MONUMENTET E KULTIT KATOLIK NË ANË TË MALIT

MONUMENTET E KULTIT KATOLIK NË ANË TË MALIT

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 11 shkurt 2023

Në Anë të Malit  rrethanat historike kanë bërë të mundur  të kultivohen dhe  bashkëjetojnë tri komunitetet fetare,  katolikë,  myslimanë dhe ortodoksë. Këta të fundit janë një komunitet  fare i vogël, prandaj ata në këtë zonë me shumicë dërmuese  të popullsisë  të besimit islam  nuk kanë objekte të tyre fetare. Gjurmët kulturore të  besimit  katolik  janë pasqyruar në ndërtesat e kultit si edhe në objektet e ndryshme fetare në Shas dhe në Famullinë e Klleznës, të cilat përveç se janë dëshmi e kultivimit të besimit fetar, përfaqësojnë edhe vlera të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore për  trevën  dhe për gjithë trashëgiminë kulturore.

Besimtarët katolikë,  islamë dhe ortodoksë të Anës së Malit në vazhdimësi i kanë kushtuar rëndësi  fesë  dhe kanë ditur të vlerësojnë, ruajnë dhe të ndërtojnë objektet e tyre fetare. Kisha dhe xhamia, apo shtëpia e Zotit, është ajo që i lidhi anamalasit të besimit islam dhe katolik  me  Krijuesin – Zotin – Allahun.

Objektet e kultit  në Famullinë e Klleznës

Materialet dokumentare kishtare, burime të tjera të shkruara, dhe gojëdhënat që janë ruajtur dhe tregohen nga banorët e moçëm vendas, shprehin zhvillimin e jetës kulturore të Anës së Malit edhe nëpërmjet ngritjes së disa objekteve të kultit në Famullinë e Klleznës me vlera arkitekturore dhe artistike. Përveç rëndësisë që paraqesin në aspektin fetar, objektet e kultit të kësaj famulli janë në qendër të interesit të vizitorëve vendas dhe të huaj. Thuhet se në Kllezën ka pasur shumë kisha, kurse tani janë tri, një në Kllezën Poshtë dhe dy të tjera në Kllezën Nalt.

1.Kisha e Shën Gjon Pagëzuesit 

Kisha famullitare e Shën Gjon Pagëzuesit, në Kllezën Poshtë (Klleznën e Poshtme), sipas dokumenteve kishtare të shkruara në Monografinë e Argjipeshkvisë së Tivarit, është ndërtuar  në kohën e famullitarit Zef Kiri (1864-1872). Aty thuhet se kjo kishë  të cilën klleznorët e quajnë  Kisha e Shëngjinit, është rindërtuar në vitin 187o, ndërsa është rinovuar në vitin 1888 dhe më vonë. Për shkak të dëmtimeve  të mëdha të shkaktuara të kishës nga tërmeti i vitit 1979, shërbimet liturgjike janë kryer në  kishën  me qelën e vogël barakë, dhuratë e Karitasit gjerman, në vitin 1980. Rindërtimi i kësaj kishë, me nismën e Imzot Sinom Filpaj I dhe Ordinariatit të Tivarit ka përfunduar më 30 maj 1998 në praninë e bamirësve  nga Gjermania ( Famullia e Shën Chritophor-it).

2. Kisha e varrezave – Shna Prendja

Kishëza e Shën Prendes në Kllezën Nalt ka qenë kishë varresh dhe është quajtur vendi i bekuar i varreve. Edhe këtë kishë famullitare e ka rrafshuar krejtësisht tërmeti.Kishëza e re e mjaft e bukur e  Shna Prenës u ndërtua  me mjetet financiare të klleznorëve  në mërgim në Shtete të Bashkuara të Amerikës, Australi  dhe klleznorëve  që jetojnë në Komunën e Ulqinit  në vitin   2002. Rreth  kësaj kishëze, të cilën e kanë  rrënuar dy tërmetet e fundit të fuqishëm, janë  janë varrezat e klleznorëve të punuara me  gurë të lashtë e  të gdhendur  dhe me mermer të rrethuara me mur betoni. Kjo kishë e cila hijeshon fshatin e vogël Lulaj-Kosiq, ka një kryq në maje punuar prej mermeri të bardhë, kurse sipërfaqet e varrezave pranë saj janë zmadhuar duke duke i shtuar njëpjesë të tokës përreth që, siç shkruan. Rrok Mark Dush Shkreli në librin e mtij “Në valët e jetës”, ia ka falur kishës e shoqja e Gjon Tomë Harapit.Kishën dhe murin rrethues, sipas këtij burimi, e ka punuar punëmarrësi Ndoci i Filip Ndocit Filipaj prej fisit të Markushejve të Klleznës Poshtë.

3.Kisha e Shën Nikollës

Kjo kishë e cila ndodhej  në  një kodrinë sipër  fshatit Kosiq, poshtë malit të Millës,  në  fshatin e vogël Lulaj, sipas shënimeve të Dom Simon Filipaj I marrë nga një besimtar i besimit islam, është kisha më e vjetër  e Anës së Malit. Kisha e re (kushtuar Shën Nikollës) u ndërtua në themelet e kishës së vjetër me donacione të mërgimtarëve lulanjorë gjatë viteve 2007-2008 .  

  • Famullitarët    e Famullisë së Klleznës

Kllezna rregullisht ka pasur meshtarin e vet, ndërsa në raste të rralla  të mungesës së  tij,  famullinë e kanë administruar famullitari  i Shëngjergjit ose i Ulqinit. Famullitarët që kanë shërbyer në këtë famulli, siç thuhet në Monografinë e Argjipeshkvvisë së Tivarit, janë si vijon:

Dom Antoni ( 1851);

Dom Mikel Shirqi ( 1864);

Dom Zef Kiri (1867-1872);

Dom Gjon  Shkreli;

Dom Mikel Shirqi ( 1879);

Dom Anton Mjeda ( 1882);

Dom Nikollë Gojani ;

Dom Gjon Bushati ( 1888);

Dom Nikollë Radovani ( 1892);

Dom Pjetër Shkreli? (1894 -1898);

Dom Luigj Kroçi ( 1898-1899);

Dom Mikel Shirqi ( 1899-1911);

Dom Nikollë Radovani (1912-1914);

Pater Alberto Espozito  ( 1915-1916);

Dom Ndre Plani ( 1016-1921) i varrosur në varrezat e Klleznës Nalt

Dom Luigj Zojzi   ( 1921-1922);

Dom Pala Marvuliq ( 1922-1927);

Dom Nikollë Tusha ( 1927-1933);

Dom Jak  Llukiq ( 1933-1943);

Dom Josip  Kosanoviq ( 1943-1951);

Pater Anselm Marstjepaj;

Dom Mark Bakoçeviq (1954—1966);

Dom Mark Kolloviq ( 1966-1970);

Dom Rrok Mirëdita ( 1970-1973);

Dom Simon Filipaj ( 1973-1999);

Dom Millorad Defar ( 1999-2000);

Dom Nikë Ukgjini( 2000-2003);

Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit ( 2004);

Dom Simo Luliq( 2005-2006);

Dom Robert Jakaj ( 2007-2009);

Dom Palush Gjinaj  ( 2009 e këndej );

Kishat në këtë zonë, sikurse edhe xhamitë  në të gjitha kohërat e mira, por edhe të vështira veçanërisht gjatë shekullit XIX ,dhe gjysmës së parë të shekullit XX, kanë  qenë edhe një vend takimi i krerëve  dhe burrave të urtë të Anës së Malit, me qëllim organizimin e mbrojtjes së kësaj treve që rrezikohej nga pushtues e lakmues të ndryshëm.

Kujtojmë se në këto tubime para kishave dhe xhamive kanë marrë pjesë jo vetëm besimtarë, por edhe atdhetarë e nacionalistë të besimit  katolik e mysliman, vëllezër të  një gjaku, një gjuhe dhe një kombi. Ajo që i karakterizon anamalasit e të tri besimeve është respekti i ndërsjellë që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë me njëri-tjetrin.

Të gjithë e quajnë veten anamalas , pa dallim besimi. Në mes tyre, pohojnë përfaqësuesit e të tri besimeve nuk ka pasur kurrë mosmarrëveshje. Për të mirë dhe për të keq, thonë ata, kemi qenë dhe do të jemi bashkë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura