DR.SC.FAIK SHKODRA: GJURMËVE TË IDENTITETIT KOMBËTAR

Dardanë, 21. 07. 2013 – (Sulejman E. Sulejmani, “Dashuri e përcëlluar”, Klubit letrar “Nositi”, Dardanë, 2013) – Viteve të fundit, autorë të shumtë, me vëllime poetike kanë sjellë vargje, që në radhë të parë shpërfaqin e shprushin dashurinë dhe mallin e pashuar për atdheun, për popullin lirinë, për traditën, për folklorin dhe për historinë e tij. Në mesin e këtyre krijuesve të poezisë, pa dyshim është Sulejman E. Sulejmani (Alias Sylë Zarbica), me vëllimin “Dashuri e përcëlluar”, botim i Klubit letrar “Nositi” të Dardanës, 2013, me redaktor Nexhat Rexha e recensentë: Sinan Sadiku e Ganimet Klaiqi.
Vëllimi i sipërthënë përmban një tufë lirikash të rëndësishme, si për temat e motivet që trajton, ashtu dhe për mënyrën e konceptimit të ngjarjeve dhe aspekteve të ndryshme të shoqërisë, jetës, njeriut dhe historisë së tij nëpër periudha të ndryshme të kohës. Sipas subjekteve të poezive, mësojmë se autori, para së gjithash, ndonëse në fushën e poezisë vjen si fillestar, dëshmohet si njeri i mendimit të çiltër, njeri që kultivon dashurinë njerëzore, dashurinë që kohët e fundit po mungon midis njerëzve të afërt dhe të largët. Sulejmani këndon për dashurinë që sjell gëzim, që përtërin djepin e foshnjërisë dhe ngroh vatrat tona. Përmes vargjeve poeti sjell dashurinë e kujtesën për ritet, për këngët dhe për zakonet e moçme shqiptare. Këtë dashuri ai ia fal atdheut, vendlindjes, Zarbicës, lirisë dhe popullit që, sipas tij, duhet të jetë zot i vatanit, të jetë luftëtar i vlerave të reja, vlerave që çojnë drejt sukseseve e perspektivës së zhvillimit të hovshëm të kombit dhe të historisë së tij.

Poeti Sulejman E. Sulejmani (Alias Sylë Zarbica)

Vëllimi sajohet nga ciklet: Jehu i lirisë, Gostia e ëndrrës, Bukuri e djegur dhe Elegjia jam unë. Vetë bukuria e djegur, si metaforë, në mënyrë asociative të kujton skicën e Migjenit: Bukuria që vret, ndërsa, në kontekst të kësaj, do të mund të thoshim bukuri e ëndrrave, bukuri që vret syrin. Kuptohet, paralelizmat e tillë figurativë janë të kapshëm dhe idetë janë më shumë se të qarta.
Brenda këtyre cikleve autori ka prekur ngjarje e fenomene, ka folur për figura njerëzish dhe ka spikatur aspekte të së djeshmes e të së sotmes. Në kapjen e çështjeve më aktuale, të cilat i trajton si një krijues që fjalës poetike, vargut poetik i jep peshë ideore dhe vepron sipas frymëzimit që ia dhuron jeta. Në vargje të gjitha këto dukuri i shkrin me përjetim të natyrshëm. Poeti në këto poezi vjen me vlera ideoartistike shquese dhe nuk mban përpara modele dhe tema të të tjerëve. Sulejmani poezitë i merr nga jeta e shqiptarëve, nga historia e tyre, nga njerëzit, të cilët në luftëra të shumta dëshmuan idealet dhe vendosmërinë për lirinë e atdheut, për historinë e për traditën tonë të ndritshme kombëtare.
Duke shkruar për Sylë Zarbicën, Mulla Idrizin, Jusuf Gërvallën, Rexhep Elmazin, Nijazi Kadriun, Babanë, Bejtullah Rexhepin e të tjerë, Sulejmani objektivisht vijëzon dhe portretizon në shumanshmëri vlerat kombëtare, shpirtërore, morale, njerëzore të patriotëve dhe qëndresën e tyre. Në këtë kontekst, këto figura në rrjedha të historisë u shquan si përfaqësues të denjë për vlerat e shumta kombëtare, morale dhe njerëzore. Me imagjinatën e aftësinë krijuese arrin t’i tipizojë e t’i individualizojë me të dhëna të bollshme të botës shpirtërore dhe emocionale, duke i ngritur lart në artin e fjalës artistike. Duke u nisur nga qëllimet më të mira të poetit, në përgjithësi, poezitë shquhen për përgjithësime të vërteta artistike.
Themi kështu për faktin se subjektet tërheqëse, vargjet e ngrohta, thjeshtësia e të kapurit të problemit të caktuar e premisat e drejta ideoestetike – të gjitha këto, flasin se poezitë vijnë nga një frymëzim spontan dhe nga realiteti jetësor e shoqëror, pra, nga përditshmëria me të cilën ballafaqohet Sulejmani.
Autori me arsye forcon të dhënën se idealet për atdheun përmbushen me sakrificë, me guxim dhe me vetëflijim. Po në këto sakrifica endëzohet një atmosferë shungulluese dhe këtë shungullimë e mbërthen trishtimi i mbështjellë me mjegull dhe i mbuluar me acar.
Duke sjellë nota sociale të jetës së njerëzve, vargjet bëhen më të përmallshme, më të ndjeshme dhe me dhimbje tingujsh që përcëllojnë shpirtin dhe vrasin shikimin.
Ndrydhjet sociale dhe varfëria e trishtë, e bëjnë malësorin të mërzitur, pasi ai nëpër stuhitë më të pamëshirshme nuk ka lejuar në asnjë kohë të mbetet peng i askujt. Malësori dhe shqiptari, përgjithësisht, kudo që ka jetuar e vazhdon të jetojë, sikur e ka ditur se, të mbetesh i fjalës, i besës, i ndërgjegjes dhe i së vërtetës, duhet të mbetesh vetëm i vetvetes e jo peng i dikujt tjetër.
Se liria mbetet kryefjalë e jetës dhe e veprimtarisë patriotike të Sylë Zarbicës, Mulla Idrizit, Jusuf Gërvallës e figurave të tjera të cilët autori i këndon me afsh shpirtëror, i dëshmojnë vargjet:
Kam do shokë që luftuan në kufi
Në Velegllavë e Desivojcë
E të Guri i Zi
luftuan e ranë për vatan e liri!

Sulejmani duket se ka informacione të bollshme rreth luftës që zhvilluan luftëtarët shqiptarë të Ballit Kombëtar me Brigadën I dhe II partizano-çetnike në vitin 1944 në Velegllavë, Desivojcë dhe fshatrat e malësisë së Gollakut dhe malësisë së Bujanocit. Dihet se Brigada II partizano-çetnike ushtroi dhunë dhe vrasje mbi banorët e këtyre fshatrave. Në monografinë e Desivojcës “Desivojca nëpër kohë”, 1998, ndër të tjera lexojmë: “Ndërkaq, luftëtarët e asaj ane (është fjala për luftëtarët e Velegllavës, të Poliçkës, Desivojcës, Laçiqit, Tërstenës,
Zarbicës, Qarrit e të fshatrave të tjera të Gollakut) ende e ruanin kufirin nga ndonjë sulm apo masakër që mund ta bënin çetnikët. Për të mos i zënë në befasi, Mulla Idrizi kishte urdhëruar që të merreshin armët nga depoja në Hogosht. Natyrisht, realizimi i këtij aksioni nuk ishte punë as e lehtë dhe as e thjeshtë, prandaj u nevojit një organizim i planifikuar dhe i menduar mirë nga disa udhëheqës të Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare, në mesin e të cilëve ishin Sylë Zarbica, Aziz Surdulli, Nezir S. Shkodra, Ibrahim Zhuja, Dulah Hajra, Shefki Bunjaku e disa të tjerë.”
I sollëm këto të dhëna për të përligjur se Sylë Zarbica ishte një luftëtar i rreptë dhe zotërues i artit të armës ahe luftës.

…………………………………….

– Kopertina e librit –

Por, siç dimë nga historia, disa nga këta luftëtarë dhe atdhetarë e përfundojnë jetën në mënyrën më të padëshirueshme, ngase bien në grackë të disa kolaboracionistëve të armikut. Për vrasjet e tilla në pabesi, siç ndodhi me Sylë Zarbicën në Gjergjec, me Gjon Serreqin, me Bajram Currin e të tjerë, mund të thuhet se ata i hëngri zemani i lig. Kjo ngjarje e pajustifikueshme jepet në vargjet:
Nga Desivojca mal me mal
përrua me përrua në Gjergjec
natën e errët arrita
zemra me rrah me shpejtësi
kurthet e OZNA-s më dinake se nata!

Në poezinë Kam mbet (Rexhep Elmazit), autori, duke zënë ngoje vëllimin e Rexhepit “Frymëmarrje”, me një ndjenjë të hollë dhe pasion të veçantë e paraqet poetin në dritën e të vërtetave të fuqishme, që lidhen me talentin, prirjen, kulturën dhe aftësitë krijuese të Rexhepit në transponimin e një pjese të realitetit që mbretëronte në një kohë zezonë. Për këtë arsye Sulejmani e quan Rexhepin frymëzim, dashuri, mallëngjim, dhimbje që rrënjët i ka në duart vrastare, që jetën ia shuan në moshën më të pjekur, kur poezitë e tij do të paraqisnin në mënyrë metaforike e ironike atë sintezën e ngjarjeve të kohës dhe historisë sonë.
Elegjia për Nijazi Kadriun është shkruar me ndjenja të forta dhe ai na portretizohet si njeri me zemër të madhe, njeri me vizione të qarta për çështjen e dhimbshme kombëtare dhe si i burgosur politik nga qelitë e burgut të Nishit lëshonte mësime e çonte mesazhe për brezat e rinj se “edhe ne jemi Shqipëri”.
Në poezitë e tjera Sulejmani trajton çështje e ngjarje të rëndësishme. E paraqet jetën e rëndë të personazheve që i bën objekt këndimi. Lexuesi kupton se, ndonëse babai i tij dhe figurat e tjera përjetuan ditë e çaste të rënda, ata mbetën të mëdhenj, të dashur dhe gjithmonë të paharruar.
Pjesët e jetës së këtyre figurave, para së gjithash, shpalosin të vërtetat jetësore dhe historike brenda një harku kohor përplot shqetësime, përplot batica e zbatica, përplot të papritura nga regjimi monist i ish-Jugosllavisë.
Krahas kujtimeve që në vargje zënë vendin e duhur, Sulejmani gjithandej cikleve lartëson dhe himnizon bëmat e njerëzve të kohës, jo rrallë edhe të njerëzve të vendlindjes dhe të fshatrave të Malësisë në përgjithësi. Vargjet e vëllimit flasin për një kohë që lidhet me përpjekjet e shqiptarëve për të jetuar të bashkuar dhe poezitë e tilla fuqizojnë vetitë etnopsikologjike më të mira kombëtare, veti që të shumtën e herës kanë të bëjnë me himnizimin e luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe u flijuan për t’i siguruar atdheut ekzistencën në kohë dhe hapësirë, në një anë, dhe bëhen fshikullimet dhe mallkimet e atyre individëve që, në mungesë të vetëdijes kombëtare, çojnë ujë drejt mullirit të armikut, të cilët vihen në shërbim të zhdukjes dhe zhbërjes së Shqipërisë etnike.
Në ciklin “Gostia e ëndrrës”, Sulejmani sjell poezi me vlera të konsiderueshme artistike, poezi që janë sa intime po aq edhe të ngrohta e komunikuese. Ato përshkohen me detaje të gjetura me shije dhe invencion. Duke shkruar për dallëndyshen, natën, mallin për çikën potureshë, për Shëngjergjin, këngëtaren, Bacë Qemalin, kujtimin e të shtunave, kujtimin për Cakin, bisedën me Xhevatin, dajën, jetën, bisedën vëllazërisht, betejat me veten etj., poeti brenda tyre eksplikon dashurinë, nostalgjinë, kujtimin, mallin, respektin dhe nderimin ndaj të afërmve dhe si vlera të tilla përfaqësojnë në themel idealet e larta që duhet t’i ketë njeriu. Në përmbajtjet e këtyre poezive poeti ka materializuar, të themi figurshëm, ka derdhur ndjenja, ide, mendime, përjetime të fuqishme të kohës dhe jetës që ka bërë në vendlindje e në mërgim. Pra, po t’i vështrojmë më vëmendshëm subjektet dhe personazhet që i gjejmë në to, kuptojmë objektivat që autori i ka pasur para vetes. Brenda fabulave të poezive shohim një përgjithësim të gjerë të botës shpirtërore dhe imagjinative të poetit.
Vjershat e këtij cikli kanë një shtrirje të gjerë të preokupimeve, të ndjenjave, të brengave, të dëshirave, të kapjes së tipareve dhe virtyteve të njerëzve për të cilët shkruan dhe i adhuron deri në pafundësi. Këto pikëpamje poeti i sendërton përmes shfrytëzimit të llojeve të folklorit tonë. Kjo shihet në vargjet:
“Kohën e ikur e matnim me
pëllëmbë”

ose:
Veç një prak e gjej pranë votrës – më pret
dhe kohët i ngatërron
bullgari, serbi e partizani
Më pyet: a janë në Zarbicë
xhandarët e Kral Aleksandrit?

Për më tepër, edhe në këtë cikël poeti vërtitet rreth motiveve që reflektojnë krenarinë, solidaritetin, burrërinë, traditën, dashurinë, respektin e nderimin ndaj bashkëvendësve, në veçanti, e ndaj njerëzve, në përgjithësi.
Ciklin “Bukuri e djegur” e shquajnë poezi të hartuara me art. Këto vargje na kthejnë prapa për disa vjet, na kthejnë atëherë kur Sulejmani ishte fëmijë dhe, duke u kthyer në fëmijëri, arrin të shkruajë vargje me vlera edhe emocionale edhe artistike.
Vërtet në poezitë e këtij cikli autori me dashuri përshkruan vendet, shokët, miqtë, natyrën, zakonet, njerëzit e thjeshtë të vendlindjes dhe çastet e kaluara me ta.
Poeti, kur e kur, në shumicën e poezive na del mjeshtër i artikulimit të ideve dhe tregohet i kursyer në dhënien e detajeve e përshkrimeve që u bën ngjarjeve, personave dhe mjedisit ku ka lindur dhe është rritur. Këto arritje i përligjin poezitë: Poshtë në kroje, Thuhet për burrin, Kujtime, Malli për të bukurën, Ti vetë je ëndërr, Dashuri e pambaruar, Sa herë?… Para Shën Gjergjit, Dëshirë e mall, Ëndërr e përsëritur, Vjeshta vjen pa ty, Doruntina na mbeti peng etj. Në syzhetë e këtyre poezive poeti bëhet pjesë e pandarë e jetës, e përjetimeve dhe e këndimit dhe nderimit të personave, qoftë nga rrethi familjar, qoftë edhe nga rrethi më i gjerë i shoqërisë sonë. Në këtë drejtim Sulejmani, duke shkuar gjurmëve të poetëve të afirmuar, arrin që në këtë vëllim të sublimojë e të fuqizojë dashurinë e respektin e madh për njerëzit dhe këtë dashuri e sendërton me ndjenja të fuqishme të ngjyrosura me emocione, me dashuri intime dhe me vargje konkrete përgjithëson virtytet dhe karakteret e njerëzve, të miqve dhe të afërmve në vija shumë të holla. Këto qëndrime të poetit shkojnë në të mirë të vlerave ideoestetike dhe ideoartistike të poezive. Edhe notat optimiste të dashurisë i përshkojnë vargjet e këtij cikli.
Cikli i fundit “Elegjia jam unë” ngërthen poezi me vlera të çmueshme artistike dhe estetike. Në to poeti këndon për individë, çaste e përjetime ndër më të veçanta shpirtërore dhe emocionale. Kjo më së miri vërtetohet në poezitë: Beteja ime, Epitaf, Nekrolog, Mos iu bind varrit, Ti ishe furtunë dhe stuhi, Më pret, Lutem për ty, Molla e kuqe, Për ty, Mikes – Adelinës etj.
Jo vetëm në poezitë e këtij cikli, por në tërë vëllimin “Dashuri e përcëlluar”, Sulejman E. Sulejmani shpërfaq ndjenjat më të pastra shpirtërore për njerëzit, posaçërisht për figurat që e kanë frymëzuar. Poeti, pra, duke marrë pozicionin e krijuesit të sinqertë, të krijuesit që me gjithë qenien psikofizike është dashuruar në fatin dhe vlerat e njeriut dhe pikërisht duke qenë i lidhur ngushtë dhe njëkohësisht duke shprehur dashurinë me ashk për njerëzit e tillë, këndon me ndjenja të thella shpirtërore. Duke e vështruar këtë cikël në këtë prizëm, autori ka dëshmuar forcën krijuese për t’i kënduar vlerat, meritat, cilësitë dhe kontributin e këtyre personazheve, që në planin psikologjik janë zbërthyer në thellësi e gjerësi.
Duke i renditur tiparet dhe cilësitë shpirtërore dhe morale të njerëzve që bëhen motiv i poezive, autori me figura, me shprehje e sintagma të gjetura me shije dhe të konceptuara, ka arritur jo vetëm t’i lartësojë deri atje ku meritojnë, por edhe t’i bëjë të paharrueshëm.
Vëllimi “Dashuri e përcëlluar”, në përgjithësi, vjen si një realizim i suksesshëm. Në të ardhmen autori do të duhej të tregojë më shumë kujdes që t’u shmanget sa është e mundshme sajimit të vjershave, që kanë mendime a ide të përafërta si dhe shfrytëzimit të figurave stilistike të ngjashme.
Sulejman Sylejmani, edhe në përdorimin e mjeteve shprehëse gjuhësore e stilistike ka treguar sukses. Nga këto mjete vend të rëndësishëm zënë: metaforat, njerizimet, krahasimet, simbolet, përsëritjet, heshtjet, pyetjet, lutjet, epitetet, anaforat dhe ka bërë përdorimin e drejtë të shprehjeve e frazeologjive popullore.
Duke përfunduar këtë trajtesë mbi vëllimin e sipërthënë, pohojmë se autori është në rrugë të mirë në fushën e poezisë. Këto poezi në mënyrë asociative na e kujtojnë vlerësimin që Iskra Tata i ka bërë vëllimit poetik “Balada e yjeve të ndezur” të Perikli Jorgonit, ku, ndër të tjera, thekson: “Fuqinë e popullit autori e shikon kryesisht në rezistencën ndaj pushtuesve. Vitalitetin e popullit autori nuk e shikon vetëm në qëndresën me armë, ndonëse kjo zbërthehet më mirë, por edhe në aspekte të tjera të shumanshme: në ruajtjen e traditave, moralit, kulturës, në shpirtin krijues etj”.
Në fund, urojmë autorin për këtë vëllim dhe vlerësojmë se Sulejmani ka përfituar përvojë jetësore të dendur e të pasur dhe se në poezi e thotë atë që përjeton. Për këtë arsye tema qendrore në poezitë e Sulejmanit janë njerëzit, historia, dashuria dhe e ardhmja më e mirë e shqiptarëve kudo që jetojnë dhe punojnë. Poeti sikur na vë në dijeni se njeriu vazhdimisht gjurmon identitetin e vet, vazhdimisht kërkon lirinë e vet, vazhdimisht bëhet rrëfyes i identitetit të vet, vazhdimisht rrëfen dhe bëhet gardian i historisë dhe i jetës në rrathët e gjeografisë së vet. E të gjitha këto, pra, sikur na japin mësimin më të rëndësishëm: “Tradita ka çka i ofron modernes” Prandaj, duajeni traditën, se ajo është mësuesja më e mirë për fatin dhe të ardhmen tonë!
Ta duam traditën, se ajo nuk na tradhton, por na vetëdijeson!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura