Islami – B.I.) – Paralelisht, në këtë kohë, ndodhi edhe vetëlargimi i Muhamet Kelmendit nga Organizata, rrjedhimisht përjashtimi i tij dhe ky ishte një vendim i Këshillit të Përgjithshëm. Por, edhe shumë të tjerë nuk u rizgjodhën. Pra, disa u larguan, të tjerë erdhën. Dikush u mërzit, dikush e mori seriozisht detyrën e re. Fehmi Lladrovci, nga Drenica na solli mesazhin se nuk mund të rizgjidhet në strukturat drejtuese të Organizatës, pasi ishte në luftë. Ndodhën ndryshime në drejtim. Si mendon, ishte kjo për së mbari, apo u krijuan diferenca të reja?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Pyetje paksa e bezdisshme. Po të mos e bënit, do të ndihesha më rehat. Por, megjithatë, po përpiqem të përgjigjëm. Arsyet e vërteta se përse dha dorëheqje Muhameti, nuk i kam mësuar. Intimisht pata menduar se ai nuk i përballoi dot pabesitë nga ana e Xhavitit dhe Azemit, akuzat nga Hashimi (edhe pse nuk i kishte aq të ashpra, sa kundër Aliut e Emrushit), mosvotimi në Kryesi, etj. Por, përse kishte nevojë ta përjashtonte Këshilli i Përgjithshëm, meqë ai veç kishte dhënë dorëheqje, këtë nuk e kuptova atëherë, nuk e kam arsyetuar asnjëherë. Isha në pozitë të vështirë që të kundërshtoja propozimin për atë përjashtim dhe mezi e gëlltita atë gabim.
(Bedri Islami – B.I.) – Largimi i Muhametit u bë pasi ishin dhënë Konkluzionet e Komisionit të Posaçëm. Në mënyrë demonstrative ai u largua nga Mbledhja dhe na dërgoi një Letër, në të cilën thuhej se nuk i njihte më vendimet e këtij Këshilli dhe pastaj në një letër tjetër, se do të formonte një Lëvizje të re. Këto dy letra janë ende në arkiv dhe kjo e dyta ishte edhe shkaku i përjashtimit të tij, pasi nuk ishte e kuptueshme që dikush të punojë për një Lëvizje të re dhe të jetë anëtar i një forumi drejtues. Nëse ai nuk do të largohej, me siguri do të rizgjidhej në Kryesi, ose së paku unë besoj kështu.
(Ibrahim Kelmendi – I.K. / Vazhdim i përgjigjes ) – Ai ndryshim ishte kompromis dhe, Kryesia në të cilën ishim anëtarë, nuk ishte më “teknike”, pasi tashmë ishin sqaruar e hedhur poshtë akuzat tepër të rënda dhe do të merreshin vendime përkatëse. Do të thosha, nuk patëm shumë alternativa dhe besoj se ishte zgjidhje më pragmatike, sepse u “kombinua” një Kryesi funksionale, e cila menaxhoi gjendje të rëndë e zhvillime të mëdha. Të zgjatëm me arsyetime konkrete, nuk më ka hije, sepse keqkuptohet si vetëlavdërim. Megjithatë, nuk do të përmbahem pa thënë: merita kryesore të takon Ty, sepse edhe Kryesia jonë kishte dy-tre tifozë të Hashimit, nga se ishin të bindur se Hashimi duhej të ishte udhëheqësi kryesor i UÇK-së, pa qenë të informuar se ai ishte vetëm Drejtor i Drejtorisë politike pranë Shtabit të Përgjithshëm, por jo komandant. Por, ama, nuk ishin tifozë vulgarë, radikalë. Ishin brenda të tolerueshmes, brenda të drejtës për anime fraksioniste. Meqë tashmë nuk është “sekret publik”, siç thuhet me shpoti, bëhet fjalë për Bardhyl Mahmutin, Jashar Salihun dhe Agush Bujën. “Kundër” Hashimit klasifikoheshim Sejdi Gega, Ali Ahmeti dhe unë, paçka se nuk ishte e vërtetë, në kuptimin e ngushtë të fjalës. Kurse Ti, Miku Bedri, të dinin për neutral, paçka se qarkullonin spekulime se anonit më shumë nga Aliu dhe unë. Ka ndodhur sa herë, që për të njëjtin vendim do të kishte tre vota pro e tre vota kundër e atëherë pritej qëndrimi Yt. Megjithatë, nga Organizata nuk shkuan të tjerë bashkëveprimtarë. Sa i përket Fehmiut, ai e kishte ndarë mendjen, nuk do të largohej më nga Kosova dhe përcaktimi i tij për të mos kandiduar ishte rrjedhë e logjikshme e përcaktimit dhe angazhimit të tij.
(***)
– Shkëputur nga libri: (Bedri Islami “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – /XII. Mbledhja e Gjashtë e Përgjithshme, maj 1998/ – faqe 415 – 427)
________________________________
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 1)
IBRAHIM KELMENDI: “FEHMI LLADROVCI PARASHIKONTE FILLIMIN E LUFTËS” & BEDRI ISLAMI: “NUK E KAM KUPTUAR KU QËNDRON KOMPLOTI I XHAVIT HALITIT”
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5109
***
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 2)
BEDRI ISLAMI: KRYESIA E LPK’së NDËRTOI SEKTORIN E RËNDËSISË SË VEҪANTË & IBRAHIM KELMENDI: XHAVIT HALITI DHE AZEM SYLA NUK U DËRGONIN FINANCA ZONËS SË DRENICËS, DUKAGJINIT DHE TË LLAPIT!
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5112
***
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 3)
BEDRI ISLAMI: ILIR KONUSHEVCI DHE ARDIAN KRASNIQI SË BASHKU ME TË TJERË, I VUNË THEMELET UҪK’së. IBRAHIM KELMENDI: ILIRI KISHTE GOXHA ANKIME KUNDËR XHAVIT HALITIT DHE AZEM SYLËS! (FOTO ARKIVORE/
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5115
***
Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin: (Pjesa 4)
DISKUTIMI (I SHKURTUAR) I IBRAHIM KELMENDIT NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM (KP) TË LPK’së, 23 MAJ 1998
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5119
***
Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin: (Pjesa 5)
DISKUTIMI (I SHKURTUAR) I IBRAHIM KELMENDIT NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM (KP) TË LPK’së, 12 DHJETOR 1998
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5128
***
Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin” (Pjesa 6)
IBRAHIM KELMENDI: “XHAVIT HALITI DHE AZEM SYLA ISHIN KUNDËR SHKUARJES SË FEHMI LLADROVCIT NË KOSOVË” & BEDRI ISLAMI: “REXHEP SELIMI MË KA THËNË SE NE ISHIM TË DËSHIRUAR TË KISHIM NJË NJERI SI FEHMIU”/
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5142
***
Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin” (Pjesa 7)
BEDRI ISLAMI: A ËSHTË NDIHMUAR ADEM JASHARI NGA ORGANIZATA? IBRAHIM KELMENDI: TRI ZONA TË UҪK’së JANË FINANCUAR NGA NËNDEGA E LPK NË GJERMANI
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5158