MUZEU HISTORIK KOMBËTAR NË TIRANË

MUZEU HISTORIK KOMBËTAR NË TIRANË

Nga Sheradin Berisha, FB 19.12.022 – Pashtriku 16.01.2023

Muzeu Historik Kombëtar (MHK) është në qendër të Tiranës, në pjesën perëndimore të Sheshit “Skënderbeu”. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1980, ndërsa u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri.

Grupi i ekspertëve që punoi për projektin e Muzeut Historik Kombëtar përbëhej nga arkitektët: Sokrat Mosko, Enver Faja, Nina Shehu dhe Petraq Kolevica.

Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh edhe një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës është drejtuar nga personalitete të shquara si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi e shumë të tjerë.

Godina e Muzeut është një nga veprat më të rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. Ajo zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2, ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3.

Në mjediset e tij janë të ekspozuara 6200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Çdo sallë ekspozimi ka arkitekturë të veçantë duke shmangur kështu monotoninë e përsëritjes.

Krahas sallave të pavijoneve, muzeu ka edhe mjediset e arkivit e të laboratorëve, salla të ekspozitave të përkohshme si dhe salla konferencash.

Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar është një mozaik gjigand me dimensione 10 x 40 m, i cili zotëron sheshin “Skënderbe”. Sipërfaqja është 400 m2. Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve, kordhëtarëve dhe shigjetarëve ilir dhe shqiptarëve të luftës anti osmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas 5 figura simbolizojnë Luftën Nacionalçlirimtare.

Muzeu ka tetë pavione:

1. PAVIONI I LASHTËSISË

Pavioni i Lashtësisë është pavioni më i rëndësishëm dhe nga më të pasurit me objekte në Muzeun Historik Kombëtar me afro 400 objekte. Objektet e paraqitura nisin që me Paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona, duke vazhduar me lulëzimin neolitik, dhe me Periudhën e Bronzit dhe atë të Hekurit, periudha këto që përvijojnë tiparet e popullit ilir. Ky pavion mbyllet me objekte që i përkasin Mesjetës së herëshme.

2. PAVIONI I MESJETËS

Pavioni i Mesjetës ka dy salla ku vizitorët kanë mundësi të njihen krahas zhvillimit ekonomik, social, politik e kulturor të shqiptarëve që kanë ruajtur karakteristikat e tyre të veçanta, edhe me dokumenta dhe fakte që flasin për përballimin dhe qëndresën ndaj pushtimeve të huaja si bizantine, anzhuine, serbe, osmane. Në vitrina të ndryshme ka dëshmi të zhvillimit të bujqësisë në Kosovë, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Korçë, Delvinë e sidomos në Myzeqe, ku prodhohej grurë në sasira të mëdha për eksport; të tjera dëshmi flasin për zhvillimin e qyteteve që u bënë edhe qendra të prodhimeve artizanale e tregtare e ku priteshin monedha të principatave shqiptare dhe qarkullonin monedha të huaja si bizantine, veneciane, serbe, franceze. Një vend të veçantë zë ekspozimi i një numri të madh veprash arti e arkitekturore si kalatë e Beratit, Shkodrës, Prizrenit, Durrësit apo edhe i shumë kishave dhe kapiteleve.

3. PAVIONI I RILINDJES KOMBËTARE

Pavioni i Rilindjes Kombëtare jep një pasqyrë të plotë të zhvillimit ekonomik, politik e kulturor të Shqipërisë nga fillimi i shekullit XIX deri në prag të Shpalljes së Pavarësisë. Nëpërmjet objekteve të ekspozuara në stenda dhe vitrina, vizitori ka mundësi të njohë nga afër prodhimet e mjeshtrave artizanë shqiptarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë si në Shkodër, Prizren, Elbasan, Berat, Korçë etj. Një hartë paraqet grafikisht lidhjet tregtare midis qyteteve të vendit me ato të Ballkanit dhe më gjerë. Pjesë e pavionit është dhe një kënd që jep mënyrën e jetesës në fshat dhe qytet.

4. PAVIONI I PAVARËSISË

Pavioni i Pavarësisë çelet me veprimtarinë e Qeverisë Kombëtare të Vlorës dhe organizimi i shtetit të pavarur shqiptar. Më tej, vizitori nëpërmjet dokumentave dhe hartave ka mundësi të njihet me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 lidhur me kufijtë e Shqipërisë, me pazaret e Fuqive të Mëdha në dëm të tokave shqiptare, me qëndrimet e prera të përfaqësuesve të Qeverisë Kombëtare të Vlorës, si dhe me protestat popullore në mbarë vendin për të kundërshtuar këto vendime. Zënë vend në këtë pavion dhe Lufta e Vlorës, qershor – shtator 1920 si dhe veprimtaria e qeverisë së kryesuar nga Fan Noli, e cila zgjati vetëm gjashtë muaj.

5. PAVIONI I IKONOGRAFISË

Pavioni i Ikonografisë ka të ekspozuar një koleksion prej 65 ikonash të shekujve XIV – XIX. Këtu vizitori njihet me mjeshtrat e mëdhenj të ikonografisë shqiptare duke filluar me Onufrin, të birin Nikollën, Onufër Qipriotin, Kostandin Shpatarakun, David Selenicasin, Kostandin e Athanas Zografin, Mihal Anagnostin, vëllezërit Çetiri, Kostandin Jeremonaku e shumë autorë anonimë. Veçojmë këtu Onufrin, piktorin e shquar shqiptar, ikonografi i shekullit XVI, që ka realizuar vepra të një niveli të lartë cilësor dhe që ka ndikuar fuqishëm në zhvillimet e mëvonshme të artit pasbizantin në Shqipëri.

6. PAVIONI I ETNOKULTURËS

Pavioni i Etnokulturës paraqet kostume tradicionale shqiptare të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Ato i përkasin shekujve XIX- XX dhe prejardhja e tyre është nga e gjithë Shqipëria: kostume tradicionale të Tiranës (burra e gra), të Zadrimës, të Korçës, të Gjirokastrës , Kukësit, Labërisë, Malësisë së Madhe. Një grup më vete përbëjnë 32 kostumet arbëreshe të shqiptarëve të Italisë.

7. PAVIONI I LUFTËS ANTIFASHISTE

Në Pavionin e Luftës Antifashiste paraqiten ngjarjet që nga Lufta e Vlorës (1920 ), duke vazhduar më pas me ngjarjet në vitet `20 -`30 pas ardhjes në pushtet në Itali të diktaturës fashiste të Benitto Musolinit. Rëndësi i kushtohet Luftës së Spanjës dhe vullnetarëve shqiptarë që morën pjesë. Për herë të parë, në këtë pavion zë vend edhe antifashizmi në Çamëri, organizimi i popullsisë së kësaj krahine në rezistencën antifashiste. Në pavion ka shumë relikte të dëshmorëve apo heronjve të popullit, rënë në luftë kundër nazifashizmit italo-gjerman.

8. PAVIONI I GJENOCIDIT KOMUNIST

Pavioni i Gjenocidit Komunist është çelur në vitin 1996 dhe përfshin ngjarje nga viti 1943 – 1992. Në vitrinat e para të tij jepen fakte, foto e dokumenta që paraqesin krijimin e forcave politike si “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti”. Në vazhdim vizitori njihet me denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes nga këto forca nacionaliste. Vend të gjerë më pas zë pasqyrimi me shumë dokumenta e foto i operacioneve të spastrimit të forcave antikomuniste, gjyqi special ndaj kundërshtarëve politikë të kohës së luftës, si dhe likuidimi i opozitës antikomuniste. Në vitrina vizitori njihet gjithashtu me relikte të shumta të personave të dënuar apo të pushkatuar nga rregjimi i kohës, Në Muze mungojnë relikte – materiale dhe foto nga periudha 40 vjeçare e pushtetarit Enver Hoxha.

——–

Burimet:

1. Muzeu Historik Kombëtar, Bashkua Tiranë;

2. Muzeu Historik Kombëtar, Wikipedia;

3. Muzeu Historik Kombëtar, vendi ku strehohen rreth 5000 objekte të rëndësishme;

4. Dokumentare për Muzeu Historik Kombëtar:

a. https://youtu.be/PPvFxYmbJcE

b. https://youtu.be/hfxP9x-UmhI

_________________-

PËRSËRITJA E HISTORISË …

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura