MR.AVDI GJATA: PËRVJETORI I 13 I RËNIES HEROIKE TË MUSTAFË I.LLAPASHTICËS

Prishtinë, 19. 04. 2012 – Tetëmbëdhjetë prilli i këtij viti (2012), shënon 13 vjetorin e vrasjes e rënies në fushë të betejës të fshatit Dyz të Llapit, ballë për ballë me ushtrinë fashiste serbe të Millosheviqit, duke i mbrojtur për disa orë me radhë, disa qindra e mijëra qytetar të krahinës së Llapit legjendar e Kosovës kreshnike, patrioti i njohur e atdhetari i devotshëm i çështjes kombëtare Mustafë Ismajl Llapashtica.
      Kush është Mustafë Ismajl Llapashtica?
     Në pjesën jugore të Serbisë së sotme shtrihet qyteti i Lekovcit (Leskovcit), qytet ku kishin jetuar, shekuj me radhë të parët tanë e të parët e Mustafë Ismajl Llapashticës. Fshati Llapashticë, prej nga është depërtuar familja e Mustafës edhe sot është nën administrimin e prefekturës së Lekovcit Kjo familje shqiptare, është shpërngulur nga dhuna, shtypja dhe gjenocidi serbo-osman i cili kishte filluar të ushtrohej me bekimin e vendimeve famëkeqe të Fuqive t Mëdha në Kongresin e Berlinit, për shpërnguljen dhe depërtimin me dhunë të popullsisë shqiptare autoktone dhe shkëputjen e krahinës së Toplicës nga pjesët tjera arbërore. Gjatë kësaj periudhe historike, Shqipërisë në të katër anët iu morën territore dhe iu dhanë shtetit të Serbisë, Greqisë e Malit të zi.

Mustafë I.Llapashtica (24. 03.1954 – 18.04.1999)

______________________

     Derisa, banorët e Llapashticës së Toplicës në Serbi u detyruan të depërtonin drejtë Kosovës e Shqipërisë së bashku me banorët e anëve të tjera, ishin marrë vesh se kudo që do të vendosen, duhet ta ruajnë me çdo kusht emrin e fshatit të tyre, pasi një ditë do të vij koha që do të kthehemi në vendbanimet e të parëve të tyre.

______________________

SHIKONI DOKUMENTARIN – BETEJA E 24 DHJETORIT 1998, NË ZO TË LLAPIT.

________________________________

     Familja e Mustafë Llapshticës në fillim u vendosën në fshatin Mat (Matiçan) rrethi qytetit të Prishtinës si muhaxhir. Ata në Mat i ngritën kolibet e tyre. Filluan të punojnë për të mbijetuar. Veten e pagëzuan me mbiemrin Llapashtica. Pak më vonë nga ky fshat u vendosën në rajonin e Gallapit në rrafsh malet e fshatit të sotëm të Dyzit. Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 kur Serbia e pushtoi me dhunë Kosovën me ndihmën e Fuqive të Mëdha e Vendimet e Konferencës së Londrës, për më shumë se një shekull, vazhdoi persekutimi i shqiptarëve nga serbët për derisa nipërit dhe mbesat e tyre vendosën të flijohen për Kosovën dhe t’i japin fund robërisë shekullore në trojet e tyre.
     Këta djema e burra së bashku me vajzat e tyre, gjatë vitit 1977-78 u ngritën në luftë të pa barabartë kundër shtetit më të fuqishëm ushtarakisht të Ballkanit që e krijuan Ushtrinë Shqiptare të Kosovës UÇK-në. Një nga këta djem të Lëvizjes Shqiptare dhe UÇK-së, ishte edhe stërnipi i familjes së Llapashticëve; Mustafë Ismajl Llapashtica i cili lindi në Katundin Dyz të Besianës. Babai i Mustafës , Ismajl Llapashtica ishte njëri ndër mësuesit dhe intelektualët e hershëm të Llapi e Gallapit që në disa fshatra të kësaj ane-(malësie) kishte hapur shkolla në gjuhën shqipe e kishte ndihmuar emancipimin e popullsisë e përgatitjen e mësuesve të ardhshëm për fëmijët shqiptar.
     Ashtu siç kishin luftuar shqiptarët, si edhe gjyshi e stërgjyshi i Mustafës, Hyseni,e gjyshi i tij Ibrahimi, gjatë shekullit XX, ashtu vazhdoi edhe pasardhësi i tyre gjatë shek. XXI edhe Mustafë Llapashtica u detyrua të vazhdoi luftën kundër shkieve.
     Shkollën fillore e kreu në vendlindje në Dyz, ndërsa atë 8 vjeçare në fshatin Batllavë të Besianës. Pasi nuk kishte mundësi ta vazhdoi shkollimin e t’i zgjeroi njohuritë edhe më tutje, për shkak të kushteve të rënda materiale e jetësore, Mustafë Llapashtica u detyrua të merrej me profesionin e bujkut në fshat. Krahas punës së bujqësisë, ashtu edhe punës së të atdheut ai nuk e ndërpreu për asnjë moment gati tridhjetë vjet me radhë, deri sa u vra nga pushtuesit serb, duke e mbrojtur popullin nga gjenocidi e dhuna e fashiste.
     Angazhimi i tij ideor dhe propagandues për Kosovën Republikë sa vinte e shtohej dita ditës, derisa arriti të bëhet edhe anëtar i Këshillit Organizativ i Lëvizjes Ilegale. Gjatë lëvizjeve të viteve 1968 të organizuara në shtëpinë e Rexhep Gjatës në Bajçinë të Besianës e duke qenë edhe njeri nga krahët e afërt të Xheladin Rekaliut që ishte edhe dhëndër i kësaj familjeje, Sabit Sylës nga fshati (Kastrioti), Ilaz Pirevës, nga Lupçi e anëtarëve të tjerë të cilët e kishin marrë përsipër organizimin e demonstratave në qytezën e Besianës më 27 nëntor të vitit1968. Duke u rritur fizikisht e zhvilluar mendërisht e duke e duke i thelluar bindjet politike, së bashku me shokët e tij, atyre iu rriteshin edhe më shumë pretendimet e bashkimit të trojeve shqiptare. Mendimet e tyre filluan të vihen në jetë, pasi Kosova e kishte fituar statutin e Krahinës Autonome në kuadër të Jugosllavisë. I pa kënaqur me atë që kishte arritur Kosova, Mustafa edhe më tutje e vazhdoi aktivitetin e tij ilegal, duke shpërndarë literaturë të ndaluar propagandistike siç ishin revistat: Lajmëtari i Lirisë, Fronti i Kuq Popullor, Liria, Punëtori, Zëri i Kosovës e deri te revista Çlirimi. Ai, thua që asnjëherë nuk kënaqej me atë që bënte e për këtë qëllim, nuk la oda të Dyzit e fshatrave për rreth pa hyrë e pa i propaganduar idetë revolucionare-atdhetare të tij e kohës së bashku me ideatorin e mikun e tij të jetës, Ahmet Haxhiun që sigurimi Jugosllav së bashku me at shqiptar të Kosovës e mbytën me tortura në burgun e Prishtinës.
     Demonstratat e vitit 1981, ishin fryti i punës ilegale të shokëve të Mustafës dhe kërkesës së popullit shqiptar në përgjithësi. Më 1 prill 1981 së bashku me shokët e tij, Nazmi Llapashticën, Sabri Ukën etj, përpara masës, policëve e komunës së Besianës, ai e hapi thesin e mbushur me armë e pushkë automatike që ia shpërndau demonstruesve për tu mbrojtur nga policia dhe ushtria serbe në rast se është e nevojshme. Në krye të kolonës, printe, po kush tjetër, pos Xhylë Krasniqit e cila ishte nxënëse gjimnazit ‘8 Nëntori’ e mbiquajtur Shota e Llapit e cila mbante në duar flamurin e Skenderbeut dhe Ismajl Qemajlit të cilët na e kishin lënë amanet.

______________________

KËNGË – KUSHTUAR USHTARËVE DHE DËSHMORËVE TË LLAPIT

______________________________

     Pas shtypjes me dhunë të demonstratës dhe fillimit të burgosjes së demonstruesve, Mustafë Llapashtica ishte i detyruar të kaloj në ilegalitet, kurse vëllai i tij Ibushi nxënës i gjimnazit, dënohet me 1 vit burg për shpërndarje të materialit propagandistik ilegal. Shtëpia e Mustafës e Ibush Llapashticës ishte vendstrehim i ilegales shqiptare e veçanërisht ishte vendstrehim i Xhylë Krasniqit, Pajazit Jasharit, Salih Salihut e më vonë u bë vendqëndrim itë gjithë anëtarëve të grupeve tjera atdhetare. Duke bashkëpunuar me Bajram Ajetin, Bajrush Behramin, Avdi Gjatën, Ali Ajetin, Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun, Ismet Begollin, Hasan Ramadanin e shumë të tjerë, Mustafa ishte i detyruar të kaloi jetën e kaçakut duke jetuar ilegal në shumë familje fshatare atdhetare si te familja e Shaban Shalës në Letancë, Jakup Zullufit në Prishtinë, Hakif Krasniqi në Makofc, Jakup Krasniqi në Dyz, e herë pas here, kthehej për tu çmallur e përkujtuar jetën e tij fëmijërisë në shtëpi.
     Deri sa familjet tjera e strehonin Mustafën ilegal në shtëpitë e tyre, familja e tij strehonte ilegalët e tjerë të lëvizjes siç ishin:Besniku e Fisniku ( Nuhi Berisha e Rexhep Mala), të cilët kishin ardhur së bashku me Kadri Osmanin e Bajram Ajetin. Ata, ndërkohë e herë pas here vizitoheshin nga atdhetari ushtari i njohur i çështjes së Kosovës, Enver Topalli i cili vritet më vonë në burgun e Dubravës, gjatë kohës së luftës nga ushtria serbe. Nga gjendja e rëndë që ishte krijuar për popullin shqiptar e veçanërisht për atdhetarët ai u detyrua të arratisej në Shqipëri, gjatë muajit korrik të vitit 1984. Pas 20 ditësh qëndrimi ishte detyruar që të kthehej në Kosovë pasi organet shtetërore shqiptare e detyruan që të kthehej për shkakun se ashtu ishin të nënshkruara marrëveshjet ndërshtetërore. Mustafë Llapashtica pas kthimit në vendlindje u dënua me dy muaj burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për armë mbajtje pa leje dhe kalim ilegal të kufirit.
     Pas, lirimit nga burgu, ai e vazhdoi edhe më tej punë atdhetare bashk me Ahmet Haxhiun, Salih Salihun, Agron Rrahmanin, Behxhet Brajshorin, Zahir Pajazitin, Rrahman Dinin etj. Pasi, organizimi i Lëvizjes po edhe ai i UÇK-së, kishte arritur avancuar në një shkallë më të lartë të organizimit, Mustafa, bashk me Ahmet Haxhiun dhe shokët tjerë të luftës kishin arritur t’i krijojnë bazat ushtarake e vendet për vendosjen e strehimin e armatimit i cili do të jetë tepër i nevojshëm për luftën e cila do të shpërthej në vitin 1997 në Kosovë.
     Gjatë muajit maj të vitit 1991 pas mbajtjes së dënimit lirohet nga burgu Salih Salihu që më vonë e bëri njohjen e Mustafë Llapashticës me Zahir Pajazitin e shokët tjerë të .komadantit të ardhshëm të UÇK-së e që ë vonë bëhet edhe anëtarë i njësitit të tij, ku bënin pjesë edhe Salih Salihu, Agron Rrahmani, Mustafë Llapashtica, Dalip Alshiqi, etj. Aksioni i parë ushtarak u bë nga njësiti ushtarak i UÇK-së, ku bënte pjesë edhe Mustafa Llapashtica me shok në rrugën Llozhan_Batllavë_Orllan, që prita e parë u organizua te qafa e Shakovicës më 18 maj 1991 në të cilin morën pjesë, Mustafë Llapashtica, Agron Rrahmani, Dalip Alshiqi e Salih Salihu. Pas këtij aksioni ushtarak në trevën e Llapit e Gallapit vazhduan pa ndërprerë edhe aksione tjera ushtarake deri në fillimin e luftës më 1997 që bëheshin vazhdimisht më të theksuara e më të fuqishme pasi udhëheqës i UÇK-së ishte caktuar komandanti e gjenerali i ardhshëm Zahir Pajaziti.
     Më 31 Janar të vitit 1997, vritet në pusi Zahir Pajaziti që ishte njëherë edhe humbja më e madhe për UÇK-në, trevën e Llapit, po edhe për tërë popullin shqiptar. Në nëntor të vitit 1997 në varrimin e Tahir Gecit në Llaushë të Drenicës, del haptas UÇK-ja. Kurse më 5 mars në Prekaz, filloi sulmi i ushtrisë serbe si edhe lufta për liri e popullit të Kosovës. Në qershor të vitit 1998 në fshatin Dyz, të krahinës së Llapit krijohet njësiti ushtarak i UÇK-së nën drejtimin e zonës së Llapit të udhëhequr nga M. Llapashtica, të përbërë prej, Ibush Llapashticës, Dalip Alshiqit, Sabri Ukës, Behxhet Brajshorit, Sadri Islamit.etj.
     Me rritjen dhe zhvillimin e luftës në Llap, krijohet Brigada 153. e cila luajti një rrol shumë të rëndësishëm e të veçantë në këto anë. Ajo u rrit e u forcua numerikisht e teknikisht. Veçanërisht është forcuar pas emërimit të Adem Shehut komandant i cili kishte ardhur nga Shqipëria për të marrë pjesë në lutën për çlirimin e Kosovës nga thundra serbe. Më 18 prill 1999 ushtria serbe sulmoi me të gjitha forcat ushtarake që kishte në dispozicion në të tri drejtimet. Pasi popullsia u detyrua që të vazhdon rrugën drejtë Prishtinës, Mustafë Llapashtica, vazhdonte sulmin e qëndresën ndaj ushtrisë serbe për ta drejtuar e mbrojtur atë. Populli tërhiqej e Mustafa me të vëllamë luftonin. Në anën tjetër, ushtria dhe policia serbe të armatosura deri në dhëmbë me teknikën më moderne dhe në epërsi shumë më të madhe sesa armatimi i Mustafës me shok, dragoi, qëllohet me plumbat e ‘Pragës’ që me 18 prill 1999, bie në fushë e betejën e Dyzit, për të jetuar gjithmonë në mendjet e gjeneratave të ardhshme të këtij populli. Sot e tërë ditën, trupi i Heroit, i Dëshmorit të Kombit i atdhetarit dhe i anëtarit të Lëvizjes e Ushtarit të UÇK-së, Mustafë Llapashticës, prehet i çetë në varrezat e ushtarëve të fshatit të tij në Dyz. Mustafë Llapashtica i cili ndërroj jetë për të jetuar, pret nga shokët e ‘gjallë’ të tij që ta çojnë pranë shokëve të tjerë te Përmendorja e Dëshmorëve në Prishtinë.
     Populli që nuk i harron bijtë e tij dëshmor, nuk ka mort kurrë, thotë fjala e urtë e popullit. Lavdi Dëshmorëve e Heronjve të Popullit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura