(Pashtriku.org, 30. 06. 2012) – Gjatë historisë mijëvjeçare populli shqiptar ka luftuar për mbrojtjen e trojeve të veta dhe për çlirim kombëtar. Ai asnjëherë në histori nuk zhvilloi luftëra pushtuese, por si popull autokton u ballafaqua me ardhacak barbar. Lufterat heroike që zhvilloi populli shqiptar gjatë shek. XV nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i frymëzuan gjithë brezat që erdhën më pas në kryengritjet e tyre çlirimtare kundër pushtuesve të huaj.
Perandoria Osmane nuk i njohu asnjëherë shqiptarët si komb më vete. Ai i trajtoi ata sipas fesë: myslimanët si osmanë, ortodoksët si grekë dhe katolikët si latinë. Perballë kësaj politike që vinte në rrezik ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe të Shqipërisë si atdhe të tyre, patriotët shqiptarë shpalosën qysh në fillim të Rilindjes Kombëtare flamurin e luftës për njohjen e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe për bashkimin e katër vilajeteve në një territor të vetëm administrativ, përkatësisht në një vilajet të vëtem shqiptar.
Viti 1912 dhe rënia e perandorisë Osmane, për shqipëtarët dhe Shqipërinë do të thotë edhe një ndarje dhe copëtim të trojeve etnike. Konferenca e Londrës dhe ajo e Parisit e viteve 1912, 1913, i kënaqën edhe një herë apetitet e Rusisë, Greqisë dhe Serbisë, duke i prerë e copëtuar trojet etnike shqipëtare në Qamëri, luginën e Pollogut dhe Shkupin, Kumanovën, Preshevën, Hotin, Grudën e Malësinë e madhe, si dhe rajonin e Kosovës. Gati gjysma e trojeve etnike shqiptare iu morën Shqipërisë dhe iu dhanë Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
______________________________
Demonstratat e vitit 1981…
……………………………………………
Pas Luftës së Dytë Botërore edhe njëherë popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të saj padrejtësisht iu imponua të jetë nën sovranitetin e Jugosllavisë, një shteti sllav që s`kishte asgjë të përbashkët me shqiptarët. Ne vitet 1944 – 1949, jane të e njohura lufta e Shaban Polluzhës në Drenicë, dhe e bashkëluftëtarëve të tij në Rrethin e Ferizajit e të Kaçanikut, në Rrethin e Anamoravës, në Rrafshi i Dukagjinit, në rajoni i Llapit, të Pollogut, Preshevës e Kumanovës etj. Përpos luftës së hapur legale, aktivitetin e tij politik populli shqiptar do ta vazhdojë edhe me grupet ilegale në vitet ´60-ta me grupin e Adem Demaçit, për të dëshmuar tërë vlerën e saj politike dhe strategjike me demostratat e vitit 1968 dhe 1981, të cilat njihen nga demonstratat më të mëdha në historinë e Kosovës. Me rrethanat e krijuara në Kosovë gjatë periudhës së autonomisë, shqiptarët synonin më shumë, kërkesat e tyre politike ishin të qarta, kurse serbët, të frikësuar se tashmë e kishin humbur Kosovën, shihnin shansin e fundit për ta rifituar ate. Antagonizmi i papajtueshëm i këtyre kërkesave dhe synimeve politike do të nxjerrë në skenën e Kosovës ngjarjet e vitit 1981.
Me Demonstratat e 11 marsit 1981, rinia studentore e Kosovës i tregoi botës se populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të saj në ish – Jugosllavi është i pushtuar dhe i ndarë padrejtësisht nga trungu i Shqipërisë dhe se ai po vazhdon të vuaj nën qizmen e komunizmit serbo – jugosllav, duke iu shkelur të gjitha të drejtat njerëzore dhe kombëtare.
Në verë të vitit 1981, Komiteti drejtues i Organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës- OMLK, shpërndau Tezat për formimin e Republikës së Kosovës- me titull,, Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”. Qëllimi i Frontit për Republikën e Kosovës ishte që Krahina e Kosovës të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të fitojë statusin e Republikës brenda Federatës Jugosllave. Fronti, nuk do të ketë asgjë të përbashkët, por do të jetë kundër LKJ-së dhe organizatave tradhëtare të masave, si LSPP, LRS, LS etj, që janë vegla të shovinizmit serbomadh. Edhe pse me orientim marksist – leninist organizatat ilegale ishin ne thelb atdhetare, perkunder nje pjese tjeter shqipetare qe i sherbenin regjimit kriminal Titst.
Duke u bazuar ne Tezat e frontit popullor, u formua, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës – LPRK. Ky subjekt politiko – ushtarak ilegal, kishte përfshirë në gjirin e saj thuaja të gjithë elementët anti Jugosllav dhe antikomunist që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, nga demonstratat e vitit 1968, 1981, 1989 dhe deri te formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si shkallë më e lartë dhe më kulminante e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare në Kosovë. Organizata ilegale, LPK e formuar më 17 shkurt 1982 është vazhdimësi e lëvizjeve më të hershme ilegale e cila rrënjët e saj i ka në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, të cilën e udhëhiqte Adem Demaçi. Në vitet 1982, 1984, LPRK udhehiqej nga atdhetaret Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe Zija Shemsiu, te cilet njihen si ideatoret e pare te formimit te srtukturave ushtarake ne trojet shqiptare te pushtuara . Aktiviteti i LRSHJ-së, në këtë periudhë do të vë në lëvizje të gjithë elementin atdhetar të ilegales së kohës. Rexhepi dhe Nuhiu e përgatisnin Lëvizjen për sprova të reja të avancimit të saj, në kryengritje të armatosur , si shkallë më e lartë e rezistencës. Ata formuan Organizatën ilegale – ushtarake të quajtur Partia e Luftës së Kosovës – PLK dhe bënë përgatitjet luftarake për kryengritje të armatosur. Ata rane heroikisht duke luftuar me arme ne dore, perballe nje ushtrie dhe policie te armatosur mire, ne kushtet e nje kolonializmi te thelle nga Jugosllavia dhe bashkepunetoret e saj komunist e titist shqipetar.
__________________________________
Këngë për demonstratat e vitit 1981.
…………………………………..
Në vitin 1989, kur pas rrëzimit të Murit të Berlinit, edhe në Evropën Juglindore u bënë përpjekjet për shkatërrimin e sistemit Komunist në atë Demokratik , krahas pranverës së 1981-ës edhe pranvera e ‘89-ës, do të zërë vend në kapitullin e historisë si një ngjarje e ndritshme jo vetëm politike, por dhe ushtarake. Lidhshmëria reciproke e këtyre dy pranverave është edhe disi simbolike, sepse shënon fillimin dhe fundin e shkapërderdhjes së RSFJ-së si shtet “i kombeve dhe kombësive të barabarta, të vëllazëruara dhe të bashkuara” .
Kërkesa popullore për Kosovën Republikë do të hapte beteja politike jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha kryeqytetet jugosllave. Kongreset e LKJ-së, debatet televizive, simpoziumet dhe shtypi jugosllav, do të kishin për temë: “kërkesën armiqësore Kosova Republikë”. LPRK, bashke me Solidarnostin ne Poloni, eshte meritore edhe per ndryshimet politike globale dhe per renien e sistemit komunist ne Europen juglindore.
Në vitin 1989, LPRK-në e udhëhiqnin Fadil Vata, Afrim Zhitia, Ahmet Haxhiu, Arif Seferi, Fahri Fazliu, Bedri Sokoli, Ali Ajeti, Behajdin Allaqi, etj. Gjatë kësaj periudhe në kuadër të LPRK-së formohet edhe sektori ushtarak, i cili punonte në përgatitjen e popullit për kryengritje të armatosur, si opcion i fundit për zgjidhjen e çështjes së pjesëve të shqiptarëve të robëruar “. Veprimtarët e LPRK-së kishin synim organizimin politik dhe strukturimin e organizatës, me futjen e armatimit në Kosovë, për krijimin e kushteve për kryerjen e aksioneve të mundshme guerlie në nivel të Kosovës. Me çështjen e armatimit në këtë kohë ( 1989 ) janë marrë: Ahmet Haxhiu, Sahit Krasniqi, Skender Çeku, Ali Reshani, Halim Krasniqi, Ramadan Vishi etj, ndërsa plani i LPRK-së, ishte pajisja me armatim si një pjesë e strategjisë së përgjithshme për organizimin e luftës së armatosur. Veprimtarët e LPRK-së, kishin kryer disa aksione konkrete të cilat kishin për qëllim pengimin e eksploatimit të pasurive nëntokësore të serbisë nga Kosova.
Më 30 maj të vitit 1989 në qytetin e Podujevës dhe fshatrave të saj, do të dridheshin themelet, e RSFJ-së, sepse ,, Çeta e Llapit” do t’i përgjigjej zjarrit me zjarr. Militantët e LPRK-së, të prirë nga Hasan Ramadani, Ali Ajeti, Bajram Ajeti, Gani Hoxha, Ismet Avdullahu, Sabri Kiqmari, etj, me beteja politiko-ushtarake për Kosovën Republikë, do ti qonin mesazh Beogradit se Kosova kishte dalëzot. Anëtar i kësaj çete me rëndësi strategjike e politike për këtë kohë, ndonëse jo me përmasa të organizimit të mëvonshëm, ishte edhe Zahir Pajaziti. LPK-ja poashtu do të trondiste qendrat evropiane me demonstrata për të vërtetën e Kosovës, kurse LKJ e Kosovës lëshonte gërhamën e fundit së bashku edhe me autonomistët shqipfoles. RSFJ-ja do të rrokullisej me përgjakjen e fiseve sllave.
Ndryshimet politike në Jugosllavi, ndryshe nga vendet e tjera të Evropës Juglindore, kishin ndodhur shumë më parë se në vitin 1989. Protestat në rajonin e Kosovës vazhduan, ndërsa tensionet në mes të Serbisë dhe Republikave tjera u bënë intenzive. Sllovenia dhe Kroacia përgatiteshin të dilnin nga Federata . Më 1 nëntor 1989, në Prishtinë LPRK, kishte organizuar një demonstratë të fuqishme kundër riokupimit që po i bëhej Kosovës. Gjatë protestave të asaj dite nëntori, u vra Bedri Sokoli. Po këtë ditë, pasi protesta kishte përfunduar, Afrim Zhitia udheheqes politik i LPRK-se, ishte vene ne shenjester te UDB-se. Te nesermen me 2 nentor 1989, do të gjendet i rrethuar bashkë me Fahri Fazliun në Breg të Diellit, dhe pas një lufte të pabarabartë ata bien heroikisht. Krismat e Afrim Zhitise ishin krismat lajmetar te nje ushtrie clirimtare qe do te vinte. Edhe në qytete tjera të Kosovës ku kishte pasur demonstrata, armiku plagosi dhjetra demonstrues, ndërsa arrestoi qindra të tjerë.
Mbi gjakun e derdhur ne dekada, më 23 dhjetor 1989 u krijuan kushte per formimin e partise më te madhe legale te Shqiptarëve në Jugosllavi – Lidhja Demokratike e Kosovës –LDK, dhe shumica e shqiptarëve të Kosovës u anëtarësua në këtë subjekt politik, të cilën e udhëhiqte dr.Ibrahim Rugova. Pas rrënimit të autonomisë dhe vendosjes së pluralizmit nën okupim, vija vazhduese e ngjarjeve të vitit 1981( tash të njohur si ish të burgosur politik) u inkuadruan në partitë ekzisuese dhe sidomos në LDK që vlerësohej për momentin si një levizje legale kombëtare. Levizja ilegale (LPRK) vazhdoi veprimin në ilegalitet duke e vlerësuar situatën si të pa përshtatshme për legalizim, sepse Kosova me Serbinë do të ndahej vetëm me luftë dhe asaj i duhet një strukturë ilegale për ditët e vështira. Për Lëvizjen ilegale në Kosovë, veçanarisht për LPRK-në, viti 1990 ka qenë viti i sfidës së madhe. Krijimi i partive politike legale, ndikoi që edhe disa veprimtarë të LPRK-së të kishin kërkesa që LPRK të legalizonte veprimtarinë e saj, ndërsa në anën tjetër, kishte kërkesa për të kaluar në fazë të re të rezistencës së armatosur. Pikërisht në këtë kohë, LPRK filloi të përgatitej për aksione të armatosura në konspiracion tepër të thellë. Vetëm disa njerëz të zgjedhur të cilët ishin piketuar nga sektori ushtarak i organizatës kishin njohuri për këto përgatitje.
______________________________
Demonstratat në Kosovë 1981-1997, (1 – 3)
……………………………..
…………………………………………
_________________________
Në thirrjen e lëshuar në gusht 1990, LPRK, theksonte se nuk është për luftë të armatosur, por nëse pushtuesi luftën na e bën fakt, LPRK, bënte thirrje që ,, pa luhatje dhunës shoviniste t’i përgjigjet me dhunë revolucionare“. Pra LPRK, me kohë i kishte bërë të qartë popullit se Kosova nuk mund të çlirohet me fjalë dhe konferenca shtypi, por vetëm përmes rezistencës aktive dhe luftës së armatosur.
Më 04 shkurt 1991 në shtëpinë e Bajram Prapashticës në Prapashticë, Prishtinë, u mbajt Konferenca e dytë e LPRK-së. Në këtë mbledhje u vendos që të formohet krahu ushtarak i LPRK-së. Gjatë viteve 1990 -1991, LPRK-ja, nga antarësia e saj ndau buxhet për stërvitjen e luftëtarëve të ardhshëm për luftë të armatosur. Luftëtarët stërviteshin në grupe të vogla në Shqipëri. Po për këtë qëllim një delegacion i LPRK-së i përbërë nga Ahmet Haxhiu, Xhavit Haziri, etj, në vitin 1991 u takua më Presidentin e Shqipërisë, z. Ramiz Alia.
Edhe përkundër luhatjes së një pjese të popullit të Kosovës dhe partive legale të sapo formuar, LPRK-ja nuk pranoi të rrëmbehet nga ,, demokratizimi” i RFJ-së dhe i Serbisë. Ajo vazhdoi dhe thelloi luftën në kushtet e ilegalitetit. Në këtë kohë u bënë përpjekje brenda dhe jashtë vendit për të formuar ushtrinë e Kosovës. LPRK, dërgoi grupe të vogla, për t´u ushtruar në Shqipëri, megjithëse, kjo iniciativë e LPRK-së, por edhe e Qeverisë Bukoshi, u hetuan nga pushteti serb.
Nga viti 1991 -1993, sektorin ushtarak të LPRK-së për Kosovë e udhëhiqte Xhavit Haziri, ndërsa në Kroaci, Fehmi Lladrovci, veprimtar i hershëm i LPRK-së, në bashkëpunim me eprorët ushtarak shqiptar, formuan njësitin ushtarak në Gospiq. Gjithashtu, në vitin 1991, veprimtarët e LPRK-së shfyrtëzuan iniciativat dhe organizimet që bëri Qeveria Bukoshi, për stërvitje ushtarake në Shqipëri dhe herë pas here dërgonte grupe të vogla të cilat stërviteshin nga oficer të lartë të Shqipërisë në ilegalitet të thellë. Këtë mundësi e ka shfrytëzuar edhe Adem Jashari, me grupin e tij nga Drenica. Iniciativën për stërvitjen e të rinjëve Kosovarë në Shqipëri e kishin marrë drejtues të lartë të shtetit Shqiptar të cilët ishin vënë në dijeni të një plani serb për spastrimin etnik të Kosovës. Lejen për stërvitje të këtij grupi, të cilët më vonë do ta përbënin bërthamën e ushtrisë së Kosovës, e kishte dhënë Kryetari i atëhershëm i Shqipërisë, Ramiz Alia, dhe Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes së Shqipërisë, Perikli Teta. Në këtë grup kanë qenë, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Sali Çeku e shumë të tjerë. Për të shikuar mundësinë e angazhimit për organizimin e njësiteve të armatosura, veprimtar të LPRK-së, Ramadan Avdiu, Halil Selimi dhe Fehmi Lladrovci, u takuan me Bujar Bukoshin- Kryeministër në ekzil i Kosovës dhe Ramush Tahirin, Ministër i Mbrojtjes. Qëllimi i këtij takimi ishte stërvitja e ushtarëve në Shqipëri. Bukoshi nuk ishte i interesuar të punonte në këtë drejtim dhe takimi përfundoi pa sukses.
Në përpjekje për gjetjen e rrugës për rezistencë aktive, në kushtet dhe rrethanat e krijuara, pas fillimit të shkatërrimit të Jugosllavisë, LPRK, brenda dhe jashtë vendit, filloi konsultimet për hartimin e strategjisë dhe veprimit politiko -ushtarak. Në tetor 1991, në Ujmir të Klinës, LPK, filloi të përgatitet konkretisht për luftë të armatosur, ngase politika pacifiste sipas saj ishte e dështuar. Në nëntor të vitit 1991 në Prekaz, Adem Jashari kishte krijuar formacionin e parë ushtarak. Në mëngjesin e 30 dhjetorit 1991 kishte rrethuar familjen Jashari në Prekaz. Pushka e Adem Jasharit dhe formacioni i tij ushtarak në dhjetor 1991 është fillimi i një epoke të re, epoka e UÇK-së dhe e Adem Jasharit. Fillimisht formacioni i Adem Jasharit nuk është quajtur UÇK, por Ushtria e Kosovës.
Pas organizimit te ,, zgjedhjeve të lira” nën okupim nga Serbia me 24 Maj1992, të udhëhequra nga LDK, LPRK, duke e parë se Parlamenti dhe Qeveria e zgjedhur më herët, por edhe Presidenti nuk janë të përgjegjshëm për detyrat që kanë, mori vendim, që të mos bëhet pagesa në fondin e Qeverisë, por që mjetet financiare dhe materiale t’i investoj drejtpërsëdrejti në luftën çlirimtare. LPRK, me kohë kishte kundërshtuar politikën pacifiste të mosbërjes. Ajo punonte që lufta e cila ishte në prag të shpërthimit, popullin ta gjejë psiqikisht të përgatitur, por edhe në aspektin e armatimit. Për këtë, në mars të vitit 1992 me vendim politik, Këshilli i LPRK-së për Drenicë, ka bërë sulmin e parë të armatosur mbi policinë serbe, në stacionin e autobusëve në Drenas. Përgatitjet janë bërë në fshatin Shkabë të Drenasit në shtëpinë e Fehmi Lladrovcit. Përmes aksioneve kundër policisë serbe, LPRK në trojet shqiptare mundohej t’i bënte me dije opinionit vendor dhe atij të huaj se shqiptarët dijnë edhe të luftojnë për të fituar drejtat dhe lirinë e tij. Në vitet 1991 -1992, Kryesia e LPRK-së në Gjermani, takohet disa herë me Qeverinë në ekzil, që udhëheqej nga Bujar Bukoshi, të cilit iu bë thirrje për bashkëpunim në interes të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Në takimin në mes të LPRK-së dhe Qeverisë Bukoshi, të datës 5 dhjetor 1992, merrte pjesë edhe Ramush Tahiri, zv. Kryeminstër. Pasi nga të gjitha takimet e zhvilluara nuk ishte arritur gjuhë e përbashkët për të vazhduar më tutje dhe pasi organet e LPRK-së ishin mjaft të konsoliduara si në Kosovë ashtu edhe në D.J.V, në vitin 1993, LPRK, vendosi që si subjekt më vete të marrë masa për organizimin e veprimtarisë ilegale ushtarake në Kosovë.
Në prill të vitit 1993, në fshatin Kollare, afër Kërçovës, u mbajt Mbledhja Konsultative e LPRK-se. Në mbledhje u diskutua rreth situatës aktuale politike kombëtare e ndërkombëtare, me theks të veçant rreth gjendjes në Kosovë dhe në Maqedoni, të cilën OKB-ja, e pranoi si shtet te ri, me pretekstin e krijimit të një zone stabile në këtë pjesë të Ballkanit, por pa njohur vullnetin e mbi 1 milion shqiptarëve që jetojnë në këtë Republikë. Në kete mbledhje, udhëheqës dhe aktivist të LPK-se nga të gjitha territoret shqiptare në ish jugosllavi, deklaruan se ,, LPRK, përkrah dhe mbështet grupet e armatosura në Kosovë”. Ajo mori vendim që të bisedojë me këto grupe për unifikimin e aksioneve dhe të veprimtarisë në një grup të vetëm dhe në një emër të përbashkët. Më 28 -29 korrik 1993, në ,,Kodrën e Trimave” në Prishtinë, u mbajt Mbledhja e katërt e Përgjithshme e LPRK-së. Poashtu u mor vendim i rëndësishëm për afrimin e bërthamave të armatosura që i kishte krijuar LPRK dhe strukturimi i tyre, për kalimin në fazën e organizimit të luftës së armatosur.
Në programin e LPK-se, të miratuar në Mbledhjen e katërt të Përgjithshme, në nenin III, thuhet: “Për arritjen e aspiratave kombëtare, LPK do të përdor të gjitha mjetet e luftës çlirimtare: demokratike, paqësore e politikë dhe të rezistencës së armatosur“, pra LPK, si mjet për arritjen e qëllimit, parasheh, luftën e armatosur për çlirimin e Kosovës”. Ideja për emërimin e ushtrisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK, është realizuar nga sektori i veçant i LPK-se. Ndërtimi i njësiteve të para ushtarake, paraqiti nevojën para organeve udhëheqëse të LPK-se edhe detyrën e financimit të tyre. Fillimisht financimi i njësiteve ushtarake u bë nga financat e LPK-se, ndërsa ne fund të vitit 1993, LPK, formoi Fondin ,, Vendlindja Thërret“, i cili tanimë nuk i takonte vetëm asaj, por ishte në shërbim të luftëtarëve të lirisë dhe i zbatonte me përpikmëri kërkesat dhe urdhërat e Shtabit Qendror të UÇK-se.Në vitin 1993, kur veprimtarët e LPK-së burgoseshin, rraheshin dhe vriteshin, legalistët i etiketonin ato me lloj lloj epitetesh si: ,,Lëvizja është organizatë ilegale“ ,,Lëvizja është organizatë marksiste – leniniste, kundër Qeverisë së Kosovës dhe 3-përqindëshit“ etj. Edhe përkundër sulmeve që i bëheshin LPK-së si nga pushtuei serb, por edhe nga partitë legale në Kosovë, veqanarisht nga LDK-ja, LPK nuk u lëshua asnjëherë në luftë ideologjike, as në interesa të ngushta partiake, për ti akuzuar subjektet legale politike në Kosovë, të cilët në shumicë vinin nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë. UÇK, i ka rrënjët e saj te organizatat nacionaliste, të cilat vepruan në fund të viteve‚ 70 –ta, veçanarisht te LPK-ja Rënia heroike e Naser Hajrizit më 1981, e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës më 1984, e Bajram Bahtirit, Bedri Sokolit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut më 1989, e Ali Ajetit, Hasan Ramadanit, Arif Seferit e shumë të tjerëve, i kishte nxitur veprimtarët e devotshëm të LPK-së dhe të çështjes kombëtare që lufta të vazhdojë deri në çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare.
Aksionet e armatosura të njësiteve guerile gjatë viteve 1991, 1992, 1993, janë parahistoria dhe provë për formimin e UÇK-së. Aksione të kohëpaskohshme pati thuaja në të gjitha rajonet, qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Fillimisht, njerëzit e angazhuar në UÇK ishin të pakët, kryesisht anëtar të LPK-së, krahut ushtarak të saj. Aksionet e para të kryera në Kosovë dhe ato të mëpastajmet, nuk u panë me sy të mirë, nga politika pacifiste, e cila ende kishte ndjenjën iluzioniste të bërjes së lirisë. Anatema për UÇK-në dhe veprimet e saj, fatkeqësisht, ishte shumë prezente në një pjesë të subjektit politik të Kosovës të asaj kohe. Ashtu siç u quajtën të parakohshme dhe u anatemuan nga udhëhqja Komuniste e Kosovës, demonstratat e vitit 1981, poashtu u anatemua dhe u etiketua edhe dalja në skenë e UÇK-së, nga udhëheqësit e politikës pacifiste të Kosovës.
Bazuar në dokumentet e LPK-së, më 17 nëntor 1994, edhe juridikisht, LPK ndërtoi subjektin e saj ushtarak, UÇK-në. Pas analizës mbi baza politike, ushtarake e Juridike, si dhe pas diskutimit të gjerë me vota unanime, 7-të për ( tër anëtarët e Kryesisë) dhe asnjë kundër, u pranua propozimi që kjo forcë ushtarake që u organizua dhe po udhëhiqej nga LPK-ja, të emërtohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK.
Kthesa e madhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës u bë veqanarisht pas Konferencës së Daytonit, më 1995, kur shqiptarët e kuptuan përfundimisht se Kosova nuk mund të çlirohet pa luftë. Në këtë Konferencë çështja e Kosovës dhe konflikti shqiptaro – serb, edhe pse ishte folur shumë herë, u anashkalua dhe prej aty filloi zhgënjimi dhe mosbesimi në rezistencën paqësore. Marrëveshja e paqes e Daytonit u solli Kosovarëve edhe një tjetër zhgënjim të hidhur. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Daytonit më 1995 i diskreditoi ,,institucionalistët e rrugës paqësore“. Fakti që Daytoni kishte filluar ta rrënonte Rugovën, nuk ishte dukuri që u dallua menjëherë. U desh kohë dhe punë e pandërprerë nga LPK-ja dhe UÇK-ja për të bindur njërëzit se kishte edhe një alternativë tjetër, përveq qëndresës pasive. Një nga arsyet pse ndodhi kjo kaq ngadal ishte se LDK-ja kishte kontroll të drejtëpërdrejtë mbi pjesën më të madhe të mediave në gjuhën shqipe të cilat ndiqnin vijën e LDK-së. Përgjigjien më të duhur, për arsyen e mospranisë së çështjes së Kosovës në Dayton e kishte dhënë, Rudolf Perrina, shef i Misionit diplomatik të SHBA-ve në Beograd, dhe pjesëmarrës në Konferencën paqësore për Bosnje e Hercegovinën në Dayton, pas një takimi me Dr. Ibrahim Rugovën në Prishtinë- Pyetjes se pse në Dayton nuk u hap çështja e Kosovës, z. Perrina iu përgjigj se në Dayton janë ftuar ata që kanë luftuar . Kosova filloi të shëndrrohet në problem ndërkombëtar vetëm pas konfrontimeve të para të armatosura në Kosovë midis njësiteve guerile të UÇK-së dhe forcave ushtarako – policore serbe.
Vitet 1996- 1997, ishin vite të zhvillimeve të mëdha në trojet shqiptare të ndara padretjësisht, në Konferencat e fuqive të mëdha. Më 1 shtator 1996 Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova nënshkroi dogovorin (marrëveshjen) me Kryetarin e Sërbisë, Sllobodan Millosheviq për ,, përmirësimin“ e kushteve të arsimit në Kosovë. Më 31 janar 1997 në fshatin Pestovë të Vushtrrisë vriten tre udhëheqësit e UÇK-së, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Në mars 1997, në Shqipëri, ndodhën revoltat e mëdha të qytetarëve kundër skemave piramidale, duke e sjellur shtetin shqiptar në një kaos politik dhe ekonomik, por duke sjellur edhe pasiguri dhe viktima të shumta. Këto ngjarje u përjetuan shumë rëndë tek shqiptarët kudo që ishin në trojet e tyre, sepse lufta që ishte në prag, kërkonte një Shqipëri stabile, të fortë dhe krah i fuqishëm i çështjes së Kosovës. Megjithë anët negative, këto revolta ndikuan që ushtarëve e UÇK-së, t’u krijohen mundësi më të mëdha për furnizim me armatim dhe mjete tjera të nevojshëm për luftë. Logjikën e injorimit dhe të luftimit nga brenda të UÇK-së, e thyen rinia studentore, e UPSUP-së, të cilët të udhëhequr nga Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli, Albin Kurti etj, dhe të përkrahur fuqishëm nga Rektori Ejup Statovci dhe profesorët patriot të UP-së, përkundër shumë pengesave arritën që më 1 tetor të vitit 1997, të organizojnë protesta në Prishtinë. Pas këtyre protestave, politikës pacifiste filluan tu ik situata nga duart dhe shumica e studentëve dhe popullit të thjesht, dolën në përkrahje të UÇK-se. Rënia heroike e tre themeluesve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, në janar të vitit 1997, aksionet e armatosura të njësiteve të UÇK-se, gati në të gjitha pjesët e Kosovës, arrestimi i një pjese të udhëheqësve të UÇK-së, veçanarisht të Nait Hasanit më 28 janar 1997, pastaj ngjarjet e marsit të këtij viti në Shqipëri, protestat e studentëve më 1 tetor 1997, rënia heroike e Ardian Krasniqit, më 15 tetor 1997 dhe ngjarjet që rrodhën gjatë periudhës së dytë të vitit 1997, në Prishtinë, sollën një gjendje të re politike në Kosovë dhe Shqipëri, por ato e ndryshuan edhe gjendjen organizative dhe logjistike të UÇK-së.
Më 28 nëntor 1997, tre ushtarë të UÇK-së do të flasin në emër të saj, në një ceremoni varrimi në Drenicë. Dalja publike e UÇK-së ka qenë e veçantë, sepse mijëra qytetarë nga të gjitha vendet e Kosovës e pritën me duar hapur. Aty iu kthye besimi popullit se kësaj radhe është një forcë që do t’i dalë zot vendit. Edhe mesazhi ishte i qartë se ushtarët e UÇK-se, janë të gatshëm të sakrifikohen për ta fituar lirinë. Udhëheqja politike e LDK-së e mohoi për një kohë të gjatë ekzistencën e UÇK-së. Në fillim të paraqitjes së UÇK-së, Kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova e quajti UÇK-në si ,,shpikje serbe për të përligjur sulmet brutale të forcave të sigurimit mbi popullsinë civile shqiptare“. Ky qëndrim i Kryetarit të Kosovës, ne kundershtim me Kushtetuten e Republikes se Kosoves, nënkuptonte padiskutueshëm edhe mosbashkëpunimin e tij me të gjithë ata që ishin të gatshëm ta përgatisin popullin për luftë çlirimtare.
Në maj te vitit 1997, pas insistimit dhe këmbëngulësisë së Fehmi Lladrovcit e të shokëve të tij, Kryesia e LPK-së e miratoi kërkesën e grupit që t´i shkojnë në ndihmë Adem Jasharit dhe ushtarëve tjerë të UÇK-së të cilët operonin në rajonin e Drenicës, Llapit, Dukagjinit etj. Grupi i prirë nga Fehmi e Xhevë Lladrovciu nisën nga Tirana për në kufi. Më 06.05.1997, nga Vlahna e Kukësit grupi është nisur për të thyer kifirin shqiptaro – shqiptar. Në në këto luftime mbeti i vrarë Luan Haradinaj.
Janari i vitit 1998, solli me vete kumtin e fundit të paqes së rrejshme në Kosovë. Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ndërtohej mbi qëndrimin e njohur siç ishte mospranimi i gjendjes status-quo dhe kundërshtimi i aspiratave të shqiptarëve për pavarësi. Mbi këtë bazë, gjatë vitit 1998, Grupi i Kontaktit dhe qendrat tjera ndërkombëtare të vendosjes përmes diplomacisë së ashtuquajtur lëvizëse, do të udhëtonin sa në Beograd e sa në Prishtinë për të gjetur një zgjidhje politike për Kosovën, përmes negociatave. Robert Geldbard në një nga takimet e tij më 23.02.1998, me Kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova në Prishtinë, publikisht e akuzoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa kërkonte forcimin e lidershipit politik të moderuar në krye me Ibrahim Rugovën dhe pranimin për mbajtjen e zgjedhjeve Parlamentare më 22 mars, të cilat do të përshpejtojnë shpërthimin e luftës në Kosovë. Ky veprim i diplomatit amerikan, skajshmërisht akuzues për UÇK-në, në të vërtet i dha forcë shtytëse në aspektin politik LDK-së, ndërsa në aspektin ushtarak e trimëroi Sllobodan Millosheviqin, për të marrë një ofensivë për zhbërjen e UÇK-së. Natën e 4 dhe 5 marsit 1998, forca të mëdha policore e ushtarake e kishin rrethuar Prekazin dhe lagjen e Jasharajve. Ndonëse skajshmërisht të pabarabart, pas tri ditë e tri net luftimesh e rezistence të armatosur ranë heroikisht komandanti Adem Jashari dhe 55 dëshmorë të lirisë. Lufta heroike e Jasharajve pushtoi të gjitha mediat dhe vuri në lëvizje politikën botërore. Më 9 mars Grupi i Kontaktit miratoi një deklaratë për Kosovën e cila denonte Beogradin dhe e paralajmëronte se do të merren masa shtrënguese nga tyre. Pas ngjarjes së Prekazit, në një takim me Kryetarin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq, në Beograd, Robert Gillbard i kishte thënë atij se ,, duke sulmuar popullsinë civile, në përpjekjet e tij për ta eleminuar UÇK-në, ai në të vërtetë po shëndrrohej në agjentin e UÇK-se për rekrutim“.“, ndërsa Kryetari i Kosovës, deklaronte se ,, Në Kosovë nuk mund të ketë luftë normale, por mund të ketë vetëm masakër. Serbët për dy ditë do të mund të na shkatërronin të gjithëve. Edhe pse në Drenicë ishte gjendje lufte dhe vriteshin shqiptarët, LDK, e përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare, më 22 mars 1998 mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Kosovë, ndërsa të nesërmen më 23 mars në Prishtinë nga grupi 3+3 në mes palës serbe dhe asaj të Kosovës, nënshkruhet aneksi për normalizimin e arsimit shqip në Kosovë. Grupi i Kontaktit ka kërkuar që sa më shpejt të fillojnë bisedimet Prishtinë-Beograd, për një autonomi të gjerë dhe vetë administrim të mirëfillt të Kosovës, ndërsa, Këshilli i Evropës, nxori një rezolutë, sipas së cilës “kërkohej fillimi i bisedimeve të menjëhershme të Serbisë – RFJ me shqiptarët për një autonomi të Kosovës në kuadër të RFJ-së”.
Më 15 maj 1998, Ibrahim Rugova, takohet me Sllobodan Millosheviqin në Beograd. Për këtë vendim sensacional dhe të pabesueshëm të Rugovës nuk kishte ditur as G-15, të cilët u informuan nga mediat perëndimore. Po atë ditë derisa po mbahej takimi Millosheviq – Rugova në Beograd, forcat serbe në Kosovë kishin ndërmarrë një operacion të gjerë luftarak dhe me këtë rast vranë e masakruan dhjetra shqiptarë të pafajshëm. Delegacioni shqipëtar kishte kërkuar nga Millosheviqi mundësinë e krijimit të Republikës së Kosovës si një nga tri njësitë e Jugosllavisë së mbetur, përkatësisht që ,, Kosova të jetë Republikë në një Konfederatë Jugosllave” Politika pacifiste e disa subjekteve politike shqiptare në Kosovë, e cila udhëhiqej nga Ibrahim Rugova, LDK, Mark Krasniqi, PSHDK dhe Gjergj Dedaj PLK, bënin propagandë kundër luftëtarëve të lirisë. Ata ishin strukur ne zyrat e tyre në Prishtinë dhe ftonin popullin që të mos i bashkohet UÇK-së, sepse, sipas tyre këta janë marksistë – leninist, enveristë dhe dorë e zgjatur e Serbisë, prandaj rrjedhimisht janë edhe kundër Kosovës dhe intersave të saj. Qeveria e Bujar Bukoshit në mërgim, dy herë radhazi kishte dështuar me ministrinë e saj të mbrojtjes. Më 1991, Ministër i Mbrojtjes i Kosovës ishte caktuar, Anton Kolaj, i cili në tetor – nëntor të këtij viti kishte bërë organizimin e shkruarjes për stërvitje ushtarake në Shqipëri, por grupi ishte dekonspiruar dhe ishte detyrar të punoj i pavarur nga qeveria, ndërsa herën e dytë, më 1993, kur ishte caktuar Hajzer Hajzeraj , i cili në valën e arrestimeve të këtij viti ishte arrestuar, bashkë me Haxhi Feratin, Adem Salihajn etj. Tanimë që lufta veq kishte filluar, Bujar Bukoshi nuk pranonte bashkëpunimin me UÇK-në e as të bashkonte fondin e saj me fondin e luftës ,,Vendlindja Thërret”. Këto ndarje e përcollën Kosovën deri në përfundim të luftës. Qeveria Bukoshi, kishte formuar një ushtri tjetër, të quajtur Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK. Përderisa UÇK-ja çdo.ditë përballej me forca të shumta të armikut, pjesa dërmuese e ushtarakëve të FARK-ut, agjitonin kundër luftës. Qeveria, kishte caktuar Ministër të Mbrojtjes Ahmet Krasniqin, por ushatarakët nuk e pranonin ate për udhëheqës dhe si pasojë ishin shkaktuar shumë përqarje në mes të Qeverisë, UÇK-së dhe ushtarakëve që ishin të interesuar të hynin dhe të luftonin në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi mendonte ta merrte flamurin e luftës në Kosovë, tani kur lufta në Kosovë veq kishte filluar dhe UÇK-ja kishte dhënë me dhjetëra dëshmorë të saj. Por si duket ky nuk ishte qëllimi dhe misioni i Qeverisë së Bukoshit dhe i atyre që e përkrahnin atë në Kosovë. Ata më shumë se t’a udhëheqnin, dëshironin t’a pengonin luftën çlirimtare, që kishte filluar në Kosovë.
Megjithate, FARK-u nuk qe në gjendje të ushtronte ndonjë ndikim në rrjedhën e ngjarjeve të luftës në Kosovë. Shumë prej atyre pak njerëzve që bënin pjesë në njësitet e FARK-ut, me të hyrë në Kosovë, u bashkuan me UÇK-në dhe u mirëpritën nga bashkëluftëtarët, sepse shumica e tyre, si ish’oficer të ushtrisë Jugosllave , kishin njohuri dhe aftësi të specializuara. Pas masakrës së Reçakut më 15 janar 1999, ku serbët masakruan dhjetëra gra, fëmijë e pleq, Bashkësia Ndërkombëtare dhe NATO-ja ende ngurronin për të vepruar ushtarakisht dhe ende nuk ishte e vendosur kundrejt barbarive serbe. Pas kësaj masakre ajo më në fund u bind se çështja e Kosovës do zgjidhje politike dhe filloi t´i intestifikojë përpjekjet e saj për zgjidhjen e problemit të Kosovës, ndërsa kulminacioni i këtyre përpjekjeve do të jetë organizimi i Konferencës së Rambujesë.
Më 6 shkurt 1999, filloi në Rambuje afër Parisit Konferenca e Paqës. Delegacioni shqiptar prej 16 vetash përfshinte udhëheqësin e moderuar Ibrahim Rugovë, gazetarin Veton Surroi, Akademikun Rexhep Qosja dhe delegacionin e UÇK-së. Delegatët zgjodhën Kryetar, Drejtorin e Drejtorisë politike të UÇK-së, 29 vjeçarin Hashim Thaçi. Zgjedhja e Thaçit për Kryetar të delegacionit, pasqyronte rënien e vazhdueshme të Kryetarit Ibrahim Rugova. Mesazhi i zonjës Albrighte për shqiptarët në Rambuje ishte ,,Ju jeni udhëheqës. Jeni zgjedhur për të përfaqësuar popullin tuaj. Mendohuni mirë para se t’i denoni ata me një luftë. Po e hodhët poshtë për pasojë do të vazhdojë lufta, që ju do ta humbni, e bashkë me te edhe mbështetjen ndërkombëtare“. Sipas Marrëveshjes, UÇK-ja do të detyrohej të çarmatosej dhe nuk do të ishte më e pavarur ushtarakisht. Përfaqësuesit e UÇK-së e kundërshtonin pikërisht këtë pikë të rëndësishmë të propozuar në Rambuje. Autoritet Serbe, në anën tjetër kundërshtonin tërheqjen e forcave të tyre nga Kosova.
Në një deklaratë të leshuar për opinion, me titull ,, UÇK nuk është krijuar në Kosovë për të kapitulluar në Rambuje “. LPK i bën thirrje delegacionit shqiptar të qëndroj unik dhe kërkon që në marrëveshjen finale të definohet qartë përcaktimi historik i popullit shqiptar për të ardhmen drejt pavarësisë, strukturimi i UÇK-së, ndërtimi i Kushtetutës së Kosovës si akt themelor i çdo shteti, largimi i menjëhershëm i trupave pushtuese serbe dhe lirimi nga burgjet i të gjithë të burgosurve politik shqiptar. Faktorët ndërkombëtar duhet të kenë parasysh se, pavarësisht nga dallimet, në kërkesën e drejtë – pavarësinë e Kosovës, shqiptarët janë dhe do të mbeten unik: ,,A ishte UÇK-ja krahu i armatosur i LPK-së?”. Ndoshta dhe mund të jetë, apo edhe të kuptohet kështu, por LPK kur mori vendim që të përkrah grupet e armatosura që po operonin gjatë viteve 1991 -1993 nuk kishte menduar nga ky kënd. Ajo nuk e kishte menduar asnjëherë as atë se ajo mund të përfitoj politikisht. LPK, këtë e kishte bërë për t´i qëndruar besnik programit dhe statutit të saj dhe poashtu për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të cilën nuk e mbronin dhe nuk e respektonin subjektet politike pacifiste që thirreshin në emër të saj sa për formë e mashtrim. Në nenin 77 të Kushtetutës së Kosovës të shpallur më 7 shtator 1990 në Kaçanik shkruan: “Mbrojtja e vendit është e drejtë e pa cenueshme dhe e pa tjetërsueshme, obligim dhe nder i madh i çdo qytetari”. Pra, LPK ishte një organizatë serioze politiko – ushtarake e shqiptarëve të Kosovës. Ajo dinte çka donte, ajo dinte ta përgatiste tërrenin për ta realizuar atë që aspironte dhe që ishte dëshirë e vullnet i popullit. Por, mbi të gjitha, LPK ishte një organizatë politike e cila atë që e thoshte dhe e kishte në program e në dokumentet e saj e mbronte me xhelozi dhe e realizionte me sukses.
Fatkeqesisht, pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 23.06.99, në Prizren, padrejtesisht dhe per interesa te disa individeve, u vendos qe LPK të shuhet si organizatë politiko – ushtarake dhe të formohet një parti politike-PDK.
Megjithate, në nëntor 1999, Emrush Xhemajli – ish Sekretar i Përgjithshëm shumëvjeçar i LPK-së, Dega Jashtë Vendit, i cili nuk kishte marrë pjesë në asnjërën nga mbledhjet të organizuara pas luftës për kalimin e LPK-së në PDK, Fazli Veliu- ish Kryetar, Gafurr Elshani ish’arkatar i LPK-së dhe bartës i disa funksioneve në LPK, para luftës në D.J.V, ishin të mendimit se LPK ende nuk e kishte realizuar programin e saj dhe se duhet të vazhdojë luftën çlirimtare në Maqedoni dhe në Kosovën Lindore. Ky ishte edhe synimi përfundimtar i LPK-së dhe betimi i ushtarëve të UÇK-së. Gjate viteve 2000 /2001, LPK organizoi edhe dy luftra clirimtare ne Presheve dhe ne trojet shqiptare ne Maqedoni. Edhe perkunder largimeve dhe sulmeve te njepasnjeshme, LPK ende funksionon si subjekt politik ne Kosove dhe trojet e pushtuara, si dhe jashte vendit. Nëse në të ardhmen kur do të shkruhet pa paragjykime historia e popullit shqiptar e viteve ´80-ta dhe ´90 -ta, te shek.XX, është e pa mundur të anshkalohet roli kolosal i organizatës politiko -ushtarake, siç është Lëvizja Popullore e Kosovës.
(Kjo Kumtesë u lexua në Tryezën shkencore për nder të 100 – vjetorit të Shqiperisë dhe 134 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të organizuar nga Bashkimi i Intelektualeve Shqiptar në Zvicër, mbajtur më 16. 06. 2012 në Solothurn -Zvicër)