NATASHA KANDIÇ: „SI U DOGJËN KUFOMAT E SHQIPTARËVE NË SHKRITOREN E MAÇKATICËS NË SERBI?!“
„Djegia e trupave në fabrikën “Maçkatica” është bërë në dy etapa, më 16 dhe 24 maj të vitit 1999, pas mesnatës, nën mbikëqyrjen e “Beretave të kuqe”, të cilat atëbotë e kishin bazën e tyre në “Bella Vodë” – afër Vranjës. Komandanti i atëhershëm i “Beretave të kuqe”, Millorad Legija, sipas burimeve në fjalë, kishte marrë pjesë, personalisht, në përcjelljen e një transporti deri në vendin e ngjarjes dhe kishte qenë i pranishëm me rastin e djegies së tyre. Trupat qenë djegur në “shkritoret e hapura” nr. 4 dhe 5. (…)
Sheradin Berisha, Pashtriku 21 Korrik 2021
Edhe përkundër përpjekjeve të palëve të interesuara, e vërteta e historisë së afërt dhe e hijes së tmerrshme e të së kaluarës së këtushme nuk e lë askë rehat. Pas paraqitjeve publike të Natasha Kandiqit dhe hapjes së çështjes rreth “rastit Maçkatica”, në jugun e Serbisë, asgjë më nuk është siç ishte më parë.
Të rikujtojmë se në tekstin autorial “Asanimi i rehatisë shpirtërore” që u botua kah fundi i dhjetorit të vitit të kaluar në të përditshmen “Danas”, drejtuesja e “Fondit për të Drejtën Humanitare” e akuzonte një numër të madh njerëzish duke i përmendur edhe emrat e tyre, për fshehjen e planifikuar të krimeve të luftës, të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo i dha grusht të rëndë, opinionit lokal me rastin e përmendjes së emrit të DRAGOMIR TOMIQIT dhe atë në kontekst të realizuesit të projektit të djegies së trupave, të shqiptarëve nga Kosova, në shkritoret e ndërmarrjes “Maçkatica” në Surdulicë. Pasi që opinioni i këtushëm ndërlidh gjithçka që mban parashtesën e “Hagës”, me Karla Del Ponte-n, këto paraqitje publike kanë shkaktuar një varg reagimesh me shkruarjen e demanteve nga ana e të përfolurve, kurse për rastin u interesuan edhe “organet kompetente”. Mirëpo dihet si rrjedhin ngjarjet në Serbi. Pas gjëmimit të fortë të malit, nuk polli madje as një mi.
– Megjithatë, patjetër, dikush duhet të përgjigjet në pyetjen se a ka pasur këtu krime të luftës?
Tani për tani, lidhur me rastin e “Maçkaticës”, në drejtim të zbardhjes së këtij rasti vepron vetëm koalicioni i gjashtë organizatave joqeveritare nga Beogradi, e aty-këtu edhe ndonjë medium dhe gati askush tjetër. Pas reagimit të parë, i cili qe një reagim i zbehtë i organeve shtetërore – policisë, duhet të pranohet, patjetër, se pasoi një heshtje e plotë për këtë. Për të dëshmuar vendosmërinë se rasti i “Maçkaticës” nuk mund të lihet në harresë, koalicioni i OJQ-ve vendosi që t’i drejtohet Kuvendit të Serbisë, si kjo më e lartë demokratike në Serbi.
KËSHILLI HETUES
Sipas konstatimeve të Natasha Kandiq-it, „person i besuar, përkatësisht koordinator i projektit për fshehjen e gjurmëve të krimeve të luftës të bëra në jug të Serbisë ka qenë DRAGOMIR TOMIQI me përkrahjen dhe mirëkuptimin e të cilit është bërë bartja e organizuar e trupave, të viktimave nga Kosova, për në trevat e Vranjës dhe të Surdulicës”. Sipas të dhënave, që Fondi për të Drejtën Humanitare ka pranuar deri tani, nga ana e disa burimeve të pavarura, djegia e trupave në fabrikën “Maçkatica” është bërë në dy etapa, më 16 dhe 24 maj të vitit 1999, pas mesnatës, nën mbikëqyrjen e “Beretave të kuqe”, të cilat atëbotë e kishin bazën e tyre në “Bella Vodë” – afër Vranjës. Komandanti i atëhershëm i “Beretave të kuqe”, Millorad Legija, sipas burimeve në fjalë, kishte marrë pjesë, personalisht, në përcjelljen e një transporti deri në vendin e ngjarjes dhe kishte qenë i pranishëm me rastin e djegies së tyre. Trupat qenë djegur në “shkritoret e hapura” nr. 4 dhe 5.
Pranimin dhe organizimin e djegies së kufomave e kanë bërë:
1. Zoran Stoshiqi, i cili atëherë ishte kryeshef i sigurimit shtetëror për rrethin e Pçinjës;
2. Bratisllav Milenkoviqi, shef i BIA-s për Vlladiçin Han dhe Surdulicë;
3. Dragan Stankoviqi, kryeshef i SUP-it në Surdulicë që nga viti 1993;
4. Mirosllav Antiqi, kryeshef i BIA-s në Vranjë;
5. Dragan Llakiçeviqi, drejtor i “Maçkaticës” dhe zëvendësi i tij,
6. Aca Gjorgjeviqi – shkruan Natasha Kandiqi, duke shtuar edhe detaje të tjera të mjaftueshme, ashtu që të mos dyshohet aspak në vërtetësinë e fakteve të paraqitura.
Sipas këtyre dëshmive, fjala është për një shoqatë kriminelësh, mirë të organizuar, për të bërë “asanimin e terrenit”, pra fshehjen e dëshmive për krimet e bëra në Kosovë, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s.
Natyrisht se ndaj një çështjeje të tillë, realisht askush nuk duhet të mbetet indiferent. Pas reagimeve të para, sipas detyrës zyrtare, për këtë rast është dashur patjetër, që të interesohet edhe prokurori special për krime të luftës, i cili madje pati premtuar publikisht se do ta procedojë tërë këtë rrëfim pa asnjë shtyrje. Menjëherë pas kësaj pasoi edhe reagimi i parë zyrtar- shkarkimi i Zoran Stoshiqit nga pozita e inspektorit të përgjithshëm të MUP-it të Serbisë, për rrethin e Pçinjës, i cili në kohën për të cilën po flasim, ishte kryeshef i DB-së. Mirëpo kjo ishte e tëra, ngase nuk pati lëvizje të mëtejshme për ndriçimin në tërësi të rrethanave të “rastit Maçkatica”, së paku të atyre që dihen.
Mirëpo as pala tjetër nuk qëndroi duarkryq. Koalicioni i gjashtë organizatave joqeveritare, nga Beogradi, kërkoi nga Kuvendi i Serbisë që ta themelojë, urgjentisht, një Këshill Hetues, ose thënë me fjalorin vendor, një komision hetues, i cili do t’i verifikonte të dhënat për varrezat masive në Serbi dhe për asgjësimin e dëshmive për krimet në Kosovë, duke u bazuar po ashtu nga të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare, veçanërisht rreth rastit “Maçkatica”. Hapi më i rëndësishëm i të gjithë atyre, që janë duke u përpjekur për ndriçimin e plotë të së vërtetës rreth asaj se çfarë ka ndodhur në rastin “Maçkatica” ishte gjithsesi takimi me Predrag Markoviqin, kryetar i Kuvendit të Serbisë, përndryshe njëri prej anëtarëve të G17 plus.
– Në këtë moment është shumë me rëndësi të theksohet se deri tani kemi arritur që ta ngritim këtë çështje në atë nivel, sa që shteti duhet patjetër që ta trajtojë institucionalisht, këtë rast. Markoviqi ka premtuar se do të bëjë gjithçka që gjërat të lëvizin nga pika zero. Po presim, ata kanë edhe pak kohë në dispozicion. Më vonë do të pasojë presioni përmes veprimeve publike, të grupeve joformale, por edhe me përkrahjen e disa partive parlamentare – shpehet me vendosmëri, Milenko Dereta nga “Iniciativa qytetare”. Megjithatë, ai konsideron se Kuvendi do të reagojë ngadalë, para së gjithash, për shkak të raportit aktual të forcave politike në Serbi. “Për formimin e këshillit hetues për rastin e “Maçkaticës” është e domosdoshme shumica parlamentare, që vështirë mund të realizohet në sfondin e interesave të ndryshme”, shprehet Dereta duke qenë thellësisht i bindur se e vërteta megjithatë do të dalë në shesh.
– Një disponim i tillë tani ekziston, mirëpo edhe po të mos ishte, ne duhet patjetër që të ballafaqohemi me të kaluarën. Sa më shumë që një gjë e tillë të shtyhet, aq më shumë do të krijohen raste për manipulime të ndryshme – konkludon bashkëbiseduesi ynë.
Edhe Ander Nosov, nga “Iniciativa e të rinjve”, e vlerëson vizitën e Markoviqit si “shumë kualitative” dhe thotë se kryetari i Kuvendit ka premtuar se për këtë rast, duke e shfrytëzuar të drejtën e deputetit, do të propozojë diskutim parlamentar.
– Na mbetet që edhe më tej të insistojmë, dhe të punojmë në krijimin e mekanizmava të përhershme për ballafaqim me të kaluarën. Nëse Parlamenti Serb, edhe gjashtë vjet pas luftës së Kosovës, nuk është i gatshëm që të debatojë për këtë çështje, atëherë do të nënkuptohet se po na mashtrojnë të gjithë politikanët dhe deputetët popullorë – konsideron Nosov. Ai thotë se nuk do të ketë të ardhme të lumtur në këto hapësira për derisa njëherë e përgjithmonë dhe me themel të njihet e vërteta e së kaluarës së këtushme.
– Çështja më qenësore tani është se si të gjenden modele që institucionet në Serbi – Parlamenti, policia dhe gjykatat – të japin përgjigje ndaj të gjitha çështjeve nga e kaluara dhe të pasojave të sotme. Nëse kemi aq varreza masive, aq kufoma dhe të zhdukur, për të cilat, madje, as që flitet, atëhere shtrohet pyetja – sa angazhohet për paqe ky pushtet? Nëse pushteti hesht për varrezat masive, atëherë ai ende është në luftë – thotë i bindur Nosov.
Kështu, “rasti i Maçkaticës” nga shtyllat e gazetave u transferua thjesht në dyert e institucioneve të shtetit. Kryetari i Kuvendit të Serbisë është institucion, të cilit duhet t’i besohet patjetër, mirëpo çështja e vullnetit politik rreth ndriçimit të të gjitha fshehtësive të errëta të së kaluarës ende mbetet një temë plotësisht e hapur.
– Mund të them se opinioni është më i zëshëm se institucionet. Më duket se ekziston një pjesë e opinionit, i cili është tmerruar dhe që konsideron se “Maçkatica” është vetëm njëra prej gjërave të tmerrshme, të cilat dëshmojnë për pogromin më të errët, të cilin këtu e kishte ndërmarrë pushteti i atëhershëm. Sa u përket institucioneve, në to edhe më tej qëndrojnë, në funksione, njerëz që parapëlqejnë t’i mbulojnë krimet dhe të flasin, ekskluzivisht, vetëm për viktimat serbe, kurse të mos përmenden fare veprat kriminale, djegia dhe zhdukja e gjurmëve të krimeve, të shkaktuara ndaj të tjerëve – thekson Natasha Kandiqi.
PRESIONI
Mirëpo, edhe krahas të gjitha presioneve publike, për rastin “Maçkatica” dhe për rastet e tjera të ngjashme, nga të gjitha institucionet shtetërore, në nivelet e këtushme, ka reaguar vetëm Prokuroria Publike e Qarkut të Vranjës, edhe atë mjaft herët, para se rasti të jetë publikuar në media.
– Kjo informatë nuk është ndonjë risi dhe rreth saj është folur qysh me “rastin e Batajnicës”, edhe pse tani kemi më shumë të dhëna. Edhe pse informata për ekzistimin e varrezave masive në Vranjë ishte mjaft e zbehtë, megjithatë me atë rast pati reaguar Prokuroria Publike e Qarkut. Atëherë patëm kërkuar një raport të detajizuar edhe nga sigurimi shtetëror dhe ai i sektorit publik, si dhe patëm marrë një përgjigje, ku thuhej se në trevën tonë nuk ka, madje, as gjurmë dhe as dëshmi për varrezat masive dhe për djegiet eventuale. Pas dy raporteve të veçanta, nuk pati më elemente për ngritjen e procedurës dhe për këtë qe informuar edhe Prokuroria Republikane – thekson Milan Bozhilloviqi, prokuror Publik i Qarkut. Me formimin e prokurorisë speciale për krimet e luftës, organ të cilin e kryeson, ai më nuk ka kurrfarë kompetencash të tjera lidhur me rastin përkatës.
Natyrisht se për rastin “Maçkatica” reagoi edhe Prokuroria e Tribunalit të Hagës.
-Tribunali i Hagës qe i njohur për këtë rast prej burimeve të ndryshme të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Mirëpo, Tribunali i Hagës nuk është i vetmi institucion që ka të drejta ekskluzive për hulumtimin e krimeve të luftës. Kur Serbia pati ndërmarrë hetime lidhur me rastin e Batajnicës, njëlloj si për këtë rast i patën paraprirë thashethemet, gjë që gjatë hetimeve ato u konstatuan si të vërteta. Pra, radhën e ka hetuesi special, që nëpërmjet ndërmarrjes së hulumtimit, të rastit, ta bëjë verifikimin e dëshmitarëve eventualë dhe të njohurive, që i kanë ata – tha për “Vranjske” Florans Artman, zëdhënëse e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës.
Pas një qëndrimi të tillë, “të një strategjie të njohur të Hagës për t’i shmangur disa raste të caktuara”, posaçërisht pas heshtjes së orkestruar të kompetentëve vendorë, këtu shumëkujt iu lehtësua barra. Kuvendi as që e përmend më formimin e këshillit hetues. Prokuroria Speciale Serbe hesht. Ajo gjithashtu nuk i publikon as detajet rreth asaj se çka është ndërmarrë në këtë drejtim dhe as që e bën të ditur qëllimin e saj të mëtejshëm. Nga ana e saj, policia ka një sjellje klasike ndaj opinionit…
– Problemi qenësor qëndron në atë se ne nuk kemi institucione, që e zbatojnë ligjin dhe që do ta zbulonin të vërtetën rreth asaj se çka kishte ndodhur në të vërtetë gjatë bombardimeve të NATO-s – komenton këtë neglizhencë Natasha Kandiqi.
Në këtë drejtim, gjithçka është e qartë dhe nuk ka kurrfarë dilemash se po të kishim një shtet normal dhe po të sundonte drejtësia, kompetentët do të ishin detyruar të ndërmerrnin hulumtime më serioze dhe në afat sa më të shkurtër kohor do të ishin përgjigjur ndaj të gjitha çështjeve të hapura. Mirëpo institucionet tona po heshtin. Te ne, për zbatimin e ligjit vendosin zakonisht ata që lehtë mund të konstatohet se kanë qenë pjesëmarrës dhe hartues, të ngjarjeve më të tmerrshme, të historisë serbe dhe që kanë qenë në grupin e ngushtë të bashkëpunëtorëve të Millosheviqit në kohën kur ai vepronte pa pengesa. Prandaj, as që mund të bëhet fjalë për ndonjëfarë ligji, shteti dhe drejtësie.
– Ata shpresojnë që të dhënat do të zhduken për disa ditë dhe se nuk do të flitet kurrë më për këto raste. Ata shpresojnë se edhe më tej janë të fortë, mirëpo opinioni demokratik nuk do të ndalet dhe do të bëje vazhdimisht presione që të zbardhen dhe të verifikohen të gjitha faktet që kanë të bëjnë me këtë rast – premton Natasha Kandiqi.
Megjithatë, mjerisht, rreth rastit “Maçkatica” qartësia vazhdon të mbetet paqartësi. Sado që po prolongohet puna rreth ndriçimit të së kaluarës dhe sado që historia po përpiqet të futet nën mburojën e interesave kombëtare, në këto hapësira, nuk do të ketë paqe për aq kohë derisa nuk ndriçohen gjërat, që kanë të bëjnë me “rastin Maçkatica”. Deri atëherë e kaluara nuk do të na hiqet qafësh, dhe si të tillë ne do të jemi peng i saj. Sado të mundimshme që të jenë përpjekjet që kjo gjendje të ndryshohet, atë duhet bërë patjetër. Jeta e së “djeshmes” duhet të zëvendësohet patjetër, me shikimin kah e “nesërmja”. Mbase, pas të gjithë këtyre ngjarjeve, kjo nuk do komente të veçanta. Apo ndoshta edhe duhet…
* * *
Më Shumë Zbulime Rreth Djegjes së Trupave në Maçkaticë
Nga reporterët e IWPR-së në Surdulicë dhe Beograd
Dëshmi të dëshmitarëve okularë që i ka siguruar IWPR përmbajnë evidencë të re dramatike se si policia që ka punuar për Slobodan Milosheviçin kanë djegur kamionë të mbushur me trupa të pajetë të shqiptarëve në një fabrikë në Serbinë jugore gjatë konfliktit të vitit 1999. Burime të IWPR-së kanë paraqitur dëshmi të reja për kronologjinë e krimit, si ka ndodhur dhe rolin kyç që ka luajtur policia si në procesin e djegjes së trupave ashtu edhe gjatë mbulimit të gjurmëve.
Dëshmitë e tyre do të ngrisin presionin mbi gjykatat që të zgjidhin sa më shpejtë misterin rreth asaj se kush ishin këta njerëz dhe kush e urdhëroi djegjen e tyre.
Natasha Kandiç, drejtoreshë e Qendrës për Ligjin Humanitar, HCL, për herë të parë zbuloi fshehtësitë e tmerrshme të kompleksit të aluminit në Mackaticë, afër Surdulicës, në distriktin e Pcinjit në Serbinë jugore, dhjetorin e kaluar.
Në një artikull në të përditshmën Danas më 24 dhjetor 2004, ajo tha se furrat e larta të fabrikës ishin përdorur për të djegur trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë me 16 dhe 24 maj 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s.
Një burim i IWPR-së – punëtor i fabrikës – tha se e tërë afera filloi me arritjen e papritur të disa kamionëve të panjohur gjatë natës. “Kamionë me ngarkesa misterioze vazhdonin të hynin në fabrikë me drita të shuara. Punëtorët e ndërrimit të tretë – si unë vetë – u dërguan në shtëpi para hyrjes në fabrikë,” tha burimi.
Burimi i IWPR-së konfirmoi se kishte parë arritjen e trupave në dy raste të ndryshme, “në mes dhe në fund të majit”, 1999. “Askush nuk na tregoi se çfarë transportohej dhe asnjëri nga punëtorët nuk kishte çasje aty [ në vendin e djegjes],” tha ai për IWPR-në. “Por njoh shumë njerëz që kanë marrë pjesë, dhe një pjesë e kam parë vetë. “Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë ma kanë konfirmuar atë çka kam parë. Trupat janë sjellur në fabrikë dhe janë djegur aty. Unë nuk jam i vetmi që ka parë këtë. “Nuk isha prezent në vetë aktin e djegjes së trupave, por kam mundur të shoh kamionët duke u shkarkuar.”
Një burim tjetër i IWPR-së, statusin dhe profesionin e të cilit s’mund ta zbulojmë, e konfirmoi verzionin e punëtorit, duke thënë se edhe ai poashtu kishte qenë dëshmitar gjatë shkarkimit të trupave. Ky burim shtoi se trupat ishin transportuar nga Kosova perëndimore, kryesisht nga Prizreni, Gjakova dhe Peja, dhe fshatrat përreth. “Kur kamionët shkonin [pas djegjes] të ashtuquajturit “pastrues” rrinin dhe kontrollonin se mos kishte mbetur ndonjë pjesë e trupit ose mos kishte rënë ndonjë pronë personale e tyre në hyrje të fabrikës,” tha ai. “Edhe pas sa ditëve, ende mund të ndihej era e mishit të djegur në Surdulicë. E njoh këtë erë sepse edhe unë kam marrë pjesë në fronte të luftës në ish-Jugosllavi.” Ky burim tha se Mackatica ishte zgjedhur si vend krimi sepse ishte afër Kosovës, vetëm 170 kilometra larg Prizrenit, dhe relativisht e panjohur – pak njerëz jashtë fabrikës e dinin që fabrika kishte furra të larta.
Artikulli i Kandiçit në Danas thotë se të dy djegjet kanë ndodhur diku rreth mesnatës nën sigurim të rreptë nga Njësiti i Operimve Speciale të Policisë, JSO, atëherë me bazë në Bele Vode, afër Vranjës, në Serbinë jugore. Në artikull thuhet se komandanti i atëhershëm i JSO-së, Milorad “Legija” Ulemek, tani i dyshuari kryesor për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiç në 2003, kishte përcjellur njërin konvoj të trupave në vendin e ngjarjes dhe kishte qenë prezent gjatë djegjes së tyre në “furrat numër katër dhe pesë”. Sipas HCL-së, zyrtarë të lartë të policisë – disa prej të cilëve ende mbajnë postet – kanë organizuar djegjet, derisa zyrtarë tjerë të besueshëm të Milosheviqit kanë organizuar “pastrimin pasues të terrenit”.
INFORMATA TË REJA RRETH ROLIT TË POLICISË SË MILLOSHEVIQIT NË KRIM
Një burim i tretë i IWPR-së, ish-inspektor në policinë sekrete të Millosheviqit, ishte aktiv në kohën e ngjarjeve në Mackaticë, dhe ka siguruar IWPR-në se policia ka “informata precize dhe të sistematizuara” se si janë djegur trupat në Mackaticë. “Ka të dhëna të qarta për këtë çështje në arkivat e polcisë lokale, të shënuara si “rreptësisht konfidenciale”, tha burimi, duke iu referuar dy djegjeve. “Njerëzit që morrën pjesë në këtë aksion kanë qëndruar në Hotelin Theranda në Prizren. Një punë e tillë ishtë pregatitur për një kohë të gjatë dhe nuk mund të kryhej brenda një apo dy dite.
“Policia lokale publike dhe sekrete i dijnë të gjitha por kjo po fshihet për arsye se zyrtarë të tanishëm të policisë dhe ish-zyrtarë e agjentë të zakonshëm ishin të përfshirë. “Çdo gjë është e përfshirë në dokumentacionin e policisë – nga emri i kodit të aksionit deri te lista e njerëzve që kanë qëndruar në Hotel Theranda dhe kanë punuar në ‘sanitimin e terrenit’, deri te ata që kanë ngarkuar kamionët dhe i kanë vozitur deri te fabrika e Mackaticës, ky Legija dhe ekipi tij pastaj e kanë marrë punën në dorë.” “Gjithashtu dihet saktësisht se kush i ka vozitur dhe përcjellur kamionët, kush ka qenë përgjegjës për mbulimin e aksionit në fabrikë dhe kush drejtpërdrejtë është marrur me furrat gjatë djegjes.” “Emrat e atyre që më vonë kishin për detyrë të zhdukin gjurmët në fabrikë dhe atyre që kishin për detyrë ta fshihnin të vërtetën nga policia lokale poashtu dihen. Në fund, është edhe një listë me emra të politikanëve që kanë qenë në dijeni të krejt kësaj, derisa aksioni planifikohej.”
Ish-polici thotë se i din shumicën e këtyre emrave por frikohet t’i zbulojë publikisht ato.
Së bashku me gjithë ata që kishin njohuri direkte për këto djegje, ai kishte pasur presione të fuqishme që të mos fliste. “Të gjithë ata të cilët në një mënyrë apo tjetër janë të lidhur me ngjarjet në Mackaticë në maj të vitit 1999, janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve, presioneve dhe shantazheve,” tha ai. “Frikohem për sigurinë time dhe të familjes time,” tha ai. “Pjesëmarrësit në krimin e Mackaticës do ta dinin që unë kam zbuluar sekretet, që ata po mundohen aq shumë t’i fshehin.”
Burimi i parë i IWPR-së, punëtori i fabrikës në Mackaticë, thotë se disa dëshmitarë tjerë që kanë parë kamionat me kufoma duke hyrë në fabrikë ende jetojnë në Serbi. “Njerëz tjerë e dijnë çfarë ka ndodhur, edhepse çdo gjë është bërë që operacioni të kryhet me fshehtësi të madhe,” tha ai.
Të gjithë kanë qenë të kërcënuar dhe të shantazhuar, shtoi ai, për të ndaluar shpalosjen e ngjarjes edhe më tej. Megjithatë, ky burim thotë se është i gatshëm të dëshmojë publikisht. IWPR gjithashtu ka folur edhe me një burim të katërt të drejtpërdrejtë të ngjarjeve në Mackatice. Ky burim nuk deshi të zbuloj as vendndodhjen dhe as profesionin e tij por insistoi që ka qenë prezent në të dyja djegjet ne maj të vitit 1999. “Çdo gjë është kryer pas mesnatës, por më kujtohet që qielli ka qenë i kthjellët dhe se ka pasur dritë të hënës,” tha ai. “ Pashë, për disa minuta, nga një distancë prej dhjetë metrave, trupa që po shkarkoheshin nga një kamion dhe transportoheshin me një karrocë të madhe të fabrikës drejt pjesës së fabrikës ku ndodheshin furrat.” Ky burim tha se e “dinte me siguri” se disa nga trupat ishin fëmijë dhe gra. Ai insistoi se nuk kishte marrë pjesë në djegje.
Asnjëri nga burimet e IWPR-së nuk kishte në gjendje të jipte ndonjë numër të saktë apo të përafërt tëqë ishin shkarkuar dhe djegur në Mackaticë, edhepse njëri nga ata tha se ishin transportuar në “më shumë se dhjetë kamiona,” që tregon për një numër të madh.
LISTA E EMRAVE PRAPA DJEGJEVE
Në artikullin e saj në Danas, Kandiç citon disa prej partnerëve më të besueshëm të Millosheviqit si figurat kyçe prapa operacionit. Ajo përmendi emrat e ish-Minitrit të Policisë Vlajko Stojilkoviç; ish-zëvëndës ministrit Nikola Sainoviç; kryesuesit të atëhershëm të sigurimit publik dhe shtetëror Vlastimir “Rogja” Gjorgjeviq, dhe Radomir Markoviçit, ish-kryesues i policisë sekrete.
Shainoviçi, i akuzuar nga Gjykata për krime lufte në Hagë, për krimet e kryera në Kosovë në vitin 1999, iu dorëzua vullnetarisht autoriteteve në pranverë të vitit 2003. U lëshua në Prill 2005 duke pritur gjykimin. Markoviç është momentalisht në burgun qendror të Beogradit, i ballafaquar me proces gjyqësor për akte kriminale. Stojilkoviç, gjithasthtu në listën e Hagës të personave të akuzuar për krime në Kosovë, bëri vetëvrasje më 11 prill 2002. Nga të gjithë emrat e përmendur nga Kandic, më interasanti ishte ai i Gjorgjeviçit. Njëri nga katër gjeneralët e kërkuar nga Haga për krime të luftës në Kosovë më 1999, ai ka lindur ne Koznicë, vetëm disa kilometra larg nga Mackatica. Gjorgjeviq njihet të ketë qenë njëri nga personalitetet më me ndikim në sferat, fjala e të cilave konsiderohej pothuajse ligj. Ai mbante nën kontroll të gjitha strukturat e pushtetit lokal, sidomos policinë. Pas rënies se regjimit të Millosheviqit më 5 tetor 2000, GjorgjeviçI thuhet të këtë lëshuar vendin dhe besohet se është duke u fshehur në Rusi.
PROKURORI SPECIAL FILLON TË HULUMTOJË
Për muaj të tëra, pas publikimit të artikullit ekskluziv në Danas, as autoritetet e as gjykatat në Serbi nuk reaguan publikisht rreth pohimeve të rënda që nxirrte në pah ky artikull. Megjithatë në mes-prill të vitit 2005, Vladimir Vukçeviç, prokurori special i shtetit për krime lufte, e vizitoi Surdulicën. Duke vepruar nën kërkesën e Vuçkeviçt, gjykatësi hulumtues i gjykatës së distriktit të Vranjës, zëvendësi i prokurorit special dhe një ekip i ekspertëve gjyqësor me trajnim special gjithashtu vizituan Mackaticën.
Vukçeviç i tha radios B-92 se kishte biseduar me dëshmitarë, por theksoi se shumë gjëra ishin ende në etapen e “fshehtësisë komplete, duke marrë parasysh natyrën serioze të procedurës”. Prokuroria po priste rezultatet nga raportet e mjekësisë ligjore, tha ai.
Duke dhënë informata më të hollësishme se deri ku kishin arritur me hetime, ai shtoi, “Furrat e larta në kompleksin e Mackaticës janë inspektuar, dhe vendet ku depozitohen mbeturinat gjithashtu.” Ai nënvizoi se vetëm përfundimet e ekspertëve mund të konfirmonin nëse kishte gjurmë të mbetjeve të trupave në mbeturina. Vuçkeviç nuk e fshehi faktin se vendimi i tij për të mbikqyrur personalisht procesin nënkuptonte mungesë besimi në aftësinë dhe vullnetin e policisë lokale për ta hulumtuar rastin. Ai gjithashtu tha se i vinte keq që një njësit special i policisë nuk ishte krijuar për të hulumtuar krime të tilla të luftës dhe për të ndihmuar ekipin e prokurorisë.
Një burim i IWPR-së i afërt me policinë e distriktit të Pcinjit konfirmoi se fillimi i punës në terren nga ana e prokurorit special për krime lufte kishte trazuar anëtarët e policisë lokale. “Policia e Pcinjit ende operon me të njëjtat principe dhe me të njejtit njerëz si në vitin 1999” tha ky burim.
IWPR gjithashtu ka kuptuar se ky rast kurrë nuk do të ndriçohej sikur një ish-agjent dhe një agjent aktiv nga Agjencia për Sigurim dhe Informim, BIA, – pasardhëse e Sigurimit të Shtetit, DB – nuk do t’i kishin dërguar dëshmi Kandiçit.
Zoran Stoshic, kryesues i DB-së rajonale në kohën e rastit të Mackaticës është shkarkuar nga posti i inspektorit gjeneral në policinë e distrtiktit të Pcinjit, para një muaji dhe është zëvendësuar me Vujica Veliçkoviçin, gjithashtu një figurë kyçe në policinë rajonale gjatë dekadës së kaluar. Burimi i tretë i IWPR-së, ish-inspektori i fshehtë i policisë, përsëriti se policia lokale kishte të dhëna të sakta mbi tërë aferën. “Krejt çka nevojitet është vullneti politik për zbulimin e tyre.”
MURI I HESHTJES NË SURDULICË
Surdulica është qytet i vogël, rreth 10, 000 njerëz, diku 10 km larg autostradës që lidh Beogradin dhe Shkupin. Është më pak se një orë rrugë nga Bullgaria ose nga Maqedonia apo Kosova. Njerëzit në Surdulicë, të cilët i intervistoi IWPR-ja, ose refuzonin të flisnin për djegjet e trupave, ose i mbronin ato. Askush nuk mohon se diçka ka ndodhur, por në qytet, ku nacionalistët ekstrem të Partisë Radikale Serbe janë në pushtet, ekziston një konspiracion i heshtjes.
Në një kafiteri në qendër të qyteti, një grafit i madh thotë “Serbia për Serbët”. “E çka nëse kanë djegur ‘Shiptar’ [emër nënçmues për Shqiptarët]?” tha një burrë. “Ata nuk kanë merituar asgjë më mirë. Pse nuk shkruani për krimet që po bëhen kundër Serbëve në Kosmet [emër nacionalist serb për Kosovën] sot?”
Një shitëse ishte më e pajtueshme. “Gati askush nuk guxon të flasë publikisht për atë,” ishte e tëra që tha ajo për ngjarjet e zymta në fabrikën pranë. Por arritja në Surdulicë e prokurorit special të shtetit për krime të luftës, tregon se me gjithë dëshirën e popullatës lokale për të mbuluar dhe harruar këtë aferë, autoritetet gjyqësore janë të vendosur për t’u ballafaquar me këtë çështje të dhimbshme.
Se a do të vendoset ndonjëherë drejtësia për çfarë ka ndodhur në Mackatice, mbetet të shihet. Bruno Vekaric, zëdhënës i prokurorit për krime lufte, tha se nuk do të jetë lehtë. Fakti se krimet ishin kryer shumë kohë më parë dhe se policia dhe ministria e drejtësisë ishin larg nga bashkëpunimi ishin vetëm disa nga pengesat me të cilat ballafaqohen, tha ai për IWPR-në.