MURAT JASHARI: “GAGA MURAT, NAJ KANË PRU KËTU NË KLEҪKË DY VETË, I KEMI NË BURG: BEHAJDIN ALLAQIN DHE SHABAN SHALËN”!

Pashtriku.org, 19. 03. 2016: – Nëse i pafuqishmi sulmohet nga i çmenduri dhe jeta e tij vihet në rrezik, nuk i mjaftojnë vetëm fjalët qetësuese e bindëse ndaj sulmuesit, sepse siç thotë populli “shkon për shpirt të viçit”. Por i pafuqishmi duhet në çdo moment të jetë i përgatitur dhe ti përgjigjet me vetëmbrojtje, të çmendurit me të gjitha mjetet. Kështu e kam përceptuar në jetë mbrojtjen e personalitetit privat. E njëjta vlen edhe për popujt e pushtuar. Populli shqiptar ka qenë vazhdimisht (për gati 3000 vjet) i sulmuar nga të çmendurit e shumtë, nga barbarët, nga pushtuesit, të cilët kanë lakmuar trojet shqiptare. Gjatë këtyre shekujve të pushtimit nga grabitësit e trojeve shqiptare, çdo gjeneratë shqiptare është përpjekur të vetëmbrohet dhe t`iu përballoj pushtuesve gjakatarë. Suksesi më i madh në vetëmbrojtje nga pushtuesit ka qenë, kur shqiptarët e kanë kuptuar se vetëm si të organizuar dhe të armatosur si popull mund të mbrohen dhe të ngadhënjejnë. Sa më shumë të ngrihet vetëdija e popullit të pushtuar për tu mbrojtur si kolektivitet, dhe sa më i ashpër me metodat e saj të jetë pushtuesi, populli i pushtuar detyrohet në mënyrë të organizuar të mbrohet dhe të luftoj robërinë.

Murat Jashari, vëllau i Heroit të Kombit Ismet Jashari – Komandant Kumanova, në mesin e bashkëluftëtarëve në vitin 2001.
Vetëmbrojtja e organizuar e popullit të pushtuar, lind vetvetiu idenë e organizimit për tu çliruar. Në pushtimin klasik, siç i ka ndodhur popullit shqiptarë (jashtë shtetit londinezë), idealistët dhe atdhedashësit gjetën forcë e mirëkuptim për bashkim e organizim të Lëvizjes së mirëfilltë për çlirim të popullit të tyre të pushtuar.
(…)
Organizimi i mirëfilltë i masave u bë në korrik të vitit 1987 me mbajtjen e Mbledhjes së parë të Përgjithshme të Organizatës në Zvicër – në rrethin e Aarut. Nga grupi i organizimit të kësaj Mbledhje – për siguri të mbledhjes, kishin caktuar: Bexhet Luzhën, Ismet Abdullaun dhe mua (Murat Jasharin). Në këtë mbledhje u zgjodhën organet drejtuese – legjitime (vertikale e horizontale) nga delegatët dhe organizata u emrua ‘Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës’ (LPRK). Nga Mbledhja e parë e Përgjithshme e LPRK-së, jam angazhuar në shumë drejtime. Por më fortë më ka pëlqyer apo qëllim kryesor kam pasur që sa ma shumë të futet barut në Atdhe.
(…)
Si fëmijët që gëzohen për karamelet dhe bombonet kur i dhurohen nga më të moshuarit, ashtu edhe unë gëzohesha si fëmijë kur e mbushja kamionin me material luftarakë për luftëtarët e lirisë. Dita 24 orëshe më dukej shumë e shkurtër. Nga 15 minuta gjumë në ditë i bëja, e drekë e darkë i kisha vendparqet e pompave të benzinës. Kishte shumë punë, dhe gëzimi e lumturia shpirtërore e imja dhe e nja 30 shokëve në Sektorë (sa ishim), të gjithë veteranë të mekanizmit politiko-ushtarak të LPK-së, ishte shumë e madhe.
E kam vështirë dhe jo me shumë dëshirë të flas në vetën e parë!
* * *

Ismet Jashari (16.04.1967-25.09.1998) dhe Behajdin Allaqi (07.04. 1963-?.?.1998)

FILLIM KORRIKU 1998 – (BISEDA TELEFONIKE ME KOMANDANT KUMANOVËN)
Isha me kamionin plotë duke u kthye nga Lichtenstein’i për në banesë Murg/SG, fshat i vogël buzë liqenit të bukur Valense. Në rrugë e sipër mu lajmërua vëllai im ISMET JASHARI, tani Luftëtar i Lirisë, (bashkëluftëtarët dhe popullata e thirrnin KOMANDANT KUMANOVA). E ndala Kamionin në një skaj rruge dhe tani po bisedojmë të qetë dhe pa rreziqe nga ndonjë incident. Duke respektuar rregullat ushtarake, tim vëlla kurrë nuk e kam pyetur se në cilën Zonë je dhe çfarë numri të mobilit ke. Si zakonisht e prisja që ai të flas më shumë.
Dhe, po më thotë:
– “Gaga Murat fol me Zekën (Xhavit Halitin) dhe le të na dërgoje veshmbathje dhe ti sigurojë dhe dërgomi dy snajperë të mirë, një për mua dhe një për Flamurin (G. Elshanin)”.
Unë i përgjigjem:
– “Në këto ditë jam te ai dhe i them, snajperkat në një magacin i kam”.
Pastaj Ismeti vazhdoi:
– “Naj kanë pru këtu në Kleçkë dy vetë, i kemi në burg. Kishin qenë udhëheqës të Lëvizjes dhe na kanë thënë se shpiuna janë”.
Unë e pyeta, si i kishin emrat?
-“BEHAJDIN ALLAQI DHE SHABAN SHALA”.
Unë fillova ta përdori memorien, meqenëse isha shumë i lodhur, dhe më erdhi shpejt një mendim, ndoshta edhe jo më i miri.
– “Nuk e dijë gagës se si është organizimi momental tek ju, por mos zbato asnjë urdhër sa i takon atyre dy vetëve. Le të merren ata ma të „mëdhenjtë“ me ta. Ky emër Behajdin pak më është i njohur, nuk e dij nga po më vjen se nga kam dëgjuar, kurse për atë tjetrin nuk paskam dëgjuar.”
E kreva bisedën me tim vëlla dhe menjëherë ju lajmërova Zekës (Xhavit Halitit). Zeka më tha se është i informuar për këtë punë. Kam informuar Abazin (Ali Ahmetin), ky nuk e kishte ditur dhe më tha, do të interesohem dhe më porositi që mos ta përhapi si lajm.
Në rrugë e sipër u deshtë me u ndalë në Walenstadt te Selim Haliti (vëllai i Xhavitit). Po sa u takova me te menjëherë po më tregon për Behajdinin se vëllau im (Ismeti) po e mbajka në burg.
Po i thashë, sa më tregojë Ismeti. Ata dy i ka dërguar ndokush aty. Se kush nuk e pyeta.
– Po a e dini se kush është ai?
– Nuk e di në detaje se kush është, por është i Lëvizjes.
Selim Haliti po më thotë:
-“Behajdini është shoku i Zekës”.
Mirë de, Zeka le të intervenoj te Jakup Krasniqi apo te ndonjë udhëheqës i UÇK-së në atë Zonë, në Kleçkë dhe le ti lirojnë.
* * *
DHJETOR1998 (NË BURGUN E TORBERG’ut U NJOFTOVA PËR VRASJEN E ISMETIT, MË 25 GUSHT 1998!)

Ishte muaji i tretë që po e kaloja në burg, me akuzën “Blerje e furnizim me material luftarak për terroristët e UҪK-së…”. Kështu e ka cilësuar veprimtarinë time atdhetare kryeprokurorja e shtetit më “demokratik” Helvetia, znj. Karla del Ponte. Nga burgu i Bern-it (ku isha), në fillim të dhjetorit 1998 më transferuan në një burg tjetër, dhe ndërkohë kam mësuar se më kishin sjellur në vendin e quajtur Torberg.
Më 15 dhjetor `98 aty kah ora 10.00 paradite u hap dera e dhomës. Një gardian më njoftojë se kam vizitë dhe më tha menjëherë të shkoj pas tij. Më futi në një sallonë ku ishin disa policë me uniformë, dhe disa të tjerë me rroba civile. Në vizitë më kishte ardhur bashkëshortja. Kur më pa, u ngritë në këmbë. Ia pashë sytë e sajë të përlotur.
Pa u përshëndetur, e pyes:
– “çka ke, pse po qanë”?
Ajo ma ktheu:
– “Po na kanë lajmëruar para ca ditëve se Ismetin e kishin vra më 25 Gusht 1998”.
Në atë moment më erdhë një forcë e madhe – e pa përshkruar, dhe ju drejtova gruas:
– “Asnjë lot! Për dëshmorët nuk duhet derdhur lot! Lumë ne oj Selvisha, tani Kumanova qenka bërë Kosovë! Ju afrova time grua, (dhe për lajmin e gëzuar) e përqafova fort! Kështu, me gjakë dëshmorësh bëhet Shqipëria! Po festë të madhe paskemi familja Jashari nga Orizarja e Kumanovës! Familjet e dëshmorëve të popujve të pushtuar në botë festojnë! Edhe populli shqiptar i Kumanovës e i gjithë hapësirës shqiptare në IRJM tani paska të drejtë të festojë!…
(…)
Fribourg, 24. 05. 2012
Murat Jashari
Nga Orizare – Kumanovë
(Adresa kontaktuese: Murat Jashari – [email protected])
_________________
(Pjesë nga kujtimet e Murat Jasharit, vëllait të Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura