MOIKOM ZEQO: FITORJA E PAPARË E SË MAJTËS ËSHTË EDHE FITORE PËR EMANCIPIMIN E TË GJITHËVE

Tiranë, 29. 06. 2013 – (Intervistë me zotin Moikom Zeqo) – Sali Berisha nuk ka ikur nga politika. Ai është dorëhequr nga posti i kryetarit të PD. Kjo krijon një iluzion optik. Rëndësi ka që shembëlltyra e Berishës nuk do të jetë ajo e vendimmarrjeve kryesore politike për shumë kohë. Analizat e vërtetë mbi figurën e tij në histori do t’i bëjnë historianët dhe jo servilët dhe artikujshkruesit klientelistë, as manikeistët. Dorëheqja e tij është shenjë pozitive gjithësesi. Unë nuk besoj tek lavdia e politikanëve sepse është një lavdi më efemeride dhe shpesh harresa për ta është një lloj higjene e kujtesës. Nuk besoj se ai ka qenë një lloj mbinjeriu ose heroi i politikës, por një protoganist shpesh shumë problematik i politikës.
PYETJE – Zoti Moikom, këtë fitore të thellë të së majtës, cilëve faktorë politikë mund t’ia dedikoni?
M.ZEQO
– Fitorja e së majtës këtë herë nuk është e zakonshme, por e jashtëzakonshme – gjë që ndodh shumë rrallë. Pra ka një karakter të mirëfilltë historik dhe stacionar në kalendarin e politikës shqiptare. Ja që kështu është! Kështu qe vullneti politik i popullit! Mësimi i Sovranit! Këto 22 vjet politika shqiptare pati shumë denatyrim, alambikime të rrezikshme, provincionalizëm, shumë autoritarizëm politik dhe diletantizëm ekonomik. Kjo e çoi gati në ngërç, luftën politike, gati në marrëzi. Qytetarët e humbën në përgjithësi besimin se mund që të bëhej një politikë më e vërtetë dhe profesionale, më humane dhe më vizionare. Por kur politika nis e zhbëhet, sëmuret, tjetërsohet, atëherë është populli që mbart atributin e mundësive të mëdha, ripërtëritëse të demokracisë, pra shpall të drejtën e tij të vendosjes si duhet të ekulibrit të sendeve dhe politikës në histori. Fitorja e paparë e së majtës në 23 qershor nuk është thjesht fitorja e elektoratit tradicional të majtë, por e shumicës së shqiptarëve. Imagjinoni që janë një milion votues që sendërtuan fitoren, që votuan për ndryshimin e madh. Një gjë e tillë është jo shumë shpesh e përsëritshme në politikë. Në një kuptim të përgjithshëm, por jo të abstraguar dhe as esklamativ këtë herë fitorja ishte plebishitare. Më shumë se sa fitore e së majtës. Fitore popullore! Faktorët që çuan në këtë pikë inkandeshente duhen analizuar me kujdes dhe me gjakftohtësi serioze, as me eufori dhe as me skepticizëm. Kjo më kujton një thënie lapidare të Hanah Arendt-it se “politika është fusha e lirisë, – ku preket liria lind politika adekuate”. Në historinë e demokracisë shqiptare kjo ngjarje është ndoshta pa një të dytë.

PYETJE – Këtë fitore, mund ta cilësojmë historike, apo një rotacion i rradhës?
M.ZEQO –
Duke qenë një fitore historike në këtë rast, po e ritheksoj; nuk është një afirmim i rrotacionit kushtetues së rradhës, sepse nuk ngjan me rotacione të tjera të ngjashme, pavarësisht elementeve të përafërta, apo në ngjashmërive të pashmangshme të fitoreve të partive në zgjedhjet elektorale. Po mundohem të artikuloj disa ide kryesore që lidhen me këtë ngjarje substanciale.
Së pari, kjo vërtetoi se nuk duhet humbur besimi tek demokracia edhe kur ajo keqpërdoret barbarisht ose sofistikisht, se votuesit, pra qytetarët, mund të bëjnë shumë më tepër veprimin historik, të dallimit, të ndryshimit se sa edhe vetë strukturat partiake, apo deputetët etj., pra ajo që bëhet nga poshtë është më e epërme dhe më e pazëvëndësueshme se sa ajo që mund të bëhet nga lart.
Së dyti, kjo fitore tregoi urbi et orbi realitetin e vërtetë të Shqipërisë, në kontrast me realitetin e treguar nga pushtetarët e së djathtës dhe të klientelizuar nga mediat. Pra një realitet me probleme ekzistenciale, të pasigurisë së jetës ekonomike, të varfërisë dhe të papunësisë së frikshme. Mediat klienteliste dhe “analistët dhe opinionbërësit që janë bërë toteme të servilizmit dhe këmbëlëpirjeve të pushtetit” prodhojnë një realitet virtual, të ambalazhuar dinakërisht dhe mediokritisht, që nuk ka lidhje fare me realitetin e një milion qytetarëve që ende nuk i kanë nënshtruar “shplarjes së truve” dhe besojnë ende tek liria dhe dinjiteti dhe kanë shprersë tek një jetë më e mirë ekonomike por edhe politike.
Së treti, kjo fitore tregon dështimin e modelit politik të autoritarizmit të së djathtës, të personalizimit të pushtetit nga Berisha për një kohë kaq të gjatë dhe të stimulimit të një konfliktualiteti absurd ndaj opozitës.
Së katërti, fitorja kërkon një tjetër model ekonomik, jo atë të një virtualizmi ekonomik të çuditshëm sui generis, propogandistik deri në delirium tremens, pra model në thelb i dështuar dhe shtron domosdoshmërinë e një tjetër modeli ekonomik më profesional, më serioz, kundër monopolizimeve familjare, arbitraritetit, diletantizmit dhe sidomos kundër korrupsionit marramendës dhe krimit të organizuar.
Së pesti, fitorja përkthehet edhe si kërkesë popullore për reforma kushtetuese dhe juridike, për realizimin e pavarësisë së pushteteve, të ndërshkimit juridik të krimeve, pra të kapërcimit të Rubikonit shqiptar nga një anarki e politikës manikeiste bardhë e zi drejt një politike vizionare dhe komplementare si një formë më e lartë emancipuese e politikës në përgjithësi.
Së gjashti, kjo fitore tregoi se në demokraci arketipi i liderit të vetëm, të plotfuqishëm si Berisha mund të fuksionojë por nuk ka prespektivë – kjo është shumë mësimdhënëse dhe e rëndësishme. Siç thotë Horaci “sund certi denique finise”(“gjithcka më në fund e ka një kufi”).
Së shtati, 23 qershori i dha për herë të parë mbas 22 vjetve procesit zgjedhor në Shqipëri lirinë, qartësinë dhe statusin europian të zgjedhjeve politike të mungura tek ne. Pra element i integrimit europian. Thelbësisht!
Së teti, fitorja e së majtës është një emancipim për të gjitha pa përjashtim, pra edhe për vetë të djathtën dhe Partinë Demokratike. Kjo parti në opozitë do të rikonceptualizohet padyshim si protoganiste kryesore e përhershme e historisë politike. Pra fitorja para së gjithash është fitorja e procesit të lirë zgjedhor – kjo është gjithashtu një arritje e jashtëzakonshme historike .
Por shumësia e analizave është më tepër se kaq. Duhet edhe shumë kohë për reflektime dhe klasifikime më adekuate shkencore edhe për politikologjinë kaq të brishtë shqiptare për të thënë “enigmat” e sfinksit popullor të 23 qershorit.
PYETJE – Mund të themi tashmë, që 23 Qershori i 2013, i jep fund ligjësive të tranzicionit në Shqipëri?
M.ZEQO –
Po, krijon dhe fuqizon premisat për një sfumim dhe zbehje të tranzicionit të stërgjatur (tranzicion është një term eufemik) për të kaluar drejt një realiteti të ri të ndryshimeve të mëdha. Pa qenë skeptik unë e besoj dhe dua ta besoj këtë këtë alternativë përtëritëse dhe të re.
PYETJE – Votbesimi i elektoratit, ishte më shumë një kundërshti ndaj keqqeverisjes Berisha, apo një bindje te alternativat që ofroi PS dhe LSI?
M.ZEQO –
Është një kundërshti kundër keqqeverisjes Berisha dhe pasojë e një opozitarizmi të pathyeshëm – tejet i gjatë, Tetë vjet nuk janë pak -, opozitarizëm nën një trysni të tmerrshme, të margjinalizuar, të fyer barbarisht, manikeisht, – mos ta harrojmë edhe të vrarët e Gërdecit, të 21 janarit, vetëdjegjen e të persekutuarve politikë etj. etj. Poli i opozitës nuk u mposht por rezistoi deri në fund. Këtë opozitë në të gjithë diagramën e saj të ndërlikuar – shumë të vështirë dhe të mundimshme – e udhëhoqi Edi Rama. Prandaj kjo fitore është edhe fitorja e tij historike. Kjo nuk mund të mohohet tashmë. Është marrëzi të mohohet. Kjo është fitore e votuar dhe fitoret e votuara janë të vërteta. Por fitorja është gjithashtu ajo e një statusi të ri – e së majtës së bashkuar, kapërcimi i ndarjeve. Historia e fitoreve të së djathtës ka qenë gjithmonë histori e përçarjeve të së majtës këto 22 vjet. Nuk është e vërtetë se këto 22 vjet janë dominuar tërësisht nga e djathta e Berishës. E majta e mundi Berishën në 1994 në referendumin e njohur, në zgjedhjet e 1997 deri në 2005, por fitorja në 2013 në shumë kuptime është edhe më spektakolare dhe e rëndësishme.
