MR.SC.REXHEP AHMETI: AZEM VLLASI – SHTREMBËRUESI I FAKTEVE HISTORIKE (II)

Mitrovicë, 13. 01. 2013 – (4. Udhëheqjet shqiptare të ish-Krahinës së Kosovës dhe roli i tyre (kryesisht negativ) në Revolucionin kombëtar të Kosovës) – Edhe vet Azem Vllas(t)i i cili po mendon se vetëm ai mund të jetë formulues i opinionit publik edhe sot, kur po e “informon” (kupto dezinformon) brezin e ri i cili ka lindur pas vitit 1988, për të mos i pranuar gabimet e tij objektive, shtrembëron faktet reale historike, të cilat i dimë dhe i mbajmë në mend shumica nesh që kemi qenë pjesëmarrës të ngjarjeve të përditshme kundër robërisë. Ende mbajmë mend zërin me gërryes, zërin më neveritës e të urryer reaksionar që përmes të të gjitha medieve torturonte kombin shqiptar të cilit ia burgoste e shkatërronte edhe trurin, udhëheqësit shpirtëror e politik, elitën vërtetë revolucionare.
Tani, po ai Azem Vllas kritikon (me të drejt “kujat e trojës” që u bënë me Milosheviqin dhe cek përçarjen e udhëheqjes së atëhershme (të kohës së grevave të minatorëve) por e mohon faktin tjetër se edhe ai vet ka bërë të njëjtin veprim, kur u diferencua nga elita e vjetër politike, “elita partizane”, siç e quan ai, dhe nuk e përkrahu përpjekjen e udhëheqësit kryesor zyrtar të viteve 1981, Mahmut Bakalli për të mos i kualifikuar “ngjarje kundërrevolucionare“ demonstratat revolucionare të vitit 1981. Këtu kemi parasysh mendimin e Ukshin Hotit për rolin edhe pozitiv të Mahmut Bakallit lidhur me demonstratat e viti 1981, pa i harruar fare huqet, boshësitë e gabimet tjera (që janë shumë, pa dyshim) të Mahmut Bakallit.

Binomi:Azem Vllasi&Sllobodan Millosheviq.

As udhëheqja zyrtare e KSAK të kohës së Fadil Hoxhës, as ajo e Mahmut Bakallit, e aq më pak ajo e politikanit me “kapacitet të madh” jugosllav Azem Vllas(t)it nuk kishin motiv dhe qëllim të vërtetë kombëtar e social për popullin shqiptar në Kosovë, të cilin pretendonin se e përfaqësonin; nuk ishin në gjendje dhe nuk kishin qëllim e plan ta demokratizonin e çlironin Kosovën nga okupuesit e Jugosllavi-Serbisë, por e luftonin dhe eliminonin, me të gjitha mjetet politike e të dhunës (pos tjerash edhe me burgosje dhe vrasje) elitën shqiptare vërtetë revolucionare, që kishte Qëllim (plan) dhe Aksion Çlirimin dhe Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Pra, në përgjithësi, të gjitha elitat politike zyrtare të ish-Krahinës së Kosovës (me përjashtim të pak individëve që ishin brenda tyre) as nuk ditën as nuk deshën (nuk dëgjuan, nuk mësuan kurrë) të jenë pararojë e popullit, ashtu siç proklamonin, prandaj as që kishin motiv e plan, siç kishin, elitat zyrtare të kombeve tjera të ish-Jugosllavisë. E lëre që nuk dëgjuan thirrjet dhe mësimet e Ilegales Shqiptare të Kosovës e politikës zyrtare të atëhershme të Shqipërisë, por nuk mësuan, sidomos nga përvojat e pasura politike të sllovenëve dhe kroatëve, nuk dëgjuan as thirrjet a atyre që deklaronin se i kanë më të afërm politik, të udhëheqjeve sllovene e kroate për kundërvënien qoftë politike (sllovenët dhe kroatët patën plan unik të brendshëm, jopublik) që u përgatitën edhe para vitit 1990 për shkëputje nga hegjemonizmi serbomadh), qoftë të armatosur kundër hegjemonizmit serbomadh me kohë dhe përvojat konkrete të tyre. 
Po e ilustrojmë këtë konstatim me një shembull konkret, në vijim.
Në vitin 1987 në TV Lubjanë (Slloveni) Azem Vllasi dhe Rrahman Morina promovuan antishqiptarizëm dhe antirepubikanizëm në një debat për media, Azemi deklaron ”se hapësira e Kosovës është kombëtarisht e përzier dhe nuk do te ketë shtet të pastër nacional” të cilin, sipas shtrembërimeve të Azem Vllasit, po e kërkon një shtresë (slloj- shprehet serbokroatisht/) e shqiptarëve të Kosovës. Ai deklaron, se “praktikisht është zgjedhur çështja nacionale ne Jugosllavi, është realizuar çlirimi i plotë nacional, është arritur liria e plotë nacionale, përmes fitores së revolucionit socialist”, duke u shprehur komod serbokroatisht me termat-puno nacionalnu sllobodu, pobeda sicialističke revolucije.. etj. Shprehet gjithashtu se nuk ka shanse që të realizohet Shqipëria e Madhe, sepse kjo platformë është një anakronizëm i rëndë historik (serbisht: težak historijski anahronizam, nënv.im) dhe se parullat e nacionalisteve ekstremistë shqiptarë, konceptet e platformat e tyre nuk kanë asnjë shans historike të lëshojnë rrënjë ne vetëdijen e ndërzeve, pra të shqiptareve.” (11)

Binomi: Rrahman Morina&Azem Vllasi

Ndërsa Sanço Pançoja me mustakë, Rrahman Morina, armiku tjetër, i shqiptarizmës (i cili gllabëronte shqiptarë/e që e bartnin idenë e shqiptarizmës dhe luftonin për realizimin e saj në trojeve e veta) me padurim (sikur nuk i pritet të raportoj dikujt, që mendonte se do ta shpërblente) shprehet serbisht (vetëm udhëheqësi i debatit që ishte slloven fliste sllovenisht!) në ketë emision: ”Lidhur me këtë që tha shoku Azem, gjatë aktivitetit, organe e Punëve të Brendshme kanë zbuluar një organizatë të madhe armiqësore që vepronte nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe që kishte për qëllim “Shqipërinë e Madhe” e cila quhej Lëvizja për Çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, (është fjala për LNÇKVSHJ-në, që Rrahman Morina e përkthen, në këtë emision me Pokret za Osllobeđenja Kosovo i Drugih Albanski Krajeve Jugosllavije, e cila është shkatërruar nga organet tjera dhe sigurimi i shtetit-deklaron Rrahman Morina. Mbetje nga kjo organizatë ka, por vazhdojnë punën e përditshme organet tona…. Kemi zbuluar edhe 8 organizata tjera të ngjashme me program plotësisht identik. Kanë qenë 90 grupe të pavarura të këtyre organizimeve..” – i raporton ai, padronit të vet. Kështu, vepronte, pra elita e re, jo partizane e Azem Vllasit kundër shqiptarëve dhe idesë së tyre, në të cilin drejtim shkonte edhe më tutje e bënte edhe më keq se që kishte bërë elitat politike shqiptare, apo udhëheqjet politike të ish-KSAK-së, qofshin ato partizane apo jo partizane. 
Dhe Don Kishoti politik, i atëhershëm e i sotëm Azem Vllasi, mu në momentet kur në vitin 1987, veç po shihej se po shtrembërohej për t’u shembur ndërtesa e ish-Jugosllavisë dhe kur ai me elitën e tij duhej të lidhte aleanca (apo koalicione) të fshehta me sllovenët e kroatët kundër hegjemonizmit serb që po vendoste Millosheviqin në krye të federatës jugosllave.
Azem Vllasi me suitën e tij (elitën jo partizane) luftonin çmendurisht ecjen përpara të Revolucionit të vërtetë shqiptar në Kosovë dhe Programin e Aksionin e tij e “quanin anakronizëm të rëndë historik” me çka argumentonin, edhe njëherë, se janë shërbëtorë besnik të jugosllavizmit në shkatërrim e sipër dhe armiq të deklaruar në aksion të përhershëm kundër shqiptarizmës. Me këto veprime donkishoteske krejt antihistorike, Azem Vllasi dhe elita e tij, sikurse edhe elitat e mëparshme të KSAK-së, (por elita e Vllasit ishte më ekstremistja kundër shqiptarizmës dhe trojeve shqiptare) nuk e shkaktonin vetëm mallkimin dhe urrejtjen e kombit shqiptar por e shkaktonin edhe nënçmimin dhe urrejtjen e elitave politike në pushtet të sllovenëve e kroatëve, të cilëve azemvllas(t)ët e Kosovës ua këputnin edhe shpresat e fundit për koalicion a aleancë klandestin kundër Millosheviqit. Kështu tandemi Azem Vllasi – Rrahman Morina, si “udhëheqësit” kryesorë, apo “përbërësit më markantë të elitës kosovare-jugosllave” të KSAK-ës në opinionin politik zyrtar të ish-njësive federale të ish-Jugosllavisë krijonte përshtypjen a opinionin sipërfaqësor se shqiptarët e Kosovës dhe ata në viset tjera shqiptare të Jugosllavisë nuk po duan të çlirohen e shkëputen nga shovinizmi serbomadh dhe që, thuaja se, e kishte instrumentalizuar RSFJ-në.
Aq shumë ishte dashuruar Vlas(t)i dhe elita e tij, në idenë e jugosllavizmit, sa që nuk e shihnin dot, se kjo ide ishte duke dhënë shpirt mu në vitin 1987, kur Azem Vllasi e Rrahman Morina po raportonin në gjuhën serbokroate lidhur me mbrojtjen e saj para padronit serbomadh, që ishte, edhe ai, në TV-Lubjanë, e me të cilët çuditej dhe nevrikosej, në heshtje, udhëheqësi slloven i atij emisioni, të cilin çdo kush që dëshiron mund ta shikoj edhe sot në Yotube, nën titullin: Fillimi i shkatërrimit të RSFJ-së.

_______________________

Flet binomi: Azem Vllasi&Rrahman Morina – 1987!

5. A e shkatërroi Azem Vllasi dhe Rrahman Morina ilegalen shqiptare revolucionare të Kosovës? 
Siç pamë më lartë bashkëveprimtari zyrtar i Azem Vllasit, Rrahman Morina, deklaron (më 1987) se mekanizmat e sistemit të tyre dhe sigurimi i shtetit (pra UDBA-jugosllave, gjithsesi, edhe me shërbëtorët e saj shqiptarë) e kishin shkatërruar një organizatë të madhe nacionaliste – irredentiste LNÇKVSHJ-në, por e pranon edhe vet (ndonëse me frikë nga padroni serbomadh që ishte në emision) se ka “ostatak” (mbetje) nga kjo organizatë, sipas tij “armiqësore” (Hahahaaa!) Dmth shërbëtori i sërbomdhenjëve, pubikisht, në pranin e shefit të vogël politik Azem Vllasit dhe shefit të madh, apo mbishefit serbomadh, që patjetër e kishin po në këtë emision, indirekt, pohon se qoftë një subjekt i Ilegales Shqiptare në Kosovë, në këtë rast, LNÇKVSHJ-ja, nuk mund të shkatërrohej në tërësi. UDB-ashi, Rrahman Morina, e ka parë nga përvoja e tij praktike zagarore, se organizatat revolucionare dhe grupet e tyre, kanë pasur, vërtet, veti feniksi. Mekanizmat e dhunës së pushtuesit kanë mundur t’i dëmtojnë, por jo, kurrë, t’i shkatërrojnë, në tërësi siç kanë ëndërruar. Një ëndërr të tij e ka pasur, sidomos, kundërshtari më i “denjë” i “kundërrevolucionit” të vitit 1981 e tutje, z. Azem Vllasi, i cili, sigurisht, i cytur nga kjo ëndërr e tij e sëmurë, ka menduar se e kanë shkatërruar irredentën shqiptare, ka fantazuar se me vrasje, burgje (e forma tjera të shumëllojshme të dhunës) e kanë shkatërruar inteligjencien revolucionare shqiptare, trurin revolucionar shqiptar dhe pastaj, vetëm ai vet, ka mbetur truri i lëvizjes gjithëpopullore të Kosovës, e më gjerë, prandaj, kur gazetari i TV-Rrokumit, në këtë vit (2012) e pyet- mos ishit ju truri i grevave të minatorëve të vitit 1989 në Trepçë, ai, pa një pa dy i përgjigjet: ” Në fakt po. Unë isha truri i grevave të minatorëve të vitit 1989 në Trepçë.”
Mua, tani, autorit të këtij, shkrimi, po më duket se po më bie barra të dëshmoj personalisht, po edhe grupisht (aq sa më kujtohet dhe aq sa kam fakte në këtë moment) ta dëshmoj dhe argumentoj të kundërtën që ka deklaruar Azem Vllasi dhe titistët e kundërrevolucionarët tjerë, si më herët, ashtu edhe sivjet, më 2012.
Këtë detyrë, jo edhe aq të lehtë, e mora për disa arsye, por më kryesoret janë se pikërisht në LNÇKVSHJ-në, pas disa vitesh prove si kandidatë ilegal, isha pranuar më 1982, anëtar zyrtar ilegal i kësaj Organizate kombëtare revolucionare, si dhe kisha qenë anëtar zyrtar ilegal i grupit të lartëpërmendur ”Minatorët e kuq”, para, gjatë e pas Grevës së njohur të minatorëve Trepçës (Kosovës) të vitit 1989.
Në LNÇKVSHJ, unë u pranova pas burgosjeve të mëdha që iu bënë disave nga udhëheqësve dhe anëtarëve të kësaj Organizate në vitin 1979. Rrethin tonë të Vushtrrisë dhe të Mitrovicës e kishte dëmtuar shumë burgosja e revolucionarit të njohur Ramandan Pllanës, njërit ndër udhëheqësit kryesor të LNÇKVSHJ-së. Por edhe pas burgosjeve të rënda të vitit 1979, LNÇKVSHJ-a nuk u shkatërrua, nuk u shua. Me ne që ende nuk ishim anëtarë punën e vazhdoi revolucionari tjetër i denjë, anëtari i LNÇKVSHJ-së, Asllan Muharremi. Ja një moment me cilësi feniksi në këtë Lëvizje. Me Asllan Muharremin, i cili më 1982 më pranoi zyrtarisht (kuptohet ilegalisht) anëtar të LNÇKVSHJ-së unë isha i lidhur qysh si nxënës i gjimnazit të atëhershëm të Mitrovicës. Pas një veprimtarie programore intensive ilegale UDB-a i bie në gjurmë veprimtarisë atdhetare revolucionare të Asllan Muharremit, të cilin e ndjekin këmba këmbës, dhe edhe pasi e rrethojnë në shtëpinë e vet me forca të shumta të hekurta policore, assesi nuk mund ta zënë dhe burgosin. Asllani del në ilegalitet nga i cili, përmes organizimit të organizatës depërton në diasporë. Por, nga 8 grupet ilegale që i kishte në lidhje Asllani (më sa di unë), dëmtohet vetëm një. Mbesim ne, 7 grupet tjera ilegale të LNÇKVSHJ-së. Ja momenti tjetër me plotë cilësi feniksi i organizimit ilegal shqiptar, në këtë rast, të LNÇKVSHJ-së.

Trinomi: Azem Vllasi&Sinan Hasani dhe Ali Shukriu

Moment tjetër i gjallërisë dhe dinamikës së lëvizjeve revolucionare shqiptare ka qenë edhe riorganizimi ynë i ish-anëtarëve të LNÇKVSHJ-së në LRSSHJ (në Lëvizjen për Republikë Socialiste Shqiptare në Jugosllavi), që më sa mbaj në mend, kemi vepruar në kuadër të saj prej vitit 1983-1987. 1987-ta ishte moment jo i lehtë për ne, sepse LRSSHJ-a, brenda në Kosovë, u dobësua dhe nuk kishin çka të presim më prej saj, ndërsa ne shokët e ilegales që kishim mbetur (me rrethin tonë) të pazbuluar nga UDB-a nuk e kishim ndërmend ta ndalim veprimtarinë tonë për realizimin e Programit Revolucionar për të cilin ishim betuar vullnetarisht, disa herë. Prandaj vepronin në forma të ndryshme ilegale dhe legale. Pasi që një rreth shokësh ishim afër edhe me vendbanime, kryesisht, në Komunën e Mitrovicës, duke qenë të ndikuar e të frymëzuar edhe nga njëri prej udhëheqësve më të njohur të LPRK-së, veprimtarit dhe intelektualit (shkencëtarit) Muhamet Mehmeti, venduam që debatin e atëhershëm publik për ndryshimet kushtetuese ta shfrytëzojmë në favor të realizimit të një pjese të Programit tonë, Kosovës Republikë. Veprimtaria në këtë drejtim na shpuri deri te vetëdijesimi për domosdoshmërinë e një Greve të Fuqishme të Minatorëve të Trepçës me parullën kryesore Kosova-Republikë. Në fakt, me këtë veprimtari dhe me këto objektiva ne, tashmë, veç kishim organizuar një grup të veçantë, pa emër, qysh në vitet 1987-1988. Më vonë, në vitin 1989, morëm edhe emrin zyrtar ”Minatorët e kuq”, e pastaj, më vonë, nxorëm edhe organin e Grupit, të emërtuar “Bota e Proletarëve”. 
Ja, pra faktet dhe argumentet se si Azem Vllasi e Rrahman Morina, me UDB-në e tyre dhe me tërë ish-Jugosllavinë, e paskan “shkatërruar” Lëvizjen revolucionare ilegale shqiptare dhe se si gënjejnë ata, më 1987, kinse e kanë zbuluar LNÇKVSHJ-në, kur ajo në atë kohë, nuk ka ekzistuar me këtë emërtim, ndërsa ka qenë e transformuar dhe e forcuar gjithsesi në favor të Lëvizjes dhe jo të status-quos së saj. Grupi ynë, që përmenda, ka qenë vetëm një pjesë e vogël e Lëvizjes Ilegale Revolucionare të Kosovës në vitet 1987-1990. Dmth. UDB-a e 6 republikave dhe 2 krahinave të Jugosllavisë, nuk ka qenë e aftë, jo të na shkatërroj por, shpeshherë, as të na bjerë në fije, lidhur me Strategjitë e përgjithshme, Programin, format, taktikat e veprimtarisë sonë.
Realisht, nevoja për formimin e një Grupi “Minatorët e kuq” dhe veprimit të tij, nuk mendoj se shprehnin ndonjë thyerje a krizë të përgjithshme në Lëvizjes Ilegale Revolucionare të Kosovës, por ishte vet situata në të cilën u gjendëm ne kur një pjesë (vetëm një organizatë) e Lëvizjes Ilegale revolucionare shqiptare, LRSSHJ-ja ishte dobësuar (gati e shuar) dhe ne ende nuk ishim të lidhur direkt dhe të shkrirë në LPRK e OMLK.
6. Grupi ”Minatorët e kuq” dhe organi i tij “Bota e Proletarëve
Siç shpjegova me larte Grupi ”Minatorët e kuq” dhe organi i tij “Bota e Proletarëve” u krijua dhe u formësua në një gjendje të veçantë kur Lëvizjes Ilegale Shqiptare në Kosovë, kur u pa se do të pushonte së qeni LRSSHJ-ja, si vazhdimësi e LKÇVSHJ-së dhe kur ende nuk kishim hyrë në LPRK dhe OMLK. Ishte ky viti 1987-1989, kur ne nuk ndaluam veprimtarinë ilegale kombëtare klasore që na shpuri deri te formimi i grupit që përmendëm më lart.

Binomi: Azem Vllasi&Vuk Drashkoviq!

Për anëtarësinë dhe disa nga rrethanat e formimit dhe të veprimtarisë së këtij grupi kam shkruar në dy artikujt e botuar vite më parë. Njëri artikull, i pari titullohet: Vërtetë, kush e ideoi, planifikoi, propagandoi dhe mori pjesë fuqishëm në organizimin e Grevës së Minatorëve të Trepçës së vitit 1989 (mars 2009), ndërsa i dyti Udhëheqja e atëhershme e Trepçës e pat anuluar pikën për Republikën e Kosovës, botuar në maj 2009. Me këto emërtime mund të lexohen në internet, edh sot) Me rastin e botimit të artikujve të lartpërmendur, qëllimisht, nuk i pata përmendur emrin e grupit dhe emrin e organit të tij. 
6.1. Platforma dhe nocionet kryesore të Grupit
Platforma jonë ishte po e njëjtë me platformën dhe nocionet kryesore të Lëvizjes Ilegale Revolucionare të Kosovës që pranonte si busullë prijëse ideologjinë marksiste-leniniste dhe enverizmin. Programi Kombëtar e social ishte po i njëjti me atë të OMLK-së, Çlirimi i Kosovës, Kosova- Republike dhe Ribashkimi me Shqipërinë. Për t’i realizuar këto qëllime ne shihnim si të domosdoshme jo vetëm lidhjen më të ngushtë me klasën punëtore të Kosovës, por edhe proletarizimin e Grupit, identifikimin me klasën punëtore, sidomos me minatorët, psikologjinë dhe moralin proletar, vetëdijesimin e klasës punëtore për rolin dhe interesat e saja kombëtare e sociale. Niseshim nga parimi dhe fakti se përvoja e gjeratëhershme e revolucionit kishte treguar se pa qenë i lidhur dhe në bashkëveprim të ngushtë e të njëmendët me klasën punëtore, fshatarësinë përparimtare, inteligjencien revolucionare nuk mund të fuqizohej e të kryhej asnjë revolucion, pra as revolucioni kombëtar, çlirimi i Kosovës si fazë e parë e Ribashkimit me Shqipërinë. Ketë fakt na ndihmonte ta kuptonim edhe afërsia jonë familjare, fizike e shpirtërore me minatorët, sepse jetonim në rrethe familjare, fqinjësore e shoqërore rreth Trepçës, pra ishim në përditshmëri më pjesën më të vendosur, me pjesën më proletare të klasës punëtore të Kosovës. E njihnim për së afërmi shpirtin punëtor, minator, proletar për të cilin kishim besimin e plotë se kuar ai shpirt minator, proletar të bindej në drejtësinë e një ideje, një, nocioni, një parulle, a një programi revolucionar do të bëhej forcë e madhe shtytëse përpara e Revolucionit, dhe nuk do të ndalej, nuk do të zmbrapsej, pasi që nuk do të kishte forcë që do ta pengonte ecjen përpara të minatorëve tanë trima që janë mësuar, tradicionalisht, të sfidojnë shtete të mëdha pushtuese që nga grevat e tyre të njohura në Evropë, që prej viteve të 20-ta e të 30-ta të shekullit të XX.
Për ne një çështje ishte e padiskutueshme. Dhe kjo ishte E DREJTA PËR REVOLUCION!, duke nënkuptuar edhe aspektin e saj të drejtës pozitive ndërkombëtare, po edhe segmentin e së drejtës natyrore legjitime kombëtare, klasore.
Pastaj edhe çështja tjetër, ishte e sigurt, e vërtetuar për ne: se vetëdijësimi i klasës punëtore (pra edhe i minatorëve, si pjesë e klasës punëtore) ishte i domosdoshëm të vinte nga jashtë, nga grupe të organizuara të inteligjencës revolucionare, sepse, konstatonim ne atëherë, klasa punëtore nuk është ende e vetëdijësuar. Këtë na e thonin, sinqerisht, edhe vet punëtorët e Trepçës.
Me një fjale platforma dhe nocionet tona ishin e kundërta e politikes zyrtare te LKJ-së dhe LKK-ës, pra e titistëve.
Grupi ynë ishte për ndryshim të gjendjes ekzistuese të atëhershme, e jo për status-quon e atëhershme kushtetuese të Krahinës Autonome të Kosovës nën Jugosllavi-Serbi. Në diskutimet kushtetuese ne argumentonim nevojën e domosdoshme të avancimit të statusit të Kosovës në Republikë. Këtu, natyrisht, se binim në kundërshtim të plotë me LKJ-në dhe LKK-në titiste idetë e praktikën e të cilave e luftonin në çdo hap dhe ku mundeshim. Se ne anëtarët kryesor të grupit ”Minatorët e kuq”, bërthama e parë e tij (që vetëm pas disa vitesh njohje, formimi e veprimi ishim të sigurt dhe kishim besim të plotë që të vepronim bashkë, si të rebeluar dhe të organizuar kundër pushtuesit dhe shfrytëzuesve të një pjesë të kombit tonë që jetonte në Jugosllavi) praktikisht dhe teorikisht ishim bindur se Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë (LKJ-ja) dhe Lidhja e Komunistëve të Kosovës (LKK-ja) si bisht i së parës – LKJ-së, katërçipërisht e kishin tradhtuar si Revolucionin Kombëtar ashtu edhe Revolucionin social, në emër të të cilit thirreshin dhe sundonin, me mashtrime e dhunë. Kosova dhe shqiptarët në Jugosllavi i kishin lënë me statusin e “kombësisë”, ndërsa klasa punëtore ishte, edhe ajo, e shtypur dhe e shfrytëzuar, qoftë si pjesëtare e kombësisë shqiptare, qoftë si klasë punëtore; e shfrytëzuar dhe e mashtruar nga pararoja e saj, LKJ-ja dhe LKK-ja. Ishte struktura zyrtare “komuniste”, jugosllave-kosovare ajo që e kishte lënë klasën punëtore të shtypur dhe të shfrytëzuar. Kjo ishte edhe arsyeja e daljes masive të klasës punëtor shqiptare në demonstratat e vitit 1981, e udhëhequr jo nga LKK-ja legale kosovare por nga OMLK-ja ilegale shqiptare. Në këtë vazhdë dhe në bazë të kësaj tradite a trashëgimie organizative, atëherë shumë më të afërt për ne, edhe në kohë e hapësirë, ne i kishim caktuar objektivë grupit tonë, forcimin e domosdoshëm, çuarjen më përpara të dy elementeve, aspektit kombëtar-shqiptar dhe atij klasor shqiptar, e jo jugosllav. Pas disa viteve veprimtarie ilegale, në drejtimet që ceka më lart, ishim bindur se segmenti kombëtar nuk mund të forcohej e kalitej pa fizionominë e energjinë e pazëvendësueshme të shumicës së kombit, që sipas nesh, e përbënte klasa punëtore, fshatarësia shqiptare dhe inteligjencia përparimtare, revolucionare. “Minatorët e kuq”- vet emrin e tillë ia kishim dhënë grupit për të shënjuar një ide, platformë, praktikë ndryshe nga ajo ekzistuesja e atëhershme, ku e kur minatorët si pjesa më e vuajtur, më e rrezikuar por edhe më e vendosur dhe më e vetëdijshme e klasës punëtore nuk merreshin si model (shembull) më i përparuar nga “pararoja e tyre” LKK-ja, që sipas nesh ishte pjesë e borgjezisë së kuqe, por ata, minatorët e Kosovës, injoroheshin e pengoheshin në rrugën e revolucionit kombëtar e social, sepse borgjezi e kuqe jugosllave-kosovare (e jo shqiptare) ishte bërë me pushtuesit sërbomdhenjë e jugosllavomdhenjë, dhe në unitet borgjez me ta ndiqte, persekutonte, burgoste dhe vriste bijtë dhe bijat më të mirë të klasës punëtore, bijtë e bijat e minatorëve dhe të popullit shqiptar të cilët duke ecur fuqishëm rrugës së revolucionit të vërtetë, jo vetëm që në vitin 1981 e kishin shpallur publikisht, politikisht e teorikisht, me demonstrata në formë kryengritje Republikën e Kosovës, por edhe luftonin (militonin) për te çdo ditë në të gjitha format e mundshme.
Jo vetëm anëtarët e këtij grupi por edhe simpatizantët me një pjesë e madhe të intelektualeve përparimtarë ishin të bindur se përbaltja dhe degjenerimi që i bënë teorisë revolucionare LK-istët jugosllavë e kosovarë nuk duhej të na largonte ne nga busulla teorike e praktike, prandaj ne e donim dhe ishim të dashuruar përnjëmend në ngjyrën e kuqe të Revolucionit kombëtar e social, dhe pse ta braktisnim ne njërën nga ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, për shkasin se LK-stët e kishin përbaltur e tradhtuar të kuqen e yllin pesëcepësh të flamurit tonë të atëhershëm kombëtar. Dhe për ironi mu atëherë kur e tradhtonin më së shumti dhe e rrënonin më së tepërmi të kuqen dhe yllin në flamurit tonë kombëtar, mu atëherë, me fjalë e figurativisht i propagandonin e madhëronin ato. Kështu LKK-ja ndryshoi edhe më shumë dhe e zmadhoi kot yllin në flamurin tonë kombëtar për të shprehur e argumentuar se këta qenkan më socialistë dhe komunistë se Enver Hoxha dhe se kosovarët-jugosllavë kanë tjetër flamur nga shqiptarët e Shqipërisë së atëhershme socialiste!
Prandaj, për tu treguar klasës punëtore dhe minatorëve se ne jemi me ata dhe synojmë që në revolucion ta ruajmë shembullin dhe shpirtin minator, duke mos pasur si motiv por vetëm si maskë, biznes, të kuqen, ngjyrën e revolucionit, siç e kishin LKJ-ja, LKK-ja, apo, shprehur më shkurt, siç e kishin titistët. Nuk kemi asnjë arsye ta mohojmë se në këtë segment politik e revolucionar na kishte sqaruar dhe ndihmuar shumë vepra “Titistët” e Enver Hoxhës, të cilën e bartnim, e lexonim dhe e komentonim fshehtas, sepse po të na gjente në dorë LKK-ja dhe Azem Vllasi (si “socialistë e komunistë” në pushtet) na pinte e zeza. Titistët, pra, kishin ardhur në pushtet duke përdorur si mjet parullat e socializmit dhe të komunizmit apo marksizëm-leninizmin, ndërsa po ta interpretoje ti këtë teori dhe praktikë (atëherë botërore) sipas bindjes tënde, ndiqeshe, burgoseshe, vriteshe. Ndërsa tani të njëjtit, në Republikën e Kosovës na shiten, si demokratë, si politikanë të hollë, si analistë, e ndonjëri prej tyre edhe si truri i lëvizjes së punëtorëve të vitit 1989, kur minatorët trima ishin ngritur, faktikisht, kundër gjendjes së robërisë në të cilën i kishin sjellë titistët dhe politika e tyre e “kuqe”, “revolucionare”.
Kjo pra ishte dhe është “elita e re revolucionare”, jo partizane, një pjesë e së cilës edhe sot kundërshtarët politikë të vitit 1981, revolucionarët e vërtetë që sollën Republikën e Kosovës, po i lufton politikisht, me mjete demokratike, duke shpërdorur lirinë e shprehjes dhe të medieve. Është paksa e çuditshme dhe e pakuptueshme, pse të tillët, ish-titistët gjejnë edhe sot hapësirë më të madhe dhe janë më të privilegjuar se viktimat e tyre ish-enveristët, revolucionarët e epokës së ’81-tës dhe të luftës së UÇK-së?! A kanë të drejtë këta ish-zyrtarë të sistemit a mekanizmit të ish-shtetit të dhunshëm pushtues ish-jugosllavi-Serbisë (ish-titistët) të shpifin, ta përbaltin, ta përdhosin, denigrojnë e nënçmojnë politikisht e publikisht, edhe sot, në Republikën e Kosovës, disa gjenerata të tëra revolucionarësh të vërtetë, minatorësh të kuq, të vdekur e të gjallë, me djersën dhe gjakun e të të cilëve erdhëm gjer këtu ku jemi sot dhe kemi amanet të shkojmë edhe më tutje, sipas betimit të UÇK-së? (Por fjala po e nxjerrë fjalën edhe pse kjo çështje që doli këtu, në këtë shkrim, nuk është tema kryesore).
Pra, ishim te Grupi “Minatorët e Kuq” organin e tij të emëruar “Bota e Proletarëve”, përkatësisht shpjegimi pse kishim marr këto emërtime dhe arsyet pse ne dëshironim aq shumë të dalloheshim nga ish-titistët. I thamë disa arsye, nocione fakte, që nuk janë të gjitha, por vetëm pjesë e së gjithës për Grupin ”Minatorët e Kuq” organin e tij “Bota e Proletarëve”.
Këto, pikëpamje, këtë platformë, këto nocione teorike dhe praktike i paraqiste (konkretisht, e më mirë) organi ynë teorik e propagandistik “Bota e Proletarëve”. Aty nuk gjeje vetëm politike, por edhe art, filozofi, sociologji, psikologji që vetvetiu të bindnin se ishin, vërtetë, ndryshe nga të zakonshmet dhe të lejuarat. Kjo të ndodhte ngase shihje e përjetoje aty një esencë dhe një energji të pastër revolucionare shqiptare.
Grupi ”Minatorët e Kuq” organin e tij “Botën e Proletarëve” ia kishte dhënë në besim edhe individëve që iu besonim dhe që kishim informata se janë ose afër ndonjë grupi a organizate tjetër revolucionare ose pjesë e tij. Në këtë drejtim, përmes vëllezërve Safet e Ismet Istrefit, që ishin në njërin nga grupet ilegale në lidhje me punën e Grupit ”Minatorët e Kuq” ia kishim dhënë “Bota e Proletarëve”, edhe Mehë Ukës, atëherë ish-i burgosur politik, që sapo kishte dal nga burgu dhe jetonte në fshatin Bajgorë të Shalës, Komuna e Mitrovicës. Po ashtu “Bota e Proletarëve” ia kishim dhënë edhe dy ish të burgosurve tjerë politik të Shalës që banonin në Mitrovicë, Raif Qelës dhe Gani Baliut. Ndërsa në Komunën e Obiliqit “Bota e Proletarëve” ia kishim dhënë Hasan Shabanit.
Mitrovicë, 15 – 31. 12. 2012
___________________
Referencat:
1. Po aty, f. 10
2. Po aty
3. Shih për ketë Azem Vllasi n’Rrokum: Unë jam truni i protestave të minatorëve të Trepçës të vitit 1989 www.rrokumtv/?page=1,3,4636 – )
4. “Koha ditore” e datës 22 nëntor 2012, f. 10
5. “Koha ditore” e datës 22 nëntor 2012, f. 11
6. Po aty f. 11
7. Serbisht VLLAST- dmth. pushtet, për ruajtjen e të cilit, edhe në robri Azem Vlla(s) ti
akuzonte, ndiqte, burgoste, vriste politikisht edhe atdhetarë kolosalë e shkencëtarë siç ishin Ukshin Hoti.
Ali Hadri, Hali Alidemajt, me shokë e shoqe.
8. Po aty, f, 11
9. Po aty f.11.
10. Po aty, Azem Vllasi n’Rrokum: Unë jam truni i protestave të minatorëve të vitit 1989.
11. www.youtube.com/watch?v=bd6l5N5srJg, Kako je poceo raspad SFRJ.
FUND

…………………………………………………

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura