MSc.ALBERT HABAZUAJ: NERTESI ASLLANI-NJË JETË MIDIS KËNGËVE

Vlorë, 19 qershor 2017: (Asllani i ri, si Isa Boletini dy koburet, përdor këngën dhe poezinë) – Në malin e lartë e hijerëndë të Këngës Labe ka shumë shqiponja polifonike, siç shquajnë shqiponja e këngës së Tërbaçit, Vranishtit, Dukatit, Bënçës, Himarës, Pilurit, Smokthinës, Armenit, Tragjasit, Velçës, Bratit, Delvinës, Kallaratit, Bratit, Kaninës, Lapardhasë, Dhërmiut, Drashovicës, Gumenicës, Sevasterit, Bolenës, etj. Çdo shqiponjë ka zogjtë e saj të këngës. Shqiponja e kënëgës së Bolenës ka zogun me zë të lartë Nertesi Tare Asllani. Në detin e gjerë e të thellë të Këngës Labe ka shumë anije polifonike, që dallojnë qysh përtej. Anija e këngës së Bënçës ka timonier Maliq Lilën, e Tragjasit – Hamdi Pulon, e Dukatit – Dule Havarin, e Tërbaçit – Kujtim Micin, e Himarës – Meço Mukon… Timonierët e anjeve polifonike nuk vdesin, janë të përjetshëm. Timonieri polifonik i Kaninës është Meleq Kapllani, i Kallaratit Llambro Hysi, i Bratit Nexhip Sera, i Vërmikut Felek Bleta, i Pilurit Lefter Çipa dhe vëllai i tij i vogël Kristo Çipa, i Vranishtit Muhamet Tartari, i Lapardhasë Feti Brahimi…Ajo anija e bardhë, që nuk e ndal asnjëherë lundrimin, ajo që lundron në diell e furtunë është anija e këngës së Bolenës me kapiten timonierin e sprovuar në llohë folkorike Nertesi Tare Asllani. Është atdhetar ky djalë-burim Bolene. E do shumë Atdheun Nertesiu, deri në dhëmbje. “Shqipëri, o babë e nënë/ të qëlluam me pëllëmbë!…- shkruan, këndon, ofshan autori, ngrihet ta shohë në sy gurvarrin e të parëve e vendlindjen e tij, bën “autokritikë” të vërtetë reflektuese, i kërkon falje si djali mëmës, ia shprehë në sy dashurinë, gjen forca të përmirësohet, duke ndihmuar nënën plakë të ringrihet e të eci me shoqet udhëve të jetës…
Për hulumtuesin, matematikanin dhe shkencëtarin gjerman gati mitologjiku Gaus [Johann Carl Friedrich Gaus (30.04.1777-23.02.1855)] thonë se ishte: “Princi i matematikës”, ndëkohë që ka një thënie: “Matematika është mbretëresha e shkencave dhe Teoria e Numrave është Mbretëresha e Matematikës”. Gausi radhitet pranë Oljerit, Njutonit dhe Arkimedit, si një nga matematikanët më të mëdhenj të historisë. Gausin e kanë cilësuar “Më i riu i të mëdhenjve, më i madhi i të rinjve”.

 

Nertesi Asllani ynë nuk është Gausi dhe kurrësesi nuk mund të jetë. Por,…por, sepse, në një plan tjetër, më vjen si reminishencë e emrit të Gausit, veçse e freskët e vitale në fushën e folkorit dhe folkoristikës shqiptare, me ndihmesën e tij konkrete dhe në fushën e etnografisë dhe etnologjisë shqiptare. Më ngushtë njihet e vlerësohet për kontributet e tij në rrafshin e kulturës shpirtërore jo material të vendlindjes, për frymëmarrjen e shëndetshme që i dha e i jep këngës labe të Bolenës në veçanti, por edhe më tej Lumit të Vlorës, duke zotëruar gjeografi hapësirave polifonike të Labërisë së Vlorës. Studiuesi Ruzhdi Bajrami ia ka gdhendur metaforikisht bukur portretin polifonik poetit të talentuar të këngës labe: “Nertesi Asllani u hëngër me luanët dhe në fund u fut brenda gardhit të luanëve”. Kthej kokën pas e shoh shtigjet e këngës që çeli Nertesiu – më i riu i të mëdhenjve të këngës, më i madh i të rinjve të kësaj perle folkorike. Bolena e festivaleve kombëtare të Gjirokastrës, që na dhuroi Nertesi Asllani qe një tufë me trëndelinë folkorike, aroma e së cilës na kënaq estetikisht, artistikisht dhe kombëtarisht, edhe sot e kësaj dite e gjithë jetën. Në vijim, “Jehona labe” e Nertesi Asllanit është pjesë e kulluar e trupit folkorik të Labërisë së Madhe me atë këngë polifonike të magjishme, me atë valle të kënduar hyjnore.
Nertesi Asllani nuk lexohet, ai këndohet me dashuri në çdo poezi, në çdo fletë të shkruar të librit “Një jetë midis këngëve – Kujtime, vlerësime, analiza, përshkrime” në 376 faqe të ngrohta si bukë vale e kulaç me mjalt. Nertesi Asllnai nuk cicëron, ai bilbilon, si bilbil me zë të rrallë. Vargjet e tij nuk bërtasin, këngët e tij nuk kërcasin. Vërtet ato të mbushin shpirtin me aromë trëndeline. Aty ndjen botën liriko-epike të bolenasit, lumasit, kurveleshasit, labit, vlonjatit, shqiptarit. I lindur në Babicë të Vlorës më 28 prill 1959, kthehet në Bolenën e babës e të gjyshit më 1963, një vogëlush 4 vjeçar, që do të hedhë shtat të lartë si fizik dhe si bartës, krijues, interpretues, përhapës e drejtues – përçor i këngës së Bolenës në Malin e Këngës labe. Shpirti krijues i Nertesi Asllanit piu ujë të kulluar në gurrën e pashtershme popullore, që kishin pirë të parët e tij folkorikë: Ali Dine, Tartar Zeka, Xhemil Veli Duka, Xhebro Gjika, Mato e Selim Hasani, Qazim Ademi, Myftar Shaipi etj., sikurse dhe nga Çajupi e Ali Asllani; u ndikua nga ata, por nuk i kopjoi. Ai, mbi shtratin e traditës, pasuroi e profilizoi stilin e Bolenës, të dallueshëm nga të tjerët në të kënduar, me elementët specifikë që ka folkori si etnopërbashkues dhe etnopërveçues.
Nertesi Asllani qe bashkëkohës me Kujtim Micin, Hamdi Pulon, Maliq Lilën,, Dule Havarin, Zaho Balilin, Lefter Haxhirajn; ai është bashkëkohës me Lefter Çipën, Feti Brahimin, Muhamet Tartarin, Pelivan Barjamin, Llambro Hysin, etj. Ai përfitoi nga përvoja e tyre folklorike. Dha e mori me ta, siç e kanë ligjet e pashkruara, që janë parime të folkorit. Sidomos me K. Micin, siç shprehet dhe vetë me nderim Asllani i Ri-tregon shkallën më të lartë të ndershëmërisë krijuese dhe të pastërtisë shpirtërore si poet i këngës. Nertesiu është trim në thjeshtësinë e tij të dinjitetit krijues. Ai mendjemadhësinë e quan ves. Nertesi Asllani, si Isa Boletini, që mbante dy kobure, mban këngën dhe poezinë. Studiuesi dhe muzikologu i njohur Bajram Lapi, në një forum të Polifonisë Popullore Shqiptare, sfidat e kohës dhe këngës labe i shpreh me këto fjalë: “Polifonia, kënga labe portretizohet vetëm me pesë vargje: “Dil pasha, se jam për udhë/ Dil pasha! [ref.]/ Hamit ti e Hamit unë/ Ti me det e unë me lumë,/ Një nga ne do rroj’ më shumë,/ Them se do të vë në gjumë!…”. E këto vargje i ka krijuar Nertesi Asllani, muzikën (melodinë) e ka gjetur e thurur vetë, këngës ia merr po ai me grupin që ka përzgjedhur vetë nëpër bilbilat e këngës. Autori na ka dhuruar një libër të ri, që jo vetëm lexohet me ëndje e kënaqësi, por na fal argëtim, çlodhje shpirtërore, por na mbush edhe me krenari atdhetare e na edukon me ndjenja të dashurisë së zjarrtë për vendlindjen, dheun e të parëve tanë, duke na bërë natyrshëm më patriot. Ai duke qenë në rolin e autorit pret nga ne, miqtë e letrave e kolegët që të vendosim pikën mbi i. E ka vendosur vetë Nertesiu, si mjeshtër pikën mbi i. Ne mjafton ta lexojmë e ta këndojmë bukur, siç atij i ka kënduar zemra e i ka shkruar pena e pastër e shpirtit të artistit, sepse siç e shpreha më parë, rasti i N. Asllanit është unikal. Libri i tij na vlen më tepër jo për repertorin e pasur të këngëve që ka shkruar e botuar, se ato gati i dimë përmendësh dhe i këndojmë me kënaqësi e dashuri, por ky libër vlen që të njohim dallgët që janë përplasur në shpirtin e poetit të këngës, të ndjejmë pëllëmbët kur e qëlluan padrejtësisht tek çante furtunës për në skenat e festivaleve lokale, kombëtare e ndërkomëbtare. Nertesi Asllani apo Asllani i Ri më kujton veprën “Plaku dhe deti” të Ernest Heminguejt, (kuptohet në rrafshin e botës së folkorit shqiptar e polifonisë labe). Asllani i Ri është një lab polifonik i plotësuar: ai krijon, ia merr këngës, ia kthen, ia mbush, u bie veglave muzikore të traditës sonë: culës e fyellit, mban mend vargje përmendësh, si pakkush ndër krijuesit tanë, tok me Feti Brahimin. Rasti i Nertesi Asllanit si krijues është unikal, edhe kur qesh e fluturon për dashurinë, edhe kur qan si burrat për hidhërimin. Ai, jo vetëm për Vlorën dhe krahinën etnografike të Lumit të Vlorës, është nder e dinjitet i krijimtarisë folkorike e letrare. Pena flori miku im i vjetër!
*) kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, dhe studiues i Etnologjisë dhe Folkorit. Vlorë, 06. 06. 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura