Pashtriku, 8 Maj 2020:
7.24 Ilmi Ramadani
Është lindur më 26.4.1953 në fshatin Novosellë të Bujanocit. Ka mbaruar Shkollën e Lartë Komerciale.
I martuar.
Ndikim në formimin e personalitetit të tij pati veprimtaria kombëtare e gjyshit dhe xhaxhait, por edhe shokët e miqtë e babait, si Metush Krasniqi, Rexhep e Fehmi Bajrami, Hyda Dobruna, Hyrije Hana, Mulla Ramë Govori, Sejdi Kryeziu e shumë atdhetarë të tjerë.
Veprimtaria patriotike e tij fillon që nga klasa e parë e shkollës së mesme, më 1968, kur bashkë me Rexhep Malajn e shokë të tjerë punonin në organizimin e demonstratave në Gjilan. Babai i tij, Selmani, që ishte marangoz ua kishte punuar shtizat e flamujve dhe mbajtëset e parullave që do t’i ngrinin në demonstrata.
Ishte anëtar i Komitetit Studentor të GRK-së dhe njëri nga veprimtarët më aktivë në aksionet që ndërmerrte Organizata.
Ilmi Ramadani
Ka bashkëvepruar në celula me veprimtarët, Rexhep Malaj, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Basri Musmurati, Fazli Abdullahu, Niazi Korça, Sadri Sherifi, Shefqet Hoxha, Shemsedin Hoxha, Niazi Musmurati, Kadri Abdullahu, Isa Kastrati, Selatin Abdullahu, Nezir Malaj dhe Shemsedin Kastrati, me të cilin kanë qenë në Ambasadën Shqiptare në Beograd për të marrë materiale. Nëpërmjet Ilmiut Lëvizjen në mënyra të ndryshme e kanë ndihmuar Haqif e Bajram Krasniqi, Nexhmedin Ahmeti, Sherif Sherifi, Halil Malaj, Hasan Malaj, Haki Biqku, Fehmi Saraqi, Sabit Qazimi, Fehmi dhe Nazmije Bajrami, Sami Abdullahu etj., kurse baza ka pasur në shtëpinë e Bajram Krasniqit, të Sabit Qazimit, Hajrush Salihut, Ahmet Morinës, Dalush Kadriut, Sherif Sherifit në fshatin Petrit, Lutfi Ajvazit e Enver Zubakut në Topanicë në Osllar të Bujanocit, në Preshevë etj.
Më 14 korrik 1975 arrestohet bashkë me Rexhep Malajn e shumë veprimtarë të tjerë të Organizatës dhe dënohet me pesë vjet burg.
Pas lirimit nga burgu vazhdon veprimtarinë, kurse pas ngjarjeve historike të vitit 1981 detyrohet të hidhet në ilegalitet të thellë, fillimisht në Gjilan, pastaj në Prishtinë. Nëpërmjet Rexhep Malajt ka vënë kontaktet me veprimtarët në Maqedoni, fillimisht me Nafiun dhe me Rafi Halilin nga Tetova.
Më 14 gusht 1981 arrestohet dhe mbahet në izolim deri më 2 dhjetor 1981, por më 18 dhjetor sërish arrestohet dhe dënohet me nëntë vjet burgim.
Ishte i angazhuar në Luftën e UÇK-së. Aktualisht vepron në SHIK.
VIJON…
______________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E BASRI MUSMURATIT (47)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=9933