MR.ISMAIL SYLA: POEZITË E ELIFE LUZHËS S’MUND T’I KALOSH ME PËRGJUMJE, SEPSE ATO TË ZGJOJNË

Pashtriku.org, 18. 09. 2014: (Duke lexuar vargje dhe poezi të Elife Luzhës nga libri “Vdekja e ditëlindjes” Rozafa, Prishtinë, 2007.) – Duke e lexuar librin me poezi të autores Elife Luzha “Vdekja e ditëlindjes” më hyri në shërbim një thënie e semiologut dhe njërës nga mendjet më erudite të bashkëkohësisë sonë, Umberto Eko. “Barra e leximeve” sipas tij është edhe një kusht më shumë për njohjen më të plotë të prodhimit intelektual të njerëzimit. (Shfleto: opusin libror të Ecos)
Pranëvënia e fjalëv
e
Mbi këtë parim lexova secilin varg të librit, dhe nga “Vdekja e ditëlindjes” veçova gjithçka që më jep arsye të flas për vlerën e poezisë së autores Luzha. Së pari desha të veçoj mikrostrukturën e vargut, dhe së dyti, brenda përmbajtjes së librit të përzgjedh “antologjinë”. Është interesante se nga leximi me nënvizime, lapsi u ndala në tetë mikrostruktura, që do të lexohen më poshtë. Po ashtu, brenda librit u krijua miniantologjia prej tetë poezive, që sipas mendimit dhe shijes sime meritojnë një lexim eseistik. Aftësia e gjuhës artistike qëndron në faktin e pranëvënies së fjalëve që krijojnë dhe arrijnë domethënie lirike, estetike. Një dokument i nxjerrë nga zyra e shërbimit civil do të ishte i përkryer nga aspekti formal, (certifikatë lindjeje, kurorëzimi, vdekjeje, pasaportë, qoftë edhe e UNMIK’ut) nëse me saktësi aty ku shkruan emri shkruhet drejt emri i njeriut, pastaj mbiemri, ditëlindja dhe një vulë zyrtare. Por, në saktësinë dhe përkryerjen poetike kemi tjera rregulla, tjera kritere. Libri që po promovohet na bind se krijimi letrar është fushë ku fërkimi i fjalëve krijon shkëndija lirike, dhe aftësia shprehëse e gjuhës shqipe nuk do të shterrë asnjëherë. Për ata që kanë dije të specializuar për mikrostrukturën e tekstit, për bukurinë stilistike të fjalëve shqipe, për aftësinë shprehëse të sintagmave, tetë shembujt e mëposhtëm janë si gurë të çmuar, margaritarë poetikë.
1. “Pabesia mpreh dhëmbët” (Dans korbash)
2. “Më lejo ta heq mallin / Si shaminë ime ëmë” (Në krah engjëjsh)
3.“Hija e zhgënjimit më ndjek” (Lutje)
4. “E ne flemë mbi tmerrin” (Pafundësi e marrëzisë)
5. “Në lajthitje ëndrrat / Bimojnë dhembje” (Të pagjeturit )
6. “Majat e maleve / Me parzmën time i kam mprehur” (Jeta)
7. “Si gazele dashuria ime / Në fushën e pikëllimit shtrirë (Larg teje)
8. “Vetmia më dogji / Duke kërkuar njeriun” (Fjala e papagallit)

Miniantologjia
Janë gjithashtu tekstet e tetë poezive që shquhen me koherencë kuptimore dhe ndërtim artistik të baraspeshuar me sensin e masës, dhe nuk ka mundësi t’i kalosh me indiferencë estetike, as me përgjumje intelektuale, sepse ato të zgjojnë. Ajo që është bërë rregull i marketingut në botën e konsumit të gjerë, për ta reklamuar qoftë edhe një detergjent si më të zgjuar, më ekonomik dhe më aktiv, nuk po ndodh në botën e artit nga mendimi kritik për të shpërfaqur vlerat estetike të një libri të arrirë, të një mendimi poetik, të disa vargjeve apo edhe një poezie të vetme, e cila zbulon një trajtë të përmasës së shpirtit njerëzor, një ide, vuajtje, imazh ose një përjetim të botës nëpër membranën e ndjeshme të botës shpirtërore.
Nuk do të lë pa veçuar secilën prej tyre me bazën kuptimore që ia ofron lexuesit të kujdesshëm, dhe sidomos atij profesional. Poezia, e cila si titull mbështjell edhe përmbledhjen me titull tronditës, tragjik, dramatik dhe fatal “Vdekja e ditëlindjes”,qëndron më vete si njësi poetike duke dhënë idenë e të priturës së mjegullt, të paqartë. Në këtë pritje përtej gërryerjes fizike të njeriut është një plagë e jetës shpirtërore që“thepon zemrën” e njeriut. Kur në botë mungon hapësira e lumturisë, ajo dhembjes e rrethon atë, sipas ligjit të njohur të shkencave fizike se në këtë botë asgjë nuk shtohet, asgjë nuk humbet, veçse shndërrohet (transformohet).
“Nëna ime” është poezi e toneve të ngrohta, me nota refleksive, shprehje e një dashurie dhe respekti pa patetikë, por me konfirmime të plota për dashurinë universale ndaj nënës, me vençatinë autoriale të dashurisë ndaj nënës së “takimeve të mallta”,duke përmbyllur idenë se nëna është sinonim i shqetësimit dhe flijimit për krijesat e veta.
“Këngë me nota dielli” ta kujton poezinë “Motive me diell” të Ismail Kadaresë. Derisa ai e udhëzon piktorin që të përjetësojë në pëlhurë motive me diell, para rënies së territ (supozojmë para se të vdes) autorja Luzha midis botës së kontrasteve të fuqishme (qyqes, korbit, gjarpërit) ka intencë estetike këngën si “komponim dashurie me nota dielli”.
Poezia “Ik” e ruan mirë gradacionin e rrëfimit lirik. Përgjithësisht më mirë se kudo është shpërndarë edhe leksiku poetik i saj. Fjalët dhe togfjalëshat: kujtim, rrënjë zemre, ëndrra, dhembje, pasqyrë dielli, mëngjes, vesë, fole e thurur etj. janë qarku semantik i autores, që në tërë librin veçsa përpunohet dhe nuancohet me nënvariante të ndryshme për t’i dhënë trajtë vuajtjes shpirtërore dhe vetëshpjegimit poetik.
Poezia “Historia” është një kredo e autores për atë që aq me bujë e ka proklamuar njohja teorike si raport midis individuales dhe universales, midis relacionit njeriu dhe atdheu. Është krenaria romantike dhe nostalgjia ndaj atdheut, ndaj së kaluarës sonë krenare (paradoksalisht ndonjëherë edhe boshe). Çiltërsia e autores karshi atdheut është më e fuqishme se membrana artistike me të cilën mëton ta ravijëzojë.
Poezia “Kali i Trojes” ka arritur që ta jap bukur idenë se më e rëndë se dhuna është vetëmashtrimi. Nëse “Laokoonti i Kadaresë” kulmon me idenë se më tragjike është indiferenca ndaj krimit se sa vetë krimi, autorja sublimon tragjikën e trojanëve:
Në logun e betejës
Nuk vdiqën
Me kalin e vdekur
I vranë
.
Poezia “Dëshirat” ruan shtrirjen spontane, të pashpifur si ndjenjë dhe mendim për ëndrrat jetësore të autores. Aty del në pah dashuria ndaj atdheut e qartë dhe intime, pa stërhollime stilistike. Dhe poezia e tetë “Krahasim”, e ndërtuar mbi antinominë, më shumë se realizim artistik, arrin të sfidojë dy krahasime midis lotit dhe detit, me të parin atorja peshon mallin, me të dytin zgjeron zemrën. Pa dyshim një figurë e mirë më shumë meditative se sa e arrirë artistikisht.
Në vend të përmbylljes
Duke shprehur keqardhje që nuk po kam mundësi ta lexoj vetë këtë tekst, shumë të nderuar pjesëmarrës në këtë promovim të librit, e nderuara familje Luzha më lejoni që këtë shkrim ta përmbyll me një koment të lirë për mendimin e Artur Shopenhauerit, i cili thotë se gjenitë janë të trishtuar. Nuk është fjala për kuptimin strikt të gjeniut, por është fjala për atë komunitet njerëzish të botës shpirtërore, që jetën e përjetojnë me vuajtje dhe gërryerje të thella psikologjike. Në këtë komunitet padyshim vendin e ka autorja e nderuar Elife Luzha. Autores i them se të jesh idealiste në tërë shekullin e jetës është ushtrimi më i rëndë i të mbeturit e njëjtë. Jeta jonë është si Prometeu i mitologjisë antike, që ndër sy t’i ndërron mijëra pamje, mijëra fytyra. Prandaj është krejt e natyrshme që në librin tuaj ka aq ankth, aq shqetësim. Ata që kanë prirje për ta përjetuar shumë shpirtërisht realitetin, botën në të cilën ka kaq kufizime, padrejtësi, mosmirëkuptim dhe barbari, natyrisht se nuk mund të mos jenë të trishtë dhe sentimentalë. Barbaria moderne është forma më shtypëse e njeriut. Prandaj do të vazhdosh të jeshë e vetmuar, ashtu siç shkruan në poezinë tënde “të digjesh, duke kërkuar njeriun”.

Prishtinë, 26 tetor 2007

***
LEXONI LIBRIN NË FORMATIN “PDF” :
– “VDEKJA E DITËLINDJES” TË POETES ELIFE LUZHA –
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/elife-luzha-vdekja-e-ditelindejes.p
df

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura