Shkup, 21 dhjetor 2020: Shqipja e shkruar dokumentohet që nga shekulli XIV me alfabetin latin. shkronja cirilike. Po këtë alfabet, të plotësuar me ndonjë shenjë greke, e përdorën edhe shkrimtarët arbëreshë. Duke qenë se greqishtja përdorej si gjuhë e kishës ortodokse, shqipja u shkrua edhe me shkronja greke. Nën trysninë e islamizmit dhe të pushtuesve osmanë, në shkrimin e shqipes, që nga fillimi i shekullit XVIII, u përdor edhe alfabeti turko-arab. Më të u shkruan krijimet letrare të bejtexhinjve.
Me fjalë të tjera, me alfabet latin janë shkruar dokumentet e para në gjuhën shqipe:
– Formula e pagëzimit, 1462; dhe
– Fjalorthi i Arnold fon Harfit, 1496)
. Dëshmia e parë me alfabet grek është “Ungjilli i Pashkëve” ose “Perikopeja e Ungjillit”, i shkruar në dialektin jugor të shqipes, në një fletë karte, të gjetur në një kodik të shekullit XIV.
Ka që thonë se ky shkrim i përket fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI.
Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut i vitit 1555 dhe tekste të tjera të shekullit XVII dhe të gjysmës së parë të shekullit XVIII janë shkruar me alfabet latin,plotësuar me disa shkronja cirilike. Në shekullin XVIII autorët e letërsisë së bejtexhinjve përdorën alfabetin turko-arab.
Për shkrimin e shqipes, për të vënë në pah individualitetin e saj dhe të popullit shqiptar, u ndoq edhe një rrugë tjetër – ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta. Nga shekulli XVIII, mbase edhe më parë, u krijuan disa alfabete të tilla. Orvatja më fatlume qe ajo e veprimtarit dhe e mësuesit të gjuhës shqipe Teodor Haxhifilipit (rreth vitit 1730-1805), i njohur me emrin Dhaskal Todri, shkrimi i të cilit pati njëfarë përhapjeje.
Në një frymë të re, thellësisht kombëtare, e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të shqipes ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtari i shquar iluminist dhe veprimtari i shkollës shqipe Naum Veqilharxhi (Naum Bredhi, 1767-1846). Në vitet 1824 dhe 1825 ai e kishte nisur tashmë punën për një alfabet të tijin me 33 shkronja. Më 1844 ai shtypi një gjuhën shqipe një abetare prej tetë faqesh. Ky libër i vogël me titull “Fort i shkurtër e i përdorçim ëvetar shqip”, u shpërnda në mbarë Shqipërinë e jugut, nga Korça në Berat. Në vitin 1845, në një botim të dytë, kjo broshurë u zgjerua deri në 48 faqe, me titull ”Fare i ri abetor shqip për djelm nismëtore”.
Përpjekje të mëtejshme për caktimin e një alfabeti të përgjithshëm për gjuhën shqipe u bënë në vitet ’60 të shekullit XIX si dhe më pas, nga një grup atdhetarësh dhe veprimtarësh të shquar të Rilindjes Kombëtare, siç ishin: Kostandin Kristoforidhi (1872-1895) – lëvrues dhe studiues i dalluar i gjuhës shqipe; Pashko Vasa (1825-1892) – veprimtar i arsimit dhe i kulturës, poet dhe publicist patriot; Hasan Tahsini (1811-1881) – atdhetar i madh, filozof dhe mendimtar i shquar në fusha të ndryshme të diturisë; Jani Vreto (1822-1900) – atdhetar dhe mendimtar shquar; Sami Frashëri (1850-1904) – dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist, rilindës i shquar, ideolog kryesor i Lëvizjes kombëtare shqiptare. Përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878).
Në fillim të vitit 1879 u pranua alfabeti i parashtruar nga Sami Frashëri (1850-1904), i bazuar në parimin “një tingull me një germë dhe një germë për një tingull”. Ky alfabet, i njohur me emrin “alfabeti i Stambollit”, u mbështet në alfabetin latin, duke u plotësuar me disa shkronja greke dhe me shkronja të tjera të veçanta. Me të u bënë shumë botime, u përhap gjerësisht dhe deri në fund të shekullit XIX ishte alfabeti kryesor i Rilindjes Kombëtare.
Nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX një përhapje jo të vogël pati edhe alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, të cilin – me pak ndryshime – e përshtati edhe revista “Albania” e Faik Konicës (1875-1942), që botohej në Bruksel në vitet 1897-1902 dhe në Londër në vitet 1903-1909. Me shkrimet e saj, kjo revistë luajti një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët, të vendosur në Kongresin e Manastirit më 1908.
Kur numri i botimeve shqipe u shtua, ndërsa rrjeti i shtypjes së tyre u zgjerua, kushtet teknike dhe arsye të tjera bënë që të krijohen e të përdoren alfabete të ndryshme. Gjithnjë e më shumë u përdor alfabeti thjesht latin në variante të ndryshme, duke u plotësuar shkronjat e tij me diagrame (dyshkronjësha) ose me shenja diakritike (ç, ë). Numri i alfabeteve të përdorura në praktikën e botimeve erdhi duke u shtuar.
* * *
Shumë nacionalistë shqiptarë ushqyen besim te lëvizja e xhonturqve, e cila do të shpinte në revolucionin e korrikut të vitit 1908 dhe pas një viti, në përmbysjen e Sulltan Abdyl Hamidit II (1842-1918). Edhe shqiptarët luajtën një rol me rëndësi në revolucionin e xhonturqve, i cili e përshpejtoi fundin e kësaj periudhe të stagnimit të përgjithshëm, e që më 23.07.1908 i dha Perandorisë kushtetutë, ndërsa qytetarëve – kinse barazi. Por shpresat që shqiptarët kishin mbështetur te xhonturqit, u shuan shpejt. U bë e qartë se administrata e re ishte po aq centraliste sa edhe e vjetra, në mos dhe më shumë. Shqiptarët nuk do të bënin pjesë në atë valë nacionalizmi mbarëturk që po përhapej nëpër Evropë.
Veprimtari dhe publicisti i Rilindjes Dervish Hima (Ibrahim Naxhi, Ohër, 1875 – Tiranë, 1928) thoshte se “shqiptarët nuk janë tjetër veçse shqiptarë dhe nuk do ta ndjejnë veten të kënaqur veçse kur të jenë të lirë në një Shqipëri të lirë, si një pjesë e një konfederate shtetesh të pavarura ballkanike nën suzerenitetin e Sulltanit (Archives du Ministère des Affaires Etrangères de France, Shkodër, 26 gusht 1908, dhe Pinon 1909, f. 813).
Ndërsa shpresat për autonomi nuk po fuqizoheshin, shqiptarët arritën të përfitojnë nga reformat e xhonturqve dhe nga liberalizimi relativ në çështjet kulturore. Ngritën shkolla në gjuhën shqipe dhe themeluan gazeta në këtë gjuhë si dhe klube patriotike. Por, rrethi tragjik i shtypjes dhe i kryengritjeve të përgjakshme vazhdonte.
* * *
Po në këtë kohë, prej 14 deri më 22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit, për të shqyrtuar në atë fazë disa çështje të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare, në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë politik, arsimor dhe kulturor dhe një kërkesë e ngutshme e Lëvizjes Kombëtare.
Për ta përmbushur këtë kërkesë, atdhetarët shqiptarë shpejtuan ta shfrytëzonin gjendjen e krijuar pas shpalljes së Kushtetutës në Perandorinë Osmane (23.07.1908).
Nismëtar i thirrjes së këtij kongresi kombëtar, që ka hyrë në histori si Kongresi i Manastirit, ishte klubi “Bashkimi” i Manastirit. Organizimi i kongresit të alfabetit u propagandua nga veprimtari politik, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi, i njohur edhe me pseudonimin Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka – Mit’hat Frashëri (Janinë, 1880 – Nju-Jork, 1949) në revistën e tij “Liria”. Në një artikull të botuar në të, midis tjerash ai shkruan: “…ardhi një ditë e pëlqyer për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e pa pengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumturin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuk do mundim të arrijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë”.
Kongresi u mbajt në shtëpinë e veprimtarit të lëvizjes kombëtare, të lindur në Zavalan të Dangëllisë (rrethi i Përmetit) Fehim Zavalanit (1859-1935). Nën drejtimin e tij, pranë klubit “Bashkimi” të Manastirit, në vitin 1908 u formua një komitet i fshehtë që luftonte për autonominë e Shqipërisë. Fehim Zavalani ishte drejtuese i gazetës “Bashkimi i Kombit” që doli në Manastir në vitet 1909-1910. Në vitet 1911-1912 gazeta doli me emrin “Drita”, si organ i klubit “Bashkimi” të Manastirit.
Femi Zavalani qe ndër organizatorët kryesorë të thirrjes së Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Si kryetar i klubit “Bashkimi” të Manastirit, Fehim Zavalani bashkërendoi veprimtarinë e të gjitha klubeve shqiptare për mbrojtjen e alfabetit shqip, të kulturës dhe të të drejtave kombëtare të shqiptarëve kundër reaksionit xhonturk. Në Kongresin e Dibrës (1909), kundërshtoi përpjekjet e përkrahësve të xhonturqve për t’u imponuar shqiptarëve alfabetin arab.
Kongresi i Manastirit pra, u mbajt në shtëpinë e Fehim Zavalanit. Në Kongres morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, të klubeve dhe të organeve kombëtare të pjesës më të madhe të trevave shqiptare, si dhe të kolonive shqiptare në vende të ndryshme, shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës dhe mësues të shqipes, veprimtarë të njohur të lëvizjes kulturore dhe politike kombëtare. Por, numri i përgjithshëm i të pranishmëve ishte 160.
Për të studiuar çështjen e alfabetit dhe për të dalë me propozime, Kongresi zgjodhi një komision 11-anëtarësh, të përbërë nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim.
Në komision bënin pjesë:
– Poeti, dramaturgu, prozatori, esteti, publicisti, kleriku i lartë dhe politikani Gjergj Fishta (1871-1940);
– Veprimtari i lëvizjes kombëtare dhe demokratike shqiptare, poeti e publicisti Luigj Gurakuqi (1879-1925);
– Botuesi i të përjavshmes shqiptaro-amerikane “Kombi” në Boston Sotir Peci (1873-1932);
– Veprimtari politik, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Mit’hat Frashëri (1880-1949);
– Njëri ndër figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare në Sofje Shahin Kolonja (1865-1919);
– Deputet i Elbasanit në Kongres ishte farmacisti Dhimitër Buda (Taqi Buda). Kongresin e mbështeti edhe financiarisht. Më vonë mbështeti financiarisht edhe Normalen e Elbasanit. Është baba i historianit Aleks Buda (Elbasan, 1911 – Tiranë 1993);
– Poeti klasik dhe veprimtari atdhetar Ndre Mjeda (1866-1937);
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, publicisti, drejtuesi i shkollës së vashave në Korçë, vëlla i Gjerasim Qiriazit – Gjergj Qiriazi (1868-1912).
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, organizator dhe drejtues i çetave të armatosura për pavarësi në vitet 1906-1908 – Bajo Topulli (Gjirokastër, 1868 – Sarandë, 1930).
– Veprimtari i lëvizjes kombëtare, publicist i cili iu përkushtua përhapjes së mësimit dhe shkrimit të gjuhës shqipe, si dhe ideve kombëtare në Bera – Nyzhet Vrioni (Nyz-het Vrioni, Berat, 1877 – Romë, 1920). Në Kongres mori pjesë së delegat i klubit “Bashkimi” të Beratit dhe u caktua anëtar i Komisionit të alfabetit;
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, mësuesi i Shkollës së Vashave në Korçë, i cili lindi në Vithkuq të Korçës dhe u shpërngul në Manastir – Grigor Cilka (1875-1919). Gruaja e tij, Katerina Cilka ishte mësuese e shkollës së parë fillore për vajza në Korçë.
Ndër pjesëmarrësit e shquar ishin edhe:
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe i shkollës shqipe, publicisti Petro Nini Luarasi (Luaras i Kolonjës, 1865 – Ersekë, 1911). Për veprimtarinë patriotike, arsimore, shoqërore dhe propaganduese, u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë.
– Veprimtari i shkollës shqipe, studiuesi dhe publicisti nga Shkodra Mati Logoreci (1867-1941);
– Poeti dhe publicisti nga Shkodra Hilë Mosi (1885-1933);
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, i shkollës shqipe dhe i shtypit shqiptar, i lindur në Vodicë të Kolonjës Thoma Avrami (1869-1943);
– Në Kongres qenë të pranishëm edhe Qiriazët. Familja patriote kolonjare Qiriazi ishte vendosur në fshatin Tërnovë të Manastirit. Sevasti Qiriazi (Dako) (1871-1949), Gjerasim Qiriazi (1858-1894), Gjergj Qiriazi dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970) janë motra e vëllezër. Qenë veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare. Vepruan për arsimimin dhe për emancipimin e popullit shqiptar, sidomos të femrës shqiptare.
* * *
Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi vinin nga Shkodra. Shahin Kolonja dhe Petro Nini Luarasi – nga Kolonja. Thoma Avrami – nga Korça. Bajo Topulli dhe familja Qiriazi – nga Manastiri. Sotir Peci – nga Bostoni.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, biri i Abdyl Frashërit (1839-1892). Ai u caktua edhe në Komisionin e alfabetit. Komisioni njëmbëdhjetë anëtarësh kryesohej nga Gjergj Fishta. Komisioni kishte për detyrë të studionte çështjen e alfabetit dhe të dilte me propozime.
U arrit menjëherë mendimi i përbashkët që, pavarësisht nga alfabeti që do të përcaktohej, kryesorja të ruhej uniteti kombëtar. Këtë ide Gjergj Fishta e shprehu duke thënë: “…sado që jam dërguarë prej shoqërisë Bashkim, s’kam ardhurë për të mprojtur atë abece, po për të gjeturë një mënyrë që të bashkohemi të tërë”.
Tre alfabetet kryesore që u morën në shqyrtim qenë:
– alfabeti i “Agimit”, i shoqërisë letrare “Agimi” të Shkodrës, i propozuar nga Ndre Mjeda;
– alfabeti i Bashkimit, i shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës, i hartuar nga poeti dhe kleriku, i lindur në Bulgër të Mirditës Preng Doçi (1846-1917); dhe
– alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami Frashëri.
Kishte shqiptarë, kryesisht të jugut, të cilët parapëlqenin alfabetin tradicional të Stambollit. Shqiptarët e veriut ndërkaq, pëlqenin alfabetin e “Bashkimit” të Shkodrës, i cili ishte më praktik për botime, ngase nuk kishte shkronja jolatine.
Në kongres u shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjera: alfabeti grek, i përhapur për përdorim të shqipes nga lëvruesi dhe studiuesi i gjuhës shqipe, veprimtari i Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës Konstandin Kristoforidhi (1872-1895) dhe alfabeti arab, të cilin një numër i caktuar i myslimanëve, sidomos në Maqedoni dhe në Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për një kohë të caktuar pas kongresit.
Një prej tyre që përkrahu alfabetin arab ishte edhe veprimtari i lëvizjes kombëtare, kleriku Rexhep Voka (Shipkovicë, Tetovë 1847 – Stamboll 1917). Ai u përfshi në lëvizjen për çlirim kombëtar dhe për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare, për mësimin e shqipes dhe për përhapjen e diturisë, si rrugë e emancipimit kombëtar të shqiptarëve. Në vitin 1903 ishte myfti i vilajetit të Manastirit. Përkrahu idenë e shkrimit të shqipes me alfabet arab, gjë që u kundërshtua nga veprimtarët e Rilindjes. Me këtë alfabet botoi dhe një abetare (“Elifbaja shqipe”, 1910) dhe një libër mësimi të shqipes dhe të normave të fesë islame (“Mendime”, 1911).
Pas disa ditësh të përshkuara me diskutime dhe duke marrë gjatë kësaj kohe edhe telegrame nga mbarë Shqipëria, me kërkesën që të vendosej njëri apo tjetri alfabet, Komisioni vendosi t’i pranojë variantet e modifikuara:
– të alfabetit të “Bashkimit”; dhe
– të alfabetit të Stambollit.
Tani, në shkolla dhe në botime mund të përdoreshin të dy alfabetet. Megjithëkëtë, pranimi nga të gjithë, i vendimit të Komisionit do të donte ende kohë. Pra, pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të cilit plotësoheshin me nëntë dyshkronjësha (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë). Në fund Komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohej përdorimi, si i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë ndër shqiptarë, ashtu edhe i alfabetit të ri. Dy alfabetet ndryshonin vetëm në shtatë shkronja.
Vendimet e kongresit që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes për afrim e njësim, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim.
Brenda pak vitesh, alfabeti i shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës i miratuar nga Kongresi i Manastirit, fitoi epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes. Njësimi i alfabetit ishte një hap i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit dhe të gjuhës letrare shqipe.
Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin dhe për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Gjatë ditëve të kongresit u organizuan takime të veçanta dhe mbledhje të mbyllura me delegatët, ku u rrahën çështje të mprehta politike. Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet, për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare dhe për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre.
U hartua edhe një program kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikash, që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në emër të shqiptarëve – në parlamentin osman.
Kongresi i Manastirit e ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë. Për të janë bërë botime të posaçme, si përmbledhja “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit” (1972) dhe studimi “Kongresi i Manastirit” (2004) nga gjuhëtari Shaban Demiraj (Vlorë, 1920 – Tiranë, 2014) dhe nga historiani Kristaq Prifti (Berat, 1932 – 2017).
Përcaktimi i kombit shqiptar për alfabetin latin kishte për të një rëndësi politike të jashtëzakonshme. Një përcaktim i tillë ishte i natyrshëm. Kjo dëshmoi qartë se shqiptarët janë një popull evropian – pjesë e pandarë e qytetërimit perëndimor.
Kongresi i Manastirit i priu shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, gjë që ndodhi katër vjet më vonë.
Çështja e alfabetit qe një temë politike e diskutuar gjatë Rilindjes, e kështu do të mbetej edhe për disa vjet me radhë, përkatësisht deri në vitin 1908. Me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, Kongresi shtroi rrugën për një kalim shkallëzor nga alfabeti i Stambollit te alfabeti i tanishëm i shqipes, i bazuar në shkronja latine, si dhe arriti të mënjanojë mjaft polemika dhe kundërshtime në vitet e mëvonshme.
Ndonëse një gjuhë letrare, me një drejtshkrim përfundimtar për të gjithë leksikun u vendos jo më parë se në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë prej 20 deri më 25 nëntor 1972, vendimet e miratuara 64 vjet më herët në Kongresin e Manastirit, e lehtësuan mjaft formimin e disa normave gjuhësore në fushën e botimeve dhe ndihmuan në ecjen përpara të një letërsie shqiptare më të njësuar.
Vitet e fundit, shqiptarët rregullisht e kremtojnë përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Por, ata nuk duhet të harrojnë se qyteti i alfabetit – Manastiri historik, i cili dikur ka qenë qytet i banuar kryesisht me shqiptarë, sot është zbrazur në përmasa frikësuese, saqë është bërë vështirë të jesh shqiptar në këtë qytet. Pushteti sllavo-maqedonas, që nga viti 1945 e këndej ka bërë çmos për t’i privuar shqiptarët e Manastirit nga arsimimi në gjuhën amtare, nga e drejta për t’u punësuar dhe për të ushtruar çfarëdo veprimtarie ekonomike. Ndaj tyre është ndjekur politika e gjenocidit dhe e aparteidit të heshtur. Të getoizuar, të margjinalizuar dhe të privuar nga çdo e drejtë kombëtare dhe njerëzore themelore, shqiptarët e Manastirit u detyruan t’i marrin rrugët e migrimit, përtej deteve dhe oqeaneve, deri në ShBA, Australi, Zelandë të Re dhe Kanada, për të mos u kthyer kurrë më.
Vitet e fundit, shqiptarët e festojnë rregullisht përvjetorin e alfabetit, duke harruar se ndërtesa ku u mbajt kongresi historik, është sulmuar nga persona të panjohur, madje jo një herë. Sulmuesit nuk duket të jenë vandalistë të rëndomtë. Qeveria sllavo-maqedonase në të cilën bën pjesë edhe faktori politik shqiptar, kurrë nuk arriti t’i zbulojë sulmuesit e shtëpisë së alfabetit.
Shqiptarët është mirë t’i shënojnë datat e rëndësishme të historisë së tyre, por pa i mitizuar ato. Shqiptarët nuk duhet ta mitizojnë, as hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë të themeluar më 1887 dhe as Kongresin e Manastirit që ndryshe quhet edhe Kongres i alfabetit.
Nga mesi i shekullit XIX, popuj të caktuar të gadishullit i hartuan projektet e veta kombëtare. Shqiptarët ndërkaq, të gjendur nën sundimin osman, ia dolën të botojnë jo më shumë se një abetare prej tetë faqesh – “Ëvetari” (1844) i Naum Veqilharxhit (1797-1846). Ky ishte një nga figurat më të hershme që iu përkushtua krijimit të një alfabeti të ri të shqipes e njëherazi një nga të parët që formuloi idealet dhe objektivat e lëvizjes kombëtare shqiptare që në hapat e parë të saj.
Derisa shqiptarët përpiqeshin t’i kapërcenin pengesat që ua krijonin autoritetet e Portës së Lartë për të themeluar shkollë fillore me mësim në gjuhën amtare, në këtë periudhë, disa prej fqinjëve ballkanikë kishin themeluar universitete dhe institucione të tjera shkencore dhe arsimore.
Kroatët nuk janë popull ballkanik dhe nuk kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane, por të Austro-Hungarisë. Ky popull që kufizohet me Gadishullin Ballkanik, universitetin e vet e ka themeluar qysh në mbarim të shekullit XVII, përkatësisht më 23 shtator 1669.
Çdo popull, shkaqet e vonimit, duhet t’i kërkojë në radhë të parë në vetvete, e pastaj jashtë vetes.
Postime të Lidhura
UK LUSHI: LIBRI I IDENTITETIT
New York City, 22. 05. 2012 – (Disa fjalë mbi librin e Mehmet Krajës “Identiteti kosovar”, botuar nga…
POETI QË MBOLLI DIJE E KULTURË
Nga Hamdi Hysuka Më datë 7 tetor 2023, në bashkëpunim me Bibliotekën “Pjetër Budi” të Bashkisë Mat, Klubi…
PASHTRIKU: MË 4 GUSHT – NË PRISHTINË PROMOVOHET LIBRI “TOPLICA, NJË FOSHNJË MBI BERLIN” I SHKRIMTARIT FATMIR BRAJSHORI
(Pashtriku.org, 25. 2012) – Më 4 gusht 2012, në Prishtinë – nën patronatin e Ministris së Diasporës (Departamenti…
MYZEJEN MYFTARI: DIALEKTET SHQIPTARE (ALBANIAN DIALECTS – PRINCE LOUIS – LUCIEN BONAPARTE)
Londër, 18. 05. 2014 – (Albanian Dialects – Prince Louis-Lucien Bonaparte. Editor: Bejtullah Destani. Publikuar nga: The Centre…