NAFIJE GASHI – AHMETI: LULJA, STUDENTJA E VITEVE TË ’80-ta

Prishtinë, 21. 03. 2015 – (Në përkujtim të demonstratave të vitit 1981 dhe gjendjes së rëndë politike që mbretëronte në ato vite në Kosovë) – Ishte ditë e hënë, Lulja u nis shpejt për në fakultet. Natën e kaluar ajo kishte ndenjur gjatë duke dëgjuar lajmet mbi gjendjen e rëndë politike, prandaj nuk kishte mundur të zgjohej herët nga gjumi. Ajo studionte Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Ishte viti 1981. Kudo mbretëronte një gjendje e rëndë dhe e tensionuar politike. Çdo lëvizje e njerëzve përcillej nga agjentët e sigurimit të asaj kohe. Shtëpia e Lules gjendej afër lumit Prishtina, në një lagje të shtruar me kalldrëm. Kjo lagje ishte shumë e frekuentuar në atë kohë, sidomos ditën e martë, ditë pazari. Jo shumë larg nga kjo lagje, ndodhej Gjykata e Qarkut të Prishtinës, pranë së cilës Lulja kalonte pothuajse çdo ditë, derisa shkonte për t’i ndjekur ligjëratat në fakultet. Të rralla ishin ato ditë që kjo Gjykatë të mos ishte e rrethuar nga kordonë policësh të armatosur deri në dhëmbë. Tashmë qytetarët ishin mësuar me pamje të këtilla të një shteti policor. Dihej se aty brenda gjykoheshin shqiptarë të moshave të ndryshme, të grupeve të ndryshme liridashëse, që atëherë quheshin “marksiste-leniniste”, qëllimi i të cilëve ishte avancimi i Kosovës nga krahina në Republikë të Kosovës. Edhe në Fakultetin ku studionte Lulja, ato ditë marsi të ’81-shit, bisedohej me të madhe për gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike – efektin e demonstratave, si dhe rreth arrestimeve të shumta që bëheshin. Natyrisht, edhe Lulja ishte një adhuruese e flakët e këtyre zhvillimeve për ndryshim të pozitës politike të Kosovës. Ajo ishte rritur në një ambient familjar, të shquar për taban të shëndoshë kombëtar dhe edukativ. Babai i saj kishte një punëtori zdrukthëtarie dhe, nga ajo punë, siguronte edhe të ardhurat për familjen e tij tetanëtarëshe: pesë vajza e tre djem – këta të fundit i pati pak më vonesë, në moshë të shtyrë. Familja e Lules shquhej për talent artistik, bile edhe të dy prindërit e saj. Nëna kishte një zë të bukur dhe kumbues. Ajo këndonte rapsodi të ndryshme, por jo për publik. Ajo, po ashtu, kishte një talent për humor dhe thurte shpesh vargje komike me rime për t’i kënaqur fëmijët e saj, ndërsa babai talentin e tij artistik e shfaqte në gdhendjen me dorë të formave dekorative në mobiliet e ndryshme që i prodhonte vetë. Ndërsa Lulja talentin e saj artistik e shfaqte në shkrimin e poezive dhe të prozës.

– Gjykimi i grupit të Kadrie Gashit (1982) –

Lulja poezitë i ndante më së shumti me motrën e saj të mesme – Fitoren. Poezitë dhe prozat e saj temë trajtimi e kishin aspektin social dhe atë politik të Kosovës, si dhe shtypjen gjinore ndaj gruas, për shkak të mentalitetit patriarkal që mbretëronte asokohe në Kosovë. Pasi ajo ishte rritur nga prindër adhurues të edukimit arsimor dhe të atdhedashurisë, Lulja ishte dëgjuese e rregullt e “Radio Tiranës”, “Radio Kukësit”, gjë të cilën e kishte trashëguar nga babai. Në veçanti ajo dëgjonte emisionin – për shqiptarët jashtë atdheut. Nga ky emision ajo mësonte shumë për historinë e popullit shqiptar në Kosovë, ngase në atë kohë Kosova pothuajse ishte në një terr të thellë informativ rreth ngjarjeve historike që kishin të bënin me të. Ajo me ëndje dëgjonte këngët e rapsodëve të shquar kombëtarë si: Fatime Sokoli e Dervish Shaqa, madje kishte dëshirë që këto këngë t’i dëgjonte me zë të lartë, kurse nëna e saj, nga frika se këngët mund të dëgjoheshin edhe jashtë shtëpisë, në rrugë, shpesh e qortonte që t’ia ulte zërin radios. Shpirti liridashës i familjes së saj shfaqej në shumë forma, madje edhe nëpërmjet portreteve të ndryshme heronjsh kombëtarë, të varura në muret e shtëpisë, të cilat i kishte vizatuar motra e saj – Fitorja, sepse ajo e kishte një talent të rrallë për vizatim dhe pikturë. Por, jo vetëm ajo, por edhe motrat e tjera dhe vëllezërit, të gjithë shquheshin për talent arti. Vizatimet e motrës së madhe, Bjeshkës, stolisnin muret e shkollës, ngase ajo kishte zënë vendin e parë në një garë në nivel shkolle. Eliza, motra e dytë, sipas radhës, kishte zënë, po ashtu, vendin e parë për recitim dhe ishte shpërblyer me një orë dore. Në një ambient frymëzimi e dashurie ndaj arsimimit dhe përpjekjeve për barazi kombëtare, Lulja ushqente edhe një dëshirë tjetër – ajo ëndërronte që sa më shpejt t’i mbaronte studimet e të hynte në punë, në mënyrë që t’i bëhej krah babait, ngaqë i dhimbsej për punën e rëndë që bënte, duke mos pushuar as vikendeve, por duke punuar edhe deri në orët e vona të natës. Fatkeqësisht, gjërat nuk ecnin ashtu siç kishte ëndërruar Lulja. Gjendja e rëndë politike që mbretëronte në ato vite në Kosovë ndikoi shumë në të ardhmen e saj. Gjatë vitit 1981 u arrestua edhe djali i axhës së saj, Leka, student i mjekësisë, i cili u dënua me 9 vjet burg të rëndë. Ai shpesh i kishte propozuar Lules të angazhohej rreth rreshtimit të të rejave dhe të rinjve të tjerë në një treshe, ku do të merreshin me aktivitete për ngritjen e vetëdijes politike e kombëtare. Ani pse ajo i vlerësonte mendimet e tij, nuk pranoi ngaqë i dhimbseshin prindërit, të cilët kishin vuajtur pasoja të mëdha, pikërisht për shkaqe të njohura, ngase familjarët e tyre ishin përndjekur dhe vrarë në periudha të ndryshme kohore nga regjimi serb për veprimtari të ngjashme. Ajo nuk dëshironte t’i sillte telashe të tilla familjes. Ato ditë, kur u burgos Leka, rrëfen ajo, në shtëpinë e tyre dhe në familjet e tre xhaxhallarëve mbretëronte një gjendje e rëndë zymtësie dhe pikëllimi.
***
Familjet e tyre përcilleshin nga agjentët e sigurimit në çdo hap. Lulja i vazhdoi studimet me sukses dhe shumë shpejt arriti të absolvohej, mirëpo shpresat që pas studimeve do të gjente ndonjë vend pune, pasi tash familja e saj kishte hyrë në listën e zezë të UDB-së, pothuajse qenë shuar fare. Vëllai i madh i Lekës, nëpërmjet një shoku të tij, i propozoi asaj të njoftohej me një djalë nga rrethi i Gjakovës, i cili ishte me profesion inxhinier. Meqë Lulja kishte humbur shpresat se një ditë “të afërme” do të mund t’i bëhej krah pune babait, ajo vendosi të paktën të mos t’i bëhej barrë familjes… Prandaj, edhe pranoi të lidhej me djaloshin e propozuar nga djali i axhës, i cili i pëlqeu, meqë vinte nga një familje e mirë, kombëtarisht e formuar. Pas një viti ata u martuan me një ceremoni simbolike të dasmës, e cila ende ishte nën hijen e stresit familjar nga dënimi që iu kishte bërë djalit të axhës së saj. Lulja, edhe pse u martua, kurrë nuk hoqi dorë nga librat dhe dashuria për artin e të shkruarit. Ajo shpesh rrinte zgjuar deri në orët e para të mëngjesit, duke mësuar dhe shkruar poezi e prozë. Të gjitha provimet i përfundoi me kohë. Ndërsa po punonte në hartimin e temës së diplomës, të cilën shpresonte ta përfundonte shpejt, atë e zuri lindja e fëmijës së parë, kështu që diplomimi iu shty paksa. Lindja e të birit qe një gëzim i madh për të dhe bashkëshortin e saj. Qe të tre u vendosën në një shtëpi të marrë me qira afër familjes së saj në Prishtinë. Ajo shpesh shkonte për ta vizituar familjen, ku kishte kaluar mbi njëzet e sa vjet jetë. Viti 1983 për Lulen qe edhe një tronditje tjetër e rëndë shpirtërore. Ky vit solli shumë dhunë të regjimit serb për shqiptarët në Kosovë
Pothuajse çdo ditë në mediet kryesore, në “Radio Televizionin e Prishtinës” apo në shtypin ditor, transmetoheshin lajme për arrestime grupesh ilegale të shumta.
Një mëngjes prilli, ende pa zbardhur dita, u dëgjuan trokitje të forta në derën e shtëpisë, ku tash banonte Lulja me bashkëshortin dhe të birin e saj. Ajo gjysmë e përgjumur dhe plot shqetësim hapi derën dhe, ç’të shihte: tre inspektorë të sigurimit hynë me vrull brenda, fare pa ngurruar dhe as pa kërkuar falje, ata zëshëm treguan që po e kërkonin motrën e Lules – Fitoren, të cilët mendonin se mos ishte fshehur gjëkundi brenda në shtëpinë e tyre. Pasi kontrolluan të gjitha qoshet e shtëpisë, ata u larguan duke i kërcënuar që të dy bashkëshortët se, po të zbulohej që ata fshihnin ndonjë informatë rreth Fitores, do të arrestoheshin.
Derisa inspektorët po largoheshin, Lulja psherëtiu thellë dhe me vete, si nëpër dhëmbë: Ah moj motër, çfarë do të mund të të ndodhte tash me ty? Asaj i dhimbseshin nëna dhe babai shumë. Ajo e dinte se Fitorja e ndihmonte ilegalen, megjithatë kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend se edhe ajo mund të arrestohej. Pasi agjentët e sigurimit u zhduken nga lagjja, Lulja shpejt e shpejt dhe me dy hapa arriti në shtëpinë e prindërve. Posa hapi derën e shtëpisë, në korridor hasi në një grumbull agjentësh të sigurimit shtetëror, të cilët, pa humbur kohë, iu afruan dhe filluan ta bombardonin me pyetje të ndryshme: kush je, çfarë kërkon këtu etj? Prandaj, Lulja, gjithë stres, ua sqaroi atyre se ajo ishte një nga vajzat e kësaj familjeje.
– Ngjitu lart shpejt, e urdhëruan inspektorët e sigurimit!
Çfarë të shihje, të gjithë anëtarët e familjes, bashkë edhe me të dy xhaxhallarët e saj, policia i kishte futur në dy dhoma. Aty ajo e kuptoi se policia nuk e kishte gjetur Fitoren dhe nga ky shkak, kishin shkuar t’i kontrollonin edhe shtëpitë e dy xhaxhallarëve të tjerë që ndodheshin në një lagje mbi hekurudhë e që, më vonë, kjo lagje u quajt Kodra e Trimave.
Atë mbrëmje, pasi kishte rënë terri, Fitorja kishte shkuar tek babai i Lekes për t’u fshehur. Ajo teksa po llafosej me tezën e vet, dëgjoi disa të rëna të forta mbi dyert e oborrit, të cilat po vinin nga jashtë dhe ajo menjëherë brofi në këmbë. Ajo e kuptoi se ky ishte një sinjal i sigurt që UDB-a ia kishte behur edhe aty. Fitorja me një vrap kapërceu murin e shtëpisë dhe doli në oborrin e fqinjit të parë të axhës. Aty ajo qëndroi deri në mëngjes, derisa u largua policia nga shtëpia e axhës. Me ndihmën e babait të Lekës dhe të disa miqve të shtëpisë, Fitorja kaloi në ilegalitet. Të njëjtën natë policia kishte kërkuar edhe Palin, djalin e xhaxhait më të madh të Lules. Babai i Fitores pothuajse gati çdo ditë merrej në pyetje nga policia për të kuptuar se ku gjendej Fitorja. Madje edhe motra e vogël e Fitores, Higi, si dhe vajza e axhës, Ermira, ishin marrë në të ashtuquajturat biseda informative.
Dalja e Fitores në ilegalitet e kishte vënë në një gjendje të rëndë izolimi gjithë familjen e Lules. Ata të gjithë jetonin nën ankth se çfarë të keqe tjetër do të sillte dita e nesërme?
Fitorja kishte vendosur të ikte nga Kosova, meqë të dashurin e saj e kishte jashtë Kosove, për t’iu bashkangjitur atij dhe për ta vazhduar aktivitetin e saj politik, por planifikimi i saj dështoi. Pas afro dy muajsh në ilegalitet, ajo dhe Pali u arrestuan. Lajmi për arrestimin e tyre u përhap shumë shpejt.
Kur Lulja dëgjoi për arrestimin e Fitores dhe të Palit qau me ngashërim, duke belbëzuar plot mllef, me vete: A thua deri kur kështu? A do të vijë ndonjëherë dita kur do të mund të jetojmë të qetë dhe pa frikë se kush do të arrestohet nesër.
Javët dhe muajt kalonin shpejt, kurse Lulja dhe familja e saj jetonin në ankthin e pritjes se kur do të mbahej gjykimi, sa dhe si do të dënoheshin Fitorja dhe Pali? Nuk shkoi shumë kohë, erdhi edhe dita e gjykimit të Fitores. Atë ditë, si edhe herëve të tjera, kur gjykoheshin të burgosurit politikë, ndërtesa e Gjykatës së Qarkut ishte e rrethuar nga një grup i madh policësh. Fitorja u dënua me 2 vjet, ndërsa Pali me 4 vjet burg të rëndë.
Në shtëpinë e Fitores sërish ra heshtja dhe izolimi veç sa u thellua. Askush nga të afërmit nuk kishte guxim të shkonte për t’i vizituar këto familje, ngase ishin nën vëzhgim të policisë. Arrestimet nuk kishin të sosur në rrethin e gjerë të familjes. Pas një viti u arrestua edhe bashkëshorti i Elizës, motrës së dytë të Lules, i cili ishte gazetar dhe shkrimtar me nam në qarqet intelektuale të Kosovës. Tashmë familja e Lules u rëndua edhe me hallin e motrës së dytë. Si do të jetonin ata në atë krizë ekonomike e politike pa të zotin e shtëpisë? Si do t’i rriste Eliza të dy fëmijët e saj? Të gjitha këto të bëma të rënda ranë mbi kurrizin gati të thyer të babait të Lules, i cili mundohej të mos jepej para këtyre sfidave të rënda dhe shpesh u fliste të tjerëve të përmbaheshin, duke i qortuar që të mos ligështoheshin para këtyre rrebesheve sepse, siç thoshte ai, “arrestime të tilla janë kah bëhen në tërë Kosovën. Heshtni! Nuk dua lot në sytë e asnjërit nga ju, dhe vazhdonte punën e tij të rëndë deri në orët e vona të natës për t’i mbajtur të dy familjet.
E prekur thellë nga fjalët e babait, Lulja u kthye në banesën ku jetonte. Posa hapi derën, pa të birin, i cili ishte zgjuar nga gjumi dhe qeshi kur e pa të ëmën. Ai tashmë i kishte mbushur dy vjet. Ajo e mori në prehër dhe filloi të luante me të, mirëpo për një çast iu kujtua Fitorja, e cila e donte shumë të birin e saj. Filloi të qajë me të madhe dhe, duke ia lëmuar flokët të birit, pëshpëriti thellë: “Eh biri im i shtrenjtë, lus Perëndinë që e ardhmja jote dhe e brezit tënd të jetë Kosova e lirë me njerëz të lumtur…!”.
Në të këtilla rrethana politike Lulja mbaroi studimet, duke shpresuar në një të ardhme më të mirë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura