BARBARITË SERBE NDAJ SHQIPTARËVE NË VITET 1912-1913

BARBARITË SERBE NDAJ SHQIPTARËVE NË VITET 1912-1913

Nga Xhelal Zejneli   

Kush e harron të kaluarën rrezikon që ajo t’i përsëritet.

(George Santayana (1863-1952), filozof amerikan me prejardhje spanjolle)

*   *   *

Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, më 23 dhe 24 tetor 1912, midis ushtrisë serbe dhe asaj turke u zhvillua beteja e Kumanovës. Sipas disa raporteve që i përmend në librin e vet publicisti vjenez Leo Frojndlih (Leo Freundlich, 1875-1953), pas fitores serbe në këtë betejë,ushtarët turq të vrarë janë varrosur në një gropë të përbashkët.

Kryepeshkopi i Shkupit Lazër Mjeda* raporton në vitin 1912 se në fshatrat e Kumanovës ushtria serbe ka kryer krime të rënda. Shtëpive të fshatarëve shqiptarë ua ka vënë flakën. Ata që kanë tentuar t’i shpëtojnë zjarrit, i kanë vrarë. I njëjti burim thotë se, për të mos harxhuar municion, fëmijët i kanë vrarë me bajoneta.

Korrespondenti i luftës nga Ballkani për gazetën Kievskaya Mysl, Leon Trocki (me prejardhje hebraike)flet për dëshmitë e një ushtari serb i cili thotë: “Shumë fshatrave të rrethinës së Kumanovës, ushtria serbe ua ka vënë flakën. Skena të tilla janë parë përgjatë vijës hekurudhore, deri në Shkup”. The New York Times i boton të dhënat nga raportet austro-hungareze ku thuhet se midis Kumanovës dhe Shkupit ushtria serbe ka vrarë rreth 3.000 civilë shqiptarë.

Shënim: Kryepeshkopi i Shkupit Lazër Mjeda (Mjedë, 6.3.1869 – Shkodër, 8.7.1935) është klerik katolik, themelues i shoqërisë kulturore “Agimi”, mbrojtës i çështjes kombëtare, vëlla i Ndre Mjedës (1866-1937). Gjatë shërbimit në Shkup dhe në Prizren, ishte dëshmitar i krimeve serbe ndaj shqiptarëve. Lidhur me këtë, nëpërmjet një raporti të hollësishëm, e njoftoi Vatikanin. Në gusht të vitit 1920, për veprimtarinë atdhetare, u burgos nga serbët.    

*   *   *

Shkupi ka qenë qendër administrative e Vilajetit të Kosovës. Sipas të dhënave të caktuara, para Luftës së Parë Ballkanike ka pasur rreth 60.000 banorë. Përqindja më e madhe e tyre kanë qenë shqiptarë. Në raportet që i ka botuar në librin e vet publicisti Frojndlih thuhet: “Ushtria serbe, me të hyrë në Shkup, çdo natë ka hedhur në lumin Vardar rreth 20-30 shqiptarë”. Në raportet e publikuara të autorit të sipërthënë thuhet: “Krime më të rënda kanë kryer formacionet paraushtarake, komitët serbë. Ata kanë kryer terror ndaj shqiptarëve. Gjatë natës, grupe ushtarësh të dehur kanë hyrë nëpër shtëpitë e shqiptarëve, kanë plaçkitur dhe kanë vrarë”. Në librin “Golgota shqiptare” të publicistit Frojndlih jepen të dhëna edhe për “shumë raste përdhunimesh të grave dhe të vajzave të mitura”. Ka pasur raste kur çetnikët serbë “i kanë vrarë shqiptarët në rrugë, pa i dhënë kujt përgjegjësi”. Shpeshherë, shqiptarët e vrarë kanë mbetur pa u varrosur për arsye se gjatë dimrit toka ka qenë e ngrirë. Ka ndodhur që kufomat të jenë hedhur në puse. Sipas burimeve të publicistit Frojndlih, 38 puse të rrethinës së Shkupit kanë qenë të mbushura me kufoma shqiptarësh. Kryepeshkopi i Shkupit Lazër Mjeda raporton: “Në një hendek të madh pas kështjellës së qytetit janë hedhur mbi 100 kufoma shqiptarësh të vrarë. Në zonën e quajtur Uji i Tharët ka një grykë e cila është varr masiv i 80 shqiptarëve”. Gazeta vjeneze Reichspost përmend rastin e pacientëve shqiptarë në spitalin e Shkupit. Gjatë vizitë së parë, mjeku kishte parë 132 pacientë. Të nesërmen kishin mbetur vetëm 80 sish. Ditën e tretë ndërkaq, jo më shumë se 30. Pacientëve shqiptarë nuk u kanë dhënë ushqim. Si pasojë, disa prej tyre kanë vdekur urie, ndërsa shumë të tjerë i kanë hedhur të gjallë në Vardar. Dëshmitarët okularë tregojnë se ushtarët dhe paramilitarët serbë i kanë komentuar vrasjet e shqiptarëve dhe plaçkitjet e pasurive të tyre, si të kishte qenë kjo diçka krejt normale. Për t’i plaçkitur fshatrat shqiptare përreth, shumë serbë kanë ardhur edhe prej Shumadie. Disa prej tyre ua kanë marrë shqiptarëve kuajt dhe bagëtinë, disa të tjerë ndërkaq i kanë shkulur   edhe dyert dhe dritaret e shtëpive. Në raportin e komisionit ndërkombëtar përmendet deklarata e mësuesit të Shkupit, Vasil Smilev i cili ka parë sesi pranë fshatit Butel trupat serbe kanë masakruar 60 meshkuj dhe femra shqiptare. Për krimin e sipërthënë ai e kishte njoftuar konsullatën ruse. Konsulli austro-hungarez në Shkup, fon Hajmrot (von Heimroth)raporton se krejt Shkupi i ka parë fshatrat që digjen. Vlerësohet se në rajonin e Shkupit janë therur rreth 2.000 shqiptarë.

*   *   *

Shumë robër lufte dhe të plagosur, ushtria serbe i ka dërguar në Nish. Korrespondenti i luftës Hermenegild Vagner (Hermenegild Wagner) ka raportuar për gazetën londineze Dejli Mejl (Daily Mail), për gazetën vjeneze Reichspost dhe për The New York Times. Gjatë qëndrimit treditor në Nish në nëntor të vitit 1912, ka qenë dëshmitar i veprimeve çnjerëzore ndaj robërve shqiptarë. Instituti i Historisë në Prishtinë thotë se në Nish, shqiptarët i kanë mbajtur në kampe përqendrimi. Duke iu referuar dokumenteve të arkivit serb, historianët e Kosovës tregojnë se më 27 tetor 1912, në llogorin e Nishit janë dërguar 650 shqiptarë, ndërsa më 30 tetor, edhe 700 të tjerë. 

*   *   *

Në tetor të viti 1912, ushtria serbe e sulmon Prishtinën. Raportet flasin se me të hyrë në qytet, ushtria serbe dhe paramilitarët e saj, e fillojnë “gjuetinë” ndaj shqiptarëve. Nga masakrat e kryera, popullata e Prishtinës pothuajse është asgjësuar. Ushtria serbe ka hyrë në Kosovë me „Armatën e tretë“ të komanduar nga gjenerali Bozhidar Jankoviq (1849-1920). Kryepeshkopi Lazër Mjeda dhe publicisti austriak Leo Frojndlih, përgjegjës për krimet ndaj popullsisë civile në Kosovëe konsiderojnë gjeneral Jankoviqin.

Daily Telegraph ka shkruar në atë kohë: “Të gjitha tmerret e historisë nuk janë kurrgjë para mizorive të kryera prej trupave të gjeneral Jankoviqit”.  Si kryetar i „Mbrojtjes Popullore“, gjeneral Jankoviqi mori pjesë në luftimet e çetnikëve për Maqedoninë. Vlerësohet se në ditët e para të pushtetit serb, në Prishtinë janë vrarë 5.000 shqiptarë.

Shënim: Vendbanimi apo komuna që ndodhet në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë e ka mbajtur emrin e tij.

*   *   *

Ndaj pushtimit të Ferizait, banorët vendas kanë rezistuar me vendosmëri. Sipas raporteve të caktuara, luftimet për qytetin kanë zgjatur tri ditë. Pasi e kishin marrë qytetin, komandanti serb kishte urdhëruar që banorët e larguar nga qyteti, të kthehen në shtëpi dhe t’i dorëzojnë armët. Me t’u kthyer në shtëpitë e veta, 300-400 vetë ishin masakruan. Pas kësaj ka pasuar shkretimi i fshatrave shqiptare të rrethit të Ferizait. Njësitet ushtarake dhe paramilitare serbe u janë vërsulur shtëpive të pasura të shqiptarëve, kanë plaçkitur dhe kanë vranë sa kanë mundur. Krimet në qytet dhe rrethinë janë shënuar në raportet e konsujve të huaj. Konsulli serb në Shkup thotë se 1.200 shqiptarë janë vrarë gjatë luftimeve. Qyteti iu bashkëngjit Mbretërisë së Serbisë, ndërsa emri i tij u ndërrua dhe u quajt Uroshevac, sipas carit serb Urosh.

*   *   *

Nga ushtria serbo-malazeze pësoi edhe Gjakova. Gazeta The New York Times shkruan se “në të dyja anët e rrugës shihen njerëz të varur”. Rruga për në Gjakovë i ngjan një “lugine të trekëmbëshave për varje”. Krime të rënda ndaj popullsisë civile në rajonin e Gjakovës kanë kryer formacionet policore-ushtarake malazeze të quajtur Kori i xhandarmërisë mbretërore. Në Gjakovë është zbatuar edhe konvertimi i dhunshëm i shqiptarëve të fesë katolike në fenë ortodokse. Gazeta vjeneze Neue Freie Press (New Free Press) e datës 20 mars 1913 raporton se më 7 mars të viti 1913 kleriku ortodoks serb, me ndihmën e ushtrisë, ka konvertuar dhunshëm në fenë ortodokse rreth 300 katolikë të Gjakovës. Françeskani At Engjëlli (Pater Angelus) ka refuzuar të heqë dorë nga feja e vet. Pasi e kanë torturuar, e kanë vrarë me bajonetë. Instituti i Historisë i Prishtinës thotë se në mars të vitit 1913, në rajonin e Gjakovës, Mali i Zi ka kryqëzuar, d.m.th. ka kthyer në fenë ortodokse mbi 1.700 shqiptarë. Historiani dhe akademiku Zef Mirdita (Prizren, 1936 – Zagreb, 2016)flet për “përndjekjen sistematike të klerit katolik dhe për vrasjen e parisë katolike”. Ai thotë se “gjatë viti 1913, në rajonin e Gjakovës janë konvertuar me dhunë në fenë ortodokse rreth 12.000 shqiptarë katolikë”.

*   *   *

Pasi ushtria serbe e vuri nën kontroll Prizrenin,mbi popullsinë civilepasuan masatrepresive. Njësitet ushtarake dhe paramilitare serbe hynë nëpër shtëpi, plaçkitën, ushtruan dhunë dhe vranë njerëz, pavarësisht nga gjinia dhe mosha. Gjatë ditëve të para të administratës ushtarake serbe, rreth 400 njerëz “u zhdukën”. Kufomat ishin lënë të shtrira nëpërrrugë. Sipas deklaratave të dëshmitarëve okularë, ato ditë përreth Prizrenit ka pasur afërsisht 1.500 kufoma shqiptarësh. Gazetarëve të huaj nuk është lejuar të shkojnë në Prizren. Pas veprimeve të ushtrisë serbe dhe të njësiteve paramilitare, Prizreni ishte bërë një prej qyteteve më të shkatërruara të   Kosovës. Disa e kishin quajtur “mbretëri e vdekjes”. Përkundër gjithë kësaj, gjeneral Jankoviqi e kishte detyruar parinë e Prizrenit të nënshkruajnë një deklaratë falënderimi që do t’i dërgohej mbretit Petar I Karagjorgjeviq (1844-1921), për “çlirimin” e tyre. Vlerësohet se në rajonin e Prizrenit janë masakruar 5.000 shqiptarë. Trupat serbe nuk kanë mundur të gjejnë kuaj për bartjen e pajisjeve për të shkuar në drejtim të perëndimit. Barrën prej 50-60 kilogramësh ua kanë ngarkuar 200 shqiptarëve. Marshi i natës për në Lumë ka zgjatur shtatë orë.

*   *   *

Me të parë gjeneral Jankoviqi se fiset shqiptare të Lumës nuk do t’u lejojë trupave serbe të përparojnë kah deti Adriatik, i ka quajtur ata “bastardë të cilët duhet vrarë”. Pas kësaj, u ka urdhëruar trupave serbe të vazhdojnë me një rreptësi të veçantë. Ushtria e ka masakruar popullatën, burrat, gratë dhe fëmijët, pa kursyer kënd. Në rajonin e Lumës ka djegur 27 fshatra. Raportet flasin për mizoritë e papara të ushtrisë serbe, përfshi edhe djegien e grave dhe të fëmijëve, të lidhur për mullari, para syve të etërve. Pas kësaj, rreth 400 meshkuj të Lumës, vullnetarisht u janë dorëzuar autoriteteve serbe. Ata i kanë dërguar në Prizren dhe i kanë vrarë.

Në atë kohë gazeta The Daily Telegraphka shkruar: “Tmerret e kryera nga gjeneral Jankoviqi, kurrë s’kanë ndodhur në histori”.

*   *   *

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) u vendos që Luma të mbetet në Shqipëri. Megjithëkëtë, ushtria serbe nuk tërhiqej. Në shtator 1913, shqiptarët u kundërvihen me armë. Ushtria serbe ndërkaq u hakmor në mënyrë mizore. Raporti i komisionit ndërkombëtar përmend letrën e një ushtari serb i cili e përshkruan ekspeditën ndëshkimore ndaj shqiptarëve të rebeluar, të ndërmarrë kah fundi i shtatorit të viti 1913. Ai shkruan: “Këtu po ndodhin gjëra të tmerrshme. Si është e mundur që njerëzit të jenë kaq barbarë dhe të kryejnë mizori të tilla?! … Luma nuk ekziston më. S’ka gjë tjetër pos kufomave, pluhurit dhe hirit. Në fshatrat me 100, 150, 200 shtëpi nuk ka asnjë njeri, thjesht, asnjë. Grumbullojmë 40-50 të vrarë dhe i shpojmë me bajoneta. Plaçkitim në të katër anët. Oficeri u tha ushtarëve të shkojnë në Prizren për t’i shitur gjërat që i kanë vjedhur”             

Në dhjetor të viti 1913, për masakrën ndaj shqiptarëve në rajonin e Lumës dhe të Dibrës, Fuqive të Mëdha iu dërgua një raport zyrtar. Masakra ishte kryer pasi ishte shpallur amnistia nga autoritetet serbe. Në raport ishin shënuar emrat dhe mbiemrat e personave të vrarë prej aradheve serbe, shpeshherë në mënyrën më barbare: duke i djegur, duke i therur, duke i prerë me bajoneta. Jepet edhe lista me të dhëna të hollësishme e fshatrave të djegura dhe të plaçkitura në zonën e Lumës dhe të Hasit.

*   *   *

Durrësi është qytet në mes të bregdetit shqiptar. Serbia e pushtoi dhe u përpoq ta bënte port kryesor të saj. Më 6 mars 1913, në zonën e Durrësit, trupat serbe dogjën shumë fshatra. Raportet flasin se në fshatin Zezi, ushtria serbe ka djegur njëzet gra që kanë qenë në shtëpitë e veta. Trupave serbe që e kishin marrë Durrësin u ishte urdhëruar të vazhdojnë ekspeditën edhe pse nuk kanë të siguruar furnizim. Të mbetur pa furnizim, ata janë mbështetur vetëm në plaçkitjen e popullsisë vendase. Plaçkitja ka marrë përmasa të tilla saqë serbët në Durrës, mallrat e plaçkitura i kanë ngarkuar nëpër anije dhe i kanë dërguar në Selanik. Që andej, ngarkesat janë dërguar në Beograd.

*   *   *

The New York Times shkruan për dëshminë e mjekut të Kryqit të Kuq i cili thotë se gjeneral Jankoviqi në afërsi të Sjenicës ka vrarë 950 shqiptarë dhe turq – njerëz të respektuar. Në raportin e konsullit austriak thuhet se në Lipjan, më 17 nëntor 1913 shumë kufoma shqiptarësh i kanë lënë të shtrira përgjatë vijës hekurudhore.

*   *   *

Masakër është kryer edhendaj popullatës së Gjilanit. Qyteti është djegur dhe është shkatërruar, edhe pse banorët e qyteti nuk ka bërë rezistencë. Ushtria serbe dhe paramilitarët serbë kanë vrarë shqiptarë edhe në Tërstenik, Vërban, Preshevë etj. Pas disfatës në betejën e Bërdicës afër Shkodrës, forcat serbe i kanë masakruar banorët e fshatit Barbullush ku kanë vrarë pleq, gra dhe fëmijë.

*   *   *

Në zonën e Pejës, deri në qershor të vitit 1913 Mali i Zi ka konvertuar dhunshëm në fenë ortodokse 20 fshatra shqiptare, ndërsa në qytet – rreth 200 vetë. Më 21 shtator 1913, banorët shqiptarë të Gjakovës, të Pejës, të Plavës, të Gucisë dhe të ish-Vilajetit të Kosovës u kanë dërguar një peticion Fuqive të Mëdha. Aty thuhet: “Ushtria serbe dhe malazeze e rregullt, që nga dita e parë e pushtimit të territorit shqiptar, kanë ndërmarrë çdo gjë dhe kanë bërë çmos që popullata, ose ta humbë kombësinë e vet, ose raca shqiptare të shuhet në mënyrë mizore”.

*   *   *

Një numër burrash dhe grash të Krujës,thjesht janë qëlluar me plumb, ndërsa shumë shtëpi janë djegur. Më 5 janar 1913, komandanti i ushtrisë serbe, kapiten i klasës së parë, A. Petroviq, banorëve të qarkut të pushtuar të Krujës u ka lëshuar një komunikatë: “Po qe se në qytet, në fshat apo në rrethinë vritet vetëm një ushtar serb, qyteti do të rrafshohet me tokën, ndërsa të gjithë meshkujt e moshës mbi pesëmbëdhjetë vjeç do të vriten me bajoneta”. Raportet thonë se serbët në këtë qytet e kanë shkatërruar kishën katolike.

*   *   *

Raporti idatës 12 mars 1913 flet për krimet e trupave serbe në rrethinën e Tiranës. Me fjalë të tjera, kur ushtria serbe ka mësuar se banorët vendorë u kanë ofruar strehim vullnetarëve shqiptarë, i tërë vendbanimi është djegur. Dhjetë burra dhe dy gra janë ekzekutuar, ndërsa 17 vetë kanë pësuar nga zjarri.

*   *   *

InstitutiiHistorisë në Prishtinë, duke iu referuar dokumenteve të diplomacisë serbe thotë se prej tetorit të vitit 1912 deri në gusht të vitit 1914, nga Kosova, nga Sanxhaku dhe nga viset shqiptare në Maqedoni, janë dëbuar me dhunë 281.747 vetë, pa i llogaritur fëmijët deri gjashtë vjeç. Në pronat e shqiptarëve të dëbuar, qeveria serbe ka sjellë mbi 20.000 familje serbe, ndërsa qeveria e Malit të Zi kishte planifikuar të sjellë 5.000 familje.

Pjesa tjetër e rajoneve të pushtuara që kanë kaluar nën administrimin ushtarak serb, në vitet në vijim do t’i nënshtrohet procesit sistematik të kolonizimit dhe të serbizimit. Më 20 shkurt 1914, pushteti serb miratoi Ligjin për reformën agrare dhe për kolonizimin e rajoneve të reja. Pas kësaj, në shumë prona shqiptare u vendosën kolonë serbë, kryesisht nëpunës, ushtarë dhe policë.

Më 27 shkurt 1914, qeveria e Malit të Zi miratoi ligjin për kolonizimin e tokave të pushtuara dhe deri në vitin 1915, kur Mali i Zi është pushtuar, kolonët malazezë vendosen në “Metohi” – në tokat që u ishin marrë shqiptarëve. Qysh në nëntor të vitit 1912 qeveria e Malit të Zi themeloi një komitet i cili ishte i autorizuar që shqiptarëve t’ua njohë pronësinë vetëm po qe se kanë dokumente mbi 50 vjet, të verifikuara në librat kadastrorë (defterhanet) të Stambollit. Ndryshe, pasuritë e paluajtshme të tyre janë evidencuar si pronë shtetërore.

*   *   *

Socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq (1881-1914) thotë se borgjezia serbe, duke e proklamuar politikën pushtuese ndaj Shqipërisë “për herë të parë nga fytyra e popullit serb e ka hequr vellon e një kombi të ndershëm që lufton për çlirimin e vet”. Ai thotë: “Serbia ka dashur të ketë dalje në det dhe një koloni të sajën, por mbeti pa dalë në det, ndërsa prej kolonisë së paramenduar krijoi një armik të përbetuar”. Në vijim, thotë: “Armiqësia e pafund e popullit shqiptar ndaj Serbisë është arritja e parë e politikës së qeverisë serbe ndaj shqiptarëve”. Arritja tjetër, edhe më e rrezikshme është “shtyrja e Shqipërisë në gjirin e Italisë dhe të Austro-Hungarisë”, dy fuqive të mëdha më të interesuara për Ballkanin Perëndimor. Në nëntor të vitit 1915, njësitë ushtarake austro-hungareze u pritën në Kosovë si çlirimtarë.

Historiani dhe akademiku serb Dimitrije Bogdanoviq (1930-1986), shkrimet e Dimitrije Tucoviqitmbi „mizoritë e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve“ i konsideron si „argumente të propagandës austriake kundër Serbisë“.    

*   *   *

Historiani britanik, profesor i Departamentit të historisë në Columbia University Mark Mazouer (Mark Mazower, Londër, 1958- ), në librin e tij “Ballkani, që nga fundi i Bizantit deri më sot” (The Balkans, From the End of Byzantium to the Present Day), studimit të historisë së Ballkanit i ka kushtuar rëndësi të madhe. Për këtë libër e ka marrë çmimin “Volfson” për histori (The Wofson History Prize). Ai thotë: “Në ish-vilajetet osmane të Kosovës dhe të Manastirit, ushtria pushtuese serbe pa dyshim ka vrarë mijëra civilë. Përkundër pohimeve të pamenduara të disa oficerëve serbë për shfarosjen e shqiptarëve, këto vrasje më tepër janë kryer nga hakmarrja sesa për shkak gjenocidi”.

*   *   *

Duhet theksuar se kudo që ka shkelur ushtria serbe, ka hasur në qëndresën e armatosur të popullit shqiptar. Qëndresa, sakrificat dhe lufta e shqiptarëve ka vazhduar deri në çlirimin përfundimtar prej kolonialistëve serbomëdhenj.    

*   *   *

Historiografia serbe nuk pranon që Serbia të ketë kryer krime gjatë luftërave ballkanike. Sipas serbëve, të dhënat mbi krimet serbe të asaj periudhe na qenkëshin “të njëanshme, produkt i propagandës austro-hungareze dhe italiane. Për ta vazhduar ekspeditën e vet për në Selanik, Austro-Hungaria ka synuar që territoret shqiptare t’i vërë nën kontrollin e vet. Italia ndërkaq, ka synuar që duke e kontrolluar këtë territor, ta kontrollojë ngushticën e Otrantos, ndërsa detin Adriatik ta shndërrojë në liqen të vet”.

Më 26 gusht 1913 trupat serbe nuk e kanë lejuar Komisionin ndërkombëtar të hetimeve të hyjënë Serbi. Sipas palës serbe dhe asaj greke, anëtari rus i Komisionit ndërkombëtar tëhetimeve, Pavel Nikollajeviç Milukov (Pavel Nikolajevič Milyukov, 1859-1943) dhe ai britanik Henri Noel Brailsford (Henry Noel Brailsford, 1873-1958) qenkëshin bullgarofilë.

Qeveria serbe, shumicën e raporteve për krimet e luftës i ka mohuar zyrtarisht. Asnjë pushtues në histori nuk ka pranuar se gjatë ekspeditave ushtarake ka kryer krime ndaj popullsisë civile.       

Për krimet serbe ndaj shqiptarëve në luftërat ballkanike dëshomon edhe Carnegie Endowment for Internationl Peace, Report of the International Commission to Inguire into the Causes and Conduct of the Balkan Wars (Washington D. C.,1914), faqe 151 e tutje.      

*   *   *

Historianët serbomëdhenj dhe qeveritë serbe që i relativizojnë apo që i mohojnë krimet serbe ndaj shqiptarëve në periudha historike të caktuara, përgënjeshtrohen nga fshati Zajaz i rrethit të Kërçovës. Në Luftën e Dytë Ballkanike (1912-1913) e më vonë, ushtria serbe dhe paramilitarët serbë në shumë qytete dhe fshatra të pjesës veriperëndimore në Maqedoni, ndaj popullsisë civile shqiptare kanë kryer mizori.

Për t’i zbardhur krimet serbe në këto anë, në fshatin Zajaz dhe në vise të tjera të rrethit të Kërçovës u kryen gjurmime dhe kërkime shumëvjeçare të hollësishme dhe profesionale. Gjurmimet u kryen nga ekspertë dhe specialistë. U zbuluan nëntë varre masive me mbetjet mortore të 500 civilëve të vrarë, midis tyre edhe pleq, gra dhe fëmijë. Të gjitha viktimat janë identifikuar me emra e mbiemra. U zbuluan edhe puse me mbetjet mortore të viktimave. Varre masive kishte pasur edhe në oborre shtëpish. Për viktimat e barbarive serbe, në afërsi të fshatit Zajaz të Kërçovës u ndërtua Kompleksi përkujtimor “Nëna Shqiptare”. Aty u rivarrosën me nderime të larta të gjithë të vrarët. Kompleksi monumental me mbi tremijë metra katrorë u hap për vizituesit që duan të bëjnë homazhe, më 28 nëntor 2017, në Ditën e Flamurit,në Ditën e Pavarësisë. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet. Midis tyre, shumë personalitete të lëmit të politikës, të shkencës, të artit dhe të fesë.  

Viktimat e Zajazit dhe të rrethit të Kërçovës, të identifikuara me emër e mbiemër, janë dëshmi e gjallë dhe e pakontestueshme e iracionalizmit serb ndaj shqiptarëve në të gjitha trojet ku kanë shkelur çetnikët.    

*   *   *

Serbia ka kryer krime edhe gjatë luftës çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-1999. Ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë vrarë, kanë ekzekutuar, kanë plagosur, kanë rrëmbyer, kanë burgosur, kanë torturuar, kanë djegur, kanë përdhunuar. Kanë vrarë fëmijë para syve të prindërve, kanë vrarë prindër në sy të fëmijëve. Të vrarë – 1133 fëmijë. Të zhdukur – 1617. I varrosën në varre masive, hodhën kufoma në puse, dogjën kufoma në furra fonderie. Në lumin Danub u gjet nga një peshkatar autofrigoriferi me 86 kufoma. Nën kanosjen e armëve vrastare, rreth një milion shqiptarë u dëbuan prej vatrave të veta. I zhdukën gjurmët e Ukshin Hotit,e nxorën nga treni dhe e ekzekutuan profesor Fehmi Aganin, e ekzekutuan në prag të shtëpisë profesorin dhe poetin Latif Berisha, e ekzekutuan avokatin Bajram Kelmendi bashkë me tre djemtë e tij, i ekzekutuan vëllezërit Bytyçi – Yllin, Agronin, Mehmetin të cilët ishin shtetas amerikanë etj. Mos vallë edhe këto na qenkëshin propagandë austro-hungareze dhe italiane!? Luftën pushtuese, Serbia e humbi.

Kosova, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës – ngadhënjeu. Kosova e Adem Jasharit. Për luftëtarin trim, varr nuk ka. Ka një këngë për të.

*   *   *

Që prej vitit 1878 e këndej, Serbia ndaj shqiptarëve ka kryer gjenocid. Për këtë, ajo duhet të përgjigjet para Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte, për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid.

*   *   *

Serbi! Ja te është Shqipëria, ja te janë shqiptarët, ja te është shqiptaria. Nuk shkulet dot populli më i vjetër i Ballkanit, ndër më të vjetrit e Evropës – prej një Serbie të mjerë!

_______________________

TË HUAJT PËR KRIMET SERBE NË VITET 1912-1913

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura