MOIKOM ZEQO: ANTIFASHIZMI – MATRICË EMANCIPIMI PËR POPUJT DHE QYTETËRIMIN

Tiranë, 07. 04. 2014 – “Ministri i kulturës Bujar Leskaj i qeverisë Berisha mbas fitores të së djathtës në 2005 deklaroi fillimisht dhe publikisht se “drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Moikom Zeqo, drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit Zhani Ciko dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari “janë monumete të kulturës dhe nuk do t’i lëviz” (këto fjalë janë të fiksuara në shtypin dhe mediat e kohës si scripta manent, që në fakt ishin verba volant), por nuk kaluan as disa ditë dhe mua më sollën urdhërin e shkarkimit pa asnjë arsyetim juridik. Kjo është e vërteta.” – kështu ka thënë në një intervistë Dr.Moikom Zeqo – të zhvilluar nga Besim R.Cengu, të cilën po e botojmë në vazhdim.
Pashtriku.org: I nderuar Moikom. Kam para syve një botimin tuaj mbi Antifashizmin Shqiptar në 2004, me rastin e 60 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Në 2014 ne përjetojmë një situatë politike plot anatema të opozitës së PD – krijim hibrid i Sali Berishës. Çfarë mendoni për zhurmën e kësaj force politike që u dënua në zgjedhjet e vitit 2013 me 1 milion vota të shqiptarëve – si asnjëherë në histori? Po ju çfarë mendoni?
M.ZEQO:
Është jo thjesht zhurmë, por luftë e ashpër politike. Por të mos harrojmë, kjo është drejta e opozitës.
Sistemi pluralist, cikli i votimeve politke e ka në substancë zëvendësimin periodik të qeverive, simbas fitoreve elektorale – kjo gjë është e pashmangshme – do të jetë përherë – pra edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Idea e spastrimeve politike në administratë është diçka që duhet saktësuar, klasifikuar. Postet politike të të gjitha niveleve i ndryshojnë figurat përfaqësuese – kështu ndodh në botë, në SHBA, në Europë etj.
Përfaqësimi politik është predikat i ndryshimeve politike, ndryshe nga regjimet diktatoriale dhe autoritariste ku statukuo-ja politike e balsamos administratën, jashtë alternativave dhe përzgjedhjeve të tjera dhe të ndryshme.
Këtë pikë të fortë dhe konceptuale bëjnë sikur e harrojnë – por nuk mund të shmanget kurrësesi.
Në sociologjinë politike Maks Veberi e ka studjuar thukët këtë proces, dhe ai duke pranuar domosdoshmërisht rotacionin e posteve politike të larta dhe të mesme mendon se kuadrot e specializuar të rrafshit teknik, shkencor të administratës shtetërore- e nënvizon jashtë fuksioneve politike nuk duhet të lëvizin – ky është koncepti që quhet me të drejtë koncepti i administratës veberiane.
Në Shqipëri realiteti është krejt ndryshe.
Në 8 vjet qeverisjeje të së djathtës jo vetëm postet e larta, ato të mesme, apo dhe të ulta por edhe në mënyrë tërësore ishin të militantëve. Qindra dhe mijra specialistë me bindje të majta u lanë pa punë – kjo ka qenë diçka e tmerrshme – u kultivua si kulturë mikrobike nepotizmi, servilizmi, klanizmi. Ky kontaminim i administratës është akoma dhe sot, madje akoma më keq është edhe në përzgjedhjet e deputetëve në parlament e më gjërë në shoqëri. Një dështim historik. Jam i bindur për këtë – nuk kam asnjë paragjjykim, asnjë kompleks!
E majta në pushtet është përballë kësaj katrahure. Ajo duhet t’i bëjë ndryshime me qartësi dhe drejtësi por pa u tutur dhe me vonesa të pajustifikueshme. Nga ana tjetër ajo duhet t’i ruaj pa i prekur specialistët e vërtetë dhe profesionistët e shquar të administratës që kanë një karierë cilësore administrative dhe jashtë fuksioneve të mirëfillta politike. Kjo është optika. S’ka tjetër!
Por për fat të keq edhe deputetët e së majtës nuk e bëjnë në këtë mënyrë debatin – sepse debati saktëson vetëdijen.
Deputetët e majtë janë të plogët dhe nuk janë aktivë dhe kjo mua më befason dhe më trishton. Ata dhe Ramën nuk dinë ta mbrojnë, pra as kryetarin e tyre. Kjo është e pabesueshme. Rama është kryeministri që në rrafsh ndërkombëtar ka patur një sukses të madh.
Le të kujtojmë vetëm vizitën e fundit në Gjermani dhe takimin historik me kancelaren Merkel. Një gjë unikale në këto 23 vjet.
Pashtriku.org: Cili nga deputetët e së majtës reagoi me shkrime dhe intervista për kët ngjarje të pazakontë? Nuk dinë të shkruajnë? Atëherë pse janë deputetë, njerëz publikë?
M.ZEQO:
Më është krijuar idea- qofsha i gabuar – që ata nuk dinë ta mbrojnë as Ramën as veten e tyre!
Ҫ’trishtim! Njëkohësisht edhe zhgënjim!
Dhe të mos harrojmë se kanë kaluar 11 muaj nga fitorja gati plebishitare e 23 qershorit. Ka fituar PS edhe e majta dhe në pushtet ende janë drejtorët e PD? Kush e justifikon këtë gjë? Ahere pse fitorja e së majtës qënkërka plebeshitare? Për thjesht të një matematike statistikore?
Pashtriku.org: Ju ju kanë shkarkuar me urdhër politik në vitin 2005 sepse keni mbrojtur datën e 29 nëntorit si data kushtetuese – është akoma dhe sot në kushtetutë – si data e Çlirimit të Shqipërisë. Pra keni kështu përvojën tuaj.
M.ZEQO:
Për fat të keq një përvojë groteske. Ministri i kulturës Bujar Leskaj i qeverisë Berisha mbas fitores të së djathtës në 2005 deklaroi fillimisht dhe publikisht se “drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Moikom Zeqo, drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit Zhani Ciko dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari “janë monumete të kulturës dhe nuk do t’i lëviz” (këto fjalë janë të fiksuara në shtypin dhe mediat e kohës si scripta manent, që në fakt ishin verba volant), por nuk kaluan as disa ditë dhe mua më sollën urdhërin e shkarkimit pa asnjë arsyetim juridik. Kjo është e vërteta.
Shtypi reagoi fuqishëm, u shkruan shumë artikuj dhe editoriale që e kundërshtuan shkarkimin tim si pa asnjë kuptim profesional, por as imediat politik. Letra më erdhën edhe nga kolegë e dijetarë të huaj që shprehin habinë dhe reagimin për këtë skandal. Shkrime u shkruan edhe në Kosovë.
Fakti i veçimit tim ishte jashtë emrave të Zhani Cikos dhe Aurel Plasarit, të cilët gjithashtu qenë emeruar si drejtorë nga e njëjta qeveri e PS, pra ishim të një standarti.
Pashtriku.org: Po na thoni ju lutem pse një gjë e tillë është e pabesushme?
M.ZEQO:
Në formulimin e shkarkimit tim siç e theksova më sipër nuk kishte asnjë argumentim, referencë juridike, as politike. Më pas mësova se shkarkimi im qe tërësisht politik, banalisht antikushtetues.
Në gazetën KOJA JONË, e datës 23 nëntor, e martë, 2005 faqe 6 shkruhet me gërma të mëdha: “MOIKOM ZEQO SHKARKOHET SE ISHTE PRO 29 NËNTORIT”.
Kjo ishte deklarata mjerane e ministrit Leskaj (është bërë botërisht në Kuvendin e Shqipërisë!).
Në editorialin redaksional të KOHA JONË thuhet “Ky ministër i Kulturës guxon dhe u thotë deputetëve se e ka hequr Moikom Zeqon sepse ky qenka rreshtuar pro datës 29 nëntor si datë e Çlirimit të vendit.

Pashtriku.org: Me sa dimë kjo datë figuron aktualisht në të gjitha kalendaret si data zyrtare e Ҫlirimit të Shqipërisë.
M.ZEQO:
Megjithatë kjo mesa duket ka mjaftuar që zoti Leskaj të shkelë mbi një fjalë të dhënë dikur, se zoti Zeqo bën pjesë në atë grup të ngushtë drejtuesish të kulturës që nuk mund të hiqen. Fjalëshkelur ky ministër, megjithëse është nga Vlora!”
Pikërisht në Kuvendin e Shqipërisë ku është zyrtarizuar data e 29 nëntorit si Dita e Clirimit – datë që nuk është hequr akoma dhe sot,- pra është një datë me fuqi kushtetuese – e pazhbëshme asnjëherë “argumentohet” në mënyrë haluçianate shkarkimi im.
Kujt i ka ndodhur një gjë e tillë? Unë kam qenë ministër i kulturës i Shqipërisë, deputet dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, autori i afro 100 librave artistikë dhe shkencorë, botuar brenda dhe jashtë vendit, veprimtar shoqëror, kulturolog etj.
Ky turp i madh dhe i pashëmbullt tregon jo vetëm një marrëzi erazmike por edhe urrejtjen e verbër ndaj Antifashizmit Shqiptar.
NJË URREJTJE SIZIFIANE!
POR EDHE NDAJ MEJE!
Unë jam biri i një familje antifashiste Tërë xhaxhallarët dhe hallat e mia luftuan kundër fashizmit, – im atë Zihniu u plagos shumë rëndë në beteja të përgjakshme dy herë: në Luftën e Reçit në veri dhe në atë të Tiranës, – në moshën 22 vjeç ishte invalid i luftës dhe vdiq 40 vjeç nga pasojat e plagëve të luftës, duke e lënë nënën time vejushë 33 vjeç me tre djem jetimë – unë më i madhi isha vetem 10 vjeç kur mbeta pa baba.
Po nuk mjaftoi vetëm kjo, por duhej të viktimizohesha edhe unë për arësye të antifashizmit duke ndenjur pa punë nga 2005 e deri më sot në 2014.
Kurrë nuk jam lëkundur se jam për 29 nëntorin si Dita e Çlirimit – e kam mbrojtur dhe do ta mbroj deri në fund.
Pashtriku.org: A ka qeveria Rama stepje nga kritikat dhe veprimet e opozitës së kryesuar nga Basha, apo nga Berisha?
M.ZEQO:
Stepje? Në ç’kuptim? Askush nuk e ndalon opozitën të luftojë – kjo është pjesë e lojës politike. Nga ana tjetër dua të kumtoj se PS kur e humbi pushtetin në 2005 nuk diti t’i mbrojë figurat e shquara të së majtës.
Kur më shkarkuan mua ndryshe nga shtypi dhe mediat e kohës që më mbrojtën, asnjë – e përsëris asnjë nga deputetët, udhëheqësit e PS, asnjë nga miqtë e mi në PS, që janë edhe sot deputetë nuk dhanë asnjë deklaratë në mbrojtjen time dhe mua kjo më ka zhgënjyer sëtepërmi dhe vazhdon të më zhgënjejë.
Ndonëse unë nuk kam nevojë për këtë mbrojtje, kjo tregon një sintomë gjithësesi. Një mungesë soliderariteti dhe serioziteti, më saktë një degradim integriteti negativ!
Përveç Rexhep Qoses dhe Vath Koreshit asnjë shkrimtar në Shqipëri nuk më mbrojti publikisht.
Ky është turpi i tyre!
Kurrë nuk e kam kuptuar këtë gjë.
PD çuditërisht e bën më mirë mbrojtjen e të vetëve. E majta është më keq në këtë drejtim!
Emërimet e qeverisë janë një kusht i fuksionimit normal të ekzekutivit dhe vonesat kanë kosto.
Atëhere pse ka vonesa?
Pashtriku.org: Pse militantët e PS, sipas meritokracisë ende nuk janë punësuar? Si e shpjegoni këtë paradoks?
M.ZEQO:
Nuk është çështja e punësimit kushti kryesor i arritjes së statusit të kanditatit në BE në qershorin që vjen – papunësia është problematike- dhe do të jetë edhe në vendet anëtare të BE.
Thelbi i thelbeve është reforma në drejtësi – që po vonohet, lufta rezultative kundër krimit të organizuar, korrupsionit etj. Pra standarti për të qenë normalë për të kapërcyer anormalitetin e tejzgjatur.
Pashtriku.org: Pse qeveria Rama nuk i punëson kapacitetet e saj intelektuale dhe profesioniste? Dihet se e majta shqiptare ka kapacitete më të mëdha se e djathta në këtë drejtim. Pse ngurohet?
M.ZEQO:
Jam shprehur edhe më parë se miltantët e PS sipas meritokracisë duhet të punësohet, aq më tepër se e majta ka edhe numurin më të madh të intelektualëve, profesionistëve të shquar që për 9 vjet janë jashtë adminstratës, apo punësimit sipas atributeve adekuate që posedojnë.
Ky problem është shumë i rëndësishëm sepse ka të bëjë me profile profesionaliteti të lënë padrejtësisht në boshllëk ose në margjinalizim të plotë.
Qeveria e synon dhe stimulon ndryshimin, – është ende në vitin e parë të mandatit, besoj se ajo do të praktikojë edhe ndoshta zëvëndësimin e disa ministrave, nëse ata nuk punojnë si duhet- ky është një ligj i zhvillimit. Barra e qeverisë, si pasojë e një katrahure të trashëguar është ë e rëndë, por problemet janë plotësisht të përballueshme.
Ka njëmijë arësye që janë kushtet dhe mundësitë për të ecur para.
Në këtë rast edhe dinamika është vizion.
Pashtriku.org: Pse vallë antifashizmi si një vlerë universale akona nuk vlerësohet nga klasa politike shqiptare, sidomos nga e majta shqiptare?
M.ZEQO:
Antifashizmi Shqiptar është një ngjarje madhore e historisë sonë. Ka raste që kjo nuk kuptohet sa duhet, ose shihet thjesht ana ceremoniale dhe festive por jo substanca inkandeshente. Antifashizmi është një kulturë e re, e panjohur më parë për 2000 vjet – kjo kulturë e shekullit të XX u krijua nga shtete me sisteme të ndryshme politike si një front botëror nga fuqitë e mëdha të botës por edhe tërë vendeve që u integruan në antifashizëm për të luftuar katastrofën apokaliptike të nazifashizmit. Antifashizmi Shqiptar e ka këtë dimension ndërkombëtar, madje global – për herë të parë në 2000 vjet. Shqipëria qe pjesë aktive e Aleancës Antifashiste Botërore. Ky antifashizëm çliroi energji të mëdha emancipuese dhe integruese, dinjiteti dhe sacrifice.
Antifashizmi Shqiptar reflektoi dukuri madhështore, mbas 8 shtatorit 1943 të kapitullimit të Italisë fashiste mbi 15 mijë ushtarë italianë u pranuan në gjirin e familjeve shqiptare dhe u mbrojtën. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria qe i vetmi vend që nuk i tradhëtoi dhe nuk i denoncoi hebrejtë. Dukuri këto të një humaniteti shumë të lartë.
Pa harruar se armata antifashiste partizane për herë të përë në histori luftoi edhe në ndihmë të popujve të tjerë deri në Bosnje dhe Hercergovinë etj.
Rilexoja këto ditë Kujtimet e Çurcillit për Luftën e Dytë Botërore ku në një kapitull përmendet edhe Shqipëria. ME RESPEKT TË PLOTË!
Lexoni librin e historianit të shquar bashkohor amerikan Bernd Fisher se çfarë shkruan ai për antifashizmin shqiptar por edhe për kolaboracionistët, për ballistët dhe legalistët. Mos edhe ai është një nostalgjik komunist, i anatemuar?
Kush e beson këtë gjë?
Ndërkohë dua të theksoj se oficerët antifashistë anglezë kanë një kontribut të madh në stimulimin dhe fuqizimin e antifashizmit në Shqipëri, kanë dhe të rënët dhe martirët e tyre tek ne- ky është një dimension integrimi edhe sot me Anglinë që diplomacia shqiptare ta ketë në qendër të vëmendjes.
Po kështu edhe misioni ushtarak amerikan ka kontributin e vet të pamohueshëm, ndërkohë që misioni sovjetik qe gati inekzistent. Antifashizmi botëror qe nje matricë e pazëvendësueshme që përherë emancipon popujt dhe qytetërimin.
Kjo matricë është në amzën e luftës çlirimtare të NATO-s dhe UCK-së në 1999 – ngjarje kjo e një rëndësie të jashtëzakonshme Një unicuim, botëror!
Pra, antifashizmi duhet nderuar dhe parë si konceptualitet novator në histori, si një bashkohësi e lavdishme.
Ajo që ndodhi mbas 29 nëntorit 1944 është një histori konceptualisht tjetër, kërkon tjetër analizë.
Nuk mund të mohohet ose të degradohet mendjeshkurtësisht antifashizmi, sepse nga kjo vetëm humbasim dhe poshtërohemi pambarimisht VETËM HUMBASIM!
Kolaboracionizmi qe instrumenti kriminal i pushtuesve, – ministrat kuislingë shqiptarë qenë kundër antifashizmit sepse qenë skllevër të fashizmit, – asgjë nuk e shlyen turpin e tyre historik.Turp gjakatar, i pashlueshëm!
Ata nuk mund të tjetërsohen si “heronj” ose si “demokratë” sepse ishin me fashistët që luftonin kundër edhe demokracive të mëdha, Anglisë dhe SHBA-së.
De Goli i dënoi PA ASNJË KOMPROMIS kolaboracionistët e qeverisë së Vishisë shumë më ashpër se sa qeveria komuniste kolaboracionistët e Shqipërisë.
Antifashizmi Shqiptar edhe ndihet deri diku i “harruar”, por kjo nuk përbën asnjë alibi. Çfarë e dinë idiotët e mediave Antifashizmin Shqiptar që e anatemojnë në mënyrë lilipuite se në këtë këtë mënyrë rifitojnë betejat përfundimsht të humbura të Hitlerit dhe të Musolinit? Çfarë qesharakësh pa të ardhme! Ajo që është historike nik mund të jetë ahistorike!!
Nëse e zhveshim Shqipërinë nga antifashizmi e kemi zhveshur edhe nga heronjtë dhe martirët e saj, nga inteligjenca dhe vetëdija historike për t’u integruar pa ngurim në kulturën e pashëmbullt të Aleances Antifashiste Botërore, pra edhe të aleancës me Anglinë dhe SHBA-në, që sot rezultojnë aleatët tanë të mëdhenj- dy vende ku nderimi për antifashizmin është i fuqishëm dhe i pavënë asnjëherë në dyshim, ose në mohim, harrim apo margjinalizim idiot.
Antifashizmi është dhe mbetet një aset i pakrahasueshëm dhe i pavdekshëm i së majtës shqiptare, por e majta ende e kompleksuar nuk e kupton si duhet dhe sa duhet këtë gjë.
Pashtriku.org: Po pse vallë?
M.ZEQO:
Këtë nuk e kuptoj.
Pse një përparësi konsiderohet e shumta si një gjë muzeore dhe mbase e rastësishme?
Pse kështu bëhet kuptimshmëria e historisë?
Për të djathtën antifashizmi është një mungesë e llahtarshme- kjo e komplekson mjerueshëm atë.
Të bësh apologjinë e kolaboracionistëve të djathtë është një katrahurë dhe një prapambetje e llahtarëshme. Një nonsens historik mund vetëm të shumëfishojë një nonsens gjithashtu historik!
Pra një tautologji të llahtarshme!
Ata që janë përjashtuar nga historia nuk mund të materializohen në mungesë si histori.
Ku ndodh një gjë e tillë?
A është Shqipëria një përjashtim sui generis?
Kush e beson një paradox të tillë?
Në 70 vjetorin e Çlirimit, qeveria dhe tërë populli do ta nderojnë padyshim dhe detyrimisht antifashizmin, shqiptar sepse ai nuk mund të demonizohet dhe të injorohet në shekuj të shekujve!

 
Intervistën e zhvilloi: Besim. R.Cengu

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura