MURAT KOCI: SI U KATANDISË DRENICA – KJO VATËR E PATRIOTIZMËES?!

Borlänge (Suedi), 24. 01. 2016: Sot në komunën e Skenderajt ka dyfish me shumë xhami se biblioteka, dhjetë fish më shumë xhami së klube futbollistike, 20 fish më shumë xhami se shoqata joqeveritare, 100% më shumë xhami se salla e halla sportive, 200% më shumë xhami se teatro. Për kafeteri e bastore as mos të flasim, i gjen në çdo skutë. Pyes, kush është duke u frikësuar nga dija, nga emancipimi kulturor e kombëtar i rinisë së Drenicës e shoqërisë përgjithësisht? 

***
Skenderaj e Drenica kanë histori të bujshme, histori të lavdishme, histori të pasur, histori që është krijuar vit pas viti, decenie pas decenie, e shekull pas shekulli. Është kjo histori e gjatë, histori e pastër, e bardhë dhe e kuqe ashtu siç është e bardhë zemra e drenicasve dhe ashtu siç është i kuq gjaku i tyre. Kjo histori është krijuar nëpërmes përpjekjeve, përballjeve e luftërave të domosdoshme, të drejta e çlirimtare. Këto përballje me të keqen e të këqijtë, me dhunën e të dhunshmit, me të padrejtën e të padrejtit kanë fisnikëruar shpirtin e drenicasve, kanë ndritur mendjet e tyre, kanë pasuruar zemrat e tyre. Janë me qindra mijëra pjesëmarrës e kontribuues në këto përballje, me dhjetëra mijëra të rënë, me qindra heronj ku disa nga ta janë kthyer në mite/legjenda. Kemi mitin/legjendën e Ahmet Delisë, të Hasan Veliu Prishtinës, të Azem e Shote Galicës, të Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, të Tahir e Nebih Mehës, të Fehmi e Xhevë Lladrovcit dhe mitin/legjendën e Adem e Hamëz Jasharit. Dhe të tillë i di dhe i njeh drenicasit/et e gjithë bota, e gjithë shqiptaria, të tillë i njoh dhe unë.

Skënderaj europian nga fushata e premtimeve boshe të “parisë”! /sh.b/

Kur është e gjallë gjithë kjo traditë, gjithë kjo shëmbëlltyrë, kjo pasqyrë kristal e humanizmit, mirësisë, demokracisë, dëshirës për emancipim e arsimim, si shpjegohet që shumë procese kulturore, emancipuese, arsimore, demokratike e sociale kanë ngecur.
Kanë ngecur thellë e keq!
– Jeta kulturore në Skenderaj s’ka qenë kurrë më e varfër!
Duke përjashtuar disa dromca kulturore që vijnë nga vullneti e dëshira e pakufishme për art e disa individëve.
– Peizazhi arkitekturor në Skenderaj s’ka qenë kurrë më primitiv e betonues.
Gjithçka që mund të tregonte historinë, trendët e zhvillimit arkitekturor e kulturor të Skenderajt e Drenicës është rrënuar deri në themele për t’u lënë vend ngrehinave shumëkatëshe pa asnjë shije e plan që edhe ia kanë zënë frymën qytetit edhe e kanë kthyer qendrën e qytetit në një karikaturë betoni e hekuri pa asnjë shije për estetiken, për trashëgiminë kombëtare e të bukurën. Janë shembur deri në themel edhe godina që do flisnin për historinë tonë qofte ajo e dhimbshme a e lavdishme. Janë rrënuar për përfitime shumë afatshkurtra të grupeve a të individëve të caktuar. Dhe rrënimi e përmbysja me ndërtshkatrrime po vazhdon.
– Shoqëria/rinia emancipohen kafeterive, xhamive e bastoreve.
Janë teatrot, kinematë, bibliotekat, shoqëritë e shoqatat joqeveritare, shoqëritë kulturo-artistike, klubet letrare, klubet sportive që emancipojnë e humanizojnë rininë e shoqërinë përgjithësisht. Këto institucione jetike për një shoqëri të shendosh në Skenderaj e Drenicë thuajse nuk ekzistojnë ose edhe nëse ndonjë ndihet gjallë janë zëdhënës dhe vegla të “Parisë/Partisë”.
Komuna e Skenderajt me mbi 60000 mijë banorë duhet të kishte qindra klube sportive (shqiptarët e duan sportin, këtë po e tregojnë gjithandej në perëndim), duhej të kishte qindra shoqëri e shoqata kulturo-artistike, shoqata joqeveritare, biblioteka (sa për kuriozitet, as gjimnazi nuk ka bibliotekë). E dini që sot në komunën e Skenderajt ka dyfish me shumë xhami se biblioteka, dhjetë fish më shumë xhami së klube futbollistike, 20 fish më shumë xhami se shoqata joqeveritare, 100% më shumë xhami se salla e halla sportive, 200% më shumë xhami se teatro. Për kafeteri e bastore as mos të flasim, i gjen në çdo skutë. Pyes, kush është duke u frikësuar nga dija, nga emancipimi kulturor e kombëtar i rinisë së Drenicës e shoqërisë përgjithësisht?
E qytetarët duke ndjerë mungesën e këtyre organizmave ose duke rënë pre e manipulimit, janë futur në gjirin e lloj-lloj përfituesi e akrobati politik a religjioz. Falë kësaj gjendje mbytëse qindra shqiptarë të Kosovës e në mes tyre edhe drenicas/e, të rijnë e të reja janë në radhët e xhihadistve në Siri e Irak, e me dhjetëra mijëra të tjerë kanë gjetur shpëtim shpirtëror në xhami, tyrbe a faltore të tjera të ndryshme. Falë kësaj klime sot Kosova dhe shqiptarët përshkruhen në shtypin serioz perëndimor si vatër e terrorizmit islamist.
– Procesi edukativo-arsimor ka ngecur si mos më keq, për të mos thënë se ka degraduar.
– Demokracia në Skenderaj është diçka e pakapshme, diçka e paimagjinuar, diçka e papërjetuar ende, diçka e ëndërruar, diçka që pëshpëritet, diçka që përpëlitet, diçka që është e ndaluar për masat por e lejuar për grupe të vogla “elitare”, “patriotike” , “të gjithëdijshme” e të gjithëpushtetshme.
-Pasqyra sociale në Skenderaj është e shëmtuar, është thyer në njëmijë copa. Kemi shumë njerëz ekstremisht të varfër që çdo ditë luftojnë për të nxjerr bukën e gojës. Kemi shumë të tjerë që ditën e kalojnë me 50 cent në ditë. Kemi të tjerë në masë që punojnë për 10 euro në ditë, nga 12 orë, pa asnjë lloj sigurimi, garancioni a pushimi.
Si u katandisë kështu vatra e patriotizmës, vatra e drejtësisë?
Si e katandisëm kështu shpresën e vegjëlisë, ëndrrën e fëmiut, të ardhmen e vendit?
Pjesëmarrës në këtë katrahurë jemi të gjithë por “Paria” është projektuesja, zbatuesja dhe përfituesja në këtë marrëzi/makutëri. Faji është i të gjithëve por përgjegjësia bie mbi “Parinë”. Dhe mos pritni që Paria e sheh, e ndjen, e përjeton këtë varfëri e mjerim të skajshëm social e kulturor, këtë shëmti mjedisore, këtë demokraci ala Kim Yongi i Dytë.
Në Skenderaj s’ka opozitë, s’ka oponencë intelektuale, kulturore, politike a filozofike. Dhe për pasojë në Skenderaj s’ka kundërthënie / debate politike, kulturore a intelektuale dhe pa këto kundërthënie s’ka perspektivë, s’ka alternativë, s’ka shumëmendësi, s’ka shumëmundësi, s’ka ardhmëri. Përjashto disa zëra të veçuar e fragmentar që dëgjohen herë pas herë për një kohë të shkurtër e më pastaj zhduken mu sikur dielli që shpërthen nganjëherë mes reve e na ngrohë pakëz dhe prapë retë e zeza i stopojnë rrezet e diellit e ne strukemi nga të ftohtit, vranësira e rrebeshi.
Shkurt shqip e kemi dh…! Gjynah e marre bashkë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura