REXHEP KASUMAJ: MADHNORË E VDEKURINA

Berlin, 15 nëntor 2018:
1.
Admiroj titajt që krijojnë realitete të reja. Prejnë kohën mëdysh. Dhe, ashtu, ndajnë atë: në jetën para e jetën mbas saj.
“Jo vetëm në mote të mëdha” kur ato dërgojnë vetë shenjat përnjohëse. Por dhe në “mote të heshtura”, madje profane, kur squllosja mbytë shpirtërat e vegjël.

Ngjan pak niçeaniste, po, në të kundërtën, si t’mos neveris vdekurinat politike që duhmojnë? Në dukje kalimtare, ato livadhisin mbi trupin e viktimës që, tashmë, është dorëzuar e pandihmë nën thonjtë e tyre.
2.
Vërtetë, a nuk janë aq të shumtë në Republikën e re? Dhe i lind e prehë një fermentim i rrallëparë i saj: despoti lindore, trashëgimi komuniste, rifrymësi otomane, vulg sundtar i parathënë qyshkur nga Aristoteli, kartela pushtetëse të krimit në mijëra pamje, kooperativa fisnore që kanë shpallur triumfin përfundimtar, fron i plebsit…
Ndonëse s’doja, nuk mund të mos kujtoja i trishtuar Patrikun e mendimit suprem. Ndaj, e ftuar nga kjo armatë gjakthithëse, “dhimbja e varrosur për së gjalli”, pas dremitjes së shkurtër, pret të zgjohet sërish…

3.
Zhgënjim në pallatin e saj qeveritar? Apo, mbase, përtallje e fshehtë cinike me eksodin, vdekjen, shuarjen e një kombi të tërë për fajin e vetëm pse i lutej ndryshe Zotit… Sepse është ajo që ka zhgënjyer botën. Rojat morale të saj. I ka vjedhur shumë besim dhe shpresë. San Suu Kyi e Myanmarit, ishte lauruar “ambasadore e ndërgjegjes”. Mirëpo shplau duart si Pilati për tragjedinë e myslimanëve dhe humbi titullin e përndertë.
Natyrisht, paralelja nuk është reale. Megjithatë, sesi më erdhi aq i bukur e fisnik ky çmim i veçantë i të largnjohurës “Amnesty International”. Kishte pasuar mbarësinë. Etikën. Vetë kuptimin e ekzistencës njerëzore.
4.
E tani, nëse jo politik, a do ketë turma zgjedhore ndonjë “përfaqësues të ndërgjegjës” në kupolën e shtetit të dytë shqiptar? Në të gjithë hierarkinë e hallakatur? Edhe po të mos ishin të fuqishëm, së paku të lexonin jetën me sytë e shpirtit të saj?
Vështirë. Ose hiç fare. Aherë, përse nuk merr mundimin t’i shtitullojë ata: me votë ose mjete tjera legjitime që i njeh e drejta natyrale për dinjitet njerëzor!
Porse pikërisht këtu thuren fijet e së keqes. Kurora vërbuese e saj gjendet, ndaj, tjetërkund: është mpirja, ngeshmëria dhe durimi i atij që quhet popull – njëmend i arrirë e suksesplotë për t’i prirë antologjisë së nënshtrimit heroik.
R. K.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura