Pashtriku, 3 mars 2021: Kujtime të familjarëve
1. Fatime HAJRIZI (nënë e dëshmorit)
Kur lindi Naseri jam gëzuar shumë, se kishim djalë pas 11 vjet martesë. Ishim të shqetësuar se do të mbeteshim pa fëmijë. Ishte djalë i shëndoshë, i mençëm e i urtë. Fëmijë më të urtë nuk ka pasur.
U bë shumë i dashur kur nisi të ecë e të flasë. Ishte shumë i lëvizshëm, lozte me të gjithë, se e donim shumë.
U rrit shpejt e shkonte në shkollë të mesme. Në vitin e fundit të shkollës, mungonte shpesh në shtëpi. E dija se po shkonte diku. Ku po shkon Naser? e pyesja, por nuk më tregonte. Po shkoj me shokë të mi, më thoshte. Dikur e morëm vesh.
Kur e lusja që të mos dilte në demonstrata, më thoshte: Jo moj nënë, ua kam dhënë besën shokëve dhe do të dalë.
Më 2 prill 1981 ishte ditë e enjte. U zgjua në mëngjes, u vesh dhe u mbath. Mëngjesin e hëngri në këmbë, pa u ulur, si duke kënduar. Më 1 prill kishte mbathur këpucë, ndërsa atë ditë mbathi atlete. E kam përcjellë deri te dyert e oborrit. I thashë, djali im mos u vono! Hajde edhe ti, tha, si shoqet tua. Shkoi teposhtë. Më s’e pashë.
Kam dalë në ballkon të shtëpisë dhe kam qëndruar gjatë gjithë kohës. Dëgjohej kënga e normalistëve tek dilnin nga shkolla dhe i bashkoheshin demonstratës. Këndonin për Kosovën Republikë. U dëgjuan deri poshtë te Shtëpia e Mallrave. Nuk ka vonuar shumë dhe janë dëgjuar krismat e pushkëve. Sa pushkë zbrazeshin thosha, kuku po ma vrasin djalin! Ashtu ndodhi; ishin vrarë Naseri bashkë me Asllanin.
Prindrit e Naserit, Fatime – Beqir Hajrizi
Atë natë nuk ditëm gjë. Unë e lashë derën hapur dhe i rregullova shtratin. Herët në mëngjes shkova për të fundit herë në dhomën e tij. Nuk kishte ardhur. U mërzita shumë. E morëm me mend se çfarë mund të kishte ndodhur. Gjatë ditës erdhi një profesor i tij, vetë i tretë. Bujari, djali ynë i vogël, ishte pesëvjeçar. Erdhi dhe më tregoi. Dola. Dy prej tyre qëndruan më larg, ndërsa njëri u afrua te shkallët. Ishte Zenun Gjocaj. Më pyeti, si je oj loke? Thashë, Naseri ka dalë dhe nuk dimë gjë për të. Është i plagosur dhe gjendet në spital, më tha. E pyeta, a është gjallë? Po, po, i plagosur është. Kaq më tha dhe shkoi. Beqiri dhe vëllezërit e tij ishin mbledhur në shtëpinë e Mehmetit. Vajza e madhe, Sadia, shkoi dhe u tregoi për atë që tha profesori.
Më pas, shkuan dhe e nxorën kufomën nga spitali. Mua ende nuk ma kishin dhënë lajmin. Më vonë erdhi Mehmeti. Po thoshte se ka shumë të plagosur e të vrarë, por ende nuk dihej saktë për Naserin. Më vonë tha, sido që të jetë duhet të bëhemi të fortë. E dita që është vrarë. U mundua të më mbante brenda dhe të mos dilja. Në ato momente hyri makina në oborr. Erdhi Bujari dhe m’u drejtua: Nënë, e sollën Naserin, e ti ke mbetur brenda. U ngrita me shpejtësi. Dola në oborr. U bë gjëmë e madhe. E futën në shtëpi. Iu afrova, e shikova. Ishte i nxirë rreth syve nga gjaku. Plumbi i kishte rënë në kokë. Qava. Boll qava, valla.
Kisha dëshirë të shkoja në varrim, por nuk më lanë, për shkak të gjendjes në qytet. U kam shkuar pas deri në sokak…
U hap dera për ngushëllime. Kam shkuar t’u flas njerëzve. Më ka dërguar Mehmeti. Nganjëherë më vinin lotët, por duroja. Mehmeti shumë më ka qëndruar pranë gjithherë.
Kurrë s’më del nga mendja Naseri. Më ka deshtë fort edhe e kam deshtë fort. Një fjalë të keqe nuk ia di kush. Kur e shoh ëndërr, mërzitem më shumë.
E kishte një çifteli, dhuratë nga Mehmeti. U mësua t’i binte mirë. Nënë, tha, a din të mbarosh tufë për çifteli? I thashë, di more qysh jo. Ia punova dy tufë e ia vara çiftelisë. E la, varur në mur e kemi. Nuk mund ta heq nga dhoma sa të jam gjallë. Ka lënë edhe shumë letra, libra e fletore. Kam dëshirë t’i ruaj. Edhe rrobat ia ruajmë, ashtu si i ka lënë. Atëherë nuk kishim tesha të mira. Rrobat i hekuroste vetë dhe i mbante shumë mirë. Ka qenë i pastër, kurse rrobat e tij ia mbaja açik, se ka qenë merakli. Më ka ndihmuar shumë edhe mua në punët e shtëpisë.
Pas vrasjes së Naserit kam shkuar në spital ta vizitoj shokun e tij, Sylë Loshin, i cili ishte plagosur. Shok të mirë e kishte Naseri. Ishte djalë i mirë, i urtë, e kënaqeshin me Naserin, kur vinin bashkë në shtëpinë tonë. Naseri u vra, ai u plagos. Në spital kishte shumë të plagosur.
Sylë Loshi vinte shpesh të na vizitonte, por edhe ne kemi shkuar në familjen e tij.
Naseri e kishte punuar në dru stemën e Shqipërisë. Më vonë e kanë marrë dhe e kanë dërguar në Shqipëri. Ishte punim shumë i mirë. Thonë se ruhet diku në arkivat e Shqipërisë.
Mbi dy vite nuk ia kam ditur varrin Naserit. Beqiri nuk më tregonte, nga droja se do të mërzitesha shumë. Ndërkaq unë kisha shumë dëshirë të shkoja atje.
Në shtëpinë tonë vinte shpesh një djalë i ri dhe strehohej te ne. Unë kam biseduar shumë herë me të. Zakonisht vinte vonë dhe kërkonte t’i fiknim dritat e oborrit. Thoshte e kam emrin Nazmi. Vetëm pas vrasjes së tij, ia kam mësuar emrin e vërtetë: Nuhi Berisha. Ishte djalë shumë i pashëm. Herën e parë, ka ardhur me një grumbull gazetash, në të cilat shkruhej për Naserin dhe rënien e tij. Ishim ulur me Beqirin në ballkon, kur erdhi. E solli djali i Bahtirit, Besimi.
A jeni ju prindërit e Naserit? na pyeti dhe na përqafoi. U ul midis nesh. Na i dha gazetat. A ke qenë ndonjëherë te varri i Naserit? më pyeti. Jo, i thashë. Mehmeti dhe Jahiri më patën premtuar, por u burgosën. Beqa nuk më dërgon se mendon që ligështohem. Ishin bërë gati tre vite nga rënia e tij dhe unë nuk kisha qenë asnjëherë te varri i djalit tim. Unë do ta çoj në vend fjalën e bacës Mehmet. Do të të dërgoj, por do të ma japësh fjalën se nuk do të qash, më tha. I premtova se nuk do të qaja. Erdhi edhe disa herë të tjera. Iu dhimbsha.
Bëhu gati se do të shkojmë te varri i Naserit, më tha në një prej vizitave. Ishte ditë e shtunë. E mora vajzën e madhe dhe u nisëm me makinë, të cilën e ngiste një njeri, i panjohur për mua. Më vonë e kemi kuptuar se ishte vëllai i Kadri Zekës, Taipi. Sa njeri i mirë ishte! Rrugës takuam Beqirin dhe Bahtirin. Kishin dalë për të blerë diçka, sepse do të shkonin për vizitë në burg te Mehmeti dhe Jahiri. E ndali makinën. Beqa erdhi me ne. Shkuam te varri. Unë e mbajta premtimin, nuk qava, por vajza gati plasi nga të qarat. Unë u durova dhe nuk e di qysh u durova…
E mësova udhën e shkoja shpesh këmbë te varri i Naserit. Goxha larg janë varret. I dërgoja lule. Ia laja përmendoren dhe ulesha e rrija te ai.
Nuhiu ka ardhur edhe disa herë të tjera. Në një rast kërkoi t’i shihte fëmijët e Mehmetit. Po të njëjtën ditë, i kishte rënë në divan brisku me dy çelësa. Fillova të qaj. Nënë, ia jep herën tjetër kur të vijë, më thanë vajzat. Por, ai nuk erdhi më. Kishte rënë heroikisht duke luftuar, së bashku me Rexhep Malajn, gjatë një rrethimi nga forcat jugosllave.
E kam vizituar shpesh familjen e tij. Nëna i kishte vdekur kur ishte katër vjeç. Kur kishte ardhur për herë të parë për vizitë babai i tij, kam dashur t’ia jap briskun, por nuk e mori. Ta kesh kujtim, më tha. Edhe sot e mbaj afër orës dhe çiftelisë së Naserit, të varur në mur.
Në vitin 1999, si shumë shqiptarë të tjerë, edhe neve na nxorën nga shtëpia dhe na dërguan në Maqedoni. Unë nuk e dija që Bujari ishte në UÇK. Nuk më tregonin. Frikësohesha shumë, sepse nuk doja të më vritej edhe ky. Pas disa ditësh, më thirri në telefon. Tha se jam në një shtëpi, i strehuar. Nuk më tregoi as ky që kishte hyrë në radhët e UÇK-së. U qetësova disi. Pas përfundimit të luftës, u kthye në shtëpi, disa ditë pas nesh. Ishte në uniformë të UÇK-së. Më shpërtheu vaji. U emocionova shumë.
Nga intervista e Fatime Hajrizit, botuar te “Epoka e Re”, e datës 2 prill 2016
dhe nga intervista dhënë autorit në dhjetor të vitit 2016.
***
2. Beqir HAJRIZI (baba i dëshmorit)
Naseri ishte djalë i mençur dhe i shkathët. Aftësitë i kishte përtej moshës së tij… Nuk po e them unë, e kanë thënë tjerët. Disa shenja të veprimit ilegal dukeshin tek ai; recitonte poezi dhe këndonte këngë, të cilat në atë kohë ishin të ndaluara, lexonte libra të fshehtë dhe takohej natën me shokë. Ishin shokë të ngushtë dhe të pandashëm me Asllan Pirevën.
Shkova në një rast në shkollën e tij dhe takova profesorin, emri i të cilit nuk më kujtohet. Më tha: “Naseri i ka dy shokë. Po të shihet njëri nga të tre në korridor, dihet që shumë shpejt do të dalin edhe dy të tjerët.”
Më 2 prill 1981, fillimisht isha në punë. Janë dëgjuar krismat dhe kam dalë me një shok timin, Jasharin nga Padalishta. “Dikë e vranë”, i thashë. Kemi dalë të Xhamia. Policia hodhi gaz lotsjellës. Jam takuar me vëllain, Tahirin. Po ecnim rrugës “Ramiz Sadiku”, kur erdhi një tank dhe u kthye mbrapsht në drejtim të Fakultetit Teknik. Aty gjendej një pllakë e madhe. Një grumbull fëmijësh të vegjël, filluan ta gjuajnë tankun me gurë. Jemi kthyer. Kur kemi dalë më poshtë, i kemi takuar edhe dy vëllezërit tjerë, Mehmetin dhe Zeqirin, si dhe kushëririn Qamilin, të birin e Zenelit, tash edhe ai babë dëshmori. Te Shkolla Teknike kishte mbetur një makinë ushtarake. Disa fëmijë mundoheshin ta digjnin, por nuk mundeshin. Shkoi Qamili dhe ia vuri flakën. Po shkoja përpjetë drejt Gërmisë. Kur kalova afër shtëpisë së Fadil Hoxhës, erdhi një tank, duke gjuajtur pa ndalë. Hyra me shpejtësi në një sokak. Shpëtova.
Në mbrëmje, Naseri s’kishte ardhur. Mendova, ose e kishin arrestuar, ose vrarë. Pritëm gjithë natën, por nuk erdhi. Të nesërmen shkova në spital. Nuk mora vesh asgjë. Naseri s’kishte asnjë dokument me vete atë ditë. U ktheva në shtëpi. U nisa prapë për në spital, së bashku me vëllezërit, Zeqirin dhe Mehmetin. Shikuam listën, nuk gjetëm gjë, as te gardëroba nuk ishin veshjet e tij. Vendosëm të shohim ku gjenden kufomat. Hymë në morg me shumë vështirësi. Unë nuk arrita ta gjej. Erdhi edhe Mehmeti. Bashkë e gjetëm kufomën e Naserit… Dolëm nga spitali. Pas dhjetë metrash u përballëm me policët. Na i drejtuan pushkët. “Ndal”, na thanë serbisht. “Në shtëpi do të ndalemi”, ua ktheva. “A ke armë?”, më pyetën. “Jo”, thashë. “A ke në shtëpi?”, vazhdoi njëri. “Eja atje dhe do të shohësh”, ia ktheva. Mehmeti rrugës më tha të mos hyj në fjalë me ta. Vazhduam tutje deri te vendi im i punës, morëm një makinë, një arkivol dhe u nisëm për spital bashkë me Zeqirin, kurse Mehmeti duhej ta njoftonte familjen, para se të arrinte kufoma atje. Erdhi një makinë policore plot me policë. Zbriti njëri prej tyre dhe filloi të na pyet se pse kishim ardhur. Thashë, të kam treguar disa herë. Drejtorin e sipërmarrjes ku unë punoja, e kishte shok. Iu kishte ngërmuar pse ma kishte dhënë makinën. Drejtori i kishte thënë se “është punëtor yni”. Pas disa vitesh kam dëgjuar se ky polic kishte vdekur në një aksident komunikacioni.
Prindrit e dëshmorit të kombit, Naser Hajrizi
Varrimi i Naserit u bë më 4 prill. Pushteti nuk lejonte më shumë se katër veta në përcjellje të kufomës. Ne ishim në një kamion të mbuluar, plot njerëz. Afër Gjykatës së Qarkut na ndaloi policia dhe i zbriti njerëzit, të cilët vazhduan këmbë drejt varrezave edhe me të tjerë… Pas varrimit, të gjithë pjesëmarrësit u betuam para varrit të Naserit. Ndjeva krenari.
Gjatë ngushëllimeve erdhën dhe më kërkuan dy zyrtarë të sigurimit shtetëror. Dola. Ishin dy shqiptarë. Më pyetën nëse është dikush brenda. Oda ishte plot njerëz, se vinin radhët pa mbarim. Nuk hynë brenda. Më thanë, “kur do të vishë të paraqitesh në organet e sigurimit?”. Thashë, “sa di unë, ju nuk i pyesni njerëzit se kur duan të paraqiten”. “Ty po ta lëmë në dorë, kur të duash vetë”, ma kthyen. Unë nuk shkova. Pas disa ditësh erdhën prapë…. Në zyrë ishte edhe një serb. Ai doli jashtë dhe mbeti vetëm zyrtari shqiptar. I thashë: “Po e hapi bisedën para se ta fillosh ti. Për dy gjëra nuk dua të më pyesni asnjëherë: se kë e ka pasur shok dhe kush ishte për ngushëllime, sepse për këto dy çështje nuk do të merrni përgjigje nga unë”…
Arrestimi i Mehmetit dhe Jahirit ishte një goditje e madhe për familjen tonë. Gjendja u rëndua edhe më shumë… Fillimisht i mbanin në Prishtinë. Më pas i dërguan në Prizren, diku pas 6-7 muajsh. Atje i mbajtën edhe një vit. Shkuam për vizitë. Na thanë “nuk janë këtu, nuk e dimë ku i kanë çuar”. Vazhdova të interesohem nëpër gjyqe, por nuk dinte askush asgjë, ose nuk donin të jepnin informacione. Ndërkohë, u kuptua që i kishin dërguar në burgun e Novi Sadit.
Unë, vëllai Bahtiri dhe gruaja Mehmetit, Haxherja me fëmijë, u nisëm me tren për vizitë. Ishte kallaballëk i madh. Fëmijët ishin të vegjël dhe i zuri gjumi në kabinë. “Nuk është vend për të fjetur ky”, tha serbisht me nervozë një udhëtar. “Lëri, se fëmijë janë”, ia ktheu një tjetër. Më pas, e ndezi edhe një cigare. Dikur e zuri gjumi. Ishte natë. Pak përtej Mitrovicës, ishte një stacion i vogël. Treni u ndal dhe këtij nevrikut i doli gjumi. “Cili stacion është ky?”, pyeti. “I Kralevës”, i thashë. Me nguti e mori valixhen dhe doli. Treni u nis. “Shumë mirë ia ktheve”, më tha bashkudhëtari tjetër. Duhet të ketë pritur nja gjashtë orë, deri në trenin e radhës. Arritëm në Novi Sad. Morëm një taksi dhe vazhduam drejt burgut. I takuam ndarazi Mehmetin dhe Jahirin. Vizita zgjati rreth 15 minuta.
Në familjen tonë vinin ilegalisht Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha. Rexhepi më pak, por Nuhiu ka ardhur shumë herë në shtëpinë tonë. Rexhepi ishte takuar disa herë me Zeqirin, duke i sjellë materiale për t’i shpërndarë. Nuhiu druhej se mund të ishte i gjurmuar dhe më pyeste për mundësitë e daljes nga shtëpia, në rast se vinte policia. Edhe unë druhesha se mund të ndodhte ndonjë gjë e tillë, ashtu edhe siç u ndodhi në Kodrën e Trimave. Ishte djalë shumë i vendosur dhe trim.
Pas Lufte kam shkuar vetë ta marrë Medaljen e Artë të Lirisë, me të cilën ishte dekoruar Naseri nga Presidenti i Kosovës. Ishte emocionuese, sepse vepra e tij, sikurse e shumë dëshmorëve të tjerë, po vlerësohej dhe çmohej nga shteti.
Nga intervista e Musli Krasniqit me Beqir Hajrizin, botuar te „Epoka e Re“, më 1 dhe 2 prill 2016, si dhe intervista dhënë autorit, dhjetor 2016.
– VIJON –
__________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XII)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10947