Pashtriku, 21 shtator 2020:
8.1.13 Pjesë nga shkrime të botuara në përmbledhjen “Materiale”, 1978
Në pamundësi që të pasqyrohet gjerësisht përmbajtja e këtij publikimi prej mbi 200 faqesh, përveç fragmenteve të cituara më parë, le të shfletojmë edhe disa fletë të tij.
Ndër artikujt që flasin për të kaluarën historike lexojmë: “Komiteti Mbrojtja kombëtare e Kosovës, çështjen nacionale të popullit tonë nuk mendoi kurrsesi ta zgjidhte në kurriz e në dëm të të tjerëve, por kërkoi drejtësi për të gjithë popujt e Ballkanit. Komiteti luftoi që çështja nacionale të zgjidhej mbi bazën e parimit të vetëvendosjes për secilin komb. Këto pozita të drejta e parimore e quan Komitetin në një bashkëpunim të ngushtë me organizatat revolucionare të popujve tjerë të Ballkanit”.
Duke shkruar për Kushtetutën e re të Shqipërisë më 1977, Kadri Zeka nënvizonte disa fakte afirmative të realitetit shqiptar dhe interpretonte nene te Kushtetutës së re, për t’ia kundërvënë propagandës denigruese dhe shpifjeve jugosllave kundër Shqipërisë: “Në Shqipëri prona socialiste i përket popullit dhe i shërben atij për përmirësimin e jetesës dhe mirëqenies. Këtë e dëshmon më së miri fakti se Shqipëria sot është i vetmi vend në botë ku paga më e lartë me atë më të ultën është në përpjesëtim një me dy. Arsimi për të gjithë bëhet falas (sot çdo i treti banor në Shqipëri është nxënës ose student), shteti u siguron gjithë qytetarëve shërbimin shëndetësor falas dhe është bërë elektrifikimi i plotë i vendit. Dallimet në mes fshatit e qytetit, mes punës fizike dhe mendore gjithnjë ngushtohen. Sot në Shqipëri, masat punonjëse janë të lira dhe zot i vendit të tyre, jetojnë të lumtur dhe plot entuziazëm për të ardhmen. Për to janë ndërtuar dhe po ndërtohen shkolla, rrugë e spitale moderne, shtëpi kulture, fabrika e hidrocentrale si dhe shumë e shumë vepra të tjera… Ajo i përmbahet parimit të vetëvendosjes së popujve.
…Mbrojtja e atdheut është detyra dhe nderi më i lartë për të gjithë shtetasit, kurse tradhtia ndaj atdheut konsiderohet krimi më i rëndë.
…Në Shqipëri u sigurohet barazi e plotë gjithë qytetarëve para ligjit dhe nuk njihet kurrfarë privilegji për shkak seksi, race, kombësie, pozite shoqërore a gjendje materiale. Gruaja gëzon të drejta të barabarta me burrin në të gjitha fushat. (Në këtë drejtim janë arritur rezultate më të mëdha se në çdo vend tjetër; 48 për qind të fuqisë punëtore të vendit e përbëjnë gratë, ndërsa në shumë sektorë, si arsimi, shëndetësia etj., ato marrin pjesë rreth 80 për qind).
Pakicave kombëtare u sigurohet mbrojtja e kulturës dhe traditave popullore, përdorimi i gjuhës amtare dhe mësimi i saj në shkollë si dhe zhvillimi i barabartë në të gjitha fushat e jetës. Çdo veprim që dëmton interesat e tyre është antikushtetues dhe dënohet me ligj. Me kushtetutë parashihet e drejta e çdo qytetari mbi 18 vjeç për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur… Veç kësaj Kushtetuta garanton të drejtën e pushimit pas punës, sigurimin e mjeteve për qytetarët e sëmurë, të paaftë dhe invalidët. Nëna gëzon të drejtën e pushimit para dhe pas lindjes, qytetarëve u garantohet e drejta e punës… Gjithashtu mbrohen me ligj e drejta e punës shkencore dhe e krijimtarisë letrare e artistike si dhe e drejta e autorit. Qytetarët gëzojnë të drejtën e arsimit, lirinë e fjalës, të shtypit, të organizimit, të grumbullimit, të mbledhjes, të korrespondencës dhe të manifestimit publik”.
Pavarësisht faktit që realiteti ndryshonte nga këto përcaktime kushtetuese dhe nga shumë informata që vinin nga andej, perceptimi kosovar për Shqipërinë ishte i një emocioni dhe dëshire ëndërrimtare.
Në një artikull ku pasqyrohej politika antishqiptare e regjimit jugosllav, lexojmë: “Për popullin tonë (pas korrikut 1945, shën. MH) filluan ditët akoma më të zeza nga ato të sundimit fashist. Vrasjet në masë në Kërçovë, me mijëra të tjerë të pushkatuar në tradhti në Tivar, masakrat në rrethin e Gjilanit, Drenicës (masakrimi i më se 45.000 drenicasve, gjatë dimrit të egër të vitit 1945) e kudo në Kosovë, do të mbeten të pashlyera në historinë e popullit tonë. Këto masa gjakatare të gjenocidit shoqëroheshin edhe nga dëbimi me dhunë i popullsisë shqiptare nga vatrat e tyre dhe dërgimi i tyre në thellësi të territorit jugosllav dhe në shkretëtirat e Anadollit e në vende të tjera të botës. Vetëm në Turqi u dërguan mbi 250 mijë shqiptarë. Mohimi i të drejtave elementare popullsisë shqiptare në Kosovë, mohimi i emrit, gjuhës, kulturës, varfërimi i vazhdueshëm i masave, shtypja e shfrytëzimi i pamëshirshëm kolonial ishin pjesë përbërëse e politikës fashiste që ndiqte ndaj popullit tonë klika revizioniste e Beogradit.
Qëllimet grabitqare të revizionistëve jugosllavë ndaj popullit shqiptar ishin të gjera. Ata pretendonin ta fusnin nën sundimin e tyre gjithë Shqipërinë, ta bënin atë republikë të shtatë të federatës së tyre. Udhëheqja e PKJ-së, bile kishte zgjedhur atëherë një përfaqësues të saj, njëfarë Savo Zllatiqi në Shqipëri për ‘bashkimin e Shqipërisë mbi baza federative’. …
Nga gjithë provokacionet që iu bënë Shqipërisë pas luftës, rreth 70 për qind janë krye vetëm nga Jugosllavia revizioniste, por të gjitha përpjekjet armiqësore të revizionistëve jugosllavë, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë kundër saj, kanë dështuar njëra pas tjetrës”.
Nga aktualiteti politik: Kur dora e zgjatur e Beogradit godiste Lëvizjen Kombëtare të Kosovës dhe dëmtonte interesat kombëtare, shtypi klandestin e bënte të qartë pozicionin e eksponentëve të regjimit, për të hequr çfarëdo iluzioni se ata do ta shpëtonin Kosovën nga kthetrat sunduese. Artikulli për kuislingët më 1981, te “Liria” nr. 3, i ribotuar pas përvojës së hidhur të veprimeve shtypëse mbi popullin e kryengritur shqiptar të Kosovës, ishte në fakt i para pesë vjetëve. Në të thuhej: “Revizionistët shovinistë të Jugosllavisë, për të kënaqur ndjenjat e tyre grabitqare, të trashëguara nga krajlët e vjetër të borgjezisë jugosllave, përdorën mjete dhe metoda ndër më të ndryshmet që të vënë nën sundimin e tyre popullin tonë dhe për ta përjetësuar, në tokat tona, këtë sundim të egër.
Për sundimin e Kosovës, revizionistët jugosllavë vunë në zbatim dy format e njohura të nënshtrimit; të dhunës e të shtypjes dhe atë të demagogjisë e të mashtrimit.
Ata vranë në tradhti kuadro të njohur partizanë shqiptarë, udhëheqës të popullit në luftë për liri, torturuan dhe gjymtuan komunistë dhe patriotë shqiptarë, terrorizuan popullin dhe nga ana tjetër korruptuan ndonjë nga ata kuadro të luftës dhe zgjodhën nga llumi i popullit tonë njerëz të poshtër për të vënë firmën e tradhtisë në mbledhjen famëkeqe të Prizrenit, më 1945. Që atë ditë ajo mbledhje trumbetohet nga revizionistët si ‘shprehje e vullnetit të lirë të popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje’!? Ndërsa ai grusht tradhtarësh u vu në shërbim të pushtuesve revizionistë dhe mbetën shërbëtorë të bindur të tyre.
Historia e më shumë se tridhjetë vjetëve të sundimit, të shtypjes e shfrytëzimit të egër që i bëri e po i bën klika revizioniste e Titos popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e mal të Zi, ka treguar më së miri natyrën fashiste e grabitqare të kësaj klike.
Historia e pas Luftës së Dytë Botërore e popullit tonë martir ka treguar edhe njëherë qëndresën heroike dhe vendosmërinë e popullit të robëruar për të luftuar kundër çdo armiku, sado i egër qoftë ai dhe për të jetuar i lirë, ka treguar dashurinë që ai ka për Atdheun e vet të lashtë. Kjo luftë nga ana tjetër tregon se vullneti i kujt ishte shprehur në mbledhjen e Prizrenit.
Tradhtarët shqiptarë janë reklamuar vazhdimisht nga revizionistët jugosllavë si ‘përfaqësues të popullit të Kosovës’ të cilët flisnin atëherë dhe flitkan tani ‘në emër të popullit të Kosovës’. Në fakt, ata si atëherë edhe sot s’mbetën gjë tjetër, pos kuislingë të popullit tonë. Ata jo vetëm nuk ngritën zërin kundër gjithë tragjedive që u luajtën në kurriz të popullit shqiptar të Kosovës, por morën pjesë aktive në të. Ata ishin vegla në duar të regjimit, prandaj nuk mund të ndodhte ndryshe.
Detyrat që u ka besuar dhe ngarkuar regjimi i Titos tradhtarëve shqiptarë në Kosovë, janë të shumta dhe të ndryshme. Sot, madje edhe në krye të organeve sunduese e shtypëse në Kosovë, revizionistët kanë vënë tradhtarët shqiptarë. Ata kanë krijuar edhe një kastë të tërë aristokrate dhe burokratike në administratë dhe kulakë në fshat, si krah dhe mbështetje e tradhtarëve për të zbatuar me besnikëri politikën kolonialiste të shovinistëve të klikës së Titos dhe të politikës revizioniste e borgjeze në përgjithësi, në të gjitha fushat e jetës.. Revizionistët menduan se me futjen e ndonjë tradhtari shqiptar në organe të ndryshme të tyre të partisë e të pushtetit, kanë krijuar terrenin për të bërë zhurmën e ‘të drejtave të plota’ të popullit shqiptar në Kosovë… Si eksponentë të regjimit titist, ata janë njëkohësisht edhe altoparlantë e interpretues injorantë të demagogjisë së këtij regjimi në Kosovë. Ata janë caktuar që gjithë jetën e tyre t’i bëjnë aureolë regjimit shtypës dhe shfrytëzues në fuqi dhe me kujdes të veçantë, aktualisht, kryexhelatit të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si dhe të popujve të Jugosllavisë, J. B. Titos. …
Fjalët e zgjedhura e të bujshme të tradhtarëve për ‘të ardhmen e bukur’ që ata i përgatitkan popullit të Kosovës, nuk mund ta fshehin gjendjen e sotme kaq të rëndë të popullit në Kosovë dhe aq më pak ta mashtrojnë atë, sepse populli ynë e di që liria nuk mund t’i vie nga tradhtarët në shërbim të regjimit në fuqi. …Populli ynë kurrë nuk është nënshtruar në historinë e tij. Pushtimi i Kosovës nga revizionistët nuk mund të përjetësohet. Çfarëdo qofshin masat e revizionistëve dhe tradhtarëve, ata nuk mund ta shuajnë luftën e popullit tonë, nuk mund ta nënshtrojnë atë. Përkundër pak tradhtarëve, populli ynë ka shumë bij trima, të gatshëm për të bërë sakrificën supreme për lirinë e popullit.
E pezmatuar me heshtjen e Evropës ndaj çështjes së Kosovës dhe me Dokumentin e Helsinkit të KSBE që i betononte kufijtë e padrejtë dhe ndarës të kombit shqiptar, Organizata nëpërmjet shtypit të saj shprehej: “Republika Popullore e Shqipërisë, siç dihet nuk mori pjesë në këtë Konferencë. Qëndrimi parimor i Partisë, Qeverisë dhe popullit shqiptar ndaj kësaj konference pati jehonë të madhe në tërë botën. Ky qëndrim i përgjigjet interesave të larta jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të popujve tjerë të Evropës” . Dhe më vonë: “Mbajtja e Konferencës gjoja për sigurimin evropian në Kryeqytetin e Jugosllavisë, e cila me forcën e armëve mban të pushtuar Kosovën tonë, është edhe një fakt tjetër që flet për karakterin fals të kësaj farse”.
Duke shkruar për veprimet degjeneruese dhe çoroditëse që ushtroheshin mbi rininë për t’i neutralizuar energjitë dhe potencialet e saj çlirimtare, shtypi pasqyronte shpirtin e saj dhe optimizmin e plotë për perspektivën e ndritur që do t’i siguronte atdheut të vet:
“Ajo nuk do të bëhet viktimë e gjellërave të helmatisura të kuzhinave borgjeze e revizioniste. Asgjë nuk mund ta largojë popullin e Kosovës nga rruga e revolucionit…”.
Në një artikull për të ashtuquajturën “Teori e tri botëve”, shkruante: “Lufta nacionalçlirimtare e popujve, lufta antiimperialiste dhe ajo për demokraci janë faktorë të rëndësishëm në procesin e përgjithshëm revolucionar botëror.
Tingëllojnë tepër cinike, për popullin e robëruar të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi, pallavrat rreth ‘fitoreve e rezultateve të arritura’ për ‘zgjidhjen në mënyrë marksiste-leniniste’ të çështjes kombëtare, në një kohë kur dihet prej të gjithëve gjendja e tij e vërtetë. “ Kurse për prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës, lexojmë: “Me aktin antishqiptar dhe kundërrevolucionar që bënë udhëheqësit kinezë, duke shkelur normat elementare ndërkombëtare dhe parimet e internacionalizmit proletar, synojnë të godasin ekonominë shqiptare dhe aftësinë mbrojtëse të Shqipërisë… Grupi ynë dhe i gjithë populli shqiptar i Kosovës, Maqedonisë e malit të Zi, shprehin solidaritetin e plotë vëllazëror dhe përkrahjen e qëndrimit të drejtë e të guximshëm të Shqipërisë socialiste dhe PPSH”.
Duke analizuar një nga vizitat e Titos në Kosovë thuhej: “Politika e klikës revizioniste të Beogradit ndaj popullit tonë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë sa të jetë në fuqi, ndërsa populli ynë nuk është pajtuar dhe as që do të pajtohet kurrë me shtypësit dhe robëruesit e tij. Këtë e di edhe Titua edhe populli ynë.. Kosova nuk ka bërë kurrfarë ‘hapash’ të ‘mëdhenj’ në zhvillimin ekonomik, siç gënjeu Titua, ajo është si ka qenë: e prapambetur (megjithëse Titua kishte premtuar në vizitat e mëparshme se do ta shfrytëzonte gjithë ‘prestigjin’ e tij që Kosova të ndihmohej në zhvillimin më të shpejtë të ekonomisë së saj… Politika e sllavizimit të Kosovës dhe shkombëtarizimit të shqiptarëve në Jugosllavi është politikë e vjetër dhe e nisur para Jugosllavisë titiste. Klika e Titos nuk bëri tjetër, pos e vazhdoi këtë politikë në një mënyrë edhe më të egër se krajlët e vjetër. Faktet historike flasin për këtë të vërtetë të hidhur dhe populli ynë që me krenari ruajti individualitetin e vet kombëtar nuk do t’i harrojë kurrë të zezat që i kurdisi atij kjo klikë…Populli ynë kurrë nuk është trembur as do të trembet nga kërcënimet e revizionistëve, kurrë nuk është mashtruar dhe as do të mashtrohet nga demagogjia titiste dhe kurrë nuk është mposhtur as do të mposhtet nga dhuna e revizionistëve titistë…
Shtypi klandestin bënte analiza dhe pasqyronte gjendjen ekonomike dhe shoqërore në Kosovë. Në një artikull për papunësinë thuhej: “Sipas të dhënave zyrtare, (sigurisht të zvogëluara) në Jugosllavi, numri i të papunëve të paraqitur në të ashtuquajturat “Bashkësi për Inkuadrim”, në vitin 1975 arrinte në 583.836, prej të cilëve 299.019 ishin femra. …papunësia e vërtetë në Jugosllavi është më e madhe se në çdo vend tjetër të Evropës.
Ndonëse e lartë në tërë Jugosllavinë, papunësia është e theksuar më shumë se kudo tjetër në Kosovë, ku masat punonjëse u nënshtrohen një shtypjeje dhe shfrytëzimi të dyfishtë, kombëtare dhe shoqërore, si nga borgjezia shoviniste jugosllave ashtu edhe nga tradhtarët vendas. Sipas statistikës, derisa në Bosnje e Hercegovinë në çdo njëmijë banorë janë të zënë në punë 158 vetë, në Mal të Zi 171, në Maqedoni 181, në Kroaci 240, në Serbi 208, në Vojvodinë 227 dhe në Slloveni 357, në Kosovë ky numër mezi arrin në 91 vetë, që është për katër herë më pak se në Slloveni. … Ndërsa në vitin 1952 në çdo njëmijë banorë, kërkonin punë 28 vetë, në vitin 1974 ky numër arrinte në 284, që është për dhjetë herë më shumë… mbi 62 për qind e të papunëve gjatë vitit 1976 e përbënin të rinjtë nën moshën 30-vjeçare, ndërsa nën 40 vjeç ishin rreth 80 për qind të papunëve.
…Papunësia është e theksuar sidomos në radhët e femrave, të cilat, në shoqërinë revizioniste jugosllave i nënshtrohen një diskriminimi të hapët në të gjitha fushat. Siç detyrohet të pranojë edhe vetë statistika jugosllave, nga 142.935 të të zënëve në punë, sa kishte në Kosovë në vitin 1976, vetëm 29.389 prej tyre ishin femra, ose rreth 17 për qind e numrit të përgjithshëm”.
Në një artikull tjetër për gjendjen e bujqësisë dhe të fshatit lexojmë: “Përkundër pakicës së pasur e të fryrë, shumica e fshatarësisë sonë jetojnë në varfëri të rëndë. Nga gjithë numri i pronarëve të tokës, 85 për qind janë prodhues të vegjël bujqësorë, d.m.th. fshatarë të varfër. Një pjesë e tyre nuk mund të prodhojnë më shumë nga sa paguajnë tatim për revizionistët. Në mungesë të mjeteve për punë, ata detyrohen të paguajnë makinat për të punuar parcelat e tyre.
… Këta fshatarë kthehen pastaj në argat bujqësorë me mëditje, pa kurrfarë mbrojtje në punë dhe pa sigurim shëndetësor e social. Një pjesë tjetër marrin tokë me arendë nga kulakët me kondita feudale, kurse shumë fshatarë të varfër, pa mjete për jetë detyrohen të lënë vatrat e tyre dhe të marrin botën në sy për t’u siguruar fëmijëve kafshatën e bukës. Me qindra mijë fshatarë të tjerë të varfër kanë shkuar dhe vazhdojnë të shkojnë nëpër qytete, duke shpresuar se do të gjejnë atje punë për të siguruar jetën e që në fakt vetëm e shtojnë ushtrinë e të papunëve në qytete.
Në punët e bujqësisë shfrytëzohet gjerësisht puna e fëmijëve dhe e pleqve. Sipas të dhënave të vetë revizionistëve, vetëm gjatë vitit 1971 në sektorin shtetëror të bujqësisë në Kosovë, kanë punuar 1927 fëmijë të moshës 14 vjeçare, 25.372 të tjerë të moshës 15-19 vjeçare, 14.999 pleq më të vjetër se 65 vjeç dhe 21.684 të moshës 55-64 vjeç”.
Duke shkruar për Kongresin e shtatë të PPSH, në të cilin Enver Hoxha, thoshte se “Bota ndodhet në një fazë kur çështja e revolucionit dhe e çlirimit kombëtar të popujve nuk është vetëm një aspiratë e një perspektivë, por edhe një problem i shtruar për zgjidhje”, shtypi klandestin sillte edhe disa të dhëna të cilat konfirmonin se në periudhën 1971-1975, treguesit kryesorë që karakterizonin zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë paraqiteshin: “Rritja në vitin 1975 kundrejt vitit 1970 ka qenë: Prodhimi i përgjithshëm shoqëror 37%, të ardhurat kombëtare 38%, prodhimi përgjithshëm industrial 52%, prodhimi përgjithshëm bujqësor 33%, vëllimi i transportit të mallrave 45%, vëllimi i investimeve, për pesë vitet së bashku 50%, rendimenti i punës në industri 21%, rendimenti i punës në ndërtimtari 28%, vëllimi i eksportit (për të pesë vitet së bashku) 75%, qarkullimi i mallrave me pakicë, 35%, të ardhurat reale për frymë të popullsisë 14.5%”etj.
VIJON …
_________________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (72)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10518