MEHMET HAJRIZI: LËVIZJA KOMBËTARE E VITEVE TETËDHJETË DHE DY HERONJ TË SAJ, AFRIM ZHITIA E FAHRI FAZLIU (2)

Prishtinë, 2 nëntor 2019: Në 30-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut
6. Gjatë viteve 1988-1989 veprimtarët më të dalluar në Kosovë që praktikisht e morën drejtimin e LPRK-së ishin: Fadil Vata, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ahmet Haxhiu, Ali Ajeti, Bedri Sokoli etj. Fahriu dhe Afrimi u angazhuan me tërë kapacitetin e tyre për zgjerimin e radhëve të Lëvizjes dhe forcimin organizativ të saj. Ata vepronin pareshtur në terren, duke formuar këshillat popullorë, si në Ferizaj, Lipjan, Podujevë, Gjilan, në Maqedoni e Mal të Zi etj.
Fahri Fazliu, ose Fatmiri, siç e quanin zakonisht, shquhej më shumë për organizim dhe veprimtarinë e kishte shtrirë edhe jashtë vendit, që nga Zagrebi deri në Bukuresht. Fahriu nuk shkruante shumë, siç bënte Afrimi, por janë të njohura tri pikëpamje të tij për çlirimin e Kosovës. Në përputhje me zhvillimet demokratizuese në rajon, ai paraqiste strategjinë e tij në dy shtylla: Ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe zgjidhjen eventuale të saj në rrugë paqësore, nëpërmjet të një referendumi, në të cilin do të deklarohej vullneti i shqiptarëve për të jetuar të lirë dhe të pavarur. Por, në rast se nuk do të arrihej çlirimi me mjete paqësore, ai kishte pikëpamjen e tretë të zgjidhjes së nyjës, me kryengritje të armatosur.
7. Fundi i viteve tetëdhjetë e kishte acaruar gjendjen, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin. Kampi socialist po shembej si gurët e dominosë. Në këtë proces në Evropën Lindore, diku nëpërmjet të tronditjeve të fuqishme, e diku më qetë, shtetet ish-socialiste, si Polonia, Çekosllovakia, Rumania, Hungaria, RD e Gjermanisë (1989), BRSS, Shqipëria, Bullgaria (1990) etj., po transformoheshin me shpejtësi, duke humbur partitë komuniste rolin e tyre hegjemon dhe vetë sistemin monist. Pati dhe ngjarje të tjera historike që ndikuan fuqishëm në zhvillimet botërore të fund dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, si shembja e Murit të Berlinit, tërheqja e trupave sovjetike nga Afganistani dhe e trupave vietnameze nga Kamboxhia (1989), bashkimi i Gjermanisë etj. Vetëm një javë pas rënies së Afrimit dhe Fahriut, më 9 nëntor 1989 u shemb muri i Berlinit.
Rajoni karakterizohej nga lufta për çlirim nga ideologjia komuniste dhe totalitarizmi, por popujt me të drejtat e mohuara kombëtare, përpjekjet i drejtonin më parë për pavarësinë kombëtare, shtetin nacional dhe sovranitetin.

Diktatori serb, Milosheviq që në fakt e kishte shpallur luftën ekspansioniste, i dha erë baroti gjithë Federatës jugosllave.
8. Transformimet demokratike në rajon, nuk patën asnjë efekt pozitiv për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, sepse regjimi kriminal i Slobodan Milosheviqi, u vërsul me të gjitha mjetet për ta suprimuar edhe atë autonomi që e kishte Kosova dhe vendosi aty masa të dhunshme në çdo fushë të jetës, duke përjashtuar popullsinë shumicë shqiptare nga jeta politike, ekonomike, arsimore, kulturore, informative etj. Për pasojë, popullsia shqiptare u ndodh në një gjendje edhe më të rëndë dhe më të padurueshme.
Afrim Zhitia me penën e tij të mprehtë, do të shkruajë: “Dhe në fund mendojmë dhe jemi të bindur se reaksioni serbomadh nuk ka ku të shkojë më tej nga hapja e zjarrit kundër masave popullore shqiptare liridashëse. Lufta jonë e drejtë nacional-çlirimtare ka ku të shkojë më tej-drejt fitores, e cila gjithnjë e më tepër po bëhet e domosdoshme dhe kjo do të vijë patjetër. Në një tjetër shkrim ai, duke analizuar demonstratat e nëntorit të vitit 1988, i parashikon në mënyrë profetike zhvillimet e ardhshme në Kosovën e tij: “Kosova ka hyrë tashmë në një lëvizje të re e vendimtare për fatin e vet, zhvillimet e së cilës nuk do të ndalen dot derisa të mos arrihet liria”.
9. Nga fillimi i vitit 1989 në Kosovë zhvillohej një diskutim publik farsë, për ndryshimet kushtetuese me qëllim të heqjes së autonomisë. LKSH dhe qytetarët e Kosovës i kundërshtuan ndryshimet në mijëra mbledhje dhe protesta, në të cilat morën pjesë rreth gjysmë milioni njerëz. Do përmendur në mënyrë të veçantë protestën e mbi 1.300 minatorëve të Trepçës, më 1989, kur me vetëmohim u mbyllën në horizontet e thella të minierës në Stan Tërg, me të cilët u solidarizua i tërë populli shqiptar dhe sidomos studentët e Universitetit të Prishtinës. Bashkë me studentët dhe profesorët, në sallën e grevës, ishin edhe Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. Lëvizja ilegale kombëtare e Kosovës, ndonëse e goditur rëndë dhe sistematikisht nga regjimi, ishte aktive dhe e fuqishme me organizimin e saj jashtë e brenda atdheut. Ajo i organizonte dhe u printe masave në rezistencën kundër pushtuesit. Regjimi ndërkaq, me aparatin shtypës ndërmori masa të egra dhe të përgjakshme për të shuar revoltën e popullit të pakënaqur të Kosovës, duke krijuar kushtet që udhëheqja serbe, më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës dhe, pesë ditë më vonë, në Kuvendin e Serbisë, ta suprimonte autonominë e Kosovës.
Më vonë Afrim Zhitia, duke analizuar kontekstin historik, në shkrimin e tij Lufta e popullit tonë është e drejtë, fushata antishqiptare nuk mund ta devijojë atë, midis tjerash thotë: “ Ende na janë të freskëta kujtimet për skenat rrëqethëse të datës 23 të muajit mars, kur masakrimi i popullit liridashës shqiptar nga ana e barbarëve serbomëdhenj tronditi botën. Vrasja e plagosja e dhjetëra e qindra demonstruesve paqësorë, duke përfshirë edhe fëmijët e mitur…, përdorimi i tërë makinerisë ushtarako-policore ndaj popullit shqiptar – ‘fajtor’ sepse kërkon liri – janë treguesit më besnikë për atë se kush ndaj kujt po bën gjenocid në Kosovë, janë dëshmi për atë se sa gëzojnë liri shqiptarët në tokën e vet. Shtypja kombëtare, shovinizmi, histeria nacionaliste kurrë nuk e kanë treguar egërsinë e tyre kaq lakuriqe sa në Jugosllavi gjatë muajve shkurt – maj 1989. Pamjet rrëqethëse tregonin se kërbaçi policor, tanket dhe ushtria siguruan aprovimin e amendamenteve të Kushtetutës së Serbisë, prandaj populli sot me të drejtë Kushtetutën e ‘re’ e quan ‘Kushtetutë e tankeve’, antishqiptare e antinjerëzore”
10. Për mbrojtjen e Kosovës një popull i tërë u ngrit në këmbë, i udhëhequr nga bijat dhe bijtë më të mirë, siç ishin Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Në ditën e suprimimit të autonomisë në demonstratë regjimi i Milosheviqit vrau 29 shqiptarë. Deri në fund të prillit numri i të vrarëve arriti në 100.
Shqipëria që kishte qenë në vazhdimësi mbështetëse e LKSH dhe mbrojtëse e të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve të saj shtetërorë, gjatë viteve tetëdhjetë i intensifikoi dukshëm ato. Ndonëse edhe vetë e rrezikuar nga pretendimet e huaja pushtuese, me pozitën e saj të brishtë ndërkombëtare, me fuqinë politike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike që kishte, nuk mund të bënte shumë për Kosovën. Megjithatë mbështetja që ajo i dha Kosovës më 1981, e kalonte dukshëm intensitetin e deriatëhershëm.
Sipas dëshmisë së ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Shqipëria kishte hartuar Planin ushtarak “Shpërthimi” për ndërhyrje në Kosovë, me qëllim të çlirimit të saj. Për këtë qëllim, fill pas kryengritjes shqiptare të vitit 1981, Shqipëria kishte bërë ristrukturimin e Forcave të Armatosura, duke u dhënë funksionin shtesë të mësymjes, në rast se kryengritja në Kosovë merrte karakter të armatosur, ose në rast të shkallëzimit të dhunës mbi shqiptarët në Jugosllavi.
Studiues të ndryshëm kanë vlerësuar se më 1981 Shqipëria bëri kapërcimin e madh cilësor nga përparësia e ideologjisë në atë të interesit kombëtar. Jens Reuter, në librin e tij „Shqiptarët në Jugosllavi, Studim historiko-analitik”, thotë: Nga Kongresi i Tetë i PPSH më 1981, Shqipëria intensifikoi mbështetjen ndaj çështjes së Kosovës.“
Ramiz Alia, në cilësinë e presidentit të Shqipërisë në Sesionin e 44-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dënoi dhunën dhe terrorin në Kosovë.
11. Me humbjen e subjektivitetit politik e ekonomik dhe nën veprimet shtypëse e shfrytëzuese serbe, në Kosovë u shkatërrua i tërë sistemi ekonomik që çoi në varfërim të skajshëm të rreth 60 për qind të popullsisë. Që nga viti 1989, ekonomia e Kosovës pati normë negative të ecurisë së prodhimit shoqëror prej -7.2%, dhe të ardhurave kombëtare prej -7.4%., të cilat shumë shpejt ranë në rreth 400 dollarë për kokë banori. Instalimi i administrimit të dhunshëm serb mbi institucionet publike dhe ndërmarrjet e Kosovës, rezultoi me dëbimin nga puna të rreth 150.000 punonjësve shqiptarë dhe me rritjen e shkallës së papunësisë mbi 70 për qind. Si pasojë e mjerimit social, por edhe e përndjekjeve policore e ushtarake dhe e terrorit shtetëror, nga Kosova filloi një fluks i paparë deri atëherë i emigrimeve jashtë vendit, që përbënte rrezik serioz për të ardhmen e Kosovës, për më tepër që qindra mijë të ikur ishin kryesisht të moshës së re. Jugosllavia po vlonte nga kontradiktat e vjetra e të reja, derisa shpërthyen luftërat dhe u shemb Federata në pellgun e gjakut të popujve të saj. Populli shqiptar i Kosovës, jo vetëm ndiqej, vritej e torturohej, por edhe ishte dënuar me zi buke nga regjimi pushtues i Milosheviqit famëkeq.
III. Rënia e lavdishme e dy heronjve
1. Periudha historike në të cilën vepruan heronjtë tanë karakterizohet me rrethanat tepër të rënda politike në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Veprimtaria e tyre e gjatë dhe e përkushtuar, sa vinte dhe i bënte më të vendosur, më të guximshëm, më të përgatitur dhe me besim të patundur në fitoren e sigurt të luftës së popullit të tyre për liri dhe pavarësi, për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ata dinin t’i vlerësonin dhe të orientoheshin në situatat politike ndër më të ndërlikuarat. Detyrat prej militanti dhe drejtuesish organizativë ata i bënin me një përkushtim të rrallë, me guxim e vullnet të hekurt dhe devocion e pasion rinor.
Virtytet e tyre sublime njerëzore e atdhetare, politike e morale, u bënë pjesë e rëndësishme e sistemit të vlerave që kultivoi LKSH. Pjesë e rëndësishme e këtyre vlerave të trashëguara nga heronjtë tanë, janë edhe një varg shkrimesh të Afrim Zhitisë, në të cilat trajton çështje të ndryshme të jetës shqiptare nën robëri. Ato janë bërë me kompetencë shkencore dhe politike, të denja për një intelektual të përgatitur mirë për punën profesionale. Afrimi ishte njëkohësisht kontribuues i teorisë dhe praktikës revolucionare e çlirimtare.
Siç ka vërejtur autori Adem Gashi, Afrimi në shkrimet e tij dhe letrat nga burgu respekton rigorozisht standardin e shqipes letrare. Në letrat që ai i dërgon familjes nga burgu, për t’iu shmangur censurës, shfrytëzon gjuhën e Ezopit. Për ilustrim të përmendim: mjetet tjera të domosdoshme…që të qëllohen parazitët… (f. 161 e librit, Adem Gashi, a-ZH Vetëtimat e Nëntorit, Prishtinë, 2005), vdekjen e njeriut që i ka kryer detyrat (169), lajmet e radios që parashohin kohën e bukur me diell (f. 171), ëndërrimin e diellit (lirisë), (f.172). marrëveshjen me bomba (173), drutë e malin për çrrënjosjen e dimrit (f.173), vitin e ri që sjell forca të reja (173), nervozen e mosbesimit në forcat e veta (f. 175), potencialin e jetës që shtyn drejt qëllimeve të larta (f. 178), arën që e pret krahun (f. 179), lumturinë e lëmoshës (f.180), dëshirën e jashtme armiqësore ndaj dëshirave (idealeve) tona (f. 187) etj., etj. Dielli si metaforë e letrave të Afrimit, i shoqëroi heronjtë tanë deri në Kodrën e Diellit, ku u flijuan për të.
Si veprimtarë të hershëm dhe tashmë me përvojë, ata lidhen breza të LKSH, duke pasuruar përvojën dhe duke i ngritur politikisht e teorikisht radhët e saj. Veprimtaria e tyre i lidh dy periudha të lavdishme të rezistencës, asaj 1981 dhe 1989. E para ishte përgatitur nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare e viteve ’70-të, kurse e dyta gjatë viteve të rimëkëmbjes së saj, pas vitit 1981.
2. Fushata antishqiptare pas kryengritjes së vitit 1981 kishte për qëllim ta kthente kohën e Rankoviqit në Kosovë, të çrrënjoste çdo vatër të rezistencës kundër regjimit dhe të hapte frontin e gjerë të luftës revanshiste kundër shqiptarëve. Por, nuk ishte më koha e Rankoviqit, sepse LKSH-së nuk i duheshin më dhjetë vjet për rimëkëmbje si atëherë, por vetëm dhjetë muaj. Efekti i luftës kundër saj ishte krejt i kundërt; nuk dobësohej po rritej e fuqizohej akoma më shumë, ngjashëm me rritjen e radhëve të UÇK-së pas rënies së komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij në Prekaz.
Viti 1989 karakterizohej me një rizgjim kombëtar në Kosovë. Lëvizja, përkrah forcimit të veprimtarisë klandestine, organizoi masat për të demonstruar në rrugë. Po kryheshin edhe vepra sabotimi, por kishte edhe përpjekje të organizimit ushtarak. Në fakt, pas kryengritjes së vitit 1981 në LKSH po ngjizej ideja e fillimit praktik të rezistencës së armatosur.
3. Më 1984 ranë me armë në dorë Rexhep Malaj, Nuhi Berisha e më vonë Bajram Bahtiri. Në luftë me forcat serbe, duke u tërhequr nga një demonstratë më 1989, në fshatin Shtedim ra dëshmor Ali Ajeti. Më 1989 në zonën e Llapit veproi grupi i armatosur që u quajt “Qeta e Llapit” etj. Afrimi dhe Fahriu rezistencën e armatosur e shihnin jo vetëm si mundësi teorike në një të ardhme të papërcaktuar, por si diçka shumë praktike për të cilën duhej menduar seriozisht. Këta dhe bashkëveprimtarët e tyre të shquar, Ali Ajeti e Fadil Vata etj., ishin paralajmëruesit dhe pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare.
Fahri Fazliu e çmonte lart qëndresën e Rexhep Malajt në burg, kurse rezistenca e tij dhe e Nuhiut kundër forcave policore në Kodrën e Trimave, e kishte entuziazmuar shumë, prandaj thoshte: “Nëse më jepet rasti do t’ua krisi ashtu si Rexhepi, Nuhiu e shokë të tjerë. I gjallë nuk bie në duar të armikut”.
4. Më 31 tetor dhe 1 e 2 nëntor të vitit 1989, demonstratat në Kosovë kishin arritur përmasa dramatike. Më 1 nëntor vritet Bedri Sokoli, veprimtar sypatrembur dhe militant i përgatitur, kurse shumë të tjerë u plagosën rëndë. Afrim Zhitia mban një fjalim të zjarrtë në demonstratë, me të cilin i drejtohej masës prej 12.000 vetave: “Vëllezër dhe motra, jemi tubuar këtu që me forcë ta ngremë zërin kundër pushtuesve shovinistë serbo-maqedono-malazez, të cilët po ushtrojnë dhunë e terror mbi popullin tonë, të cilët vazhdojnë ta mbajnë Kosovën tonë të shtrenjtë të okupuar e në pozitë koloniale…”
Më 2 nëntor 1989, në Kodrën e Diellit në Prishtinë, rrethohen nga forcat serbe veprimtarët, organizatorët dhe drejtuesit e LPRK-së, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, të cilët pas rezistencës plot dhjetë orë kundër qindra forcave kriminale të regjimit, bien heroikisht në altarin e lirisë. Kriminelët vrasës, përveç armëve të zjarrit kundër dy dëshmorëve përdorën edhe helme kimike, kurse pas vrasjes, ua dhanë edhe nga një plumb në ballë.
Rënia e Fahriut, Afrimit, Aliut e Bedriut, vdekja e hershme e Fadil Vatës, shok i ngushtë dhe bashkëluftëtar i tyre , vrasja e Xhemajli Berishës më 1989 etj., ishin goditje tepër e rëndë për LPRK dhe LKSH në përgjithësi, por Kosova i përballoi sfidat dhe e mbajti kursin e saj drejt fitores përfundimtare.
Përfundim
Më shumë se vetë sundimi serb në Kosovë, ka zgjatur historia e doktrinës serbe kundër shqiptarëve. Ofensiva e shovinizmit serbomadh kundër Kosovës dhe shqiptarëve nën Jugosllavi më 1981 ishte përvijuar shumë më herët, që më 1976 në dokumentin voluminoz, të ashtuquajtur “Libri i Kaltër”, sipas të cilit duhej reduktuar ose hequr autonomia e Kosovës dhe e Vojvodinës për të funksionuar në mënyrë unitare Republika e Serbisë.
Sipas kësaj doktrine dhe strategjisë së veprimit antishqiptar, mund të thuhet se Kosovës iu përcaktua dënim me vdekje, por historia u zhvillua sipas ligjeve të dialektikës dhe jo sipas atyre të Serbisë. Se kush do të vdiste, populli shqiptar apo shteti jugosllav, do ta përcaktonin shpejt vitet e fundshekullit XX.
Një shekull përpjekjesh serbomëdha për ta realizuar këtë doktrinë të tërë antishqiptare patën përballë rezistencën njëqindvjeçare të pareshtur, të vendosur dhe gjithnjë në rritje të shqiptarëve, deri në ngadhënjimin kundër asaj doktrine. Njëqind vjet luftë, njëqind vjet gjenocid, njëqind vjet represion e sakrifica e kanë dëmtuar rëndë Kosovën, duke mbetur “shtëpia e të varfërve të Evropës”, vend i pazhvilluar e i prapambetur, por e kanë robëruar edhe vetë Serbinë, duke i sjellë dëme të parikuperueshme.
Pas gati gjashtëdhjetë vjet përpjekjesh e sakrificash, rëniesh e ngritjesh, LKSH e Kosovës po hynte në dekadën e nëntë të shekullit të kaluar më e përgatitur se kurrë në rezistencën kundër pushtuesit serb e jugosllav.
Ky dhjetëvjetësh fillon me kryengritjen e madhe shqiptare të vitit 1981, e cila shënoi fillimin e fundit të sundimit serb në Kosovë dhe hapi kapitullin e intensifikimit të rezistencës masive shqiptare gjithandej në trevat shqiptare nën Jugosllavi.
Si rezultat i këtij intensifikimi të përpjekjeve të hapura e të fshehta dhe i transformimeve radikale në gjithë bllokun e të ashtuquajturit socialist, në kapërcyell të dhjetëvjetëshit vijues Kosova u përfshi në flakët e luftës finale të udhëhequr nga UÇK, e cila rezultoi me dëbimin e forcave serbe dhe ngadhënjimin mbi robërinë gati njëshekullore.
Vitet tetëdhjetë të LKSH të trajtuara në këtë studim shënojnë fitoren më të madhe deri atëherë të rezistencës kundër regjimeve pushtuese serbe e jugosllave në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi, duke kthyer vëmendjen e botës demokratike te çështja e pazgjidhur shqiptare. Përpjekjet titanike të LKSH gjatë viteve tetëdhjetë nga vëzhguesit e huaj shiheshin jo vetëm si një mundësi e çlirimit të shqiptarëve, por edhe si një epiqendër e tërmetit të madh e rrënues të Jugosllavisë politike.
Këto dhjetë vjet të rezistencës aktive patën bilanc tragjik të sakrificave të ndërgjegjshme, kur nga radhët e LKSH ranë në altarin e lirisë dhjetëra veprimtarë të shquar dhe drejtues profesionistë dhe qindra dëshmorë të tjerë, për të mos vdekur kurrë. Mijëra të tjerë u vranë ose u plagosën me armë zjarri dhe dhjetëra mijë të tjerë u dënuan me burg. Vetëm gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare në policinë e regjimit pushtues u trajtuan jo më pak se një e treta e popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës.
Këto janë sakrificat njerëzore, pa llogaritur humbjet dhe dëmet në ekonomi, arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, veprimtarinë botuese, informative, sportive etj. Ky ishte çmimi i lirisë, e cila siç thuhet me të drejtë, rrënjët i ka në gjak.
Pas rënies së dy heronjve, dikush mbi varrin e Afrim Zhitisë la nja letër pusullë në të cilën shkruante: “Bie një ngrihen njëmijë”. Ky ishte efekti i çdo humbjeje të luftëtarëve të lirisë, ky ishte shpjegimi me një fjali i fenomenit të ringjalljes si Feniksi të LKSH dhe vetë dialektika e zhvillimit të saj.
Regjimi pushtues nuk i kishte kuptuar ligjet e zhvillimit të rezistencës së re shqiptare të viteve tetëdhjetë, kur LKSH ishte bërë e paasgjësueshme, por edhe e pandalshme në zhvillimin dhe rritjen e saj.
Akti i fundit dhe logjik i ekspansionit serb qe lufta. Për Serbinë ishte luftë për të fituar përjetësisht Kosovën, ose për ta humbur përjetësisht, kurse për shqiptarët për liri a vdekje.
Sikur të mos ekzistonte veprimtaria e dendur, konsistente dhe e pareshtur e LKSH, qëllimet e Serbisë nuk do të kalonin nëpër gjithë këto faza të mundimshme, por do të arriheshin shumë herët dhe shumë shpejt. Ky është kuptimi dhe justifikimi i vuajtjeve e sakrificave, i gjakut të derdhur në emër të Kosovës së lirë.
Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia ranë krah për krah, duke iu përgjigjur zjarrit me zjarr. Oshtima e armëve të Nuhi Berishës dhe Rexhep Malajt në Kodrën e Trimave më 1984 dhe e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut më 1989 në Kodrën e Diellit, paralajmëronin vitin e afërt të oshtimës së armëve të UÇK-së në Kosovë.
______________________
Literatura dhe burimet:
1. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Fjalor Enciklopedik i Kosovës, I, A-K, Prishtinë, 2018, f. 429
2. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Fjalor Enciklopedik i Kosovës, II, L-ZH, Prishtinë, 2018, f. 1815
3. Adem Gashi, a-ZH Vetëtimat e Nëntorit, Prishtinë, 2005
4. Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena Tiranë, 2008
5. Dr. Jakup Krasniqi, Lëvizja për Republikën e Kosovës 1981-1991, sipas shtypit shqiptar, Buzuku, Prishtinë, 2011
6. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Organizata dhe grupe ilegale në Kosovë 1981-1989, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2003
7. Sejdi Gega dhe Fazli Veliu, LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim, themeluese e UÇK, pjesa I, ArbëriaDesign, Tetovë, 2018
8. Sejdi Gega dhe Fazli Veliu, LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim, themeluese e UÇK, pjesa II, ArbëriaDesign, Tetovë, 2018
9. Feriz Hoti, Shqipëria dhe shqiptarët në arkivat dhe shtypin gjerman, Nurnberg 1996.
10. Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Botimi i tretë, Prishtinë, 2011.
11. Veli Llakaj, Tetë vjet në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Tiranë, 2006
12. Nezir Myrtaj Homazhe për flijimtarët, Prishtinë, 2015
13. Nezir Myrtaj, Refleksione, Prishtinë, 2016
14. Berat Luzha, Një histori për Sulë Durmishin, Prishtinë, 2006
15. Kaqusha Jashari, Do ta vendosim kufirin, Koha, Prishtinë, 2015
16. Dobrica Qosiq: Kosovo, Novosti, Beograd
17. “Zëri i Kosovës”, nr. 12, dhjetor 1989, f.9
18. Ramadan Avdiu, I përjetshëm qoftë kujtimi! Fjalë përkujtimi me rastin e gjashtë vjetorit të rënies së Afrim Zhitisë dhe të Fahri Fazliut.
19. Hajdin Abazi (Lum Haxhiu) Afrim Zhitia, hero i lirisë, “Epoka e Re”, më 4 nëntor 2003
20. „Zëri i Kosovës“ nr. 11, nëntor 1989, f. 10, Ai jetoi krenar, por edhe më krenar ra për lirinë e Kosovës (Fahri Fazliu-Fatmiri)
21. Zëri i Kosovës“ nr. 5, mars 1991, Disa fjalë mbi aktivitetin e Fahri Fazliut dhe tri pikëpamjet e tij për çlirimin e Kosovës dhe viseve shqiptare në Jugosllavi
22. “Zëri i Kosovës”, Fahri Fazliu- Fatmiri
23. Ramadan Avdiu, Në 56-vjetorin e heroit Fahri Fazliu, Gazeta Evropa, 24 shkurt 2019
24. Teuta Zymberi, Afrim Zhitia biografia, Bota e Re, http://patriotat.blogspot.com/2015/10/afrim-zhitia-biografia.html
25. Teuta Zymberi, 29-vjetori i rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, http://uraebashkuar.com/author/admin/, 2 nëntor 2018.
26. Tahir Gjonbalaj, Fjalë në përvjetorin e rënies së dëshmorëve, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, më 2 nëntor 2011
27. Nebih Fazliu dhe Tahir Gjonbalaj, shkrim për Fahri Fazliun dhe Afrim Zhitinë
28. Avdyl Bajrami, fjalë përkujtimi për Fahri Fazliun
29. Fahri Fazliu një kreshnik i shqiptarisë, https://zeri.info/kultura
30. Шта се догаћало на Косову, (Çfarë ka ndodhur në Kosovë), Политика, Београд, мај 1981

_________________________
Në 30-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut
MEHMET HAJRIZI: LËVIZJA KOMBËTARE E VITEVE TETËDHJETË DHE DY HERONJ TË SAJ, AFRIM ZHITIA E FAHRI FAZLIU (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9187
***
MEHMET HAJRIZI: LËVIZJA KOMBËTARE E VITEVE TETËDHJETË DHE DY HERONJ TË SAJ, AFRIM ZHITIA E FAHRI FAZLIU (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9189

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura