MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (VIII)

Pashtriku, 24 shkurt 2021: Kryengritja
“Paqja me pushtuesin është si gjumi me luanin.” Thënie afrikane
Më 12 mars 1981, Agjencia e lajmeve e Jugosllavisë Tanjug, njoftoi shkurt dhe papërfillshëm për “prishjen e rendit dhe qetësisë publike”, mbrëmjen e 11 marsit nga një grup studentësh në Prishtinë. Studentët e Universitetit të Kosovës, kishin protestuar edhe më parë kundër diskriminimit dhe kushteve mizerie të studimit, por kësaj here ishin më shumë dhe me kërkesa më serioze. Edhe kjo ngjarje do të kalonte në heshtje, po të mos binte si prafullimë në barut.

Dy javë më vonë, më 26 mars, shpërtheu revolta në një demonstratë të fuqishme, pikërisht ditën kur në Prishtinë organizohej ceremonia zyrtare e pritjes së stafetës së Titos, e cila tradicionalisht i dorëzohej atij në Beograd në ditën e lindjes. Tito kishte një vit që i kishte lënë shëndenë Jugosllavisë, por stafeta vazhdonte rrugëtimin e saj edhe pa të zonë.
Studentët ishin të parët që e filluan dhe u vunë në ballë të demonstratës. Brohoritjet dhe thirrjet buçisnin rrugëve të qytetit.
Naseri me shokët dhe shoqet e tij, ndërprenë mësimin dhe shkuan nëpër klasë të tjera t’i njoftonin bashkënxënësit dhe t’i ftonin në demonstratë. Nga aty ndanë detyrat të shkonin nëpër të gjitha shkollat e mesme të qytetit, duke u bërë thirrje të dilnin në demonstratë. Nxënësit e shkollave të mesme lëshuan orët e mësimit dhe zbritën në qendër të qytetit. Policia veshur me pancir, bëri kordon nëpër rrugë, por masa e pambarim e demonstruesve e shpërtheu, sikur lumi i dalë nga shtrati që rrëmbyeshëm përlanë çfarë i del përpara. U prish edhe festa e stafetës.

Naseri me bashkënxënësit kishin mbërritur fluturimthi, por sa më shumë i afroheshin qendrës, hapi ngadalësohej për shkak të mizërisë së njerëzve. Nga të gjitha rrugët vinin radhët e demonstruesve duke u ngjeshur. Dukej sikur dilnin nga toka, si burimi i Drinit të Bardhë. Policia me makina hynte rrugëve për të çarë masën e grumbulluar. U ngritën barrikadat me makina të rrokullisura, qerre, drunj, autobusë të ndalur, kamionë, mjete pune të ndërtimtarisë etj. Djem të rinj nisën të hipnin në shtylla, zbritnin flamujt jugosllavë dhe në vend të tyre vendosnin kuqezinjtë.
Nuk kemi flamur, i tha Naseri Asllanit.
Një i moshuar që mbante flamurin lart, ia dha Naserit, i cili hoqi rripin, e mbërtheu në këmbë si këmbalecët, u kacarrua shtyllës lart dhe e vendosi flamurin.
Gjaku rinor është plot guxim, tha i moshuari.
Policia përpiqej t’i mblidhte flamujt, duke ua rrëmbyer me forcë demonstruesve. Një vajzë e kishte mbështjellë flamurin ngjitur trupit, për ta mbrojtur nga grabitësit. Asllani e pa dhe i bëri me shenjë Naserit ta shihte edhe ai. Thirreshin parulla nga të gjitha anët. Naseri me gjithë fuqinë e zërit që kishte, thirri:
Jashtë pushtuesit!
Asllani ia priti:
Poshtë robëria!
Kolegët e tyre i përsëritnin parullat.
Një djalë pranë tyre thirri:
Poshtë serbët!
Iu afrua Naseri dhe qetësisht i tha:
Vëlla, nuk po të njoh, por mos thirr ashtu se na e dëmton pastërtinë e demonstratës. Ne luftojmë kundër regjimit pushtues, e kupton? Mos bëj proçka!
Djali tundi kokën disa herë në shenjë miratimi dhe ndërroi vend.
Pak më larg nga aty, disa demonstrues që e kishin njohur një spiun, e kapën për krahu dhe e nxorën jashtë masës, duke e kërcënuar:
Ik nga këtu se të piu e zeza!
Një zyrtar i lartë, i sapodalë në orbitën pushtetore, paska folur me disa demonstrues, por kanë përfunduar pa asnjë marrëveshje, tha Asllani.
Dëgjova edhe unë, ia ktheu Naseri, por thanë që i mbante me marifet pezull derisa të vinin përforcime policore, se mujsharë janë këta.
Dikush po fliste, por nuk dëgjohej mirë nga këngët e demonstruesve. Masa e njerëzve u dendësua shumë, trup më trup. U panë nga larg policë dhe makina. Shpërthyen bomba të gazit lotsjellës. Disa prej tyre të rinjtë i rrëmbenin me dorë dhe ua kthenin policisë. Nga radhët nxorën disa demonstrues me gishta të këputur nga bombat e gazit.
Një grua ra pa ndjenja. I hodhën ujë fytyrës, por pasi u ndërmend, i erdh opti. Ajo shikonte rrotull me habi. E nxorën nga rruga. Të plagosurit shtoheshin nga çasti në çast. Demonstruesit i transportonin në duar të ngritura, si në konvejer. Më tutje disa të rinj po përlesheshin me policë. Disa makina policie zunë të katër anët e rrugëve, pastaj u dëgjuan shpërthime të fuqishme që tronditën qytetin. Bombat e gazit lotsjellës hidheshin si breshër mbi kokat e demonstruesve. U krijua një atmosferë asfiksuese nga tymi që mjegulloi tokën dhe qiellin. Demonstruesit po shpërndaheshin, por forcat e mëdha policore nuk i linin të rigrupoheshin.
Naseri me Asllanin ishin afër konvikteve të studentëve. Një student që ishte me ta bashkë në demonstratë, i ftoi të shkonin në dhomën e tij në konvikt, sepse po dëgjoheshin edhe krisma armësh të gjata. Hynë në dhomë, në katin e dytë. Erdhën edhe studentë të tjerë. Njëri prej tyre tha se po flitet të kenë sjellë me avion reparte të forcave speciale nga Beogradi.
Në cilin fakultet jeni? e pyeti njëri Naserin.
Ne të dy, tha Naseri duke shikuar nga Asllani, jemi maturantë të shkollës së mesme. Në vjeshtë do të jemi me ju bashkë, dhe buzëqeshi lehtë.
Sot u bëmë bashkë të gjithë, tha studenti.
Pas pak Naseri dhe Asllani u ngritën, sepse duhej të mbanin një takim me shokët.
Ku shkoni nëpër këtë rrëmujë, tha studenti, për më tepër ka rënë terri. Rrini këtu!
Faleminderit, por duhet të shkojmë. Do të gjejmë rrugëdalje periferisë së qytetit.
Kur dolën jashtë konviktit, dëgjuan britma policësh serbë që po vinin drejt tyre:
Ndal! kthehuni brenda!
Para hyrjes së konviktit tjetër, forca komando kapnin studentët për krahu dhe i vërvitnin në makinën kamion. Një vajzë e tërhiqnin për flokësh dhe ashtu e përplasën brenda makinës. Disa policë po përlesheshin. Kacafytja dukej të ishte midis uniformave të Kosovës dhe atyre të Beogradit, që dallonin nga ngjyra. Repartet serbe mbanin xhaketa antiplumb. Në shpejtësi u kapën policët shqiptarë, i lidhën dhe i futën në makinë. Nga hyrja dilte tym i gazit lotsjellës. Naseri dhe Asllani u futën shpejt brenda dhe shkuan në dhomën e fundit të konviktit. Hapën derën e dhomës plot studentë dhe u treguan se po vinin forca speciale në konvikt, të cilat e kishin bllokuar hyrjen. Një student doli në korridor dhe thirri me tërë fuqinë:
Kërceni nga dritaret se policia po hyjnë brenda me gaz helmues!
E përsëriti edhe njëherë, por policët po vraponin korridorit dhe shkallëve, duke hedhur gaz lotsjellës. Naseri dhe Asllani e hapën shpejt dritaren që të nxirrte prapa konviktit dhe dolën. Policia i vërejti, por ata si shigjeta vrapuan drejt Kodrës së Diellit. Atje hynë në një karabina dhe pushuan disa minuta. Ishin mbushur frymë duke vrapuar shpatit. Dolën nëpër lagje që po ndërtoheshin, deri te varrezat e hebrenjve. Zbritën në park dhe u ngjitën Lagjes “Taslixhe”, ku e kishte shtëpinë Naseri.
Shpëtuam, tha Naseri, tashti do të pushojmë në shtëpinë time. Dy të rinjtë ndrysnin muskujt e tendosur…
Natën vonë u takuan edhe me shokë të tjerë për të analizuar rrjedhën e ngjarjeve të ditës.
Të nesërmen mësuan se konviktet e studentëve ishin zbrazur tërësisht. Forcat speciale të ardhura nga Beogradi, kishin torturuar e plagosur qindra djem dhe vajza, studentë shqiptarë dhe i kishin mbyllur të gjithë në burg, ku e kishin vazhduar rrahjen brutale edhe gjatë natës.

Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva

*
Ditët në vazhdim kalonin në një qetësi relative, por priteshin stuhi të tjera të revoltës popullore. Trajtimi kriminal i studentëve në konvikte e kishte rritur pezmin qytetar deri në pikën e vlimit. Kudo flitej për këtë temë, duke e konsideruar si një provokim shovinist serb të ndërgjegjes dhe krenarisë kombëtare shqiptare. Kishte gjithashtu edhe shumë të plagosur, të cilët nuk guxonin të paraqiteshin në spital, sepse do të arrestoheshin. Vala e arrestimeve po përhapej gjithandej, duke i kontribuuar edhe më shumë revoltës së qytetarëve.
*
Një ditë të bukur të fundmarsit, nga lidhja që kishte me organizatën, Naserit iu kumtua lajmi më i gëzueshëm në jetën e tij: ai dhe Asllani ishin pranuar në radhët e saj. Tek shkonte te Asllani, Naseri nuk ecte, po sikur fluturonte. Ata ishin bërë bashkëvëllezër të pandashëm; dy trupa dhe një shpirt. Dashuria i bashkon zemrat, por nuk ka dashuri as miqësi t’i lidhë njerëzit sa ideali për lirinë.
Nga kjo ditë, Naserit i dukej vetja më i pjekur, më i përgjegjshëm, më serioz dhe më i rëndësishëm e më i dobishëm për Atdheun e vet. Befas iu kujtua një mendim i Sofokliut që i kishte pëlqyer ngaherë, se vepra më e bukur njerëzore është të jesh i dobishëm për të tjerët, por tashti i dukej i mangët, pa përmbajtje të plotë.
Një natë Asllani e mori Naserin dhe u takuan me disa shokë të celulës së tij, me të cilët nuk njihej Naseri, por i lanë përshtypje shumë të mirë. Disa prej tyre kishin qenë të organizuar në grupe të vogla, por më vonë u riorganizuan mirëfilli. Ata po i analizonin demonstratat e 11 dhe 26 marsit dhe perspektivën e Lëvizjes.
Pas demonstratës së 26 marsit, tha Naseri, besimi në fitoren e lirisë është shumëfishuar. Ka shumë rëndësi ta kultivojmë vetëbesimin te veprimtarët, por edhe në popull. Populli është si ajo makina e rëndë, niset me vështirësi, po kur niset nuk ndalet. Tashti që është zgjuar dhe ngritur në këmbë, nuk ka më letargji, nuk dremitet dhe nuk e ha kilen për okë. Ne duhet ta kapim mirë këtë momentum historik dhe ta orientojmë atë drejt luftës ngadhënjimtare për liri.
Organizata, nuk e ka në program luftën aktualisht, tha njëri nga diskutuesit.
Nuk e ka sot, por në të ardhmen, jo shumë të largët, do të jetë e pashmangshme lufta e armatosur çlirimtare, tha Naseri, i bindur për ato që thoshte.
Dështimet janë pushimore të shkurtra para fitoreve të reja, kam lexuar diku, vazhdoi ai. Tashti është koha e veprimit të hapur, por radhët tona duhet mbajtur në konspiracion të thellë, sepse nga peri mund të kapet tërë lëmshi… Kryengritja do ta nxjerrë nga radhët ndonjë veprimtar, se këta po burgosin masivisht, madje edhe të paorganizuar, por ajo do t’i shtojë ato, më shumë se kurrë, si nervëzimi në trupin e njeriut.
*
Në orët e paradites së 1 prillit, flitej skutave se mund të kishte përsëri demonstratë. Naseri u tregoi shokëve për aq sa kishte dëgjuar. Njëri prej tyre tha mos është gënjeshtër e 1 prillit. Jo. Filluan shpejt lëvizje të pazakonshme të njerëzve drejt qendrës së qytetit.
Bashkim! Bashkim! Kush s’bashkohet, është tradhtar! thirrën disa të rinj që po ecnin me hapa të shpejtë. Një burrë fishkaraq përpiqej ta mbante për krahu një të ri, por ai iu shqit me forcë dhe u largua prej tij.
Ku shkon o bir, a nuk e sheh rrëmetin? Kthehu në shtëpi! thërriste burri.
Shkoj me shokët, tha i biri, por edhe t’i laj të ndragurat tuaja, se kam turp!
Njëzet e gjashtë marsi për Naserin ishte dita e pagëzimit të zjarrit. Tashti kishte një përvojë. Ai hyri nëpër dyqane, duke u thënë pronarëve t’i mbyllnin dhe të dilnin në qendër. Pastaj me Asllanin dhe kolegë të tjerë shkuan në një kantier ndërtimi, ku po ngrihej një objekt shumëkatësh.
Motra dhe vëllezër! thirri Naseri, po mblidhemi në qendër të kërkojmë lirimin e të burgosurve dhe të drejtat tona, lëreni punën dhe ejani bashkë me ne! Pastaj vazhduan edhe në punishte të tjera, në shkolla dhe lagje.
Pas dy orësh sheshi ishte përsëri përplot demonstrues; studentë e profesorë, nxënës, burra, vajza e gra, punëtorë me helmeta në kokë dhe me mjete pune, fshatarë e zejtarë etj. që u ngrydhën si një trup. Një profesor ngrehaluc, zëdhënës i titizmit, sipas detyrës u fliste disa studentëve që të dilnin nga radhët e demonstruesve dhe të shkonin në shtëpi, sepse po e dëmtonin vendin e tyre, kurse ata vetë i priste “shtëpia pa qira.” Ata e rrethuan profesorin dhe e nxorën jashtë rrugës, duke e bërë për dy grosh.
Shan shtamba të zotin, tha profesori duke u larguar.
Qëndrimi ndaj Kryengritjes, u bë gur prove për shumë intelektualë…
Naseri i pa punëtorët e Ndërmarrjes Ndërtimore “Ramiz Sadiku”, të cilët i kishte takuar më herët në lagjen e Lakërishtës. Më tej ishin punëtorët e Termocentralit në Obiliq dhe të Minierës së thëngjillit, të cilët kishin mbërritur këmbë në Prishtinë. Tregtarët e zejtarët i kishin mbyllur qepenat e dyqaneve për të dalë në rrugë.
Mund të jenë mbledhur rreth njëqindmijë demonstrues, i tha Asllani Naserit.
Demonstruesit, si me komandë, uleshin, pastaj ngriheshin në këmbë duke brohoritur.
Kur ulen, duken më mirë, tha Naseri. Shih sa i fuqishëm është zëri i popullit kur kërkon liri!
Prishtina buçiste nga thirrjet e fuqishme: “Punëtorë, studentë dhe fshatarë, jemi një e të pandarë!” “Mjaft shtypje e shfrytëzim!” “Poshtë robëria­rroftë liria!” “Lironi nga burgu bijtë tanë!” “Trepça eksploatohet, Beogradi ndërtohet!” “Kosova është jona!” “Kosova-Republikë!” “Policë të huaj, shkoni në shtëpinë tuaj!” “Vetëvendosje-Republikë!” “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!” “Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë!” “Rroftë Shqipëria!”
Dikush po fliste me megafon, duke e orientuar demonstratën. Ai i paraqiste pozitën kolonialiste të Kosovës, diskriminimin e shqiptarëve nën Jugosllavi, dhunën e terrorin që po ushtrohej ndaj tyre, karakterin çlirimtar të demonstratave dhe nevojën e kundërshtimit të robërisë.
Duket të jetë yni ky, sepse fjalori është si te “Liria”, i tha Naseri Asllanit.
Tek po shikonte nga ballkonet e pallateve të banimit përreth sheshit, Naseri pa një burrë me flokë të shpupurishur si po hidhte saksi lulesh mbi kokat e demonstruesve!
Shovinist serb do të jetë, tha Naseri.
Një burrë po kërkonte që të vinte para demonstruesve ndonjë nga zyrtarët e lartë shqiptarë.
Demonstrata do të vazhdojë sonte, por edhe nesër! thirri dikush me zë të ngjirur.
Masa u përgjigj njëzëri me miratim.
Nuk vonoi dhe u dëgjuan shpërthime të fuqishme, si bubullima në qiell. Pastaj u derdhën breshëri bombash të gazit lotsjellës. Shtëllunga tymi, bashkoheshin duke bërë re të zeza në shesh. Dritaret e apartamenteve përreth, mbylleshin njëra pas tjetrës. Demonstruesit shpërndaheshin rrugëve anësore, por ato ishin tepër të ngushta ta zinin gjithë atë mizëri njerëzish. Gjithandej batërdi. Atmosfera, sa vinte bëhej më asfiksuese.
Naseri kishte humbur lidhjen me shokët që kishte pranë. Në pamundësi të shkonte nga Kuvendi, hyri në një rrugë të ngushtë përbri Teatrit Krahinor. Rrugica e mbushur me njerëz ishte e padalë. Naseri kishte mbetur në mes të rrugës; nuk mund të vazhdonte më tej, por as të kthehej. Bomba gazi hidheshin mbi kokat e njerëzve. Për një çast ai mbeti pa frymë nga angështia dhe gazi. Dikush ishte rrëzuar pa ndjenja. Dera e shtëpisë ku përfundonte rruga ishte prej metali dhe e mbyllur. Mbi derë vazhdonte muri. Të rinjtë iu ngjitën murit dhe nuk ktheheshin më. Erdhi në radhë Naseri. Duke hipur mbi mur, pa oborrin si humbësirë dhe shtëpinë përdhese pa drita, që dukej se ishte serbe. Kaloi oborrin dhe u ngjit në një mur tjetër të këmbatisur, nga i cili doli në rrugë të hapur që çonte te konviktet e studentëve. Nuk vazhdoi andej, por u kthye rreth përroskës që e nxori te shkolla ku e kishte mbaruar filloren. Për herë të parë, atë ditë, ndjeu rraskapitje nga lodhja dhe asfiksimi.
Naseri u takua sërish me shokët dhe ndanë detyrat për ditën e nesërme, që sipas marrëveshjes në shesh, duhej nisur me demonstratë shumë më të fuqishme.
Ditë e re, shpresë e re.
– VIJON –
__________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (VII)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10921

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura