PROF.MURAT GECAJ: MIKPRITJE E VËLLAPRITJE, NËPËR TROJET TONA AMTARE TË BALLKANIT… (Shënime nga Shkupi, Presheva e Prishtina)

Pashtriku.org, 9 tetor 2018:
1.

Zakonisht, kur dikush na mirëpret në shtëpinë e tij ose në një zyrë a vend tjetër, shprehemi që e falenderojmë nga zemra për mikpritjen. Sigurisht, kjo është një shprehje mirënjohjeje ndaj atij, që na jep “bukë e kripë e zemër dhe gjitha të mirat”, që merr pjesë në një gëzim a ngjarje tonën ose që na shoqëron për diku, ku kemi nevojë. Por, më ka mbetur në mendje një shprehje e bukur e një miku e kolegu, poetit e shkrimtarit gjakovar e me banim në Prishtinë, Agim Gjakova. Kohë më parë, ai përuroi një libër të tij në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin Tiranë. Siç është bërë e zakonshme, në fund e mori fjalën edhe ai, pra autori i librit. Me mirënjohje të shprehur në tërë pamjen e tij të fytyrës, iu drejtua të pranishmëve: “Shumë faleminderit për pjesëmarrjen në këtë veprimtari dhe jo vetëm për mikpritjen, po dhe për vëllapritjen tuaj!” Salla shpërtheu në duartrokitje, për këto fjalë të bukura të tij.
Ndërsa tani, unë po i përdor fjalët kaq shprehëse, “mikpritje” e “vëllapritje”, për një arsye tjetër. Në ditë e fundit të muajit maj 2011, në përbërje të një grupi pune, prej 11 vetash, nga Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare (organizëm joqeveritar), bëmë vizita të bukura e mbrësëlënëse, në Shkup, Preshevë e Prishtinë e më pas në Ulqin. Në përbërje të këtij grupi ishin: Rezart Gashi, drejtor i Institutit dhe i ndjeri, Dr. Ibrahim Gashi, kryetar i Komisionit Qendror të tij. Gjithashtu, bënin pjesë përgjegjës sektorësh e specialistë të arsimit, kultures e shkencës: Prof. Emil Lafe-Akademik, Prof.Dr. Hulusi Hako, Prof. Dr.Hasan Çipuri, Prof. Murat Gecaj, Namik Selmani- arsimtar e shkrimtar, Zyba Hasa-arsimtare e poete, Fatbardh Danja-inspektor arsimi pranë Komunitetit Mysliman Shqiptar, Ibrahim Hajdarmataj-drejtues shkolle e Liliana Gashi-specialiste arsimi.
Kam shkruar edhe më parë për mbresat e bukura dhe të pashlyera të atij udhëtimi, si në shtyp e në Internet. Po, kësaj here, do të dëshmoj diçka më qartë, se si në trojet e stërlashta shqiptare, pra në trojet tona amtare, kudo gjetëm mikpritjen tradicionale shqiptare, por, kryesorja, “vëllapritje” të paharruar.

2.

Mikrobusi ynë komod, me shofer Bledin, udhëtonte qetësisht nëpër “Udhën e Kombit”. Pasi u ndalëm, pa shkuar ende te tunelet e Kalimashit, për t’u çlodhur pak, vazhduam më tej.Kaluam urën e lartë mbi Drin dhe lamë qytetin e Kukësit, në krahun e majtë. Në pikën e kalimit kufitar, ndërmjet dy shteteve shqiptare, u bë kontrolli rutinë i pasaportave tona e i dokumenteve të shoferit dhe pastaj e vazhduam udhëtimin për më tej.
Ishim pothuajse në qetësi, kur Prof. Hulusi Hako na u drejtua: “A të ndalemi pak, këtu në një lokal, për të pirë një kafe?” Te gjithë e miratuam mendimin e tij dhe hymë në një mjedis të këndshëm, me emrin “Hako”. Siç ma shpjegoi një bashkudhtar, do të thoshte “Harta e Kosovës”. Menjëherë, na u gjend pranë një burrë trupgjatë e me buzëqeshjen e njohur të “të zotit të shtëpisë”. Ndërsa një djalosh erdhi e na pyeti, se çfarë donim për të pirë. Bëmë pak “rrëmujë”, duke kërkuar njëri kafe e tjetri freskuese ose ujë të ftoftë, me gaz e pa gaz. Ishte ora rreth 19.00 e mbrëmjes. Ndërkaq, tërë autoritet, u dëgjua fjala e përgjegjësit të lokalit, Dallim Elezkurtaj: “Jo, jo! Këta do të hanë e do të pinë këtu. Kanë bërë udhë të gjatë nga Tirana dhe tani është koha për një gjë të tillë! Prandaj, ua merr të gjithëve porosinë!” Me këtë rast, na tregoi se ai lokal është i pëlqyer për udhëtarët dhe se, vetëm në drekën përpara, aty kishin ngrënë mbi 100 veta.
Nuk do të zgjatem për hollësi të saj darke, që na e “sponsorizoi” ky mikpritës, por dhe sivëlla i një gjaku. Për ta plotësuar bujarinë e tij, pas darkës së bollshme e me pije të ndryshme, provuam edhe kafe ose makiato. Në shenjë nderimi e respekti të ndërsjelltë, i kërkuam Dallimit (vështrojani emrin, pra që “dallon” nga shumë biznesmenë të tjerë) të bënim edhe disa fotografi, të cilat secili nga ne i ruan një kujtim të bukur.
3.
Mbrëmja kishte rënë, kur ne udhëtuam nëpër Grykat e Kaçanikut, pasi kështu u mendua se do të arrinim më shpejt në Shkup. Çdokush nga ne, natyrshëm, sillte në kujtesë ngjarje të shkuara historike, luftërat për mbijetesë të shqiptarëve ndaj armiqëve të shumtë, që donin t’i mbanin të pushtuara trojet tona. Te “Hani i Elezit” na u kujtua shpërngulja masive e kosovarëve, të cilët u përndoqën nga serbët në luftën e fundit, që solli pavarësinë e Kosovës. Por edhe kishim një farë shqetësimi, që u krijua nga një bisedë telefonikë e një kolegu tonë, me një të njohur në atë qytet. I treguan, se aty kishte kaluar një re e zezë dhe se kishte patur një stuhi të fortë. Veçse ne ishin fatmirë pasi, kur arritëm në Shkup, çdo gjë ishte qetësuar dhe se kudo kishte lëvizje të zakonshme. Është e natyrshme që, kur mbërrin në një qytet të panjohur, ku unë shkoja për herë të parë, në mendje të shkojnë pyetje të tilla: “Kush do të na presë? Ku do të jetë hoteli për të fjetur? Ku do të darkojmë?” etj. Por nuk ishte aspak e nevojshme, që ne të shqetësoheshim, për të bërë as marrë përgjigje, për pyetje të tilla.
Qëkur ishim në drekë a darkë, të lokali “Hako”, miqtë tanë të mirë në Shkup: Skënder Asani, Mitat Shaqiri e Fadil Curri, telefononin e donin të dinin, se ku ndodheshim. Ndërsa edhe më pas, kur sikur “humbëm” nëpër Grykat e Kaçanikut, përsëri ata telefononin e interesoheshin, se mos kishim ndonjë problem gjatë udhës. Kështu, sapo mikrobusi ynë ndaloi, diku në qendër të qytetit të Shkupit, pranë nesh erdhën ata të tre, buzagazë e na përqafuan të gjithëve me radhë, duke thënë: “Mirëse erdhët, vëllezër!”
Pastaj na prinë përpara dhe na futën në një lokal-restorant, të madh e të bukur. Që te hyrja na prishte djaloshi Sinan Musliu, menaxheri, i cili gjithashtu na uroi mirëseardhjen. Në disa tavolina, zumë vendet dhe bëmë biseda të çastit. Vërejta se më e shqetësuara ishte Liljana, pasi Rezarti vinte pas nesh në një veturë, bashkë me gruan e fëmijët e vegjël. Por ky “anth” i natyrshëm i asaj nëne e gjysheje nuk zgjati, se ata arritën shëndosh e mirë, aty ku ishim ne.
Kam dëgjuar shpesh, që thonë se “dy të ngrëna nuk të bëjnë gjë, ndërsa dy të rrahura po”?! (ha,ha) Kështu ndodhi edhe me ne. Pa vonuar, na shtruan darkën e dytë, në restorantin “Shkupi” dhe nuk dëgjova të ankohej njeri. Kjo sepse kishin kaluar disa orë, nga e para dhe kishim bërë ca “trenazh”, nga tronditjet e makinës nëpër udhën e mëparshme, e cila ishte e ngushtë dhe jo aq cilësore. Skënderi, Mitati e Fadili ngritën gotat e na uruan mirëseardhjen në Shkup dhe thanë se i kishin marrë të gjitha masat për ditën e nesërme. Në fakt, ashtu ndodhi. Çdo gjë shkoi “si sahati”. Edhe në hotelin “Luksar”, me pronar Ibrahim Tërshanën e sportelist Fatmirin, na pritën me dashamirësi.
4.
Nuk do t’i numëroj veprimtaritë e zhvilluara në Shkup, se janë disa. Ndër to, ishin vizita në një shkollë shqipe, ku u befasova që takova dhe drejtoreshën, Meritën, mbesën e mësuesit veteran Ibrahim Kolçi, për të cilin kam shkruar në një libër, të cilin ia dhurova asaj. Pastaj pamë vendet-simbole: Muzeun e Nënë Terezës e Monumentin e Skënderbeut. E paharruar ishte pjesëmarrja në një tubim, me gjithë drejtuesit e shkollave shqipe në Maqedoni. Folën me pasion e atdhetarizëm shumë veta, ndër të cilët Profesori i njohur Shykri Rrahimi, të cilin e kisha takuar në Kongresin e Drejtshkrimit, në Tiranë, më 1972. Por në kujtesë më mbetën edhe fjalët e zjarrta të Dr. Teuta Agajt-Demjaha. Ndër të tjera, ajo u shpreh me zemër: “Faleminderit, vëllezër e motra, për dashurinë që na sollët! Ne kemi nevojë për tekste e shkolla shqipe, që t’i kthejmë ato në zjarre atdhedashurie”. Në këtë tubim, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti i dorëzoi secilit pjesëtar të grupit tonë “Medalionin e Skënderbeut”, hipur në kalë.
Në kushtet, që na kishin krijuar vëllezërit tanë në Shkup, gjetëm dhe gjuhën e përbashkët për të diskutuar rreth temës së rëndësishme të studimit të IIKSH, që është mundësia e përafrimit, deri në njësim, i programeve dhe teksteve shkollorë shqip, në trojet amtare dhe në diasporë.
5.
Kur të nesërmen në mbrëmje dolëm jashtë Shkupit dhe po udhëtonim drejt kufirit me Republikëm e Serbisë, secili nga ne provonte një farë shqetësimi. Megjithëse e dinim se përpara do të na dilnin tokat e stërlashta shqiptare të Kosovës Lindore ose të Luginës së Preshevës, na vërtitej në kokë mendimi për “vendin e huaj”, me mëdyshjen: “Vallë, a do të na pengojnë, kur t’i shohin pasaportat tona?” Por nuk zgjati shumë kjo gjendje, se djaloshi ushtarak, që na i mori ato, takoi të ishte shqiptar. Ai na e pohoi shpejt këtë gjë, me buzëqesahje të ëmbël edhe pse na përshëndeti serbisht, kur hyri në mikrobus.
Sapo kaluam pak metra në tokën e një shteti tjetër, pra kur ishim ndarë me Maqedoninë, pamë një veturë të vogël, nga dolën kolegët tanë: Xhemaledin Salihu, Alixhemal Saliu e Musa Ajeti. U përqafuam si vëllezër dhe i pari hyri në mikrobusin tonë. Gjatë tërë udhës, ai na foli me imtësi për fshatrat, nga kalonim, për traditat e tyre të lashta shqiptare, betejat e zhvilluara për mbijetesë dhe gjendjen e sotme. Veçanërisht, na bëri përshtypje të mirë, se na tregoi që kudo funksionojnë shkolla në gjuhën amtare, se gjuha shqipe flitet mirë e bukur nga të gjithë banorët etj.
“Ishim të ftuar, prandaj e gjetëm të shtruar”, kështu mendova, duke buzëqeshur me vete, sapo arritëm ne qendër të qytetit të vogël e të këndshëm të Preshevës. Kudo na ranë në sy lokale dhe institucione me emërtime shqipe. I tillë ishte dhe lokali, ku ne zumë vend për t’u çlodhur e për të pirë kafe e freskuese dhe më vonë për të darkuar. Në mes të atyre, që na pritën me shumë dashamirësi, menjëherë dallova dhe përgjegjësin e lokalit. Por pranë nesh ishte dhe një djalosh, pak zeshkan e buzëqeshur, i cili nuk na u nda, deri sa u larguam të nesërmen pasdite për në Prishtinë. Dhe shpejt ia mësova emrin dhe detyrën, që kryente ai. Ishte juristi Fatlum Mustafa dhe shërbente përgjegjës i kabinetit të kryetarit të Komunës, Ragmi Mustafa.
Të nesërmen paradite, kudo gjetëm ngrohtësi dhe veprimtari të përgatitura, si jo më mirë, nga grupi i punës i IIKSH për Luginën e Preshëvës. Kështu ndodhi në shkollat e mesme, me drejtorë Telat Arifin e Abdurrahman Zylfiun dhe në atë 8-vjeçare, me drejtoreshë Hafize Shaqirin. Të bukura e mbresëlënëse ishin recitimet e nxënëseve të shkollave shqipe të atij rajoni, të cilave iu bashkuan me krijimet e tyre të reja edhe mësuesit e poetët tanë, Namik Selmani (nga Berati) dhe Zyba Hysa (nga Vlora).
Nuk do t’i harroj as takimet me krijuesit e rinj të Klubit “Feniks”, Bilal Maliqi, Arsim Halili, Avni Shaqiri etj. Por as vizitën në shtëpinë e të njohurit tim, Ramadan Ramadani, ku më pritën me aq përzemërsi ai, bashkëshortja Hava dhe djemtë, Burimi e Dritoni.
6.
Kur i kishim përfunduar veprimtaritë në Preshevë, pasdite vonë morëm udhën për në Prishtinë. Por çfarë të shihje? Para mikrobusit tonë ecte një veturë, brenda të cilës ishin kolegët tanë në Preshevë. Ndërsa ky i fundit udhëtonte me ne dhe, si një “ciceron” i mire, na tregoi pjesë të historisë të të gjitha vendeve, nga kaluam. Kur iu afruam pikës kufitare me Kosovën, të gjithë zbritëm e ashtu në këmbë shkëmbyem bisedat e ndarjes, ku vendin parësor e zinte falënderimi për vëllapritjen e tyre. Por dhe bëmë një fotografi të përbashkët, që e ruan secili nga ne, kujtim të paharruar.
Bukur ishte, kur vërejtëm se, e njëjta “skenë”, u përsërit edhe në Kosovë. Qëkur ne ishim në udhë, telefoni i Dr. Ibrahimit nuk pushonte. Dikush pyeste se ku ndodheshim dhe tregonte se po na prisnin. Pasi pamë pak qytetin e Gjilanit, e vijuam udhën e mbërritëm në qendër të Prishtinës. Aty kishin dalë për të na pritur e për të na shoqëruar Prof. Skënder Skënderi, Prof. Gani Pllana e Prof. Fazli Hajrizi, i pari pak i moshuar, por si një djalosh i ri. Sistemimin e bëmë shpejt, diku në një hotel në anë të qytetit. Nuk dua të tregoj hollësira, por shënoj këtu se vëllezërit tanë prishtinas na erdhën menjëherë në ndihmë edhe për t’u telefonuar të njohurve tënë. Kështu, për shembull, ata më njoftuan kolegët publicistë të gazetës “Shëkndija”, Vezir Ukajm e Sabit Jahën. Ata iu bashkuan ekipit tonë dhe nuk na u ndanë, deri sa u larguam nga Prishtina
Të nesërmen paradite, vizituam shkolla, na pritën në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, në Akademinë e Shkencave dhe në kryesinë e Komunës së Prishtinës. Kudo gjetëm njerëz të dashur e të gatshëm për të bashkëpunuar në misionin tonë, që shkollat shqipe të kenë tekste sa më të përafërta dhe me përmbajtje të qartë kombëtare. Si pjesë e veçantë e këtij “portokolli’ zyrtar, ishte vizita shumë e bukur dhe e paharruar te shtëpia e këngëtares së madhe të Kosovës e mbarë Kombit, Nexmije Pagarusha. Mua, Namikun e Zybën, na shoqëroi për aty poetja e talentuar dhe veprimtarja e çështjes shqiptare, Shefqete Gosalci. U përqafuam vëllazërisht me të, si me një motër më të rritur, u pyetëm me njëri-tjetrin si të ishim të njohur prej vitesh dhe u ndamë me premtimin se do t’i vazhdonim lidhjet tona.
…Mund të sillja edhe shembuj të tjetër të pritjeve vëllazërore dhe mjedisit të tillë, që na u krijua kudo: në Shkup, Preshevë e Prishtinë. Nuk do shumë shpjegime kjo gjë, sepse është më se e natyrshme. Populli shqiptar, kudo që jeton në trojet e veta arbërore, trashëgon e ruan virtyte të larta njerëzore: mikpritjen e vëllapritjen, bujarinë e besnikërinë, guximin e trimërinë etj., që ua ka dëshmuar të tjerëve, sa herë është paraqitur nevoja.
…Shënoj këtu se. disa ditë më vonë, ne bëmë një udhëtim të tillë, të bukur e mbresëlënës, në qytetin e Ulqinit.Gjithashtu, aty gjetëm: mikpritje e vëllapritje, tradicionale shqiptare. (Tiranë, 19 qershor 2011)
(Nga libri “Rrahin zemrat arbërore”, Tiranë, 2011, me autor Murat Gecaj, publicist e studiues, përgjegjës seksioni në IIKSH)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura