MEHMET HAJRIZI: TEZAT DHE ANTITEZAT PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (23)

Pashtriku, 3 dhjetor 2019:
4.10 Teza dhe antiteza për demonstratat
Për demonstratat e vitit 1981 kanë shkruar e folur shumë politikanë, publicistë historianë, shkrimtarë e pjesëmarrës të tyre, duke i trajtuar me motive qëllimmira, për t’i ndriçuar dhe analizuar objektivisht, por edhe me motive e qëllime të mbytjes a mbulimit të së vërtetës (suppressio veri), që për ironi po vazhdon edhe sot deri në neveri.

Për të justifikuar qëndrimin e vet nënshtrues eksponentët e regjimit, menjëherë pas demonstratave filluan të filozofonin për to, duke i quajtur të dëmshme për Kosovën, sepse e kthenin gjoja prapa, duke akuzuar Shqipërinë dhe disa shërbime të huaja sekrete, si organizatorë të tyre dhe duke hedhur gur e baltë mbi veprimtarët atdhetarë të kohës. Madje edhe ndonjë qëllimmirë naiv do të thoshte, “mos u organizuan herët”, ose “mos ta kishim ngacmuar shovinizmin e fjetur serb, ndoshta s’do të na prishej rehatia”!
Nga një dëshmi e Bedri Islamit, del se edhe në Shqipëri ka pasur mendime që demonstratat kanë qenë të ngutshme. Ai shkruan: “Udhëheqja e Shtetit Shqiptar ishte e bindur se krijesa jugosllave nuk do të ishte jetëgjatë, sidomos pas vdekjes së Titos. Dhjetë vjet para se të ndodhte shpartallimi i përgjakshëm i saj, një gjë e tillë ishte parashikuar në librin e Enver Hoxhës për vetadministrimin. Dhe kjo jo vetëm që ishte shkruar, por edhe ishte besuar. Jo vetëm nga drejtuesit e lartë, por edhe nga njerëzit e zakonshëm. Ndaj, duke pritur këtë rënie, Shteti Shqiptar mendonte se duhej pritur një kohë tjetër. Në atë kohë, në aparatin drejtues të Komitetit Qendror, sidomos në drejtorinë për Kosovën – sepse ka ekzistuar një drejtori e tillë e veçantë, e cila kishte zakonisht si drejtues të saj një anëtar të Komitetit Qendror, si p.sh Mehmet Karakushi, nga familja e njohur e Karakushëve të Kukësit – ka qenë mendimi se përshpejtimi i proceseve, përderisa ende nuk ka filluar shprishja jugosllave, do të kishte edhe reprezalje masive…
Në shtatorin e vitit 1982, në takimin me Ramiz Alinë, në shtëpinë e tij të detyruar, unë e kam pyetur edhe për ngjarjet e marsit të vitit 1981. Megjithëse natyra e tij, jo rrallë, është sfinksore, përgjigjja ishte e besueshme. Zoti Alia, i cili, në vitin 1981 ishte sekretar i KQ për propagandën dhe njëri ndër autoritetet më të besueshëm të Enver Hoxhës, sigurisht që do të ishte fare mirë në rrjedhën e ngjarjeve. Asaj kohe ai ishte njeriu nr. 3 i shtetit, pas vdekjes dy vite më parë të Hysni Kapos. Alia më tha se Shteti Shqiptar nuk i kishte pritur këto ngjarje, sepse në planet afatgjata të shtetit dhe të partisë kishte prognoza të tjera, ishte menduar për një ecje ndryshe, duke mbështetur njëkohësisht lëvizjet që mund të ndodhnin”.
Azem Vllasi, njëri nga udhëheqësit jo aq të rëndësishëm të Kosovës më 1981, por që më vonë do të bëhet zyrtari kryesor i saj, me rastin e 25 vjetorit të demonstratave në një intervistë të gjatë te “Zëri” ka deklaruar se Kosova e pasndryshimeve kushtetuese të vitit 1974 ishte jashtë kontrollit të Serbisë, se në vitet e pasvdekjes së Titos, kishim mundësi të ndryshimeve të mira, se Serbia nuk kishte më shans për ofensivë në Kosovë, etj. Krejt faji sipas tij ishte enverizmi stalinist, që përhapej në Kosovë nga organizatat ilegale, të cilat e paskan nxitur përçarjen mbi bazë ideologjike brenda shqiptarëve, duke provokuar edhe luftë civile (sic!). Këta njerëz me ideologji enveriste-staliniste vazhdon ai, i kanë organizuar demonstratat me qëllim të destabilizimit të thellë, për instalimin e enverizmit, për krijimin e pretekstit (!) për ofensivën e Serbisë, e cila po e priste dhjetë vjet. Prandaj, nga kaosi që u krijua më 26 mars, udhëheqja e Kosovës e humbi definitivisht kontrollin dhe pasuan ndërhyrjet nga Serbia. Demonstratat, pohon ai nuk i përkrahu askush në Jugosllavi, po as në botë, madje nuk i ka përkrahur asnjë politikan i vetëm ose profesor shqiptar në Kosovë, sepse nuk ishin demokratike e properëndimore. Thirrja “Kosova-Republikë” është dëgjuar vetëm dy-tri herë gjatë demonstratave, sepse nuk ka qenë kjo kërkesë e tyre, por është përdorur më vonë nga ilegalja për t’i arsyetuar demonstratat.
Kurse Mahmut Bakalli, i cili në vitet ’70 ishte në krye të komunistëve të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së KQ të LKJ, në dy intervista të gjata, njëra e vitit 1992, e botuar në gazetën “Zëri” (27 prill-9 maj 2006) dhe tjetra e vitit 2005, e botuar në gazetën “Koha ditore” (16-24 prill 2007), ka shpjeguar: “…Kushtetuta e vitit 1974 historikisht është një kushtetutë kalimtare, por jo kalimtare kah unitarizmi, por kah konfederata jugosllave, pra kah pavarësia gjithnjë e më e madhe e subjekteve që e përbëjnë federatën. Me pavarësinë e mëtejme, pa dyshim që Kosova do ta hiqte atë preambulën se është edhe në kuadrin e Serbisë…kanë ndodhur demonstratat e vitit 1981. Këto demonstrata na kanë dëmtuar shumë, sepse kanë ndjellë dreqin. Të gjitha forcat e Serbisë janë koncentruar në Kosovë me pretekstin se Kosova është burim kundërthëniesh në Jugosllavi…”. Në një rast tjetër ai kishte thënë: “Pra, me sa di unë asnjëherë nuk është hapur në asnjë organ politik çështja e Republikës së Kosovës. Sipas asaj që më kanë thënë disa shokë, menjëherë pas Plenumit të Brioneve, gjatë përgatitjeve për Plenumin VII të Serbisë në vitin 1966, ku janë trajtuar keqpërdorimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, disa kuadro të Serbisë (Bobi Radosavleviq, Dushan Petroviq-Shane) në mbledhje të mbyllur të Komitetit Ekzekutiv të KQ të LK të Serbisë, kanë përmendur kalimthi edhe mundësinë për pavarësimin e Kosovës nga Serbia. Po kjo, pa dyshim, ishte më tepër shprehje e një ‘pendese’ për krimet që iu ishin bërë shqiptarëve në Kosovë në kohën e Rankoviqit, sesa një orientim i vendosur”. Për mundësitë e involvimit të shërbimeve dhe forcave të huaja në demonstrata, menjëherë pas 11 marsit 1981, Bakalli ka thënë: “Pas kësaj fillon loja dhe veprimi i përqendruar i shumë forcave politike dhe i shërbimeve të ndryshme, të brendshme dhe të jashtme, të cilat me çdo kusht donin të inskenojnë vazhdimin e demonstratave, t’u jepet dimensioni politik shkatërrues, të tërhiqen në to sa më shumë studentë, të rinj, punëtorë dhe të tjerët, me parulla kombëtarisht joshëse dhe nacionaliste, me qëllim që pikërisht në Kosovë të fillojnë trazirat për destabilizimin e Jugosllavisë pas vdekjes së Titos”.
Me demonstratat tani merren edhe njerëz diletantë, që nuk duan të hyjnë në asnjë analizë sadopak serioze, shkencore, historike, shoqërore a politike e ekonomik, po e banalizojnë gjithë çështjen deri në absurd, duke vazhduar të ripërtypin pikëpamjet e shefave të dikurshëm, sipas avazit të vjetër, sikur gjoja shqiptarët ishin të barabartë, jetonin në mirëqenie nga kreditë afatgjata, se në Kosovë po lulëzonte jeta etj., etj.
Kështu mendojnë disa politikanë dhe intelektualë shqiptarë, por intelektuali dhe shkrimtari i njohur serb, Vladimir Arsenijeviq mendon ndryshe. Në artikullin me titull “Zezakët tanë, armiqtë tanë”, të botuar gjermanisht në “Die Zeit”, më 20 shtator 2007, ai ka shkruar: “Për të gjithë ex jugosllavët, por veçanërisht për serbët, shqiptarët e Kosovës ishin thjesht “zezakët tanë” (naši crnci)… Jugosllavia e pas Titos u bë proverbialisht vertikale evropiane. Në majë të kësaj vertikaleje, në Veriun e largët në kufi me Austrinë ndodhej Republika më e zhvilluar ekonomikisht, Sllovenia… “Sa më në Jug, aq më mjerueshëm” (“Što južnije to tužnije”) ishte thënia e popullarizuar për shkallën nëpër të cilën një lloj racizmi specifik jugosllav gjithmonë u drejtohej atyre që ishin të varur më poshtë gjeografikisht dhe ekonomikisht… në fund të fundit ishin shqiptarët të cilët jetonin në Kosovë, provincën jugore të Serbisë. Gjuha e tyre nuk ishte sllave. Ata ishin më të varfër sesa ne të tjerët. Kultura e tyre ishte bukur e tëhuajzuar. Në koleksionin e shumëllojshëm të llojeve të ndryshme të jugosllavëve ata, si grupi më jugor ishin të dënuar ta kenë rolin e të huajit absolut.
Çdo gjë që ne të tjerët në Jugosllavinë e kaluar pohonim të dinim për shqiptarët ishte e ndërtuar nga një mishmash i klisheve ofenduese. …Edhe në kohërat më të mira nuk kishte dialog në mes “tyre” dhe “ne”… nga serbët kërkohej që publikisht të deklarojnë urrejtje ndaj “shiptarëve”. Asnjë serb nuk konsiderohej të vlente nëse nuk ushqehej me këtë urrejtje”.
Por le t’i shkojmë me radhë tiradës së akuzave e shtrembërimeve të atyre që ende nuk e kanë këputur kordonin umbilikal me të kaluarën dhe sistemin që i rriti dhe i mbajti.
Ukshin Hoti do të thoshte: “O perëndi, mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës” Duhet thënë fillimisht që për nxitje të ngjarjeve të tilla në Kosovë nuk duheshin katalizatorë të jashtëm, qoftë edhe nga Shqipëria, sepse nevoja e rezistencës ishte imanente në vetë qenien e popullit shqiptar, prandaj shpallja fajtore e Shqipërisë kishte qëllim dëmtimin frontal të gjithë kombit shqiptar dhe kërcënimin ushtarak të saj. Demonstratat nuk ishin të hershme, po të vonuara për plot dhjetë vjet, sepse në fillim të viteve shtatëdhjetë koniunktura politike në Jugosllavi e bënte të mundur avancimin e Kosovës në Republikë, por meqë udhëheqja kosovare nuk mund ta bënte, duhej forca e masave në veprim. Ndërkaq, shovinizmi serbomadh po përgatitej ethshëm që pas vdekjes së Titos, të zbatonte planin e “Librit të kaltër” dhe do ta bënte këtë shumë më herët, por demonstratat e shtynë tetë vjet më vonë. Në këtë kuptim demonstratat e kanë shpëtuar Kosovën nga një projekt i rrezikshëm, që po të realizohej në kohën e paraparë, do të ishte shumë më i qëndrueshëm. Milosheviq arriti t’i zbatonte idetë e “Librit të Kaltër”, por tepër vonë, sepse tanimë në rajon dhe në Jugosllavi po frynin erë të reja.
Iluzionistët politikë edhe sot mendojnë se luani nuk do të zgjohej po të mos ngacmohej, duke e kthyer gjithë problemin me kokë poshtë. Ato vërtet patën pasoja, por popujt e robëruar gjithmonë kanë paguar një çmim të lirisë. Analizat e tyre nuk nisen nga premisa se populli shqiptar ishte i robëruar, prandaj falsifikojnë gjithçka që të arrijnë antihistorinë. Demonstratat e prishën rehatinë, por të kujt? Rehatinë e robit që pret ekzekutimin? Atëherë mirë bënë, sepse duhej rezistuar kundër këtij fati makabër.
Nuk është aspak e vërtetë se Kosova ishte jashtë kontrollit të Serbisë, sepse ajo ishte pjesë përbërëse e saj, kurse ndryshime për mirë nuk mund të bënte udhëheqja e Kosovës, sepse ishte pajtuar me gjendjen. Serbia përgatitej për ofensivë, siç u pa më vonë, jo vetëm kundër Kosovës, por edhe në gjithë ish Jugosllavinë. Është qesharake të thuash se Serbia nuk kishte shans ta bënte këtë, duke pasur parasysh forcën e saj dhe dobësinë e Kosovës, me qëndrimet defensive të kreut të saj. Prandaj, as republika as pavarësia nuk do të arriheshin kurrë me politikën nënshtruese që ndiqte udhëheqja e Kosovës. Kjo duket tashti akoma më qartë pas përvojës së pavarësimit të republikave të vërteta të ish Jugosllavisë dhe të statusit të sotëm të Vojvodinës. Përkundrazi, në vitet vijuese u rrokullis tatëpjetë edhe autonomia e Kosovës. Vitet tetëdhjetë provuan se në rrugë institucionale dhe me atë garniturë politike nuk mund të mbrohej as të avancohej çështja e Kosovës, përveçse mund të degradohej, siç ndodhi përfundimisht më 1989.
Po përse vallë që në fillim të demonstratave udhëheqja definitivisht e humbi kontrollin? Sepse nuk e kishte fare atë, sepse ishte e dobët e nuk e kishte asnjë besim të popullit dhe mbi të gjitha sepse ishte kukull. Serbia kur të donte mund ta hiqte këtë kukull për të sjellë pushtetin e vërtetë dhe të drejtpërdrejtë sundues. Ajo do ta bënte këtë edhe sikur të mos ndodhnin demonstratat fare. Demonstratat mund të shtyheshin ç‘është e vërteta edhe për pak kohë po jo në kalendat greke, kurse një kohë e përshtatshme për regjimin sigurisht kurrë nuk do të vinte.
Bota demokratike nuk mund ta njihte Republikën e Kosovës, si akt të kryer me demonstratat, sepse këtë nuk e bënte as udhëheqja shqiptare e Kosovës, por ajo tregoi simpati për kërkesat e saj dhe dënoi aktet shtypëse të regjimit dhe mirëkuptim për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi. Kjo mund të dëshmohet me qindra argumente bindëse. Pati pak politikanë që përkrahën demonstratat, por shumë intelektualë, edhe profesorë universitarë. Edhe kjo mund të argumentohet, jo vetëm me Ukshin Hotin e shokët e tij. Thirrja “Kosova-Republikë” është dëgjuar, jo dy-tri herë, por me mijëra herë gjatë gjithë demonstratave, sepse ishte boshti dhe përmbajtja e tyre.
Edhe pas gjithë kohës që na ndanë nga viti 1981, vazhdon tendenca e mjegullimit të atyre demonstratave dhe e diskreditimit të veprimtarëve të Lëvizjes së atëhershme Kombëtare. Tashti ata nuk goditen si kundërrevolucionarë, por në përputhje me bindjet aktuale të njerëzve për socializmin, bëhen përpjekje të njollosen me marksizmin e tyre, me të cilin e paskan përçarë shoqërinë. Baza e përçarjes në Kosovë ishte kolaboracionizmi dhe jo ideologjia. Përçarja ishte midis popullit të robëruar dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesve, si kudo dhe kurdo në histori. Lëvizja Kombëtare nuk mund ta vendoste sistemin enverist në Kosovë nën Jugosllavinë, edhe sikur kjo të bëhej Republikë, sepse një sistem politik ishte në tërë Jugosllavinë. Sa për luftë civile, pak është për t’u besuar, sepse kishte mjaft fronte të tjera për ta treguar atëherë trimërinë.
Duke folur për qëndrimet e burokratëve politikë të Kosovës ndaj demonstratave, Nikë Gjeloshi ka theksuar: “Ne kishim njerëz që bënin dhe bëjnë politikë në emër të Kosovës edhe në vitet e mëvonshme, të cilët gjykonin se demonstratat e vitit 1981 nuk u kanë sjellë asnjë të mirë shqiptarëve. Gjykimet kësisoj dhe synimi për të krijuar opinione të tilla ka pasur qëllim përfundimtar mbetjen e mëtejme të shqiptarëve dhe Kosovës nën sundimin serb dhe nën Serbinë. As gjykimet e as synimet e tilla, për mendimin tim, nuk kanë qenë befasuese kur dihej se propaganduesit e tillë ishin përfitues të të gjitha regjimeve serbe që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej dhe nuk e kishin fort në mendje mirëqenien e popullit sa mirëqenien e vetes së tyre”.
Një gënjeshtër tërheq zvarrë dhjetë të tjera dhe trillimet shkojnë deri në shpifje si në një film dokumentar për vitin 1981, duke konkluduar se meqë Enver Hoxha i paska financuar gjithë organizatat marksiste-leniniste nëpër botë, mos edhe anëtarët e organizatave të tilla në Kosovë kanë qenë mercenarë të tij. Kjo ide nuk është origjinale, sepse është nxjerrë nga arsenali propagandistik i Beogradit për Lëvizjen Kombëtare të Kosovës. Enver Hoxha nuk kishte aspak nevojë të prishte para në Kosovë, sepse bijtë e bijat e saj e dinin detyrën e vet patriotike, për të cilën ishin gati të sakrifikonin jetën, por jo të kërkonin shpërblim.
Edhe pas gjithë distancës që na ndanë nga viti 1981, analistë dhe politikanë të ndryshëm lënë mundësinë e organizimit të demonstratave nga Serbia apo shërbime të huaja të inteligjencës, tezë kjo e përpunuar dhe e çuar deri në absurd nga qarqe të caktuara në Kosovë, dje dhe sot. Insistimi kryeneç i çarqeve të caktuara në Kosovë për t’i paraqitur në këtë dritë ngjarjet historike të vitit 1981, madje pa pasur deri sot asnjë argument të vetëm, por me supozime, thënë më së buti, nuk është shkencore as objektive, por është një testimonium paupertatis dhe fyerje e Lëvizjes Kombëtare si dhe e qindra mijë pjesëmarrësve të demonstratave. Shekspiri do të thoshte: “Fyerja më e madhe që mund t’i bësh një njeriu të ndershëm është dyshimi në ndershmërinë e tij”.
Serbia nuk i ka organizuar demonstratat, por edhe sikur ajo, duke ditur që po përgatiteshin demonstrata, që të mos organizoheshin mirëfilltë dhe të digjte kartën e tyre, do të kishte nxitur shpërthimin e parakohshëm, me qëllim që t’i shuante më lehtë ato, ta shkatërronte Lëvizjen Kombëtare të shqiptarëve, të krijonte pretekst për dëmtimin e Kosovës dhe t’i ndërpriste marrëdhëniet me Shqipërinë, përsëri ato do të ktheheshin kundër saj, duke u ngritur në këmbë, siç u ngritën gjithë shqiptarët e robëruar kundër sundimit, duke e bërë të pamundur mbajtjen paqësore të Kosovës së pushtuar, duke sensibilizuar botën demokratike për çështjen e Kosovës dhe duke filluar kështu fundin e sundimit serb mbi të. As Serbia as cilido faktor i jashtëm nuk do të mund të organizonte demonstrata në Kosovë, edhe sikur t’i kishin nxitur e nisur, sepse Lëvizja Kombëtare ishte në krye të detyrës, për t’i orientuar dhe për t’u dhënë, siç u dha karakterin thellësisht kombëtar, demokratik e çlirimtar.
Megjithëse është e qartë që për t’i kuptuar shkaqet e vërteta të shpërthimit të këtyre ngjarjeve, mjafton të lexohet qoftë edhe një libër gjimnazistësh për ligjet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore dhe të kihet një njohje mesatare e realitetit të Kosovës së asaj kohe, ata që me qëllim duan ta denigrojnë kryengritjen, nuk duan të binden, prandaj duhet lënë pa shqetësim në pëshpërimat e veta, sepse siç thoshte John Russell, është e pamundur që pëshpërima e një fraksioni të mund të zotërojë mbi zërin e një kombi.
VIJON …
(Fusnotat janë hequr)
__________________
MEHMET HAJRIZI: JEHONA E DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981 NË BOTË (22)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9310

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura