MSc. ALBERT HABAZAJ: MOTIVET QË NJËZETA QUHET LUFTË KOMBËTARE

Vlorë, 30 gusht 2020: Përse Epopeja e Njëzetës quhet Lufta Kombëtare e Vlorës?!
Lufta e Vlorës gjatë verës së vitit 1920 (29 Maj – 3 Shtator), e cila u konkretizua me pastrimin e vendit nga forcat pushtuese italiane, apo siç e këndon kënga, me hedhjen në det të perandorisë së re Apenine, u kurorëzua me gëzimin e fitores, me festimin madhështor që u bë në Vlorë më 3 shtator 1920, plot një shekull më parë. Fitorja e Luftës së Vlorës bëri bujë në Rajon dhe në Europë, pati jehonë e tronditi shtetet e mëdha “padrone” të kontinentit të vjetër, ndikoi pozitivisht për Luftën e Koplikut dhe të Dibrës dhe rriti prestigjin ndërkombëtar të Shqipërisë. Lufta e Vlorës klasifikohet si një ngjarje me rëndësi komëtare në Historinë e Shqipërisë. Qe luftë e drejtë dhe e organizuar, kundër forcave ushtarake të armatosura të shtetit italian; qe një luftë e zhvilluar vetëm nga luftëtarë vullnetarë shqiptarë, nga të gjitha krahinat e vendit dhe pa dallim besimesh fetare: shqiptarë për Shqipëri: myslimanë, bektashinj, të krishterë ortodoksë dhe katolikë, burra dhe gra, jo vetëm nga Vlora dhe krahinat e saj, që mbajti peshën kryesore me Lumin e Vlorës, Himarën, Kurveleshin, Tepelenën, Mallakastrën, me Sarandën e Delvinën, me karvanet nga Vllehët e Selenicës, por edhe me luftëtarë vullnetarë të organizuar në çeta nga Skrapari e Berati, Korça e Përmeti, Kolonja e Myzeqeja, Elbasani e Librazhdi, Pogradeci, e Kavaja, Kruja, Durrësi e Tirana, edhe nga Çamëria, deri edhe nga shqiptarët e Amerikës, por jo vetëm Vatranët e zjarrtë. Edhe logjistika e luftës u sigurua nga banorët e trevave shqiptare. Qeveria e Sulejman Delvinës e mbështeti fuqishëm Luftën termopiliane të Vlorës, e cila u drejtua nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, me Osman Haxhiun në krye. E majta europiane, që për kohën qe forca progresiste, si faktor i jashtëm pati rol pozitiv dhe u bë mbështetje e fuqishme morale për çlirimtarët shqiptarë, që luftonin në të drejtën e tyre, për Atdheun e tyre. 3 shtatori i vitit 1920 është shënuar në kujtesën sociale të banorëve dhe të pjesëmarrësve, si dhe është shkruar në librat e historisë shqiptare si dita e çlirimit nga imperialistët italianë, apo nga Italia e parë, siç flitej në gjuhën popullore. U festua fitorja e Luftës së Vlorës dhe largimi i pushtuesve italianë nga Shqipëria. Ngjarjet e Luftës së Vlorës u pasqyruan në gazetën “Drita” të Veli Harshovës, Gjirokastër, me korrespodent Gani Iliazin [Habazaj], “Kuvendi”, “Dielli” të Bostonit etj. Halim Xhelo qe frymëmarrja e kësaj epopeje termopiliane, siç qe Abdyl Frashëri për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Ndoshta si asnjë luftë tjetër, Epopenë e Njëzetës Epika Historike e ka përjetësuar në memorien sociale, saqë dhe sot, pas 100 vjetësh, Lufta e Vlorës fluturon krenarisht në krahë të legjendës, pa e zbehur shkëlqimin historik, pa e ndalur fluturimin folkorik.
Këto janë disa piketa të arsyes së ftohtë që motivjnë historianët dhe intelektualët, studiuesit shqiptarë dhe të huaj që Epopenë e Njëzetës ta quajnë Lufta Kombëtare e Vlorës.
GJEOGRAFIA E LUFTËTARËVE TË EPOPESË SË NJËZETËS
Pjesëmarrësit në Luftën e Vlorës qenë tërësisht shqiptarë dhe qytetet e krahinat e pushtuara nga agresorët e çizmes apenine u çliruan vetëm nga luftëtarët shqiptarë të të katër besimeve. Është etnologjia religjioze që i trajton imtësisht këto raste, që mirësisht për idealin e lartë, shqiptarët u bashkuan bekueshëm, sepse nëpër rrjedhat e kohës, shqiptarët e çdo besimi vërtet kanë ritet e ritualet e tyre, që i aplikojnë ato në shtëpi, në kisha, manastrire e xhami, por Atdheu e kombi shqiptar për shqiptarët është Perëndia e Identitetit. Mesazhi i fuqishëm i Gjergj Kastriotit me Fabulën e Thuprave në dy variantet, të ndara veç e veç dhe të bashkuara, që dha princëve të Arbërit, rrjedh në damarë e në frymë ndër brezat e shqiptarëve, fatkeqësisht jo ashtu siç duhet përditëshmërisht, por gjithsesi, në Apelin e Atdheut shqiptarët bëhen Ortek Kombëtar. Postulati profetik i Pashko Vasës “Feja e shqyptarit asht Shqyptaria” që, vjen aq madhërueshëm në kontekstin historik dhe artistik, u bë shprehja emblematike e Rilindjes sonë Kombëtare dhe ka kuptimin e unitetit kombëtar të shqiptarëve dhe të respektit ndërreligjioz. Shkodrani i madh, me bukurshkrim e bukurthënie, duke theksuar normalisht kombëtaritetin mbi religjionin, pohon po aq respektin ndërreligjioz. Kjo traditë e thesartë u trashëgua si stafetë e lartë morale anembanë shqiptarëve dhe Lufta e Vlorës i mblodhi luftëtarët për atdhe, si Skënderbeu trimat e Arbërit në Motin e Madh. Siç kuptohet, për Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, Labëria dhe Vlora, me ngjarjet, bëmat e personazhet, në këndvështrimin e hapësirës dhe kohës, zë rolin kryesor në këtë epope të përmasave termopiliane, duke u bërë kështu simbolika e kësaj lufte çlirimtare. Krahinës së Vlorës i ra pesha e fazës së parë të luftimeve, ajo që shtrihet deri më 11 qershor, kurse peshën tjetër, atë deri më 2 gusht 1920, e ndanë, si mund të thuhet, bashkë me krahinat e tjera. Siç shkruan studiuesi Muin Çami, Profesori i Luftës së Vlorës…“Dhe në fakt u nisën vullnetarë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Gramshi, Lushnja, si dhe nga krahinat jugore si Korça, Përmeti, Gjirokastra, Delvina, Saranda, ku një pjesë e kontigjenetev u mbajt për mbrojtjen e kufirit nga një ndërhyrje e ventuale nga ana e Greqisë. Në Luftën e Vlorës nuk morën dot pjesë vetëm vullnetarë nga krahinat veriore e verilindore, dhe kjo për arsye të pushtimit jugosllav [serb] të krahinave në të djathtë të Drinit të zi e të nevojës për të mbrojtut shkodrën nga çdo e papritur”.1 Edhe nga Kukësi erdhën, dëshmon Abdurrahman Çiraku në një shkrim të botuar në gazetën “Bashkimi”, Tiranë, nr. 281, 22 nëntor 1957, f. 3. “Filluan të vijnë ndihma në ushqime dhe veshmbathje për patriotët. Ato ditë vetëm barinjtë e Kolonjës prunë për luftëtarët e lirisë më tepër se 300 kokë desh.”2 Ka të dhëna që nga Tirana dhe katundet e saj erdhën rreth 500 veta,3 ndërsa në një botim të viteve ‘30 thuhet se vullnetarët tiranas që shkuan në LV ishin 200.4
NDERIMI I KËSAJ EPOPEJE ME PËRMASA TERMOPILIANE
Edhe pse të kushtëzuar nga protokolli shëndetsor i pandemisë së “Corona virusit – Covid 19”, është i merituar nderimi i madh popullor dhe shtetëror që i bëhet Luftës Kombëtare të Vlorës në 100 vjetorin e fitores së saj mbi pushtuesit italianë, sepse Lufta Kombëtare e Vlorës qe luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e Pavarësisë. Kur nderojmë këtë ngjarje të madhe historike, kujtojmë se Lufta e Vlorës erdhi si përmbyllje e lëvizjes kombëtare për mbrojtjen dhe riafirmimin e sovranitetit të Shqipërisë. Po ashtu kujtojmë ngjarjet që çuan në epopenë e Vlorës, politikën italiane ndaj Shqipërisë në Konferencën e Paqes 1919-1920, karakterin e saj popullor, preludin e Luftës së Vlorës – tre muaj të sfidave të mëdha. Nuk mund të ishte një luftë e rregullt, e organizuar lufta e Vlorës pa rolin dhe vendin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe Osman Haxhiut, pa veprimtarinë e Këshillit Kombëtar në mbrojtje të Vlorës dhe udhëheqësit e Luftës së Vlorës, që na vijnë si një reflektim në 100-vjetorin e saj. Lufta e Vlorës ngjalli debate të fuqishme politike në Romën e vitit 1920. Pjesëmarrja në luftë qe nga shumë krahina të Shqipërisë, por peshën kryesore në këtë epope e mbajti Labëria, ku nga çdo shtëpi dilte një mashkull i aftë për pushkë. Në këtë luftë spikati dhe roli i gruas në front dhe në prapavijë. Mallakastra, Skarapari, Berati u ndodh në krah të fqinjvë labë të pushtuar nga ushtria imperialiste italiane dhe e lanë me gjakun e bijve të tyre fitoren e e bujshme të 3 Shtatorit, sikurse Vlora me qytetin, Sevasterin, Vajzën, Bratajn, Vranishtin, Shkozën, Tërbaçin, Smokthinën, Kallaratin, Lepenicën, Gumenicën, Dukatin, Çeprratin, Tragjasin, Vezhdanishtin, Gërnecin, Trevllazrin, Peshkëpinë, Armenin, Gorishtin, Mavrovën, Mallkeqin, Lapardhanë, Amonicën, Treblovën, Velçën, Rexhepajn, Bolenën, Dushkarakun, Kropishtin, Gjormin e Oshtimën, si dhe Tepelena me Salarinë, Gusmarin, Dhëmblanin, Bënçën, Progonatin e Nivicën, që sipas Gani Iljazit në Luftën e Vlorës u vranë mbi 130 luftëtarë, që përkujtohen si shehitë/ dëshmorë të lirisë.
Pozita gjeostrategjike e Vlorës ishte faktor ndikues në suksesin e Luftës. Impakti i Luftës së Vlorës ishte i dukshëm në zhvillimet e brendshme në Shqipëri, gjithashtu pozita ndërkombëtare e Shqipërisë pas Luftës së Vlorës ndryshoi pozitivisht. Strategjia dhe taktika e forcave kombëtariste në Luftën e Vlorës, ku u shfaqën heroi popullor Selam Musai dhe heronjtë e tjerë si Sali Vranishti, Zigur Lelo, Kanan Maze, Sado Koshena, Toto Hosi etj., realizuan Yllin e Artë të Kurorës së lavdisë historike. Nuk mund të lëmë pa përmendur zbatimin i ligjeve ndërkombëtare të luftës në Luftën e Vlorës, traditat në beteja, virtytet fisnike dhe kodin e lartë moral të luftëtarëve. Ç’ndikim të madh moral pati Banda Kombëtare “Vatra”, ardhur që nga SHBA në Luftën e Vlorës, që ngrinte lart zemrat e luftëtarëve me ekzekutimin e himnit “Vlora-Vlora”, thurur nga poeti atdhetar Ali Asllani, kompozuar nga shqiptaro-amerikani Thoma Nasi, dirigjent i Bandës Kombëtare “Vatra”! Kjo këngë-himn rijetëzohet në nderim të 100 vjetorit të Luftës kombëtare të Vlorës nga studiuesi VasoTole, kompozitori Klodian Qafoku dhe tenori Josif Gjipali. Edhe Banda “Afërdita” e Elbasanit u bë frymëzuese e qëndresës shqiptare në Luftën e Vlorës. Lufta e Vlorës u pasqyrua në faqet e gazetës “Drita” e Veli Harshovës në Gjirokastër, sidomos me shkrimet që vinin nga drejtpërdrejt nga fronti i luftës prej korrespondentit të saj Gani Iljas Habazaj. Gjithashtu Lufta e Vlorës bëri jehonë dhe u pasqyrua në shtypin amerikan të kohës. Kalorësi rebel i lirisë, shkrimari Petro Marko e ka gdhendur këtë ngjarje, me personazhet historikë e karakteret e tyre në dy romane etnologjikë “Ultimatumi” dhe “Halimi”. Epika popullore labe për Luftën e Vlorës përbën një nga ciklet më të pasur të epikës historike shqiptare.
EPIKA HISTORIKE – HIPOTEKË E KËSAJ NGJARJEJE KOMBËTARE
Ngjarjet e mëdha shkruhen në histori e përjetësohen në këngë. 100 vjet më parë, burrat me mend, shpirt, me kapital e atdhetarë u mblodhën sipër në Barçalla mbi Dukat dhe bënë Betimin e Trimit në atë Kuvend të Bekuar, që shënon dhe fillimin e Luftës Kombëtare të Vlorës. Epika historike e Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920 na jep një tablo informative të plotë, saqë, shpesh herë si burim i paturbulluar, bëhet hipotekë e ngjarjes historike, deri në imtësi, kuptohet, duke respektuar parimin fonetik dhe bartësit, komunitetit ç’i pëlqen:
“Maji, më njëzet e nëntë,/ N’ Barçalla, në Mal të Shënjtë,/Ngrenë plan populli vetë:/ “Të desëm për dhen’ e shtrenjtë!/ Të desëm për Barçallanë!”/Fshat më fshat kartat u ndanë,/ Vunë çet’ e kumandarë”…
Ajo e ruan mirëfilltësinë e këngës, si bashkëudhëtare me historinë e kësaj lufte, se është e shtrirë dhe e shkrirë deri në imtësi me Luftën e Vlorës, sipas parimeve specifike që ka, apo tek e fundit, respekton një raport të ngushtë kohor midis faktit historik dhe faktit folklorik, duke na dhënë një mozaik të pasur e të detajuar kronologjik, tematik, meteorologjik, religjonal (fetar), toponomastik, onomastik. Edhe një trimëri individuale e një portret i plotë dëshmori jepet me sinqeritet dhe dashuri, sepse këngëtorët popullorë ishin nga radhët e luftëtarëve. Këngët e LV lindën në zjarrin e luftës duke fiksuar kështu pothuajse çdo skenë të saj, edhe ato që s’i di e s’mund t’i dijë historia.
Sikurse historia, kënga popullore ve në dukje dhe lidhjen, bashkëpunimin, mbështetjen jo vetëm midis krahinave të afërta, si: Mallakastra, Kurveleshi, Gjirokastra, në krahë të fshatrave te Labërisë së Brendshme të Lumit të Vlorës e të Dukatit, të Tepelenës, të Himarës e të Treblovës, që mbajtën edhe peshën kryesore të luftës, por edhe deri në Skrapar, Berat, Durrës, Kolonjë, Sarandë, Myzeqe me Fier e Lushnjë, Elbasan, Kavajë, Krujë, Tiranë, Dëshnicë, Përmet e Korçë. Harta etnohistorike e pjesëmarrjes pasurohet me vullnetarë nga Shqipëria e Mesme dhe Shqipëria e Jugut dhe zgjerohet deri në Çamëri, duke zbukuruar atlasin folklorik, që na vjen nëpërmjet gurrës popullore: “Alush Taka me Muharremë/Me djelt’ e vëndit skifterë/Në ndihmë Vlorës i vanë,/U shtruan në istikamë,/Krahpërkrahë me Selamë,/Lëftuan me breshkamanë:/Llogora – Kanin’, Mavrovë,/gjersa Italin’ e shporrrë”5.
Nderim 100 vjetorit të kësaj epopeje! Lavdi gjakut të derdhur dhe veprës së atyre luftëtarëve të lirisë!
____________
Referenca:
1 ÇAMI, Muin: “Lufta e Vlorës-luftë e lavdishme popullore”, shih: “Studime historike”, Tiranë, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë, viti XXXIV (XVII), Nr.4/ 1980, f. 123.
2 ÇIRAKU, Avdurrahman, “Pas hedhjes në det të trupave okupuese italiane më 1920, Vlora feston ditën e fitores”, “KK Popullore 1918 -1920”, Tiranë, 1970, f.157.
3 BYLYKU, Hysen, “Përpjekjet patriotike në Tiranë dhe pjesëmarrja në kryengritjen e armatosur të Vlorës”, “KK Popullore 1918 – 1920”, Tiranë, 1970, f. 189.
4 DALLIU, H. I., “Patriotizma në Tiranë”, Tiranë, 1930, f.11.
5 EPIKA historike 3, vep. e cit., f. 429.
SHËNIMI ynë: Alush Take Konispoli dhe Muharrem Rushit Koska, dy komandantë të çetave të Çamërisë. Në vitin 1920 morën pjesë me çetat e tyre në Luftën e Vlorës gjer në çlirimin e plotë të saj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura