SABRI KIÇMARI: FAHRIU, BASHKË ME AFRIMIN, DO TË PËRSËRITNIN HEROIZMIN E QEMAL STAFËS!

Pashtriku, 3 nëntor 2019:
Pjesë nga fjala ime në Akademinë e sotme Përkujtimore (2 nëntor 2019)
I nderuar z. Kryeministër,
i nderuar z. Ali Ahmeti,
I dashur Baca Osman dhe Nëna Qamile,
Të dashur vëllezër dhe motra të Afrimit dhe Fahriut,
Shoqe dhe shokë, bashkëveprimtare, bashkëveprimtarë dhe miqë të heronjëve të kombit,
Të dashur pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të luftës,

Më lejoni që sot, në 30 vjetorin e rënies së heronjëve dhe shokëve tanë të dashur t’i shmangem klishesë së fjalimeve tona përkujtimore. Nuk e di nëse kjo është një thyerje e protokollit të pashkruar, apo një sjellje tejshoqërore, por dua që të kthej në vëmendjen tuaj te një moment reflektimi për jetën dhe lirinë, shtetin dhe shoqërinë, Republikën dhe Shqipërinë.
Cili ka qenë mendimi i fundit politik e filozofik i Afrim Zhitisë para se të pushonte zemra e tij e madhe?
Cili ka qenë veprimi dhe reflektimi i fundit i Fahri Fazliut para se të shtrihej i goditur nga plumbat trupi i tij i pashëm?
Si një nga shokët e shumtë të tyre, një hamendësim i tillë më përcjellë prej 30 vitesh. Do të dëshiroja shumë të dija shumë më shumë për momentet e tyre të fundit: mendimet e tyre të fundit, reflektimet e tyre, veprimet e tyre të fundit.
Por, në të njëjtën kohë, e ndjej veten me fat, se e di cili ka qenë përfytyrimi i tyre për Lirinë, Republikën, Shoqërinë, Kosovën dhe Shqipërinë. I di shumë nga të fshehtat e panjohura publikisht, dashuritë dhe urrejtjet e tyre, miqësitë dhe armiqësitë, mallin, dhembjen dhe krenarinë e tyre. Nuk e fsheh: bashkëjetoj shpesh me këto kujtime.
Të nderuar miq,
2 nëntori i vitit 1989 është një shembull tipik përfaqësues, se si një popull e krijon historinë, duke sakrifikuar jetën dy të rinjë idealistë, dhe me këtë fillon të ndërtojë të ardhmen. Siguria, me të cilën Afrimi dhe Fahriu shkuan drejt vdekjes, është e rrallë, është heroizëm i veçantë.
Si mund të shpjegohet kjo gatishmëri për shkuarje drejt vdekjes në rrafshin filozofik-politik? Si mund të shpjegohet guximi i Afrimit dhe Fahriut për të sfiduar vdekjen? Si mund të shpjegohet vetëdija e tyre për të pranuar, në një moshë të tillë të re, natyrshmërinë e vdekjes për liri?
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, do të mundohem që sot, me rastin e 30-vjetorit të rënies së tyre, të reflektoj në akord me botëkuptimet tona të para 30 viteve.

Afrimi në rrafshin teorik ka mbrojtur pikëpamjen se qëllimi i politikës është liria. Ajo në kohën tonë manifestohej në formën e kërkesës “Kosova Republikë!” si hap i parë, kurse bashkimi kombëtar ishte rrjedhim logjik, ose qëllimi strategjik. Duke e njohur sentencën se “historia botërore është një përparim në vetëdijen e lirisë – një përparim që duhet ta njohim në domosdoshmërinë e tij”, Afrimi ishe i vetëdijshëm se lufta për liri është e domosdoshme, sepse vetëm kur një komb është i lirë, ai mund të njohë dhe realizojë të vërtetën dhe jo thjesht të përmbush vullnetin e kombit tjetër. Ashtu siç është graviteti thelbi i materies, ashtu është edhe liria thelbi i frymës së kombit. Dhe, për të arritur lirinë, njeriu duhet të ngritet, të organizohet dhe të punoj kundër pushtimit, shtypjes dhe skllavërisë.
Fahriu ishte dora vepruese e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Ai ishte aksionisti, planifikuesi dhe realizuesi i planeve operative të sektorit të veçantë, i demonstratave dhe grevave. I vetëdijshëm se “njeriu lind i lirë, por gjendet gjithkah i rrethuar nga prangat”, Fahriu do të insistonte që qytetarët e Kosovës përmes veprimit konkret për idenë e lirisë të shndërroheshin në subjekt për vete. Duke u shndërruar nga subjekt në vete në subjekt për vete, ai e sfidon determinizmin fatalist të nomenklaturës së kohës, duke i dhënë kuptim lirisë si “liri e vullnetit, e lidhur me një sferë të veçantë që e kishte parasysh njeriun e “përgjithshëm” veprues historik”.
Të nderuar miqë,
Kur e takova Afrimin për herë të parë në një banesë modeste studentësh, që ishte baza jonë e veprimtarisë në Breg të Diellit, në fjalitë e tij të para, njoha mendjen e thellë analitike politike dhe mendimin e ndritur shqiptar. E njoha njeriun e bashkimit. Atë ditë ne u bashkuam me një grup tjetër. Afrimi dhe unë ishim caktuar të përfaqësonim Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës në takim. Mendimi i tij racional, fjala e tij e peshuar dhe strategjia e tij afruese, i dhanë vulën idesë së bashkimit.
Në vitin 1988 pas arrestimeve dhe largimeve të shpeshta të shokëve të niveleve drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës, së bashku me Fadil Vatën dhe Beqir Beqën e konstituam Komitetin Organizativ të Lëvizjes, si organ drejtues në nivel vendi, detyrë kjo e ngarkuar nga rrethet e ndryshme organizative. Kur më 27 shtator 1988 UDB na goditi keq, duke arrestuar rreth 44 shoqe dhe shokë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (atëherë LPRK), shoku ynë i nderuar, që për fat sot është në mesin tonë, Beqir Beqa u detyrua të largohej jashtë vendit. Vendin e tij në Sekretariatin e Komitetit Organizativ të Lëvizjes e zuri natyrshëm Afrim Zhitia. Ai mori përsipër organizimin e shtypit të fshehtë. Për tre muaj, u realizua ky synim yni: U botua fillimisht „Minatori“ në ditët e Grevës së Urisë së Minatorëve, dhe më pas edhe „Rruga e lirisë.“ Në dy mbledhjet konsultative, të mbajtura në shkurt të vitit 1989, në familjen e Sahit Krasniqit në Obiliq, fjala e Afrim Zhitisë do të ishte e peshuar, orientuese dhe strategjike.
Në tubimet solidarizuese me minatorët, të studentëve, në demonstratën e 27 marsit dhe atë të 1 nëntorit 1989 Afrimi do të shkëlqente me fjalimet e tij, mendimet e tij dhe orientimet e tij prej drejtuesi. Në Konferencën e Lëvizjes në Divjakë më 22 prill 1989, Afrimi do të zbulonte para nesh gjithë potencialin e tij të dijes, maturimit politik dhe aftësisë strategjike.
Më duhet ta them sot me mall dhe modesti njëkohësisht: U gëzova shumë që në përfundim të Konferencës do të bëja dorëzimin e detyrës së Sekretarit Organizativ te heroi ynë Afrim Zhitia, pasi që për mua u vendos të largohesha jashtë vendit. Dorëzimi i lidhjeve, informatave dhe planeve organizative te Afrimi është një nga momentet më të paharruara për mua.
***
Fahriu operonte në një dimension tjetër veprues: siguronte burimet e armatimit, teknikën dhe veprimet operative. Ai ishte në ballë të demostratës si njeri operativ, që jep orientimet, vendos për sulmet dhe tërheqjet. Ishte i dashur dhe i papërtueshëm. Kishte pushtuar zemrat e shokëve, që e njihnin, me dashurinë dhe vendosmërinë e tij. Kur e takova për herë të fundit, ishte plot humor. Ishte nata ime e fundit në Kosovë, në banesën e tij, para se të largohesha. Në tavolinë mbante librin e Qemal Stafës. Një libër i fotokopjuar. Ndoshta kishte një lloj parandjenje: Fahriu ynë, bashkë me Afrimin, do të përsëritnin heroizmin e Qemal Stafës…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura