MË MARRSHË TË KEQEN EUROPË!

MË MARRSHË TË KEQEN EUROPË!

Nga Elife Podvorica Jashari, Prishtinë 27. 06. 2022

…Mami më ndihmo të lutem me lidhëset e fustanit….po më luste Arta tërë emocion e drithërimë…ishin pak çaste kur do të ngjitej në skenë vet e 250-ta, sa ishin krejtësishtë, bashkë me korin, orkestrën dhe dirigjentin e katër solistët, njëra ndër të cilët ishte edhe ajo.

– A ishte mirë “a’-ja gjatë provës, po më pyeste gjersa po e rregulloja edhe unë tërë drithërimë, sepse e dija mirë çfarë pune e priste atje në skenë dhe çfarë përgjegjësie ishte me vepra të mëdha vokalo-instrumentale, siç ishte kjo e sontmja.

Kantata – “Carmina Burana”- e kompozitorit gjerman Carl Orff, po interpretohej sonte këtu në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytetin tonë. Dirigjent ishte miku tashmë i familjarizuar me botën shqiptare, dirigjenti i famshëm botëror Toshio Yaganysawa. Solistët ishin: Adelina Paloja, Arta Jashari, Xhemil Regjepi dhe Safet Berisha.

-Grua, ec më tutje moj, në rendin tjetër të karrikeve, po më nxitonte bashkëshorti, i koncentruar andej prej nga po hynin mysafirët nga të gjitha Ambasadat e huaja që janë të vendosura në Kosovë, përfshirë këtu edhe ambasadorin amerikan… i cili vjen çdoherë në koncertet e Filharmonisë, dhe çdoherë në fund të çfaqjeve muzikore, ka fjalët më të bukura për tërë performancën muzikore prezentohet. Pastaj kanë ardhur Kryeministrin e vendit z.A.Kurtin, deputet të Parlamentit të kosovës në mesin e të cilëve Saranda Bogujevci, Mimoza Kusari-Lila, Ganimete Musliu, etj.

Publiku po vinte tërë salltanët grumbuj – grumbuj, të veshur bukur, të qeshur e duke kuvenduar me respekt njëri me tjetrin. Koncertet ishin momenti ku njerëzit e fushave të ndryshme takoheshin dhe llafoseshin tërë shend e verë gjersa dirigjenti çfaqej në skenë. Ashtu siç ndodhi edhe sonte….2-3 mijë veta që kishin ardhur për të parë mbrëmjen koncertale, nga gjithë ajo gumëzhimë zërash, përnjëherë u ndalën, sapo dirigjenti Toshio u pa në skenë.

Dritat ngjyra-ngjyra në skenë, por edhe ato në shesh, aroma e blirit që ishte dalldisur në lulëzimin e tij në këto ditë të ngrohëta qershori, i shtonin madhështinë sheshit me një audiencë që të kënaqeshin sytë kur i shikoje. Sa shumë të rinjë e të reja kishin ardhur dhe me sytë e tyre ëndërrimtar e përplotë shkëndija shprese, tërë elan e gjallëri, po prisnin minutat e para të fillimit të veprës muzikore.

Plotë rini e profesionalizëm tregohej edhe në skenë, qysh në fillim të veprës që po këndohej me emocion të paparë.

***

Më bëhej zemra mal. Ashtu siç më ndodhi edhe ca ditë më parë kur kishim marrë rrugën e gjatë për të shkuar në Lubjanë. Ishte ditëlindja e 30 e birit tim, dhe ai këtë vit jubilar deshi të festonte në vendlindjen e tij në Lubjanë.

Isha shumë e emocionuar nga momenti që u nisëm. Nuk kisha dalë jashtë Kosovës për 23 vite me radhë. Udhëtuam për dhjetë orë të mira, duke kaluar shtetin serb. Qysh në kilometrat e parë që na e ndanë kufirin me te, sheh vendbanimet shqiptare të para 7-80 vjetve kur Konventa e LLozanës na i kishte prerë krahët, duke bërë ndarjen e dhimbshme të trojeve tona. Përveç që shihje erma shqiptar nëpër këto vendbanime, dhe shtëpitë me llaq e me pallzina, në të dy krahët e makinës të përcillte një mal me drunjë të shpeshtuar e të gjatë gjithandej. Midis tij, ecte rrjedha e vrullshme e një lumi të madhë duke u bashkuar herë pas here në një liqe që ishte më shumë se 20 km i gjatë. Pas kësaj, u çfaq një fushë e gjërë pjellore, me ara të punuara bukur, me vreshta pemësh të pafundta.

Toka e punuar vazhdoi edhe në shtetin kroat. Gjersa po i afroheshim kufirit slloven, kisha dy emocione që më bënin të mos rrija e qetë asnjë moment. Po sikur të më kthenin sllovenët. Për të ardhur gjer në Lubjanë, kisha marrë një vizë greke, e cila më obligonte që fillimisht të shkilja kufirin grek,e pastaj ato 15 ditë sa më kishin dhën në pashaportën time të zbrazët, mund t‘i shfrytëzoja edhe gjetiu.

Nuk shkuam në Greqi, por rrezikuam dhe u nisëm drejtë e për në Slloveni.

Nuk na thanë asgjë. Një ditë më parë, ishte bërë një Rezolutë europiane për shqyrtimin e liberalizimit të vizave në Kosovë, dhe mesiguri ishte një detaj që kufitarët e të gjitha shteteve që kaluam, ishin shumë të sjellshëm me ne duke na uruar rrugë të mbarë.

Kur u kthyem në Kosovë, doja të ndaloja makinën e të rrokja një valle e të fluturoja nga gëzimi. Nga gjithë ato bukuri e rregulla që pamë, Kosova nuk kishte mbetur as edhe për një gjë më mbrapa tyre. Bile-bile, restorantet e rregullin e kopshteve të tyre, s’e pashë asgjëkundi. As në Trieshte që ishim në njërën nga ditët që i kaluam në Slloveni.  As bukurinë e shtëpive që i kemi ndërtuar pas luftës me zell e dashuri të madhe, nuk kishte që e kalonte asgjëkundi. O zot…20 vjet liri dhe i kishim kaluar pothuaj që të gjithë. Me punën e vullnetin e madhë që më në fund thundra e okupatorëve ishte hequr nga trojet tona…

***

Këtyre ditëve, të gjithë qytetarët e Kosovës, e prisnin me padurim 23 qershorin, ditë kjo e cila do të na mundësoje liberalizimi i vizave. Nuk u bë… Europa kishte një arsye për këtë. Ashtu siç kishte arsye për çdo ndërmarrje të saj në dëm të mirëqenies shqiptare ndër shekuj, duke bërë marrëveshje e Konventa të dëmshme ndërkombëtare…

Atë ditë kur tërë vrull e emocion po më pyeste Arbisa prej një qyteti në Gjermani, se çka u bë me liberalizimin e vizave, më zuri pak në befasi, sepse tërë ditën nuk kisha parë lajme duke harruar edhe cila ditë ishte. Për mua edhe 23 qershori, ishte një ditë e zakonshme sikur gjithë të tjerat e këtyre 22 viteve, pa mundësinë e lëvizjes së lirë dhe e konsideruar si qytetare e rendit të dytë.  

Heeeej!!!  Shekulli XXI… dhe qytetarët e Kosovës, nuk kanë të drejtë të shohin live ndonjë interpretim të “Carmina Burana” në Munih, në vendlindjen e kompozitorit, edhe pse e dinë përmendësh veprën e shkruar (më 1936), ndërsa   sonte po e dridhnin skenën me këndimin e tyre briliant….

Vepra e shkruar që sonte po interpretohej, ishte e shkruar për “Musik fur kinder” (muzikë për edukimin e fëmijëve)… dhe sikur ta dinte Orff, që edhe në Kosovë, nga zëri  i të rinjëve  shqiptar po interpretohej mrekullisht vepra e tij! Nga ata të rinjë e të reja që e kishin të ndaluar vizitën në Munichun e tij….

Po të pyetesha unë si qytetare e këtij vendi, as që do të bëja një kërkesë e lutje të tillë ofenduese për liberalizimin e vizave. Sepse në Europë, liberalizimin e vizave e kanë fituar gjakpirësit e fëmijëve në djep… serbët u falën para botës me gjenocidin e tyre makabër dhe lëvizin lirshëm kudo….e shqiptarët e Kosovës kanë bërë „faj“….se janë mbrojtur dinjitetshëm duke derdhur gjakun e rinisë së saj më të mirë për çlirimin e kësaj toke të ndrydhur ndër shekuj nga këmba barbare pushtuese…

Sonte shumë herë më mbusheshin sytë me lot nga entuziazmi që më shkaktonte këndimi i gjithë atyre të rinjëve në skenë, por të cilët ishin të dënuar nga Europa për lëvizjen e tyre të lirë…

Turp të qoftë moj Europë bashkë me rezolutat tua po thoja me vete,….gjersa kishte shpërthyer duartrokitja e gjatë pas përfundimit të koncertit madhështor, i cili po mbahej në sheshin e pagëzuar me emrin e një gruaje të vogël, por me me zemër e vepra të mëdha, e që ishte Mother Terese…. Shqiptarja që ia shkeu fytyrën varfërisë, duke bërë një mrekulli të shenjtëruar mbi këtë tokë, e në ato vende ku varfëria e padrejtësia kishte humbur buzëqeshjen e fëmijëve të pafajshëm…

– Mezi depërtova tek Arta dhe Adelina nga turma e madhe e cila po e uronte me gëzim e hare korin tonë të solistëve të mrekullueshëm.

– Të pëlqeu  mami?-, më pyeti menjëherë ajo tërë ngazëllim.

Oh,e dashur,ishte perfekte çdo gjë, përplasja duartë unë duke përqafuar njëkohësishtë të dyjat-Artën dhe Adelinën e dashur, e cila e kishte punuar veprën me hollësi të detajizuara-notë për notë e takt për takt.

Interpretimi nga ana e korit dhe instrumentistëve e dridhte sheshin dhe jehona e tingujëve madhështor shqyente terrin e natës së verbuar nga dritat që vezullonin sikur yjet lartë në qiellin e kësaj nate qershori të ngrohtë… Ndërsa prezenca e korit të fëmijëve kur dilte në skenë, ngjante me engjullin mbrojtës dhe  shtonte madhështinë e skenës së mbushur me korin e përforcuar edhe nga kori i studentëve të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.

Urime, urime,…. gëzuar të gjithëve-bërtisja unë me sa zë kisha të gjithë atyre këngëtarëve e instrumentistëve që më kalonin përbri… Bravoooo…. ishte shkëlqyer gjithçka.

…Më marsh të keqen Europë… bërtisja edhe më tutje, por kësaj radhe brënda në makinë teksa po kthehesha vonë për në shtëpi… U frikove nga shqiptarët, sepse ti e di shumë bukur historinë e tyre… por është krejt e kotë, siç e keni kuptuar edhe ju vet. Sepse, shqiptari-shqiptar mbetet, pavarësisht tendencave të Traktateve famekeqe dhe konventave hileqare qeë bëheshin herë në atë periudhë e herë në këtë periudhë….Konventat tuaja u munduan të na çfarosnin edhe racën tonë, por siç e sheh tërë bota, ende jemi mbi tokë. Mbi tokën që zoti na e ka dhuruar me begati të mëdha natyrore: male, lumenjë e liqene, miniera, e bregdetin e pafund, në brigjet e të cilit kënaqen rinia jonë e bukur, inteligjente dhe kreative.

Andaj, mos u friko Europë nga shqiptarët, sepse shqiptari nuk ka qenë kurrë gllabërues tokash e hajdut kufiresh… e di ti shumë mirë këtë gjë …. kurrë në historinë e tij nuk ka bërë gjenocidë e nuk i ka tmerruar sytë e pafajshëm të fëmijëve duke lënë pasoja shekullore për të ardhmen e njerëzimit….

Përkundrazi… ka luftuar vetëm atëherë kur është cënuar nderi i  tij nga hajdutët e të pabesët…

“O furtuna”….më kishte mbetur në kokë melodia e fillimit të veprës e cila sonte vërtetë u interpretua mrekullisht nga shkopi i  dirigjentit Toshio Yanagysawa. Të përkujtojmë, Toshio i ka dhënë një ndihmë orkestrit të Filharmonisë së Kosovë në shumë prej 600 mijë euro, ndërsa Japonia është shteti i parë që e ka ftuar Kosovën si shtet i pavarur me koncerte të njëpasnjëshme të Filharmonisë së Kosovës atje… Toshio ka shkruar edhe librin në gjuhën japoneze për luftën në Kosovë…..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura