Vlorë, 5 prill 2018: Dy fjalë për tingëllimën. Tingëllima ose soneti nuk praktikohet shumë nga poetët e sotëm shqiptarë. Është fjala për poezinë lirike me katër strofa, prej të cilave dy të parat kanë nga katër vargje e dy të dytat nga tre apo dy vargje, zakonisht njëmbëdhjetërrokëshe e me sistem rimash të ndryshme. Botërisht njihen dy modele shkrimore të poezisë lirike të tingëllimës, sonetet e Petrarkës dhe ato të Shekspirit.
Soneti është një lloj i veprës së shkruar letrare në vargje. Fjala sonet rrjedh nga fjala italiane “soneto”, që do të thotë “këngë e vogël”. Qysh nga shekulli 13-të, soneti shpjegohet si vjershë lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në katër strofa, dy të parat prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tre vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme; në shqip i themi tingëllimë. Soneti në letërsinë evropiane është përhapur falë poezisë italiane, sidomos pas suksesit të madh të veprës së famshme “Canzoniere” (rreth viteve 1351-’53), të Françesko Petrarkës, e ndërtuar nga një tufë poezish lirike, në formë sonetesh që lëvdojnë një grua, të cilën ai e quan Laura. Petrarka (Francesco Petrarca: 1304-‘74) me këtë vepër, ka qenë burim frymëzimi për autorët anglezë të soneteve, si Thomas Wyhatt dhe Philip Sidney. Katrenat e sonetit petrarkian kanë rimë abba/abba ndërsa tercinat kanë rimë cdc/cdc. I fundmi i romantikëve dhe i pari i poezisë moderne, me lëvizjen e simbolizmit e surealizmit, parizieni Sharl Bodler (Charles Baudelaire: 1821-1867) ka shkruar 6 tingëllima në modelin e Petrarkës. Po në këtë model ka shkruar dhe Mjeda ynë, mjeshtri i formës dhe i gjuhës poetike në shqip, ndërkohë mjeshtri më i madh i tingëllimit në shqip deri më sot. Për kujtesë mund të përmendim se në poezinë shqipe soneti është shfaqur gjatë Rilindjes. Ai që ka meritën të jetë autori i tingëllimës së parë shqiptare, qysh në shek. XVIII, është arbëreshi Nikolla Keta (Nicola Chetta: 1742-1803), i cili ka shkruar një sonet me 14 vargje (1777), që mbyllet me dy tercina, variant nga modeli i Petrarkës, veçse për dy katrenat ka rimën abab/ abab, ndërsa për dy tercinat, sikurse Petrarka, aplikon rimën cdc/ cdc. Duke ndjekur kriterin kronologjik, pas Ketës vijnë Leonard de Martino, Zef Zerembe, Ndre Mjeda, Ernest Koliqi, Eqrem Çabej etj. Edhe Faik Konica, (ndër të rrallët njerëz të ditur të Shqipërisë që i deshi aq shumë, por dhe i kritikoi aq ashpër shqiptarët për natyrën e brendshme dhe kontradiktore), ka bërë, krahas nja shtatë sprovave vargëzuese, edhe një sonet petrakian, por që nuk ka shkëlqim, sepse i mungon niveli artistik dhe nuk ndihet aroma e këndshme që të fal figuracioni letrar. Siç njihet dhe nga studiuesit dhe historia e Letërsisë Shqiptare, kulmin artistik e ka arritur Ndre Mjeda (1866-1937) në poemthat sonetike “Liria”, “Lissus” dhe veprën e pambaruar “Scodra”. Në këto sonete, Mjeda ka përdorur vargun njëmbëdhjetërrokësh, një varg që është konsideruar tipik italian, por i cili i thurur nga Mjeda tingëllon natyrshëm në shqip dhe ka bukuri të madhe. Mjeda mbetet një prej mjeshtrave më të zot të vargut e të strofës, një prej lëvruesve më të shquar të tingëllimës ndër poetët shqiptarë të të gjitha kohërave. Shekspiri (William Shakespeare: 1564-1616), shkrimtari dhe dramaturgu i famshëm anglez, përveç tragjedive dhe komedive të mëdha, ka shkruar edhe sonete (nga vitet 1595 deri vitet e para të 1600-ës). Kam patur fatin që kur punoja në Itali kam blerë librin “I sonetti/ un mirabile affresco dell’ animo umano nell’opera poetica del più grande drammaturgo di tutti i tempi” të Shekspirit, Milano, bot. 3-të, 1999, 192 f., botuar në kujdesin e Rina Sara Virgillito, me 16 faqe parathënie po nga ajo, e cila ka përkthyer nga anglishja në italisht 154 sonetet e përfshira në këtë vëllim. Kujtoj që vite më parë kam lexuar me ëndje në shqip “Sonete Sheksipriane: XXXV, XLVII, LIII”, në gazetën “Ndryshe”, suplementi “Pena ndryshe”, e diel, 16 dhjetor 2007, f.15, përkthyer nga anglishja në shqip nga Cezar Kurti. Mjeshtri Kurti i ka botuar qysh në vitin 1993 “Sonetet” e Shekspirit në një vëllim më vete në 166 f., në shtëpinë botuese “Flaka e Vëllazërimit”, Shkup dhe i ka ribotuar dy herë në vijim, më vitin 2004 (New York) dhe 2013 (Tiranë, Onufri). Lexuesi i sotëm ka në dorë 154 sonetet e Shekspirit, të shqipëruara gjatë viteve 2013-2016 nga Maksim Rakipaj, botuar në një vëllim poetik me 158 faqe nga Shtëpia botuese Ada, Tiranë, 2016. Në vitin 2017, Naim Berisha përkthen dhe boton në Tiranë: M&B “154 sonete” të William Shakespeare në 168 f. Struktura shekspiriane e soneteve është kjo: janë tre strofa njëmbëdhjetë rrokshe (quatrains) me rima ABAB, CDCD dhe EFEF dhe dy vargjet e fundit (couplet) me rimë të puthur GG, gjë që e bën lehtësisht të dallueshëm prej strukturës së soneteve të Petrarkës.
Njeriu, mësuesi dhe poeti lirik i qytetit me dy dete. Hiqmet Mehmetaj është një poet lirik i Vlorës që thur tingëllima të bukura. Mendojmë se ia vlen të theksojmë dhe dy fjalë jetëshkruese për këtë mik të mirë të letrave në Vlorë, edhe pse mund të mërzitet kur ta marrë vesh, se diçka bëra për promovimin e emrit të tij tutje Vlorës e Shqipërisë. Ndjej detyrim tri herë të shkruaj për Meton: sepse është mik i babait tim të paharrimtë, mësuesit dritëror Rexhep Abazi. Po ashtu është edhe miku im i dinjitetshëm. Gjithashtu jemi edhe shumë afër me shtëpi, të dy në Ujë të Ftohtë, sepse edhe ai shtëpinë e ka shtatë pëllëmbë mbi buzëdetin vlonjat… Miqësinë me babain tim e ka të hershme. Ua lidhi mësuesia, që kur ishin në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan (në vitet 1963-’67). Miqësinë me mua e ka qysh me fillimin e erës së re demokratike, (vitet 1990 – ) lidhur nga shkrimtaria dhe atdhetaria, që ruan aromën e stafetës së miqësisë së vjetër. Ai është njeri model, që urren të dukurit, fasadën dhe hipokrizinë. Ai është familjar shëmbullor, mësues dritan, veprimtar atdhetar, poet i dashur që qëndis lirika të këndshme, shumica të ëmbla. Hiqmet Sulo Mehmetaj, lindur në Drashovicë të Vlorës, më 22 mars 1943, i përket atij brezi fatlum, (për vete dhe për stafetën e brezave që morën mësim nga të tillë mësues të lartë), arsimuar në Normalen e famshme të Elbasanit, e cila, për kohën, ishte për shqiptarët universitet mbi universitete. Edhe në shkollën e lartë Hiqmeti i shërbeu fatit që e ndoqi, sepse e nisi dhe e përfundoi në Shkodër (1972-1975), ku përvetësoi mjeshtërinë e edukimit, pedagogjisë dhe psikologjisë në shkollë. 40 vjet dha mësim nxënësve dhe kolegëve, që edhe kur e drejtoi nuk e humbi thjeshtësinë, komunikimin etik dhe punën në grup. Hiqmetin nuk mund ta shikosh një ditë pa veshjen e tij karakteristike, klasike-aristokrate, mbajtur pastër e për merak: me kostum, kollaro, këpucë të zeza që shkëlqejnë, po ashtu i rruar për ditë. Nga ana tjetër, ai urren fort shfaqjen tullumbacore të njerëzve që kërcasin si kokoshkat në zjarr; urren “poetërinë me kollaro” mbi tavolinë, “Belulët” në biseda, diskutime, promovime etj., që s’i lë hunda e gjatë e mendjemadhësisë boshe të shikojnë më tutje, se i pengon “Pinoku” etj. Hiqmeti ka ushtruar profesionin fisnik të mësuesit të Gjuhës shqipe dhe i Letërsisë. Ndërkohë, përveçse poet i lindur (gjenezën poetike e trashëgon nga nëna), ai fatmirësisht njohu dhe mësoi mirë teorinë e letërsisë, çka i dha ndihmesë për poezinë e kultivuar.
Tingëllimat lirike të Hiqmet Mehmetit sipas modelit të Shekspirit. Edhe sot e kësaj dite, ai studion me kujdes teori letrare. Nuk nxiton të kërkojë motive, ato i vijnë vetë, nga natyra, nga njerëzit që njeh. Nuk mbytet në lumin e fjalëve, por noton dhe e zgjedh fjalën, e kursen përdorimin e saj të tepërt, se nuk do ta shpërdorojë të shenjtën e nënës. H. Mehmetaj është poet 100% lirik dhe ka botuar pesë vëllime poetike: “Shqipëri, pse s’të zë gjumi?” (poezi, 1996); “Ëndrrat e trëndafilit”, (poezi, 1999); “As dielli s’më përshëndet”, (poezi, 2001); “Nata e lofatës”, (poezi, 2008); “Vajza e ujëvarës”, (lirika, 2012), si dhe librin me poezi të zgjedhura me titullin e thjeshtë “Lirika”, 2014. Të pesë librat i ka botuar në Tiranë dhe ç’ka na bën përshtypje pozitive, në rrafshin e virtytit e besimit të autorit, redaktor ka patur qysh në fillimet e tij botuese prof.dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, të cilin nuk e ndërron me tjetër. Libri më i plotë tij është “Lirika”, Tiranë, Dudaj, 2014, në 152 faqe, ka një strukturë poetike ngritur mbi katër kate lirike. Katin e parë e ka quajtur “Lirika shoqërore” me 33 poezi; kati i dytë është “Lirika peizazhi” me 13 poezi”; i treti “Zambakët e dashurisë” me 6 poezi për frymëzimtarët e tij: Omar Khajamin, Robert Bërnsin, Eseninin, Lasgush Poradecin, Çajupin dhe xha Aliun, Ali Asllanin tonë. Katit të katërt të ndërtesës poetike “Lirika” i ka vënë emrin “Lirika dashurie”, ku përfshihen 71 poezi, të cilat hapen dhe mbyllen me çelësin magjik të poezisë, për të vijuar udhëtimin e ndjenjës pa nxitim, bukur, kënaqshëm e menduar. Me këtë natyrë burimore, pena e tij ka gjetur veten dhe ka krijuar profilin e autorit në poezitë e zakonshme dhe sidomos në tingëllima. Ndjenja dhe koherenca shkojnë bukur në harmoni në poezinë lirike të Mehmetajt, secila në vendin e vet hierarkik të llojit poetik të autorit. Veçoria e tij tematike është flora dhe fauna (bota bimore dhe bota shtazore e Lumit të Vlorës, krahinës së vendlindjes së tij e më gjerë). Së pari, ai shkruan se ndjen diçka që do ta shprehë me gjuhën e metaforës, do të kënaqë veten dhe miqtë e letrave. Pavarësisht nga natyra e tij tërësisht lirike e bujare, është shumë kritik ndaj krijimtarisë së tij. Poezia e tij, edhe pse ai nuk rend për ta reklamuar, ka tërhequr vëmendjen e miqve të poezisë, të studiuesve dhe të kritikëve të letërsisë. Dritëro Agolli ka shkruar për poetin vlonjat: “Lirikat e Hiqmet Mehmetajt janë të sinqerta dhe kanë thjeshtësinë e këngës. Ato nuk janë rritur në serrat e librave, por në livadhet e natyrës. Me këtë dua të them se autori e ka asimiluar pasurinë shpirtërore të popullit dhe si nektar e ka shpërndarë në vargjet e tij. Dhe ky nektar u ka dhënë çiltërsinë e natyrshme, jashtë skenave libreske”. Për t’u fokusuar sadopak tek soneti i tij, mund të themi se Hiqmet Mehmetaj, me ndjenjë, me kulturë, me durim ka realizuar një punë prej artisti në gjetjen e rimave e në ndërtimin e strofave, në kërkim të ritmeve dhe në kujdesin për të tërën dhe të mjeteve shprehëse. Vërehet vëmendja që ka për strukturën e tingëllimës dhe në stilin e tij nuk ka imitim të lëvruesve të sonetit nga autorë të huaj apo shqiptarë. Ka ndikim formësor nga Shekspiri në të 35 sonetet e shkruara deri më sot nëpër vëllimet poetikë që ka botuar, por ende jo në një vëllim më vete. Poezia e Hiqmet Mehmetaj ka karakter lirik romantik, po në mjaft tingëllima spikat prirja drejt realizmit, përmes trajtimit të motiveve shoqërore, qortimit të veseve dhe falënderimit poetik të virtyteve humane. Mehmetaj, sot për sot, ende është lëvruesi i vetëm i modelit poetik të sonetit lirik ndër autorët e Vlorës, por, mesa dimë edhe në qytetet e tjera nuk duket se soneti është në modë, ndoshta ngaqë këron një mjeshtëri me shije të hollë artistike dhe disiplinë të rreptë letrare të teknikave poetike. Pikërisht tipologjinë shkrimore të poezisë së Mehmetajt e dallojmë sidomos në tingëllimat e tij. Ato janë të tëra të bukura, ndërtuar sipas strukturës shekspiriane të soneteve: me tri strofa e gjysmë, domethënë, tri strofa njëmbëdhjetë rrokshe (quatrains) me rimën ABAB, CDCD dhe EFEF dhe dy vargjet e fundit (couplet) me rimë të puthur GG por, këtë prezantim të parë të tij me lexuesin, do të veçoja 11 sonete, nga të cilat: “Të kërkoj ndihmë”, “Brengë”, “Një ambiciozi”, “një pusht-etari”, “Lulishtari”, “Hëna e lajthive”, “Liria” janë lirika shoqërore; “Natë dimërore” – lirikë peizazhi; “Rrëfim rinor”, “Lustraxhiu” dhe “Në dasmën e putanës” – lirika dashurie. Mendoj se misioni im i thjeshtë si moderator i prezantimit tim në gazetë të tingëllimave të lirikut të Vlorës e mbyll këtu ciklin, për të vijuar me shijet artistike dhe estetike që do të shkaktojë tek lexuesi dashamirës i letërsisë së bukur. Udhëtim të mbarë, të këndshëm e të kënaqshëm Liriku ynë i tingëllimave, mësues dhe poet Hiqmet Mehmetaj!
Miqësisht,
Albert R. Habazaj Vlorë, e hënë, 26 Mars 2018
11 SONETE (Tingëllima)
nga poeti lirik Hiqmet MEHMETAJ
Të kërkoj ndihmë
E shtrenjta muza ime varfëruar,
me britma nuk dua të shurdhoj askënd,
bilbili mbyll sqepin pa u ankuar
nga turma zogjsh, ku askush nuk e çmend.
Po të shtrij dorën, po të kërkoj ndihmë,
vargu i pastër të rrjedhë si krua,
më shkund, mua më shkund, më jep një qortim,
trillo dhe pak, se gurra m’u shterrua.
Që të arnoja s’do ish aspak mëkat,
se lëvdata nga miqtë do të prisja,
por ti s’je e grisur, mendohu dhe pak,
që si të tjerë tok me ty të vdisja!
Ah, sa më rreh pulsi, trupi im e di,
lypsarin tënd mos e lër në vetmi!
Një ambiciozi
Vargu yt “i gdhendur dhe i selitur”
brenda trurit tim si mace bredhëron,
kur ëndrrat tallen me një shpirt dremitur
veglat e punës kotësisht i nënshtron.
Shpirti yt (një filaqi* e panderë)
nuk më solli aspak trishtimin e zi,
le të më sulesh dhe një mijë herë
muzën vellohedhur s’ma mposht dot njeri.
Në kopshtin tim ka lule jargavanë,
fruta, diell dhe yje qiellorë,
ti nuk ke as kopsht, as drurë të tharë,
je rrëzuar në humnerë, i gjorë.
Ushqimi yt krejtësisht i mbytur në zi,
aspak s’më ligështon, më mbush me fuqi.
* filaqi: fletët e mullirit të bluarjes që nga forca e ujit vendosin në levizje gurin e mullirit
Lulishtari
Ndoshta kemi zbritur nga planet tjetër,
se s’jemi si të tjerët unë dhe ti,
shpirti i mbrujtur hapësirëgjelbër,
paçka se këtë shumëkush nuk e di.
Mund të na quajnë edhe çmendarakë,
por unë i fal dhe aspak faj s’u vë,
se nuk mund të maten as me çunakë
mendjelëshuarit si kuajt pa fre.
Le të bredhë mendja jonë diku gjetkë,
të prehet tek një pishë a lëndinë,
syri ynë si një gjyqtar i sertë
sodit aq shumë sa na bëhet fiksim.
Shpirti ynë i mbushur plot eksplozion,
çuditje mjeranësh që s’kanë pasion.
Në dasmën e putanës
Ai ujë që zgjodhe për t’u futur
ty në atë filaqi do të çonte,
epshi yt i papërmbajtshëm, i shthurur
turpin brilant bloza do ta mbulonte.
Hamshorët po joshen nga kërcimi yt
mbi majat e gishtave fluturuar,
gjymtyrët bukur luajnë muzikë
se sot shumë miq krevati ke ftuar.
Veçse për shumicën je mall pa vlerë
se jetën po e shkon mendjekërcyer,
atë vepër s’mund ta shmangësh as në ferr,
mundohesh për Një të mbetesh e vyer.
Pafundësisht sëmundja të ka pushtuar,
lëvdata kurvarësh sot ke fituar.
Hёna e lajthive
Nuk kisha parë shkurre lajthie,
ishte rastësi, kur ndodhesha ushtar.
Suleshim degëve diku në Juglindje,
sigurisht, kur fruti ish pjekur, ish tharë.
E ku e mendoja unë fatlumi
se zemra ime do të më ishte ndarë
nga sytë verbuese e një nuseje,
bamirëse për mua beqarin qyqar!
Dhe ja një buzëmbrëmje me shumë mund,
tek shkurret lajthie u bë takimi,
plantacioni nisi kokrrat t’i shkund,
përshëndeti buzëmbrëmjen ku plasi “tërbimi”.
Sa herë që ty lajthi, të shtrojnë për të ngrënë,
kujtoj nusen engjëllore me emrin HЁNЁ.
Lustraxhiu
Aty në atë stol ku ti je ulur
nën poltronin e klientit kalimtar,
për zonjëzën e rëndë aq të bukur
shtangesh, qindarkat harron për t’ia marrë.
Sigurisht, pasqyra nën këmbët e saj
është e përsosura kamer për ty,
se grykëzëna përbuzshëm, e pafaj
kurthin tënd joshës ajo nuk mund ta di.
Lustraxhi, qafir, që fiton pak lekë
këpucët e mia llustron nxituar,
jam klienti yt që të jap të drejtë,
s’kam “shtegun” e zonjës së adhuruar.
Jam pengu yt i punës, i nxitimit,
Paç fat, mik, te pasqyra e vrojtimit!
Liria
Zotin ndoqa nё udhёn e sё mirёs
E kёrkova lirinё njerёzore,
Por ligjet e pacipa tё natyrёs
E pluhrosёn kёtё botё mizore!
Nata kryeneҫe s`i hap udh` ditёs
Me blozё mbuluar e shёnjta Liri,
Errёsira flet nё emёr tё dritёs
Bodrumeve dremisin sytё e mi!
Ja dhe prognoza; – pranga pavdeksie
Ekuacion i pazgjidhshёm, i pashpresё,
Kёmbё e duar – vargonj asfiksie
Nga zinxhirfyti shtrёnguar, vdekjen pres.
Zot, jam i butё, s`jam egёrsirё,
S`mund t`i meritoj kёta zinxhirё!…
Brengё
Me sytё e mi shoh botёn pёrmbysur,
Shoh jetёn tё shkatёrruar, tё vrarё,
Shoh fatin mjeran – gur tё rrokullisur
Dhe sahanlёprirёsin pusht – pushtetar!
Shoh zemrёn e brishtё keqas zhgёnjyer,
Tё virgjёrёn pёrdhunisht zhvirgjёruar,
Shoh tё vёrtetёn nga gёnjeshtra thyer
Edhe tё ndershmen ҫnjerёzisht ҫnderuar!
Shoh Lirinё me zinxhirё tё lidhur
Dhe artin qё heq shpirt, i nёpёrkёmbur!
Binjaken varfёri me mua lindur
Trurin tim tё mpirё, pёrdhe tё shёmbur!
Nё pellgun e brengёs dergjem i mekur,
Njё fije shprese a kam pёr ta gjetur?!…
Njё pushtetari
Nuk di se ҫ`fjalё tё zgjedh pёr ty, o pusht,
Ti krijesё e pazakont – terr i rёnduar,
Ty bark pёrbindёsh, i panginjshёm
Ty shpirt kalbёsirё – rrёnoj’ e vjetёruar!
Sikur tё kisha forcёn e Anteut
Dhe shpirtin e zi si njё hienё,
Pёr ty me kthetra do tё hapja
Nё kёtё vend gropёn mё tё thellё!
Po ҫ`tё bёj mjerani qё jam poet
Si gjithё poetёt fakirё nё botё,
Qё s`kanё dorё krimi, por janё aq tё zbehtё
Sa lufta ndaj teje mbetet e ftohtё.
Veҫ nёse nga unё s`gjen vdekje kurrё,
Shpagimi pёr ty le tё vijё nga njё kurvё.
Natё dimёrore
Bie nata e gjatё dimёrore
Shtrёngatat si shigjeta vringёllojnё,
Trёmbin zёmrat e brishta fёminore
Tej dritareve ёndёrrimin zgjojnё.
Prishin gjumin arushat nёpёr pyje
Zёri i stuhive ushton fuqishёm,
Retё qorrojnё qiellin me yje
Lumenjtё kёrcasin eshtrat habitshёm!
Tunden degёt e drurёve tullacё
Si shtёllunga tymi ngjajnё mjegullat,
Presin tёrё ankth zogjtё refugjatё
Presin, presin… respektojnё rregullat!…
Pranvera i shkel syrin dimrit serbes,
Natёn me gёrshёrё kёrkon t`ia presё!…
Rrёfim rinor
Ashtu, i ngrohtё, mrekullisht i mpleksur,
Nёn aromёn e gjinjve, atё natё,
Ҫmendurisht, si njё vasal i heshtur
U dogja nё botёn tёnde tё zjarrtё!
Pashё njё pyll si rrallё ndonjёherё
Peizazhe, pemё, fruta, erёparfum,
Pashё syrin tёnd, hapёsirёn qiell
Nё atё natё pranverore fatlum!
Pashё dhe tё ndritshmin diell pranveror,
Pashё dyer hapur lindje-perёndim,
Plazhe, porte dhe dete madhёshtorё
Shijova kёngёn e epshit pambarim!
Dhe sot ai parfumi yt kundёrmon,
Kёnga e asaj nate ende kёndon!
Përgatiti për botim, Albert HABAZAJ