MR.ELIFE PODVORICA: BASHKËBISEDIM ME VËLLAUN MARTIR TË KOSOVËS – NË 7 VJETORIN E PAVARËSISË!

 Prishtinë, 17. 02. 2015 – I dashur vëlla – Që të ulem dhe të të shkruaj një letër, vendosa në momentin që po vinim buqetën e luleve të freskëta mbi varrin tënd, sot herët, me motrën e madhe në varrezat e Prishtinës, në Arbëri! Sot këtu, midis ne të gjallëve, është Dita e Pavarësisë së Kosovës vëllau im, dhe ditët e festave edhe më shumë na e ndriçojnë fytyrën tuaj, edhe më shumë na e bëjnë të gjallë aromën e gjakut tuaj të ngrohtë që e njomi tokën e vendit tonë! Kur të them në Arbëri, dije që është “Dragodani”, sepse pas përfundimit të luftës kemi bërë edhe ndryshimin e emrave të rrugëve e shesheve të qyteteve dhe të fshatrave, nëpër ca pjesë të Kosovës! Të lamë të varrosur në Lagjen Arbëri për shkak se babai thoshte se ju motrat e keni më afër dhe e vizitoni më shpesh! Kur jemi te emrat, edhe qytezën tonë të dashur, Podujevën e pagëzuam me emrin Besianë, gjithnjë në përpjekje që emrat e dhunshëm sllavë të vënë gjatë epokës së krajlive të tyre, t’i zëvëndësonim me emrat e të parëve tanë, qofshin ata edhe të kohës ilire! Por, u bë si u bë, dhe qyteza jonë mbeti zyrtarisht Podujevë, ndërsa ajo pjesa e intelektualëve që patën vullnetin që ta stolisnin me emrin e ri, vazhdojnë ta quajnë Besianë, jo zyrtarisht, por vetëm si obligim ndaj fëmijëve tanë që ta njohin më mirë historinë e të parëve tanë! Sepse, ti nuk arrite ta dish, por tani ka shumë libra, shumë dokumente që janë gjetur dhe po gjinden edhe më nëpër arkivat e Evropës, dhe flitet lirisht për prejardhjen tonë si popull, për periudhat e ndryshme të historisë sonë.
Nuk është më si në atë vitin kur na e patën ndaluar ta lexonim Ismail Kadaren! Me siguri do të kujtohej, kur ai profesori serb, Milloradi, në gjimnazin tonë, para se të fillonim mësimin në shkollë, posa hynim në korridor, na i hallakatëte çantat e shkollës që të shihte mos kishim ndonjë literaturë “irridentiste”. Do të kujtohet kur ky profesor e kryente këtë “detyrë” pothuaj çdo mëngjes, dhe ne u dashtë që atë kompletin e veprave të I. Kadaresë, ta fshihnim në qylar. Halli më i madh nuk ishte se mezi arritëm ta blenim për shkak të parave të pakta që i kishim, por se mos na mykeshin gjersa u gjend një vend më i mirë në tavan të shtëpisë. Se ato janë djegur bashkë me plotë” dokumentacione” të asaj kohe, si edhe letrat e Dëshmorit të kombit, Afrim Zhitisë, që poashtu ishin të fshehura në tavan, e di edhe ti vet, sepse para se të vijë ajo ditë e një majit, që të mori me vete në përjetësi, ti kishe arritur t’i shihje të tri shtëpiat e ju tre vllezërve, të djegura që kishin mbetë vetëm gërmadha me gojë të hapura që ende nxirrnin tym. Këtë po, arrite ta shihje dhe ta dije se fëmijët të mbetën në rrugë! Ku ta dijmë edhe çka tjetër ke arritur të kujtoje ato tetë ditë në spitalin e Prishtinës, i djegur gjer në palcë, në dorën e mjekëve serb, gjersa familja e shkapërderdhur, të dinte si të mbytur ose të zhdukur! Por,të sigurojë dhe rri i qetë se katër fëmijët tu që na i le, nuk mbetën në rrugë. Komuna u siguroi strehim gjersa babai Raif, arriti tua ndërtonte shtëpinë e re, edhe më të bukur se ajo që ti kishe jetuar me fëmijët dhe prindërit e tu. Përveç kësaj, ai edhe shkollimin Valonit ia pagoi në një Kolegj privat, kështu që pusho pa vesvese, sepse babai ynë me ato dyzetë vitet e punës në Gjermani, e kishte pas ruajtur një fond gogja të mirë, sa jetimët mos t’i linte në rrugë dhe mos t’i linte kombit barrë fëmijë të paarsimuar! Nuk di a jeni takuar me babain, sepse ai thoshte që kur një i afërm i familjes shkon “shehit” gjatë luftës, edhe dyzet anëtarë të tjerë të asaj familjeje do të shkojnë në parajsë! Shpresoj të jesh takuar edhe me nënën e ngratë, sepse kurrë më nuk e pa ditën e bardhë ,prej momentit që ti nuk ishe me ne.

Pas luftës, janë hapur plotë vatra të dijes, plotë Universitete e Kolegje-publike apo private! Ti nuk arrite t’i shohësh, por janë ndërtuar shumë-shumë shtëpi të bukura ngado nëpër Kosovën tonë, janë ndërtuar pallate të shumta nëpër qytete, ka aq shumë pompa benzine pothuaj në çdo dy-tri km, dhe janë të ndërtuara e të stolisura me hapësira e parkingje të lulëzuara me lloj-lloj lulesh të bukura, që të duket vetja sikur je në ndonjë park nacional ! Bile, gjer këto dy vitet e fundit, ndoshta ishin “parqet” e vetme qe mund t’i shihje nëpër Kosovë! Ti nuk e ke harruar parkun e Gërmisë. Sado që është tash krejt më ndryshe, më i mirëmbajtur, prapseprap ende nuk është pastruar mirë nga bombat që janë hedhur aty nga NATO-ja e atyre ditëve, të cilat bombardime ti i di mirë, sepse ato arrite t’i prisje. Por, me siguri nuk ke arritur ta dish se vdekja jote erdhi pikërishtë nga këto bombardime!! Më vjen keq të të tregoj, por sot e asaj dite, është i heshtur ai moment bombardimi “gabim” nga ana e NATO-s mbi civilët shqiptar! Ka pas nja dy-tri herë transmetime televizive nga një program gjerman, por jo që të sqarohet gjer në fund rasti i tillë! Pastaj vitin e kaluar, një ekipë japoneze ka ardhur mbi urën e LLuzhanit dhe ka bërë foto mbi kunorat e juaja, por ata vëlla i dashur librin e kanë botuar në gjuhën e tyre japoneze dhe asgjë prej gjëje nuk kam kuptuar, edhe pse kemi qenë falenderues shumë ndaj interesimit të tyre. Se ti nuk e di, por nga ai autobus me ty u bënë “shokë” edhe shumë të tjerë. Bile disa prej tyre, i kanë njohur vetëm në bazë të zingjirëve që i kanë patur në fytë, ose unazave të martesës në gisht! Mezi patën arritur familjarët e tyre, tua gjenin edhe varret. Fati ynë ka qenë që varrin tënd e kemi ditur, sepse e kemi pasur një evgjit të njohur te kapella e të vdekurve në spitalin e Prishtinës, dhe kur babai ka insistuar që të ta mirrte kufomën, i ka rënë të fikët nga era e rëndë e trupave tuaj, vëlla i dashur, sepse aty nuk gjindej vetëm trupi yt, por i qindra të tjerëve që në një mënyrë ose tjëtër ishin vrarë e masakruar nga dora e paramilitarëve dhe ushtarëve serbë. Magjypi me maskë në gojë kishte hyrë brenda dhe mezi të kishin identifikuar se cili ishe, dhe me një vetur gjysmë të shkatërruar të kishin varrosur në varrezat ku je edhe sot! Në varrimin tënd kishin qenë nëna, babai dhe vëllau i madh! Faleminderit prej atij evgjitit (nuk më kujtohet emri i tij saktë, por më duket që e ka pasur emrin Mahmud), sepse bile varrin ta dinim që nga fillimi! Ka edhe informacione të tjera-që qeveria serbe e Beogradit ka marrë dëmshpërblim të majmë nga BE për viktimat e luftës, duke ju konsideruar dhe paraqitur edhe juve si qytetarë të saj!
Mos u brengos për këtë, se tanimë, pas gjithë këtyre peripecive që kemi kaluar gjatë kësaj periudhe të pasluftës, bile qytetarë i Sërbisë nuk konsiderohesh! Edhe pse në disa pjesë të Kosovës, po të kaloje të duket vetja se je midis Serbisë me flamuj e simbole çetnike, ashtu siç i kanë pasur edhe gjatë asaj kohës kur vrisnin e digjnin shqiptarë për së gjalli me gra, pleq e burra bashkë nëpër votrat e tyre den baba den! Bile për ta ,duket që Kosova vërtetë ka qenë gjithëmonë nëna e tyre, sepse kur ishin krajlat dhe miloshevicët së fundmi, përkujdeseshin aq shumë për jetesën dhe standardin e tyre larg-larg prej shqiptarëve .Tash, prap për ta kujdeset e gjithë Evropa! Po të laget ndonjë serb nga shiu dhe nuk ka pas ombrellë me vete-e qan gjithë kontinenti i vjetër i planetit tokë, duke e marrë vesh dhe duke u informuar e duke marrë masa serioze e shumë urgjente edhe vet Brukseli! Çudi, çfarë fati dhe çfarë populli simpatik këta serbët për qeveritë e Evropës së civilizuar! Po u ankuan dhe për një gjë banale, qohet në këmbë tërë rruzulli planet, ndërsa minatorët tanë, po t’i takoje prap në zgafellat e minierës së Trepçës, mos u çudit, sepse nuk janë të asaj kohës sa ishe edhe ti me ne! Janë të këtyre ditëve të pasluftës vëllau im! Problemi i Trepçës edhe më nuk është rregulluar ! Nuk po ka Pavarësi që e rregullon atë, sepse Evropa ende nuk e ka kuptuar se edhe ajo, dhe ndoshta më së shumti për te, janë sakrifikuar gjenerata të tëra shqiptare. Ndoshta kjo nuk po i intereson shumë Europës , sepse ata që u sakrifikuan ishin intelektualë, minatorë, studentë e njerëz kështu të butë dhe të parrezikshëm për të tjerë ! Po të ishin çetnikë dhe paramilitarë neofashistë, me siguri se do t’u siguroheshin të gjitha, sikur dhjetë komunat e shumë favore tjera. Pastaj, e di që do të të therë në shpirt lajmi i ndarjes së Mitrovicës. Ty të kujtohet kur i mësonim në histori Korenë e Veriut dhe Korenë e Jugut, apo Berlinin Lindor dhe atë Perëndimor, apo dhe shumë të tjera që nuk po më kujtohen. Tash te ne, paslufta na e solli edhe ne një Veri dhe një Jug ! Qyteti i Mitrovicës me ata pak banorë të tij dhe me atë sipërfaqe të vockël është ndarë dhe është shndërruar në dy Mitrovica: Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut! Më vjen keq, por do të çuditeshe edhe më me Pavarësinë shqiptare në Kosovë! Po të vije sot në kryeqytetin tone, në Prishtinë, me rastin e shtatë vjetorit të Pavarësisë së saj, e di që do të mbeteshe fortë me gojëhapur kur t’i shihje një kalllaballëk flamujsh që valviten në nënqiellin e Kosovës tonë shqiptare! At të kaltërtin, me hartën e Kosovës në mes dhe me gjithë ato yje, mesiguri se nuk mund ta qëlloje se kujt i përkiste, sepse në atë atlasin e gjeografisë që e kemi pasur këtyre herëve, nuk ka qenë-nuk ka qenë “pronar” i asnjë shteti. Por, e si të ishte vëllau im, kur Kosova ende nuk ishte çliruar? Tani po! Tani që Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, ka edhe këtë llojë flamuri! Ne, atëherë kemi menduar që vetëm ata magjypët mbi hekurudhë që i kemi pasur, kanë qenë minoriteti dhe ato katër shtëpitë e sërbëve në lagjen ku jetonte daja ynë. Por jo, neve nuk na e kanë mësuar historinë si duhet. Sepse, ne i kishim pasur edhe katër minoritete tjera në mesin tonë, si ai i egjiptasve, hashkalinjëve dhe të tjerëve që nuk po më kujtohen nacionalitetet e tyre. Andaj, këta aleatët tanë, në shqip nuk kanë arritur që ta lexojnë mirë historinë e figurave tona historike si dhe sakrificën e tyre për Flamurin Kuq e ZI në vitin 1968, nuk e dijnë ata fare për Shaban Shalën tonë, as për Smajl Dumoshin e demostratat e studentëve të ’68 e të 1981 dhe as për kauzën e Adem Demaçit! Në shqip nuk kanë mundur t’i lexojnë, e serbët nuk u kanë folur për këto “raste historike” tonat, kështu që edhe aty ku ishim gjithëmonë bashkë si popull, u ndamë e përcamë me dy flamuj! Po të tregoj tash pa rrotlla, se flamuri i kaltërt, që sot kryetari i Prishtinës nuk po pranon ta vë, është simboli i Kosovës së Pavarur e Demokratike…!
Vëlla i dashur,
ka edhe më për të treguar, por disa gjëra as tani në Demokraci nuk guxoj të t’i them. P.sh. puna e Ukshin Hotit! A të kujtohet që ti gjithmonë thoshe se vetëm këtij i ka pasur hije të jetë Kryetar i një vendi? Me siguri do të kujtohej shumë mirë, sepse gjithnjë thoshe se është intelektual me përmasa enciklopedike, burrë shteti të cilit rrallë kush mund t’i vihej përmballë me karakterin e tij dinjitoz, me devotshmërinë e tij ndaj çështjes sonë kombëtare. Por jo! Nuk doli kështu! Ti nuk e di, dhe po më dhimbesh shumë kur të të rrëfejë, se Ukshin Hoti – atdhetari dhe figura e ndritur shqiptare, le që nuk arriti të bëhej Kryetar i vendit për të cilin ai luftoi gjer në frymën e tij të fundit, por ai nuk arriti as që të ketë një varr në Kosovën e tij. Atij ende nuk i pushojnë eshtrat askund, sepse është i shpallur vetëm si i “zhdukur”. Andaj, ti ndjehu i “privilegjuar” që bile varri të dihet, edhe pse ishe vetëm profesor me dy fakultete të kryera! Ndërsa, që të tregoj pse dy shtëpiat e babës Raif u mbyllën këtyre ditëve të fundit dhe pse fëmijët tu ikën nga Kosova dhe shkuan në Gjermani, nuk më bën zemra të të tregoj kurrësesi, sepse do të lëkundeshin edhe eshtrat nga varri!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura