Vlorë, 23 tetor 2017: (Kostumi folkorik i vajzave të Tërbaçit si identitet shpirtëror, (jo material), por edhe material në Labëri dhe në hapësira më tej) –
Kostumet tradicionale të femrës tërbaçiote. Dikur, (botimet enciklopedike dhe ato historike lokale përmendin shekullin XVII), sipas traditës së vendit, gratë e Tërbaçit “kanë mbajtur fustan të gjatë të bardhë ose kafe, deri te qafat e këmbëve. Për nuset – fustan i kuq, vajzat zakonisht të bardhë. Mbanin pallto leshi pa ose me mënga, që i thoshin , futë leshi, shami të ngjyera në bojë të kuqe, të verdhë për të rejat dhe me ngjyrë kafe ose të zezë për të moshuarat. Çorape leshi të gjata deri afër gjurit, të qëndisura me ngjyra të ndryshme, opinga prej lëkure ose këpucë me xhufka në majë, jelekët i qëndisnin me gajtane me ar, dhe i mbërthenin me folla prej argjendi ose bronxi. Në vesh mbanin vathë të mëdhenj prej argjendi, ndërsa vajzat mbanin nga një fill dhe një rruazë … Nga fundi i shekullit XVIII, veshja për gratë ndryshoi, dhe në vend të fustaneve të gjatë u përdorën çitjane ose tumane [ndikim i kulturës fetare islame, importuar e diktuar nga pushtesit osmanë. Shën. im, A.H]. Nga fillimi i shekullit XX filloi të përdorej veshja më e moderuar, sidomos nga burrat” [shih historikun e fshatit “Tërbaçi në rrjedhat e kohës”, Tiranë, Toena, 1997, f. 23]. Xhokja ishte veshja e sipërme dhe e trashë prej shajaku për gra e për burra, pa mëngë ose me gjysma mëngësh a me mëngë të gjata të hedhura prapa, që shkonte deri në brez dhe që kishte zakonisht një pjesë me thekë prapa, e cila hidhej mbi kokë. Përdoreshin xhoke e bardhë (e zezë) dhe xhokë me thekë (me xhufka).
Duke njohur e vlerësuar këtë traditë të veshjes së femrës tërbaçiote në dasma, gëzime, festa e ceremoni të ndryshme, me Grupin e Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, prumë në kohë kostumografinë femërore dhe realizuam këtë uniformë folkorike, sipas gjedhes së stërgjysheve, gjysheve e nënave tona, duke e plotësuar dhe përsosur, brenda identitetit. “Një punë e mirë, e bukur, e dobishme duhej të kryej për hir të emrit që na ka dhënë Tërbaçi” – u morën vesh njëzëri të dhjeta. U desh kohë, qetësi, qartësi, saktësi, mund, parà, vullnetarizëm, solidaritet për sfida ndaj paragjykimeve, cinikëve, ziliqarëve apo gjithologëve. Këto gra të përkushtuara, me sedër të shëndoshë për shpirtin e vendlindjes, vendosën me forcat e tyre të përgatiteshin seriozisht për këtë mision. Pasi u konsolidua grupi dhe mori formën e plotë, të pakthyeshme e të patjetërsueshme, menduan, diskutuan, pyetën dhe projektuan udhëtimin e tyre polifonik në rrugën e madhe, të gjatë, të gjerë e të vështirë të folkorit. Duke filluar nga kostumet, me gjithë vështirësitë ekonomike, kursyen nga të ardhurat familjare dhe me sakrifica arritën të realizonin modelin e tyre të veçantë kostumografik. Pas riformatimit më 1 gusht 2017 grupi do të merret seriozisht me këtë punë vullnetare, aq e madhe e me vlera për shpirtin e banorëve tanë të rrënjës. Kostumi folkorik i Grupit të Vajzave të Tërbaçit u caktua përparësi. Në nisje të paraqitjeve në publik, veshja e grupit përbëhej nga:
1. Fundi, i shkëputur nga polka, punuar me material atllas me pala, (pëlhurë e mëndafshtë, e lëmuar dhe me shkëlqim nga njëra anë) me ngjyrë të kuqe, i gjatë deri në fund të këmbëve;
2. Polka, me ngjyrë mente, pak a shumë si modeli i vjetër, me jakë si jakë marinari; (emri i kësaj veshjeje nuk ka të bëjë me vallen me ritëm të gjallë e të shpejtë, që kërcehet me masën prej dy kohësh dhe muzikën për këtë valle);
3. Jeleku, me material shajak i zi (që zëvendësoi xhoken, ende e parealizuar dot fillimisht), me qëndisje e stolisur me ornamente dekorative zbukuruese, mbërthyer me kapse;
4. Shamia, me material mëndafsh i hollë, një mente e lehtë, e dashur, jo e rëndë, e ëmbël.
Është respektuar tradita, duke futur ngjyrën e kuqe, kombinuar me ngjyrën e zezë, nga që janë ngjyrat simolike të kombit shqiptar, (si pjesëz e së tërës edhe të Tërbaçit). Në këtë rrafsh, është ruajtur paradigma folkorike novatore e Kujtim Micit, (sinonimit të folkorit, kulturës dhe arsimit në Tërbaç). Njëra nga këngët më të njohura të Krijuesit tonë ka dhe këto vargje sintezë të lirikës elegjiake, me të cilat nëna tërbaçiote i këndon me vaj e ligjërime djalit të rënë për liri: “Unë shaminë e zezë/ e preva shqiponjë./Ja qepa flamurit/ shokëve t’ua dërgojë…”. Ne ndjekim modelin e Kujtim Micit, sepse është treguar konsekuent në vijën kombëtare të vargut vigan, melodive (muzikës), veshjes karakteristike. Mbi traditën më të mirë të të parëve. Realizimi material i kostumeve ka si bazë nisje dhe plotësimi metaforën “Shqipëri, nuse bregdeti”, që është lajtmotivi poetik i këngëve të Krijuesit të fuqishëm artistikisht dhe vizionar. Fustani i kuq dhe i gjatë i nuses këngëtare, sot është rezonim i harmonishëm i traditës së njohur, së paku, qysh nga shek. XVII me risitë bashkëkohore, aq të hijshme, tërë dritë e shkëlqim dhe pa teprime.
Pasi kërkuam modelet ndër këngëtaret e vjetra të fshatit tonë e gërmuam në kujtesën tonë folkorike, përzgjodhëm variantin e duhur për të nisur udhëtimin e gjatë folkorik. Pas shumë këshillimesh, kostumet u punuan tek “Moda fashion” e zj. Linda Fejzaj në Vlorë. Kostumi femëror etno-folk i fshatit Tërbac, vjen i moderuar në shekullin e XXI, duke u mbështetur mbi origjinalin si dhe për të ruajtur origjinalitetin e tij. Kështu, me tendencën pozitive, përparimtare të plotësimit përditësues, kostumi femëror etnofolk i Tërbaçit në përbërje të tij ka këto veshje dhe aksesorë:
1) Fundi akllas, mëndafshi i kuq, i gjatë deri tek kyçi i këmbës, organizuar me kufopjeta në bel, me qemerin 4 cm, dhe zinxhirin e fshehtë pas, ku përveç tij, janë edhe mbërthimi me folla ngjyrë argjendi;
2) Këmisha krem, ngjyrë mente, me hapje (tape) deri poshtë gjoksit, jakë ushtarake, mëngë të gjata me kapak, mbërthimin me kopsa në ngjyrën e copës, (pesë kopsa: tre në tape, dhe nga një tek mëngët). E veçanta vazhdon të ekzistojë edhe tek ky element, në pjesën e përparme në anë të tapës – shoqërohet nga dy tegela milimetrikë, të cilën e shohim edhe në pjesën e pasme;
3) Jeleku, përbërë nga stof 100% lesh, i zi, me gjatësi deri tek beli, qëndisur me fije ari përgjatë gjithë gjatësisë, shoqëruar përreth harkut të qafës, harkut të kavadures (krahut), si dhe në gjerësinë, ku konturohet fundi i jelekut, duke u mbyllur nga dy folla ngjyrë argjendi në bel, ku puthiten me qemerin e fundit;
4) Shamia e kokës, e zgjedhur ngjyrë mente, e njëjtë me këmishën, e një përbërje “chiffon”, (byrynxhyku, pëlhurë e bërë me fill të hollë mëndafshi), në formë trekëndëshe, shoqëruar me një kordon syzatori, ku identifikohen perlat e së njëjtës ngjyrë që qarkojnë gjithë gjatësitë – kaluar mbi flokë, shoqëruar nga pas veshëve, ndërsa dy cepat vijnë përpara;
5) Vathët prej floriri kokërr, që identintifikohen;
6) Këpucët lëkure me xhufka të kuqe, me mente në majë.
Kostumi etno-folk u soll në kohë si harmonizim i bukur i traditës me kohën që jetojmë. Kështu realizojmë ruajtjen e pastër dhe çuarjen më tej të traditës, kësaj pasurie të mirë e përparimtare materiale popullore, angazhim ky i përgjithmonshëm i Grupit të Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës. Në grup ka gra, nëna e gjyshe, që mbajnë mend ç’u kanë thënë e ç’kanë veshur nënat e gjyshe tyre në dasma, gëzime e ceremoni festive, që kanë edhe përvojën e tyre, krijuar në vite, të paktën, qysh nga vitet 1967-1969, që ka fillesat ky grup, atëhere fatosa e pioniere të shkollës 8 vjeçare “Halim Xhelo” Tërbaç (ende në Gryka), syth i grupit të grave me Hadixhe Hodon, Fari Skëndaj, Edije Muho, etj., sidomos i grupit të vajzave, që po formatohej me këngëtare si Fatbardha Bajrami Kapo, Dashuri Hodo Mehmeti, Natasha Hoxha Rrapo, Vezire Hodo Habazaj, Xhixho Hodo Trushaj, Lumturi Hodo Habazaj, Mjaftore Dautaj Sino, Afërdita Demo Nevraj, etj. Këngëtaret e grupit të sotëm të vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” janë në shpirt poete, si çdo tërbaçiote e tërbaçiot, si çdo lab e labe. Ndihet shpirti krijues i tyre në kërkesat korrekte e të larta për të gjetur realizuar dhe përdorur kostumin e duhur, atë tradicionalin e tërbaçioteve para e stërpara tyre, që shfaqet edhe në modelin tonë të veshjes etnofolk, që u soll më e moderuar, sepse egzistonte hapësira për të respektuar detajet, duke e përmirësuar atë. Nuk huazuam asnjë model tjetër për realizimin e veshjes karakteristike, sado të bukura e mikluese ishin kostumet e grave të Dropullit, Zagorisë etj., të cilat na i rekomanduan edhe miq e dashamirës të shumtë amatorë. Jo më të Dropullit, Zagorisë apo Luxhit, që janë perla kostumografike, por as të fqinjve më të afërt, Vranishtit, Bratit, Bolenës, Smokthinës, Dukatit, Palasës, Dhërmiut apo Vunoit, me të cilët marrim e japim, kur kemi nevojë për më mirë, nuk mund të merrnim si shembull, sepse është imitim. Imitimi është kopjim i tjetrit, por kopjimi nuk ka të bëjë me traditën tonë, me atë folkor dhe etnologji që ne kemi dhe, kështu del dhe nga parimet specifike dhe ligjërositë e folkoristikë dhe etnologjisë shqiptare. Si gjedhe ne marrim vetëm kostumet tradicionale të femrës tërbaçiote.
Gjykojmë se kostumi është identiteti shpirtëror, jo material, por edhe material i banorëve përkatës që jetojnë në territore, vendbanime konkrete. Ky kostum i polifonisë femërore të Tërbaçit mbështetet mbi veshje e traditës më simbolike, prurë më të moderuara; për të qënë më në kohë, siç janë limitet e gjatësisë apo aksesorët mbi jelek dhe këmishë.
Këto vajza labe, bija e nuse tërbaçiote, nëna e gjyshe të bekuara, me shpirt të madh sa deti, me sedër profesionale e kombëtare për vendlindjen, të lartë sa Çika tej, mbi ballë të Tërbaçit tonë, po bëjnë një jetë aktive folkorike, nga ku mund të shënojmë disa nga paraqitjet e tyre për kënaqësinë e tyre dhe të komunitetit ku banojnë në rrafshin e vlerave humane, artistike, estetike, emancipuese, morale e kombëtare, me dinjitet, nga të cilat mund të përmendim ato në vendlindje, (gusht 2016); në Teatrin “Petro Marko”, për festat e nëntorit vitin e kaluar; në veprimtarinë atdhetare-kulturore, organizuar nga shoqata “Labëria”; për ditëlindjen e Nermin Vlora Falaschi në 18 prill 2017; në Presidencë, me rastin e vlerësimit të tyre me dekoratën “Naim Frashëri” (19 qershor 2017); në veprimtarinë e bukur për ish-mësuesin e tyre, studiuesin e njohur të etnokulturës Llambro Hysi Kallarati (4 gusht 2017), në Universitetin “Ismail Qemali” për Manifestimin poetik në Vlorë “100 mijë poetë të botës për një botë në ndryshim pozitiv” (23 shtator 2017); më takimin e së enjtes së 12 tetorit 2017 në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ku kënga labe grarishte ndezi mjediset e gjigandit mediatik shqiptar “Top Channel”, ku feksi polifonia femërore nga hijeshia e “10 Shqiponjave të Tërbaçit”; më 18 tetor 2017, në Teatrin “Petro Marko” për nderimin e 75 vjetorit të rënies së Katër Heronjve të Topanasë: Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Barjam Tushi e Hiqmet Buzi (15 vjeçari i përjetshëm) … Në çdo veprimtari ku janë paraqitur e kanë përshëndetur me këngët e vallet e tyre të bukura janë pëlqyer, se kanë shkëlqyer. Pjesëmarrësit janë mrekulluar nga dhjetë Miro Tërbaçet e këngës. Për këtë dinjitet artistik e njerëzor, për sakrificat, vullnetarizmin dhe solidaritetin e tyre për hir të Tërbaçit tonë, vendlindjes apo vendorigjinës së përbashkët, edhe publikisht, nëpërmjet shtypit të shkruyar dhe atij online, po shprehem i kënaqur: “Faleminderit motrat e mia të përkushtuara, artiste në shpirt si ju, dinjitoze!”. E dinë ato vlerësimin dhe shqetësimin tim, pa kaluar në vetëkënaqësi. Meraku i tyre ka qenë dhe është paraqitja sa më dinjitoze para publikut që e pranon dhe pëlqen këngën dhe vallen e tyre. Duhet të jemi korrekt me ligjet e pashkruara, me parimet specifike të folkorit (dhe natyrshëm këngën labe dhe brenda saj polifoninë femërore) si art specifik, si një lloj i veçantë artistik. Jo vetëm teksti poetik i këngës a valles së kënduar, jo vetëm melodia (muzika) apo vallëzimi popullor me tekst të kënduar sipas ritmit dhe variantit me një apo tri këmbë (hapa), mbështetur te tradita, krahas mjedisit, kohës dhe hapësirës së praktikimit, por sidomos veshja popullore, kostumi folkorik kombëtar, pasurimi i tij mbi bazën e modelit tradicional ishte dhe ngelet në vijimësi një nga objektivat kryesore të Grupit. Dhe më pak se një vit mbas riformatimit, pranverën e vitit 2017, grupi e plotësoi kostumin mbi bazën e traditës, me një veshje të re për grupin, por shumë e rëndësishme në përdorim nga nënat, gjyshet e stërgjyshet, me xhoken. Synimi është i qartë për të dhjeta artistet tona: që kostumi folkorik të pasurohet vijimësisht nga ana estetike, për të qenë sa më i bukur, i hijshëm, për t’u pranuar dhe pëlqyer nga komuniteti. Duke ndjekur shembullin e Dragoit të këngës labe, të paharruarit Kujtim Mici, që, siç e kemi njohur po e ritheksojmë, se ishte konseguent në vijën kombëtare të vargut vigan, të melodive dhe kostumografisë deri në imtësitë lokale (si pjesë e së tërës), me këto këngëtare humaniste duam t’i justifikojmë urimet e shumta dhe cilësimet që dashamirësit i bëjnë Grupit si: “Ju lumtë zonjave të këngës labe të Tërbaçit”, (Kastriot Gjika, Tiranë), “Bravo, shumë bukur, melodia e fshatit”, (Mikel Lutaj, SHBA), “Buqeta e këngës labe” (Aljosha Korkaj, Itali), “Si zonja ju kemi. Krenohemi. Ju këndoftë zemra!” (Peno Buzheli Xhaka, e shoqja e Nebi Xhakë Tërbaçit, kthyesit të madh e të papërsëritshëm të Tërbaçit dhe këngës labe), “Lulëkuqe të këngës labe në Lumin e Vlorës-mrekulli në gjithë këto vështirësi që has kënga labe sot” (Kastriot Muçaj, Itali), “Lezeti i polifonisë” (Mihal Selimaj, Vlorë), “Hallall zonjave për këtë grup të mrekullueshëm. Hallall dhe gjithë juve që bëtë të mundur krijimin e këtij grupi dhe po bëni të pamundurën që grupi të ngrihet sa më lart” (Kondi Labëria Songs Kosta), “Ju lumtë shqiponjave!” (Bujar Bobby Asameni), “Urime! Më ngjajnë si Arbëreshet e Horës”, (Petrat Kote, Fier), “Shkëlqyet dhe nuk kasha dyshim”, (Madelona Skendaj, Vlorë), etj., “Shumë mirë Shqiponjat e Çikës” (Riza Rrokaj, Vlorë), etj. Nderim për të gjithë miqtë e adhuruesit e Grupit, por ne nuk harrojmë thënien e madhe të shkodranit: “Me t’hy vedi në qef”…, se gremisemi pastaj, e, s’besoj se na jep kush dorën më, nga që kanë punë njerëzit… Duke rikujtuar traditën për njërën nga pjesët përbërëse më të qenësishme të veshjes së femrës tërbaçiote: “Xhokja ishte veshja e sipërme dhe e trashë prej shajaku për gra e për burra, pa mëngë ose me gjysma mëngësh a me mëngë të gjata të hedhura prapa, që shkonte deri në brez dhe që kishte zakonisht një pjesë me thekë prapa, e cila hidhej mbi kokë. Përdoreshin xhokë e bardhë (e zezë) dhe xhokë me thekë (me xhufka)” [“Tërbaçi në rrjedhat e kohës”, vep. e cit., f. 23], sinqerisht, shprehem, se ndihemi mirë nga inkurajimet e vërteta të miqve dhe më shumë përgjegjësi marrim mbi vete për misionin tonë ndaj vendlindjes.
Ndërkohë ndjejmë detyrim moral ndaj dashamirësve bujarë, që tregojnë fisnikërinë e tyre modeste ndaj grupit tonë “10 Shqiponjat e Tërbaçit”.
Në këtë kohë, të paktën ndaj grupit tonë “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, i cili ka hapur dhe numër llogarie, vërehen dy fenomene, dy pamje-vetëm për t’u dukur: ajo e kurnacollogjisë, ku feks koprracllëku, si dhe ajo e fisnikologjisë, bujarisë kavaliereske nëpër tavolina klubesh, nëpër podiume festime me kollare të shoqatave në takime brezash ku avullon me birrën a rakinë dhe fjala, premtimi (jo detyrimisht i kërkueshëm për t’u zbatuar)… Jo vetëm nga që e shikojmë këtë tërbim të disave në shfaqje patriotik e shkëlqim fals, jo të artë, siq hiqen ta interpretojnë, por të varaktë për të lyer e ngjyer skorratinën e ububushme monetaro-morale (mortale), por, sinqerisht e me shpirt u themi faleminderit dhe u shprehim mirënjohjen dy ndër adhuruesve të nderuar të polifonisë femërore të Tërbaçit, kësaj pasurie folkorike të trevës sonë.
Asnjë lloj interesi material e moral, apo mbështetje të çfarëdo lloji nuk patën e s’kanë Ilir Fejzo Rrapaj, (vëllai i këngëtares Liljana Rrapaj Kapo) apo Eldira Zheku Shkurtaj (studente, vajza Kujtimit dhe e këngëtares së grupit Liri Gaçe Shkurtaj), për mbështejen financiare që i bënë grupit tonë. Ndihma e tyre e virtytshme i frymëzoi, i motivoi vajzat e Grupit, u dha forcë e besim, që mos të gremisen në honet e dëshpërimit, të demoralizimit dhe të mosmirënjohjes për këtë punë humane, sa artistike aq atdhetare. Sponsorizimi i tyre modest vlen edhe për pasurimin e kostumografisë, se ato gjithshka e bëjnë me mundësitë e tyre të pakta financiare dhe sakrificat e mëdha. Ndihma e tyre i motivon, që të arrijnë synimet e larta që i kanë vënë vetes si grup për cilësinë artistike dhe pasurimin kostumografik. Mirënjohje Ilir Rrapaj! Faleminderit Edlira Shkurtaj!
Edhe një herë e përherë, nderim për të gjithë miqtë e adhuruesit e Grupit, por ne e kemi vath në vesh e nuk mund ta harrojmë thënien e madhe të shkodranit: “Me t’hy vedi në qef”…, se gremisemi pastaj, e, s’besoj se na jep kush dorën më, nga që kanë punë njerëzit…
Albert HABAZAJ, studiues i etnologjisë dhe folkorit. (Drejtues artistik i Grupit të Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, Vlorë, ALBANIA)
You are in point of fact a good webmaster. The web
site loading speed is incredible. It seems that you are doing any unique trick.
Furthermore, the contents are masterpiece. you’ve
done a fantastic process on this subject! Similar here: ecommerce and
also here: Zakupy online
Hi! Do you know if they make any plugins to assist with SEO?
I’m trying to get my blog to rank for some targeted keywords
but I’m not seeing very good results. If you know of any
please share. Many thanks! You can read similar blog here:
E-commerce