PYETJE – Në një këndvështrim më të gjerë, a mund të themi që fituesi i vërtetë i 23 Qershorit është LSI-ja?
M.ZEQO –
Opozitën e tetë vjetëve e bëri PS. Bashkimi me LSI qe një atu e vërtetë e fitores. LSI u afirmua si një parti shumë serioze. Zgjedhjet e vitit 2013 qenë mrekulli për të. Por fitorja duke qenë komplementare përcaktohet nga pesha e patjetërsueshme e PS. Mendoj se leksioni i bashkimit të së majtës do të jetë i qëndrueshëm dhe jetik. Qeverisja e përbashkët me kryeministër Ramën është realitet i konfirmuar jo hipotetik.
PYETJE – Ju, i nderuar Moikom, jeni i pari që keni përshëndetur aleancën e PS me LSI në një intervistë në “Telegraf ” të nesërmen e aktit bashkues politik, ndërkohë që pati shumë mosaprovime dhe konfuzione në këtë drejtim. Mendoni sërish se ky ishtë një akt që solli fitoren?
M.ZEQO –
Një akt vizionar, që vërtetoi se ndarjet e së majtës janë shkatërrim dhe moskuptime efemeride me kosto të rënda historike. Marrëveshja do të fuksionojë dhe Meta me mençuri dhe pjekuri e ka konfirmuar publikisht këtë gjë.
PYETJE – LSI-ja bindi elektoratin te programi i saj elektoral, apo krijoi një besim se mund të mbajë fjalën që u jep njerëzve, për ato që thotë?
M.ZEQO –
LSI është një parti fuksionale, mbijetuese dhe me elektorat në rritje. Kjo është një meritë e veçantë. E vërtetuar historikisht.Rama dhe Meta së bashku mund dhe do të bëjnë shumë për të ardhmen. Statusi i bashkimit filtron, distelon, shumëfishon mundësitë e pakufishme të së majtës shqiptare.
PYETJE – Në mandate, PS-ja ka të njëjtat numra. Pra, nuk kemi rritje të elektoratit të PS-së, e krahasuar me vetveten nga 2009-ta. Cili është shpjegimi juaj për këtë?
M.ZEQO –
PS si votë popullore ka patur shumë më tepër se sa në vitin 2009. Pa këtë votë popullore nuk mund të arrihet dot tek rezultati i madh. Çdo arsyetim tjetër do të ishte ose dashakeqës, ose një analizë e përciptë.
PYETJE – Cila mund të jetë kostoja e kësaj fitoreje të thellë të së majtës?
M.ZEQO –
Kostoja? Rritja e një përgjegjësie të pazakontë përpara popullit dhe Shqipërisë. Një përgjegjësi detyruese e epërme!
PYETJE – Cilat janë sfidat që do t’i duhet maxhorancës së majtë për të realizuar programin e saj?
M.ZEQO –
Sfidat janë shumë të rënda, tejet të ndërlikuara, por jo fatalisht të pakapërcyeshme. Duhen tendosur tërë kapacitetet e vërteta intelektuale dhe prefesionale për qeverisjen. Qeverisja është shumë më serioze se sa fitimi i zgjedhjeve elektorale. Berishizmi ka lënë një trashëgimi të kudogjendshme, në të gjitha aspektet e jetës. Përballja me të do të jetë e gjatë dhe aspak retorike. Sfida më e madhe do të jetë ekonomia, financat, punësimi për të mos zhgënjyer votuesit në asnjë mënyrë.
PYETJE – A mund të shërbejë kjo fitore e përbashkët e së majtës, si një premisë për reformimin e së majtës shqiptare?
M.ZEQO –
Sigurisht. Reformimi është përherë konceptual dhe nuk ka fund. Pika përbashkuese e reformimit në të gjitha rastet nuk është aq teorike se sa praktike, dmth uniteti dhe mospërçarja e së majtës është emancipim i vazhdueshëm dhe substancial.
PYETJE – Duke qenë se kemi tashmë një maxhorancë me shumicën e cilësuar në kuvend, kjo do të jetë në të mirën e zhvillimit e të progresit të integrimit?
M.ZEQO –
Kjo maxhorancë i ka atributet për të bërë të mirën më të mundshme, vullneti përcaktohet nga vizioni politik dhe jo thjesht nga numrat.
PYETJE – A ka rrezik që maxhoranca e majtë, tashmë me shumicë të cilësuar në kuvend, të tregojë arrogancë dhe mungesë dëshire bashkëpunimi me opozitën, sikurse u soll maxhoranca e qeverisjes Berisha?
M.ZEQO –
Nuk e besoj – ose nuk dua ta besoj. E majta parlamentare me shumicë të cilësuar edhe kushtetuese duhet ta përdorë më drejtësi pushtetin e saj dhe jo ta keqpërdorojë mendjelehtësisht. Kjo e majtë do ta trajtojë (është jetike!) me respekt opozitën. Pra do të bëjë një kthesë pozitive dhe qytetare me opozitën. Opozita është thesar kombëtar i patjetërsueshëm. Duhet zhdukur konfliktualiteti dhe sulmet e pështira dhe neveritëse thjesht të karakterit personal, si dhe duhet ecur drejt politikës komplementare me opozitën, si partneritet për çështjet e hapura të integrimit europian të Shqipërisë. Nuk ka rrugë tjetër! Kjo është e vetmja logjikë konstruktive.
PYETJE – I freskët është edhe shembulli i qeverisjes të Jorgos Papandreut në vitin 2009 në Greqi, ku premtoi shumë, por në 2 vjetët e qeverisjes së saj dështoi pikërisht sepse demagogjoi në premtimet elektorale të politikës ekonomike. PS-ja dhe Edi Rama mund të shmangin këtë shëmbull të keq të Papandreut, derisa bënë fjalë për një tokë të djegur në ekonomi, ndërsa kanë premtuar kaq shumë?
M.ZEQO –
Shembulli i qeverisjes së Jorgo Papandreut nuk do të përsëritet në Shqipëri. Jam i sigurtë. Mjaft me Kasandrat! Vështirësitë nuk mohohen, por nuk është aspak situata apokaliptike e llahtarshme vitit 1997. A nuk e mori veten Shqipëria? Mendoj se Bashkimi Europian e ka mirëpritur me gëzim rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Kryeministri Rama edhe do të ndihmohet nga BE për ecjen para të Shqipërisë. Kriza mund ta shmanget dhe do ta shmanget. Ekipi i qeverisjes së të majtës i ka kapacitetet për të kapërcyer të gjithë sfidat.
PYETJE – Berisha iku, po a do të ikë edhe “berishianizmi” në politikë?
M.ZEQO –
Berisha nuk ka ikur nga politika. Ai është dorëhequr nga posti i kryetarit të PD. Kjo krijon një iluzion optik. Rëndësi ka që shembëlltyra e Berishës nuk do të jetë ajo e vendimmarrjeve kryesore politike për shumë kohë. Analizat e vërtetë mbi figurën e tij në histori do t’i bëjnë historianët dhe jo servilët dhe artikujshkruesit klientelistë, as manikeistët. Dorëheqja e tij është shenjë pozitive gjithësesi. Unë nuk besoj tek lavdia e politikanëve sepse është një lavdi më efemeride dhe shpesh harresa për ta është një lloj higjene e kujtesës. Nuk besoj se ai ka qenë një lloj mbinjeriu ose heroi i politikës, por një protoganist shpesh shumë problematik i politikës. Por politika është vetëm një pjesë e historisë së përgjithshme kombëtare dhe universale. Ka të drejtë filozofi i historisë Maks Blloh-u, që thotë se “nga epokat historike ajo që mbetet janë më shumë strukturat kulturore të epokës se sa kronologjitë politike në vetvehte.” Në historinë e demokracisë (qoftë dhe të demokracisë së brishtë shqiptare) politikanët janë mandatorë (pa e mohur rolin dhe profilin vetiak) por dhe të zëvendësueshëm lehtësisht në pambarim. Historia politike e presidentëve Bush, Klinton, Obama është historia politike e Amerikës më shumë se e emrave të tyre personalë. Ky është koncepti i vërtetë i emancipimit të demokracisë. Pra dhe i Historisë së emancipuar më në fund. (Intervistën e zhvilloi: Besim R.Cengu)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura