Tetovë, 21. 08. 2014: Është koha e “Valles së Pejdushkës” apo e Pejnikollës, jemi çmendur pas kësaj valleje maqedonase. Këtë valle të çuditshme nuk mund ta luajë çdo kush, nuk është e thjeshtë, e rëndomtë sikurse vallet tona të gjora popullore që dal nga dalë jemi duke i harruar fare. Është valle e posaçme dhe speciale, prandaj “Vallen e Pejdushkës” apo të Pejnikollës mund ta luajnë vetëm vallëtarët e posaçëm dhe special, të talentuarit sepse vetëm ata e dinë fshehtësinë e kësaj valleje. Dhe, për çudi dhe ne, shqiptarët e Maqedonisë krenohemi me orrigjinën diskutabile të kësaj valleje.
Pse e themi këtë?
Sllavët e Maqedonisë thonë se origjina e kësaj valle është e tyre dhe se quhet “Vallja e Pejdushkës” apo e Pejnikollës, “Pajtushkës”, (Vallja e të dehurve, e pijanecëve, valle e pa logjikshme, pa karakter dhe pa mesazh të qartë). Në anën tjetër shqiptarët e Maqedonisë me shumë dashuri e gëzim e lozin këtë valle jo vetëm nëpër dasmat e tyre, por edhe gjetiu, me emrin “Vallja e Pejdushkës” (Pendushkës), kurse këta të Shqipërisë thonë se kjo valle është e tyre me emrin “Vallja e Kajtushkës”, të cilën valle e lozin dhe nëpër festivale të ndryshme; dhe grekët me këmbëngulje i dalin zot kësaj valle, por edhe sërbët me “Zhikino kollo-n” e tyre.
Vallja e Katjushkës
Sipas gjithë kësaj na del se vallja e Pejnikollës, Pejdushkës, Katjushkës, Pajtushkës është vallja më e popullarizuar në Ballkan.
Është valle shumë serioze dhe integrale ballkanike e përzier me gra e burra, por jo të gjinisë lirike popullore që luhet kryesisht nga gratë e me pak burra, sikurse vallja jonë rituale, “Lule manushaqe”, as valle dasme siç është ”Nusja jonë arbërore”, as erotike siç është ”Kërcimet e Logut”, as valle epike që karakterizohen nga forca, burrëria (kanë vdekur burrat e sotëm), trimëria me karakter luftarak, por as valle lirike-epike shqiptare, po kjo është valle e Përdredhbythëve dhe e Përdredhkëmbëve. Hy në grupin e valleve dinake të politikanëve intrigan, injoratëve kulturor, shkencor, letrar e artistik. Të cilët janë hutuar mbas valles së Pejdushkës apo të Pejnikollës sa që nuk duan të dëgjojnë për vallet tona të bukura e të shkëlqyera popullore, edhe pse shtiren se gjoja janë atdhetarë, por kot, sepse u ka humbur vetëdija, mendja dhe shpirti kombëtar.
Vallja e Pejdushkës apo Pejnikollës i takon grupit të arteve të hamendjes, humbjes dhe harresës së valleve tona, që me stilin, karakterin dhe porosinë e vallëzimit të Pejdushkës apo të Pejnikollës nuk e dimë ç`jemi, ku shkojmë, nuk e dimë as drejtimin, as qëllimin e as vetëdijen tonë kombëtare. Pa vetëdija jone na ka bërë që t`i duam vallet e huaja maqedonase të Pejdushkave, Pejnikollave, Pajtushkave dhe Katjushkave. Ky vallëzim i hamendjes, pejdushkiane dhe pejnikolliane maqedonase na është bërë pjesë përbërëse e jetës sonë psikologjike, sociale, familjare, politike, kulturore, letrare e kombëtare. Jemi ekstazuar e dehur pas udhëheqësit të kësaj valleje të sllavëve të Maqedonisë, sa që, ky, na ka detyruar që Pejdushkën apo Pejnikollën ta luajmë jo vetëm në politikë, ekonomi, arsim e kulturë, por në çdo pore të jetës sonë, në ushqimet tona të varfëra, në bisedat tona të pa logjikshme dhe të pa sinqerta, në lëvizjet tona të frikshme e të pasigurta.
Kështu që vallja e sllavëve maqedonas Pejdushka apo Pejnikolla na është bërë e natyrshme, e dashur, reale, kurse vallet tona artificiale, të pa dashura, e të pavlefshme. Pafundësisht i kemi harruar vallet e traditat tona popullore, (politike), kulturore e artistike. Kemi hequr dorë tërësisht nga folklori ynë që është palca e qenies sonë shpirtërore kombëtare e cila duhet të shfaqet nëpërmjet dashurisë. Kemi harruar vallet tona popullore duke lëvizur, e vrapuar mbas valles së Pejdushkës apo Pejnikollës maqedonase, me këto veprimet tona kemi tradhëtuar shpirtin tonë kombëtar, duhet ta pranojmë nëse jemi të sinqertë. Duke refuzuar vetëveten, shpirtin, vallet tona, kemi refuzuar dhe gjuhën, kombin, qenien tonë, prindërit, vëllezërit dhe motrat tona të luftës, kemi refuzuar natyrshmërinë tonë për të ekzistuar. Vallja e Pejdushkës apo e Pejnikollës është shpikje e huaj njerëzore maqedonase, kurse vallet tona popullore janë krijime hyjnore shqiptare.
Prandaj mos t`i harrojmë vallet tona, por të qëndrojmë dhe jetojmë me to, sepse ne kemi lindur me to, këto kanë lëshuar rrenjë në shpirtin tonë dhe me këto valle duhet të vdesim, s`kemi pse të ikim prej tyre. Kështu është shkruar nga Zoti, e jo nga udhëheqësi i valles së Pejdushkës apo Pejnikollës maqedonase bashkë me politikanët tanë.Siç janë të ngulitura pemët në tokë, ashtu janë të ngulitura vallet tona në shpirtin tonë me shumë dashuri.
Eh, sikur të kishim patur respektuar me sinqeritet, fisnikëri e bujari vallet tona, historitë tona, punët tona, politikat tona, kulturën tonë, dashuria dhe gëzimi nuk do të kishin fund. Për fat të keq jemi dehur e pasionuar mbas valles së Pejdushkës (Pejnikollës). Pra, kujdes me këtë valle të rrezikshme se, ajo, luan me ne. Të ruajmë dhe përkujtojmë vallet tona të bukura popullore dhe çdo gjë do jetë në rregull!
– Kontakti me autorin: [email protected]