SALI ONUZI: QAZIM MAT ONUZI, LUFTËTARI I PARË ANTIFASHIST I LUMËS

Tiranë, 08. 04. 2014 – Qazim Onuzi postkomandant, efektiv i skuadrës së dytë, të togës së tretë të kompanisë së tretë të xhandarmërisë, bashkë me efektivin që komandonte kishte zënë pozicion te Ura e Dajlanit në Durrës, te “depot e benzinës”. Ka 200 fishekë, hap zjarr me pushkën e tij dhe merr pjesë aktive në qëndresën kundër pushtuesve fashistë italianë, që sulmuan Durrësin atë ditë të zezë të 7 prillit 1939. Nga gjylet e artilerisë së anijeve luftarake, që binin si breshër, plagoset në të dy këmbët dhe në dorën e djathtë. Katër plumba i kanë shpuar kapotën dhe një tjetër i ka dëmtuar kasën e pushkës. Dielli ishte mbuluar nga tymi i gjyleve. Tërhiqet i fundit dhe zënë pozicion te Posta e Dajlanit. As aty nuk qëndrojnë dot, pse posta shkatërrohet nga gjuajtjet e artilerisë italiane. Atëherë zënë ballin e Urës së Dajlanit. Gjashtë predha godasin Urën dhe i shkëpusin asaj një këmbë. Tërhiqen përsëri të ndjekur nga bombardimet e aviacionit dhe plumbat që i ndjekin ngado. Vetëm, nën tmerrin e bombardimeve, tërhiqet ngadalë dhe te Posta e Rrashbullit takon efektivin. Njeë makinë i transporton në Shijak, ku furnizohet me bukë dhe municion. (I kishin mbetur edhe 36 fishekë) Nga plagosja vijon të humbasë gjak dhe fillon e ligështohet fizikisht. Në breg të rrugës e gjen të shtrirë një autoambulancë ushtarake shqiptare dhe në ora 15.00 arrin në spital, ku qëndron dy javë.
Këto janë disa fakte të nxjerra nga ditari i tij, të botuar nga publicisti Petrit Palushi vitet e fundit. E ç’mund të bënte më shumë një xhandar me skuadrën e tij, armatosur me nga një pushkë, kundër bombardimit intensiv të artilerisë së flotës luftarake italiane dhe të aviacionit?! Të mos harrojmë se këta ishin efektiv xhandarmërie, ruajtës rendi, dhe jo forca të ushtrisë, të cilat as u dukën në Durrës.

 ***
Lumjanët ditën e 7 prillit zbritën grupe-grupe në qytetin e Kukësit, me shpresë të armatoseshin e niseshin në frontin e luftës, për të bërë siç kishin bërë gjithnjë, brez pas brezi. Por nuk qe e mundur. Gjithçka ishte sabotuar. Pas disa ditësh edhe Kukësi do të pushtohej nga ushtria italiane dhe Lëvizja e më pas Lufta Nacionalçlirimtare do të niste të zhvillohej edhe këtu.
Por më 7 prill 1939, lumjani i parë që hapi zjarr kundër pushtuesve italiane ishte Qazim Mata (Onuzi). Ai është edhe i pari që u plagos. Është me meritë luftëtari i parë antifashist i Lumës. Nuk mund ta gjesh emrin e tij në asnjë listë të formacioneve luftarake që morën pjesë në Luftën NҪL. Ai nuk ishte partizan, siç u quajtën më vonë, pjesmarrësit e çetave, batalioneve dhe brigatave, në të cilët nga fshati Nangë u inkuadruan 28 veta dhe nga Kukësi mbi 1200, që morën pjesë dhe luftuan trimërisht për të çliruar Tiranën dhe Shkodrën nga nazifashistët. Po Ai, Qazim Mata kishte dhe ka diçka krejt të vecantë. Ai kishte qenë në fillim fare, aty në Durrës, përkrah Mujo Ulqinakut dhe të tjerëve që luftuan e ranë si burrat atë ditë të fillimit të Luftës NҪL të popullit tonë.
***
Po kush ishte Qazim Mata. I lindur më 1907 në Nangë të Lumës, në një familije me tradita atdhetare të spikatura, ai kish hyrë që më 1925 në Xhandarmërinë shqiptare dhe për 14 vjet kishte shërbyer aty me korrektesinë e ruajtësit të rendit. Kish shërbyer gati në gjithë Shqipërinë: në Tropojë, Shkodër, Koplik, Kukës, Dibër, Durrës, Berat, Skrapar, Tepelenë, Korçë, Pogradec dhe Bilisht, prej ku niset për Durrës pas 2 prillit 1939. Ahmet Onuzi, (nipi i tij) në kujtimet e tij të Luftës, shkruan se pas Ҫlirimit i kish rënë rasti të takohej me banorë të zonave ku kishte shërbyer si xhandar Qazimi, dhe i bëhej qejfi kur dëgjonte vetëm fjalë të mira. “Atdhetari flaktë, rreshteri Qazim Mat Onuzi, shkruan në kujtimet e tij Harun Lushaj, nga Lapanji i Skraparit, gjatë kohës së shërbimit katër vjeçar (1932-36) në Cepan të Skraparit la gjurmë e kujtime nga më të mirat në banorët e krahinës. E karakterizonte ndërshmëria, burrëria e krenaria e malësorit… ai i respektonte e i donte njerëzit. Kësisoj ai u miqësua shumë me banorët fitoi respekt e simpati në krahinë… krijoi miqësi me shumë njerëz patriotë.. gjithandej flisnin mirë për postkomandantin gazmor, të shkathtë e energjik, pa fodullëk e gojëëmbel, që nuk lejonte të privohej e drejta e askujt..”
I mbetur invalid, periudhën e Luftës e të pas Luftës e kaloi sa në shtëpi e sa në spitale për tu kuruar. Po gjithnjë antifashist i vendosur. Ai është përkrah luftës ANCl, si i vëllai, Jemini dhe të bijtë e tyre. Nipi i tij, ishte një nga komunistët dhe partizanët e parë e të njohur të Lumës. Edhe i biri i Qazimit, Abdyli do të bëhej aktivist i Lëvizjes NCl në komandën e vendit. Shtëpia e tyre në fshatin Nangë kishte qenë dhe ishte një shtëpi lufte që ndihmoi me gjithë mundësitë që pati.
Njeri i kulturuar i kohës së vet, Qazim Mata kishte sjellë në shtëpi gramafon, ( i vetmi në fshat në vitet 1950) me muzikën e pllakave të të cilit, herë pas here, argëtonte miqtë e bashkëfshatarët e vet. Po ajo që çmohej shumë edhe atëherë, ishte ditari që ai mbante me korrektësi për kronikën e Fshatit. Që fëmijë i vogël unë e mbaj në kujtesën time figurën e tij, sjelljen e tij të kujdeshme e buzëgaz.
Ja, me pak fjalë Qazim Mata, ky ushtarak elegant, ky xhandar shembullor, ky luftëtar trim antifashist, që luftoi e derdhi gjak për Shqipërinë. Fshati ynë, Nangë, po edhe Luma mbarë, me të drejtë krenohen me të.

– Autori është kolonel R. dhe ish drejtor i Departamentit të Veteranëve të Luftës, shoqërues i grupit të veteranëve në këtë aktivitet.

==============================

Mujo Ulqinaku (1896-1939) heroi shqiptar që rezistoi kundër pushtimit italian të Shqipërisë

Mujo Ulqinaku ishte njëri ndër luftëtarët e parë më të shquar, i cili me 7 prill të vitit 1939 organizoi qëndresë të armatosur kundër pushtimit fashist italian. Hero i Popullit, Mujo Ulqinaku lindi në Ulqin në familjen e një detari të varfër, në vitin 1896. Që në moshë të vogël hyri ishte ndihmës detar he më vonë punoi si detar në Shkodër e në Durrës. Me gradën e nënoficerit në një nënrepart të marinës në Durrës, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë u vu menjëherë në krye të detarëve të braktisur nga oficerët tradhtarë dhe organizoi me ta e me vullnetarë të tjerë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit. Mujo Ulqinaku luftoi me trimëri e guxim të rrallë, duke vrarë e plagosur dhjetëra fashistë. Ra në luftim të pabarabartë në mbrojtje të atdheut, më 7 prill 1939 duke u bërë shembull i lartë patriotizmi e atdhedashurie. Në mëngjesin e 7 prillit 1939, ushtria fashiste italiane, prej 35 – 40 mijë vetësh e sulmoi Shqipërinë duke zbarkuar në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin dhe në Sarandë. Në Durrës, ushtria e vogël shqiptare e drejtuar kapteri i marinës Mujo Ulqinaku i bëri qëndresë pushtuesit.
Ushtarët italianë zbarkuan në bregun e Durrësit, por u detyruan të zmbrapseshin në det mbasi në breg i priti mitrolozi i Mujo Ulqinakut që mbronte trojet e veta. Ushtarët italianë zbarkuan disa herë në breg dhe po aq herë edhe u zmbrapsën. Por ushtria italiane ishte e shumtë në numër dhe Mujua nuk mund ti bënte ballë për shumë kohë veçse sa qe gjallë, ata nuk kaluan dot. Në këtë mbrojtje të truallit të vet Mujo Ulqinaku ra heroikisht dhe u bë kështu dëshmori i parë i atdheut në luftë kundër pushtuesit fashist. Aktit heroik të Mujo Ulqinakut i kushtohet busti i vendosur pranë kullës së kalasë së Durrësit, emrin e tij e mbajnë rrugë, anije, shkolla etj..
Burimet e kohës bëjnë të ditur se qytetarët e Durrësit thonin se italianët kishin lënë katërqind të vrarë, ndërsa italianët deklarojnë se në tërë Shqipërinë kishin humbur vetëm 12 vetë. Por është e qartë se vetëm në Durrës u vranë rreth 200 italianë dhe 700 në të gjithë Shqipërinë. Sikurse numri i shqiptarëve të vrarë ka qënë ndoshta edhe më i madh. Në portin e Vlorës nuk pati ndonjë qëndresë të madhe, por trupat motoçikliste italiane ranë në pritë në rrugën jashtë qytetit, ku pësuan humbje në njerëz. Zbarkimi në Shëngjin u kundërshtua nga një grup jo më shumë se 40 vetësh, gjatë luftimeve dhe pati 6 ose 7 të vrarë, prej secilës palë. Tashmë rruga për në Tiranë ishte e lirë nga të gjitha drejtimet”.
Ditët kritike në Shqipëri nën sundimin e satrapit, Ahmet Zogu, që sollën pushtimin e vendit nga Italia
Zhvillimet në Shqipëri në prag të pushtimit fashist
Më 8 janar të vitit 1939 kryetari i Qeverisë fashiste, Benito Musolini, miratoi planin e Çianos për pushtimin ushtarak të Shqipërisë. Ahmet Zogu mori disa masa kundër planeve italiane. Ambasadori italian në Tiranë protestoi për këto masa. Ndërkohë, në Italinë e Jugut u përqendruan forcat ushtarke që do të realizonin pushtimin.
Më 25 mars 1939 Ahmet Zogut iu paraqit një projekt traktat nga qeveria italiane që synonte nënshtrimin e Shqipërtsë. Por Ahmet Zogu e la në heshtje. Pasi iu përsërit më 2 prill, iu paraqit ultimatumi me afat deri në orën 12 të datës 6 prill.
Më 5 prill 1939 Qeveria Shqiptare i paraqiti ministrit italian në Tiranë kundërpropozimet, në të cilat kërkohej të përfundohej një konventë ushtarake dhe të përcaktoheshin rrethanat kur ushtria italiane mund të vendosej në Shqipëri.
Më 6 prill pasdreke, parlamenti shqiptar e hodhi poshtë ultimatumin e B. Musolinit. Populli shqiptar e ndjeu rrezikun e pushtimit. Ai shpërtheu në demonstrata dhe i kërkoi qeverisë të organizonte qëndresën. Demonstruesit shkuan përpara pallatit mbretëror në Tiranë për të kërkuar armë. Gatishmërisë së kosovarëve për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve të tyre,
Qeveria Jugosllave iu kundërvu me mbylljen e kufijve. Zogu nuk mbathi opingat dhe nuk ngjeshi armët për ta mbrojtur Shqipërinë sikur kishte premtuar, por mbathi këpucët e modës italiane dhe së bashkue me krejt familjen e gjerë, me arin e tubuar dhe me disa axhutantë besnik iku tinëz si një hajn nga Atdheu i pushtuar. Fillimisht u vendos në Greqi e prej andej në Evropë.

Ja si e përshkruan okupimin fashist të Shqipërisë publicisti farnacez, Hubert Bouchet
E pashë të vdesë Shqipërinë
Durrësi u zgjua këtë mëngjes të së premtes së shenjtë si zakonisht. Në port ishin ankoruar dy anije të vogla të përhirta, me pamje peshkaqeni dhe që mbanin flamurin e Madhërisë së Tij Perandorit të Italisë e të Etiopisë. Të tjera anije, në det të hapët, disa milje larg po patrullonin si me pamje të pafajshme…
… Befas, një skuadrilje ajrore, grupuar si patat e egra që mërgojnë, kalon gjithë gumëzhimë në lartësi të ulët, duke shurdhuar zonën me bubullimën e mijëra kuajve fuqi në oshtimë. Të jetë vallë një sinjal? Kryqëzorë e silurues shfaqen në horizont me ndriçime të kuqërremta. Topi gjëmon. Grykat 380 mm të marinësve vjellin vdekjen nga mitralozët mbi shtëpitë e bëra në shumicën e tyre me qerpiç e dërrasa. Por edhe shtëpitë prej guri nuk është se rezistojnë më shumë përballë atij shiu të plumbtë e të çeliktë. Popullsia, që në shumicën e saj merret me peshkim, me toruan krejt të humbur pyet, në këtë të premte të shenjtë përse qielli po zëmërohet dhe po u dërgon zjarrin e skëterrës. Të jetë vallë fundi i botës? Aspak, është thjesht dëshira e Zotërisë Musolini që po vihet në jetë. Kërkon ta vërë Shqipërinë në hap, se na qenka vend mesjetar, me zakone barbare, me mbret tradhtar (Duce dixit!)
Gratë, me ferexhetë që fluturojnë nga era, rendin sa djathtas, majtas, duke kërkuar një strehim. Një strehim!… Sa qesharake. Në këtë vend me zakone patriarkale, ku njerëzit nuk kanë shumë kërkesa nga qytetërimi, pikërisht strehime nuk ka. Kasollet e vogla përgjatë bregut fluturojnë në ajër nga shpërthimet.
E megjithatë, me të kaluar të shtangurit e parë, burrat, ata shqiptarë të guximshëm, që nuk i tremben barutit, shpejt e mblodhën veten. Kanë rrëmbyer dyfekët, martinat, të vjetra ndoshta, por që vetëm duart e tyre dinë t’i përdorin. Rrëmujazi, por të vendosur, marrin për nga porti, ku disa mole, të prekur nga predhat me qitje të shkurtër, shfaqin tashmë rrënim të plotë.
Ushtarët e Madhërisë së Tij Zotërisë Viktor-Emuanuelit III zënë të zbarkojnë. Barka të mëdha mbushur dëng me ushtarë e armë moderne kërkojnë të arrijnë bregun. Disa plumba fshikullojnë sipërfaqen e ujit përreth barkave. Dhe prej tyre, veç kur shpërthen zjarr breshërie që i bën barkat të luhaten, tronditur nga mitralimi. Më në fund, një barkë i afrohet ranishtës. Dhe menjëherë, pas strehimit të një kodrine ranore, ushtarët montojnë mitralozat e rëndë dhe tak-taku vdekjeprurës nis këngën e tij të kobshme, ndërkohë që një zjarr breshërie mushqetash të bersalierëve ka për tabelë qitjeje shqiptarët, që fshihen si të mundin prapa barkave të përmbysura apo prapa hekurave ku lidhen ballamarët.
Topat e rëndë vijojnë bombardimin dhe nën goditjen e tyre trupat mund të vazhdojnë pa u dëmtuar zbarkimin. Janë në raportin njëqind italianë me një shqiptar. Lufta është tepër e pabarabartë, për më tepër që tashmë qitësit shqiptarë janë nxjerrë jashtë lufte. Metalurgjia e fuqishme italiane në formë predhash e armësh të blinduara ngadhënjen ndaj guximit të tyre të dëshpëruar dhe ndaj dyfekëve të vjetruar. Musolini mund të thotë sa të dojë nëpërmjet agjencisë Stefani se gjaku rrodhi rrëke dhe se trupat e tij pushtuan qytetet shqiptare, pavarësisht nga një mbrojtje heroike të ushtarëve shqiptarë. Kjo i shkon për shtat aleatëve të tij.
Gjithçka mbaroi. Mbi rrënojat në tym, mund të vendoset tani flamuri italian për të festuar këtë ngadhënjim të lavdishëm armësh. Disa fëmijë qajnë mbi kufomat e nënave të tyre mbuluar në gjak të freskët, duke shikuar syshqyer ata ushtarë trimosha, me pendë gjithë ngjyra majë kape, që valëviten nga era e fitores.
101 të shtënat me topa një ditë më parë – paqësore këto për të lajmëruar ardhjen në jetë të princit trashëgimtar, Leka Zogut, – pasuan gjëmimin e topave të Duçes për të lajmëruar një “jetë të lumtur, duke e çliruar popullin shqiptar nga zgjedha e një plutokrati!”…
Sepse kishte mbetur në Europën e mekanizuar në kulm edhe një ishull i vogël njerëzish me zakonet e tyre të lashta, që hanin bukën e thekrës, pinin qumështin e dhive, këndonin luginave baladat e të parëve të tyre!
Dhe tani u dashka që këta të marshojnë me hapin e patës, të këndojnë “Giovinezzan”, të përshëndesin fashistçe, të njohin uniformën e përhimtë të një populli vënë në rresht regjimentesh…
Por, në fund të fundit, duhet thënë se as që u kërkua ndonjëherë të merret mendimi i tyre.
Pas tradhtisë që Mbreti Zog i bëri vendit, duke e lënëç nën mëshirën e gjerakëve të Musolinit, rinia revolucionare e Shqipërisë e bashkuar me Partinë Komuniste Shqiptare, filloi organizimin e rezistencës kundër pushtimit italian dhe për pesë vjet rresht luftoi deri në çlirimin e vendit në nëntor të vitit 1944. Shqipëria ishte vendi i parë në Evropë, i cili u çlirua nga Nazi-fashizmi, me forcat e veta gjashtë muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
***

Vetëm në Durrës u shënua 75-vjetori i rezistencës popullore, antifashiste, italiane

Më 7 prill 2014 është përkujtuar në Durrës, 75-vjetori i Rezistencës Antifashiste shqiptare dhe të gjithë atyre që dhanë jetën duke luftuar në atë ditë historike për kombin. Veteranë, familjarë të dëshmorëve dhe disa drejtues të pushtetit vendor dhe prefekturës së qarkut kanë bërë homazhe pranë monumentit të Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku dhe kanë nderuar kujtimin e atyre që dhanë jetën për të ndalur pushtimin e vendit. “75 vjet më parë, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Patriotët shqiptarë luftuan si mundën, sa mundën dhe ku mundën për liri dhe dinjitet. Ishim të varfër, por Shqipëria ishte një vend i pasur me gra dhe me burra idealistë dhe ata ishin krismat e para antifashiste në Europë. Nder dhe mirënjohje për të gjithë ata”, tha Vangjush Dako.  Në 7 prill të vitit 1939 Italia Fashiste nisi pushtimin e Shqipërisë nga porti i Durrësit, por ajo u prit me armë nga disa forcat shqiptare, por jo edhe nga shteti i cili, shumë vjet më parë ishte kthyer në koloni italiane. Në këtë aktivitet përkujtimor kanë munguar deputetë dhe përfaqësues të së djathtës, e cila identifikohet me forcat balliste e zogiste, të cilat kishin mirëpritur duarhapur pushtimin italian. Ndërkohë, persona të panjohur në shenjë kujtimi për ikjen si hajn të Mbretit Zog nga vendi, i cili ishte pushtuar nga Italia pa rezistencë të organizuar shtetërore, kanë bërë përpjekje ta rrëzojnë bustin e Ahmet Zogut, i vendosur në Bulevardin e Tiranës, gati dy vjet më parë nga Salih Berisha. Shqipëria ishte vendi i parë në Evropë, i cili u çlirua nga Nazi-fashizmi, me forcat e veta gjashtë muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

**********************************
Pushtimi italian i Shqipërisë, 7 prill 1939, pj.1/2

****************

7 Prill 1939 – Agresioni i Pranverës – nga Mishel Koçiu (1993)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura