Pashtriku.org, 21. 02. 2014 – Një tjetër poet nga Zagoria e Gjirokastrës Trifon Xhagjika (*) është ende pa varr e pa shtëpi, ja zëri i tij për Atdheun Lakuriq. Ky është modeli i moskonformizmit, ndërgjegja intelektuale, kurajo civile deri në vetëflijim. Në momentin kur prokurori i kërkon fjalën e fundit pas dënimit me vdekje, Trifon Xhagjika i thotë: “Me jepni një TOP të shëmbë sistemin tuaj!” (Me pak durim por ja vlenë për këto vargje të një fuqie të madhe, të pabesushme të shpirtit të rrënuar nga dëshpërimi, vargje të një krenarie dhe mosnënshtrimi, ku sot në ditët tona, pothuajse nuk ekziston)
Trifon Xhagjika (1932-1963
* * *
KËNGA E VERBËR
E shkreta ti, o Republikë
u blatohesh të zotërve
pa e ditur ç’janë.
Dritën ta shuajnë në terr
e ditën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;
në burim të çojnë
e gojën ta mbyllin.
Ata të kthyen në metelikë!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
gënjeshtarja ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë!
Me emrin tënd, të vjedhin jetën.
Sa do të doja
që ballin e ftohtë
me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje,
ëndrrat e ngrira të më zgjoje.
Me tmerrin duke shkuar
do të kuptoja dashurinë e jetës,
kur je në gji të nënës.
O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtarë, si shërbëtor besnik.
Veç me mua ejani,
t’ju rrëfejë të vërtetën
që ndrit.
Të dinë udhëheqësit lart
dhe e larta Republikë
se nuk jemi
as të verbër
as të shurdhër në politikë.
O Republikë e pabesë!
T’u fala
si kristiani Krishtit,
po ç’më dhe?
Dhe diellin do të ma zësh.
Turp,
Atdhe!
S’due di kush je!
Tek ty jam
I lirë pa liri,
I gjallë i pajetuar,
I vdekur i pavarrosur.
O vendi im
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çudinë ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar
mashtrimi i buzëqesh.
Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time.
Nga nata ilegale
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e të ardhmes,
të ngre flamurin e besimit tim.
Aty
të shkruar e kam biografinë,
të pastër e pa njolla.
Dhe, ti, o Republikë,
e gjora republikë,
do të jesh përsëri me mua.
Po tani,
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.
Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha mu zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
lavire e zotërve gjakprishur!”
(Prill 1962)
– Autorja është opinioniste kritike…
****************************************
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
(*) KUSH ËSHTË TRIFON XHAGJIKA
Poeti disident Trifon Xhagjika ka lindur më 29 prill 1932 në Peshtan të Tepelenës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe në vijim tek “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, pasi bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit (1947-1950), u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në repartin 3700 në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë. Në këtë kohë bëri një kurs për Gazetari e Histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë. Qysh në vitet e para të punës bëhet i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, transferohet nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij. Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, e cila do të kristalizohej më vonë në një disidencë të hapur. Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua. Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”. Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij. Ndërkaq, familjarët dhe miqtë e poetit të martirizuar, ende nuk kanë rënë në gjurmët e krijimeve që i rrëmbeu Sigurimi në kohën e arrestimit.