MEHMET HAJRIZI: HISTORI E NJË ORGANIZATE POLITIKE DHE DEMONSTRATAT E VITIT 1981 – HYRJE (2)

Pashtriku, 15 mars 2019: Natën e 17 janarit 1982 në Untergruppenbach të Gjermanisë kanë ndodhur tri ngjarje historike për Kosovën: Në bazë të Tezave të Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, u arrit marrëveshja e bashkimit të tri organizatave çlirimtare shqiptare, u vranë tre sendërtuesit e atij bashkimi dhe pushoi së vepruari në formën organizative dhe me emrin e deriatëhershëm, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK), e cila po mbushte dymbëdhjetë vjet veprimi të pandërprerë në shërbim të lirisë së Kosovës.
Formimi i kësaj Organizate në fillim të viteve ’70, fillimisht me emrin Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK), lidhej ngushtë me emrin e Kadri Zekës, anëtarin e fundit të Komitetit Drejtues të saj, të pakapur nga policia jugosllave dhe të vrarë më 17 janar 1982, bashkë me Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën.
Organizata lindi në një kontekst historik mashtrues dhe të rrezikshëm për shqiptarët e Kosovës. Në mbarim të çerekut të tretë të shekullit XX, në Kosovë po ngjizej një opinion publik iluzor i dyfishtë për statusin e ardhshëm të saj. Një palë e iluzionistëve, duke fetishizuar rolin e demonstratave të vitit 1968, besonin që Kosova do të avancohej në Republikë, mbasi kjo ishte kërkesa dhe parulla qendrore e tyre, kurse pala tjetër u besonte premtimeve zyrtare e jozyrtare të udhëheqësve arrivistë shqiptarë dhe patriotizmit të tyre kallp, të cilët thoshin se do ta realizonin atë në tavolina të institucioneve. Elita zyrtare udhëheqëse, konsideronte se çështja e Kosovës kishte hyrë përfundimisht në zgjidhjen e saj finale, por duhej të ndiqej pa alternativë hapi i tyre, rruga që kishte trasuar Tito dhe sistemi i ndërtuar nga ai, që presupozonte luftën e pa kompromis ndaj Shqipërisë dhe ndaj secilës formë të Lëvizjes Kombëtare. Këto broçkulla thuheshin vetëm në biseda private dhe në rrethe të ngushta propagandistike, por publikisht ata detyroheshin të thoshin se shqiptarët në Jugosllavi e kishin zgjidhur çështjen kombëtare, madje më mirë se kushdo në botë, sepse ishin të barabartë me popujt e tjerë të Federatës jugosllave dhe gëzonin të gjitha të drejtat kombëtare, politike, ekonomike e shoqërore. Në historinë e proceseve çlirimtare të popujve, ndër momentet më të rëndësishme të saj është ai i heqjes së iluzioneve, si kusht për të bërë hapat vijues vendimtarë.

Fryma e re liberalizuese dhe decentraliste në marrëdhëniet brenda Federatës jugosllave, që po ndihej edhe në Kosovë, avancimi i statusit politik të Krahinës dhe absorbimi i disa kredive ndërkombëtare, të cilat ndikuan në ngritjen e përkohshme të mirëqenies, po perceptoheshin si fitore historike dhe liri e zhvillim i vërtetë. Në këtë eufori, zërat kundërshtues dhe vetë intensifikimi i veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare, interpretoheshin (jo vetëm atëherë po edhe sot aty-këtu) si një paradoks anakronik i llojit të vet, si një dëm e gjëmë për shqiptarët. Formimi i mentalitetit inferior të robit gjithmonë do më shumë kohë se rrënimi i tij, por as ky i fundit nuk kryhet aq shpejt dhe sidomos aq lehtë, sepse, si thuhet, më lehtë hidhet poshtë një bindje sesa një paragjykim.
Një nga shfaqjet më të rrezikshme të mashtrimit të përgjithshëm të atyre viteve, ishte pa dyshim molepsja e rinisë shqiptare me jugosllavizmin, që po propagandohej gjithandej si ideologji, madje edhe si përkatësi kombëtare. Regjimi e nanuriste rininë e kohës në djepin e vetadministrimit titist, të shthurjes e të degjenerimit në mejhanet e Kosovës, në ekstazën e shundit e të pornografisë. Organizatat ilegale dhe intelektualë progresivë të kohës i sfidonin këto tendenca, por makina e rëndë dhe e zhurmshme e regjimit, fillimisht mbizotëronte çdo kundërshtues.
Iluzionet, si ndjenja të diletantizmit dhe si ëndrra të bukura do të shuheshin shpejt, sepse kompromisi tashmë i njohur për Kosovën ishte një zgjidhje gjysmake dhe dubioze, e cila asaj i dha një status të krahinës autonome, si element konstituiv i Federatës, por në kuadër të Serbisë. Në plan kombëtar, popullit shqiptar, ndonëse i treti nga madhësia në Federatë, nuk i njihej statusi i kombit a popullit, por i pakicës kombëtare, që me eufemizëm quhej kombësi. Në plan politik e juridik, Kosova nuk ishte as mish as peshk, kurse në plan ekonomik, vazhdonte shfrytëzimi shumëdimensional kolonial.
Lëvizja Kombëtare e Kosovës, e cila nuk e kishte reshtur luftën kundër pushtuesve sllavë që nga viti 1913, nuk mund të mashtrohej duke dëgjuar këshillat praktike të tartabiqeve politike, prandaj as kësaj radhe nuk iu bind pikëpamjeve eklektike, sepse organizimi i saj edhe pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, kishte rëndësi, jo vetëm pse populli shqiptar nuk barazohej me popujt e tjerë, por për më keq, Serbia përgatiste procese retrograde (të përvijuara në të ashtuquajturin “Libri i kaltër”), për t’ia suprimuar Kosovës edhe atë autonomi, siç bëri pesëmbëdhjetë vjet më vonë.
Veprimtarët ilegalë, me gjithë vrullin rinor për të kapur qiejt, ishin të ndërgjegjshëm se nuk ishte e lehtë të prishej dëliri i kushtetutës së re. Raportet ndërkombëtare dhe të brendshme jugosllave, nuk linin asnjë hapësirë që çështja e Kosovës të shtrohej për zgjidhje në kontekstin aktual. Fitorja përfundimtare kërkonte shumë përpjekje dhe kohë, aq sa qe e pabesueshme se do t’i gëzonte frytet e luftës brezi i atëhershëm i Lëvizjes. Por veprimtarët e kuptonin këtë si një detyrë të përbashkët për të mbajtur të ndezur flakadanin e rezistencës e të lirisë, të cilin e kishin marrë nga paraardhësit dhe i duhej dorëzuar brezit që po vinte. Sidoqoftë, ata e kuptonin që e drejta ka rrugën e gjatë, por vjen.
Në vigjilje të demonstratave të vitit 1981, Lëvizja kishte një bilanc të shkëlqyer të punës edukuese dhe mobilizuese të potencialit çlirimtar të Kosovës. Ndonëse objektiv i saj programor ishte bashkimi i kombit, në plan taktik mbizotëroi ideja e Republikës, si një zgjidhje e ndërmjetme drejt vetëvendosjes deri në shkëputje. Grupi Revolucionar i Kosovës në fillim të viteve shtatëdhjetë, ishte e vetmja organizatë serioze ilegale dhe vepruese. Dhjetë vjet më vonë ajo kishte lëshuar shtat dhe me përvojën e potencialin e saj mund të hynte sigurt në finale të projekteve madhore, siç ishin demonstratat e pranverës ’81, që i kishte përgatitur gjatë gjithë jetës së vet, për më tepër që tashti shoqërohej edhe me një varg organizatash të tjera ilegale.
Për demonstrata masive në Kosovë, tashmë ishin pjekur kushtet subjektive dhe objektive, prandaj mund të shpërthenin edhe spontanisht, sikur lulet në pranverën e hershme që rrezikojnë frytin. OMLK nuk kishte mbajtur mirë parasysh këtë rrezik potencial, të njohur nga përvoja historike, por kur i ndodhi, nuk e humbi toruan.
Baza shoqërore e Lëvizjes Kombëtare po zgjerohej me të shpejtë, prandaj u hartuan tezat e një fronti popullor për Republikën e Kosovës, si hapësirë dhe formë adekuate organizative për realizimin e qëllimeve historike të kohës. Klasa politike zyrtare kishte rastin historik të riparonte dëmin e vitit 1974, sepse përveç forcës së argumentit, tani kishte edhe argumentin e forcës së popullit të kryengritur. Por, ajo nuk u vu në ballë të tij, mbasi ishte në bisht të regjimit pushtues, prandaj në vend të shpalljes së Republikës më 1981, Kuvendi i Kosovës e aprovoi suprimimin e autonomisë më 1989, duke shtypur më parë në gjak Lëvizjen Kombëtare të Kosovës, të ndërtuar me aq mund dhe sakrifica. Por, siç kishte ndodhur edhe në të kaluarën,
Lëvizja Kombëtare, si feniksi, u ringjall dhe shënoi ngritje të reja cilësore dhe sasiore, për të arritur në epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur populli liridashës rroku armët për t’i dhënë fund robërisë së tij, duke e kthyer parullën “Kosova- Republikë” në Republikën e Kosovës, reale dhe të pavarur.
VIJON…
____________
MEHMET HAJRIZI: HISTORI E NJË ORGANIZATE POLITIKE DHE DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8567

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura