Ndërtimet Pellazgjike, Dëshmitarët e Heshtur të Origjinës Tone të Mohuar (V)

Ndërtimet Pellazgjike, Dëshmitarët e Heshtur të Origjinës Tone të Mohuar (V)

Nga Besnik Imeri

  • Përfundime.   

         Selim Islami, është i mendimit se, qytetërimi përhapet në formë vale nga Jugu (Epiri) në Veri (Iliri), duke i dhënë Epirit dhe qytetërimit të tij një rol parësor, ose të paktën, më të hershëm se ai në Iliri. Pak a shumë të njëjtin mendim shpreh edhe arkeologu Neritan Ceka kur shprehet : “…Për periudhën e vonë të bronzit (1500-1200 p.e.s)…qeramika e prodhuar ka dallime përsa i përket teknikës së pjekjes dhe të zbukurimit. Në zonat jugore mbizotërojnë ngjyrat e kuqe të baltës, që përcaktohen nga pjekja e fortë me proces oksidimi, ndërsa në veri ngjyra e errët e qeramikës varej nga pjekja reduktuese. Nga fundi i epokës së bronzit zonat juglindore,  ku vendbanimi më përfaqësues mbetet Maliqi (III-d), dallohet për zbukurimin e enëve me motive gjeometrike të realizuar me fondin e lustruar të enës me bojë kafe mat…Era e ngrohtë e qytetërimit mesdhetar arriti në Dardani përmes trevave të tjera ilire: Nga Adriatiku nëpër luginën e Drinit përmes Labeatëve, ndërsa nga Egjeu nëpër luginën e Aksit përmes Paionëve dhe Penestëve…”.[1]

        Në plotësim të kësaj ideje i referohemi Milan Shuflait, i cili na thotë:  “…Ndërsa në veri vala kulturore helene kishte prekur bregun e Adriatikut, në Shqipëri ajo kishte depërtuar thellë në tokën ilire. Si duket, Ilirët e Jugut kanë filluar shumë herët ndërtimet me gur. Deri në ditët e sotme nuk është gjetur asnjë gjurmë ndërtesash në Shqipëri, si ato që janë gjetur në veri, në Bosnjë afër Glasincës, ndërmjet Stolkës dhe Lubinjës, mbi Kiçën përgjatë Neretvës (Narentës). Si tip i një qyteti të fisit të vjetër illir jugor mund të  shërbejë Meduni, në zonën e Kuçit të sotëm në lindje të Malit të Zi, i cili edhe në kohën tonë është një fortesë me  rëndësi, me mure ciklopike, me një kështjellë që rrallë mund t’i gjendet shoqja në botë…kjo është një Medeon…në tokën e fisit të Labeatëve…”[2]

        Më tej Neritan Ceka trajton një problematikë të përafërt : “…Dy qytete të reja Olympe tek amantët dhe Gurëzeza tek bylinët. Planimetritë e tyre përsëritin ato të Kasopesë dhe Foinikes me shtrirjen në shpatin e kodrës dhe linjën në formë dhëmbësh sharrë. Teknika e ndërtimit është gjithashtu e njëjtë me muraturën prej blloqesh poligonalë e trapezoidalë. Ky tip murature arrin deri në Rizon, në pjesën veriore të shtetit ilir. Një mbishkrim i kohës romake i cilëson fortifikimet e qytetit si moenia aecia – mure aiakide, duke ju referuar emrit të dinastisë epirote, gjatë së cilës u realizuan ndërtimet e Kasopesë, Foinikes, Buthrotit etj…Muratura e Bylisit shënon një ndryshim në teknikën e ndërtimit me zëvendësimin blloqeve poligonalë dhe trapezoidalë, me të tillë katërkëndëshe…”[3]

        Por N.Ceka i vendos në një kohë të vonshme këto ndërtime, gjatë shekujve V dhe të IV p.e.s, ndërkohë që autorët e sipërpërmendur i quajnë ato mure pellazgjike, pra në një kohë të paktën pesë deri dhjetë shekuj më parë, pavarësisht se këta autorë mund të mos jenë arkeologë (bëhet fjalë për Raoul-Rochette, Poirson dhe Cayx). Të paktën gjykojmë për ndërtimin e Kasopesë, të cilën e përmendin të dy palët. Për hir të saktësisë dhe respektit, mua nuk më ndodhet në dorë ndonjë botim i fundit i Neritan Cekës, ku mund të ketë kolaudim pikëpamjesh dhe përfundimesh, pasi këtu i referohem një botimi të  para njëzet vjetëve.     

        Në lidhje me muret aiakide të Rizonit të lashtë Dhimitër Pilika na thotë: “Në veprën “Korpus mbishkrimesh latine” (1864), të botuar nën drejtimin e historianit gjerman Teodor Momzen (1817-1903) përfshihet një poezi e poetit ilir Medaur Basani, e vitit 167 p.e.s, sipas Karl Patshit (1865-1945). Vargjet i kushtohen hyjit ilir Medaur dhe aty përmenden muret aiakase të vendlindjes së poetit, Kotorrit (Rizonit të moçëm):

“…Ti që banon në ledhet aiakase të Rizonit, në kështjellën e Dalmacisë, o Medaur, o lar  i thjesht i popullit tim, i shenjtë në atdhe…” [4]

        Por Selim Islami, përtej këtyre ngjashmërive, të fortifikimeve të Ilirisë Jugore me ato të Epirit (S.Islami-Historia e Ilirëve, f.189, f.206) dallon ngjashmëri ne procesin e urbanizimit edhe midis atyre të Ilirisë me ato të Trakisë dhe Maqedonisë, ku sipas A.Fol: “…Në Thraki, Iliri dhe Maqedoni aglomeracionet urbane kanë një ngjashmëri thuajse të plotë, si përsa i përket tipave dhe llojeve ashtu dhe rrugëve të formimit të tyre historik…”[5]

        Të dhëna interesante, më herët se arkeologët e tjerë, na jep Jovan Adami për disa nga kalatë e moçme, ku muret e tyre, për mendimin tim janë mure pellazgjikë: “Në fshatin Zgërdhesh duken mure të një kalaje të moçme…Gurët janë shumë të mëdhenj…një gur i qoshes së një kulle është 1.93 x 0.80 x 0.60 metra dhe tjetri 4.61 x 0.84x 0.45 metra. Pjesa e murit midis dy qosheve formohet prej gurësh të papunuar…Një kullë tjetër, prej tri rradhëve që duken sipër tokës, gurët janë 2.20 m, 2.50 të gjatë dhe 0.80 m të trashë…tek një kulle tjetër muri me dy faqe është 3 m i gjërë me gurë të punuar dhe të puthitur me kllapa…Muret me gurë të papunuar të Zgërdheshit u ngjasin mjaft mureve ilire të Gajtanit, Të Marshenjit dhe të Kakaçit…Disa nga muret e palatuara ngjasojnë me muret e kalasë së Persqopit…Nga një statujë e gjetur dhe një kollonë jonike, mund të mendojmë se këtu ka qënë një tempull…Në fshatin Dorës, 20 km në jugperëndim të Tiranës, u zbuluan mure antikë, me gurë të mëdhenj dhe mesatarë, të palatuar dhe pa llaç. Ata nuk kanë ndonjë lidhje konstruktive të caktuar kështu që shpesh herë blloqet mbushen me gurë të vegjël…Një pjesë është me gurë të mëdhenj të papunuar, por që lidhen mirë me njeri tjetrin…Qyteza e Marshenjit ka po ato karakteristika si muret e Gajtanit. Përbëhet nga gurë të mëdhenj të shkëputur prej shkëmbit, të mbushur me gurë më të vegjël…”[6]

Fig.nr.1.Mure pellazgjikë të Kalasë së Zgërdheshit (akropoli).

  1. Njëjtësimi kronologjik i ndërtimeve pellazgjike tek ne me ato të brigjeve mesdhetare.

        Nga gjithë kjo punë e shkëlqyer e arkeologjisë shqiptare të realizuar në një periudhë të shkurtër kundrejt simotrave të saj, e cila, me përfundimet e saj, ka qënë gjithmonë një hap ose dy hapa para historianëve; unë ruaj një dyshim të mirëkuptuar lidhur me datimet që arkeologët tanë u kanë vendosur mureve prehistorike, megalitike, ose pellazgjikë siç mund  t’i quajmë, të fortifikimeve të disa prej këtyre qëndrave të banuara; mbështetur kjo në materialet arkeologjike të gjetura pranë tyre. Ky është një dyshim i imi, dhe asnjëherë nuk mund të merret apriori si i vërtetë.

Fig.nr.2.Mure pellazgjikë të Kalasë së Gajtanit.

        Materialet arkeologjike, të gjetura pranë mureve fortifikuese, të datuara saktësisht, drejtëpërsëdrejti datojnë vetveten dhe indirekt muret pranë tyre, për të cilët për hir të së vërtetës nuk ka një datim të saktë. Pasi mund të ndodhë që mbetjet arkeologjike mund të jenë të një periudhe më të vonë se vetë muret e fortifikimeve. Madje, siç pohojnë edhe vetë arkeologët, edhe muret, në shumicën e rasteve nuk janë të një periudhe.

        Arkeologët tanë të shquar na kanë treguar se, ato që njihen sot si fortifikime të qyteteve të antikitetit të hershëm (periudha e hekurit), me vazhdimësi dhe lulëzim në periudhën helenistike ( apo ilirianike, pasi janë të një periudhe), dhe, një pjesë e mirë e tyre, me vazhdimësi gjatë gjithë mesjetës (për më shumë se njëmijë vjet); fillesat e tyre, gurët e parë të themelit apo pjesën më të lartë të tyre të fortifikuar, akropolin, i kanë në periudhën e bronzit. Pasi themelet e tyre mund të jenë të periudhës së bronzit, ose fillimit të hekurit dhe vetë muret lart mund të jenë të periudhës helenistike, kuptohet të ndërtuara, ose rindërtuara, madje dhe në një kohë më të vonë.Ka fortifikime me disa rrethime, ku nga koha e ndertimit të njerit deri te tjetri mund të kalojnë edhe qindra vjet. Kujtojmë si të tillë rrethimet e Buthrotit, rrethimet e Lisit, ku nga ndërtimi i akropolit deri në ndërtimet e fundit buzë Drinit, mund të kenë kaluar mbi 1000 vjet; ose mund të ndodhë që  pjesë muresh të një rrethimi janë ndërtuar në kohë të ndryshme.

        Madje, këtu është rasti të kujtojmë akropolet e disa prej këtyre qyteteve, të përmendura nga arkeologët e huaj, udhëtarë, konsuj, studius etj, si të ndërtuara nga pellazgët.  Kujtojmë këtu, atë që kemi përmendur më parë, që Pukëvili dhe Ugolini në akropolin e Buthrotit kanë parë gurë pellazgjikë; Izamberti dhe Baldaçi (A.Baldacci, Itinerari Albanessi, Roma 1912,f.68,122,497) në akropolin e Amanties kanë parë trakte të mureve ciklopikë apo pellazgjikë. Por të tillë janë edhe akropoli i Gurzezës, akropoli i Foinikes, akropoli i Lisit, etj.

         Për datimin e këtyre muraturave nga arkeologët është përdorur metoda e analogjisë.  Të njëjtën metodë të analogjisë do të përpiqem që të përdor edhe unë. Këtë mendim, mbi datimet e pasakta të mureve prehistorikë, unë e mbështes ne faktin se kultura pellazgjike e ndërtimit të mureve mbrojtëse është e njëjtë, dhe i takon se njëjtës periudhë historike. Kështu, ne nuk mundemi që ndërtimet pellazgjike te Atikës (Pelargikoni), te Peloponezit, te Kretës, apo të Azisë së Vogël; t’i ndajmë në kohë prej njera tjetrës dhe prej atyre në Epir apo Iliri; dhe për më tepër, me një diferencë prej rreth 1000 vjetësh apo më shumë. Pellazgët ishin një dhe qytetërimi pellazg ne Mesdhe ështe një.

        Meqënëse muret e kalave tona mund t’i identifikojmë si mure pellazge apo mure ciklopikë të ngjashme me sivëllezrit e tyre në Anatoli, Egje dhe Apenine, atëhere edhe paraardhësit tanë të lashtë kanë qënë pellazgë dhe gjuha e tyre pellazgjishtja. Vaso Pasha tregon se në mënyrë indirekte një studius serioz bën lidhjen midis mureve ciklopikë dhe gjuhës pellazge të ndërtuesve të tyre: “Pococke ka plotësisht të drejtë kur vëren se kur u ndërtuan muret ciklopike, greqishtja e Homerit nuk ekzistonte; për këtë arësye argumentohet se është gjuha pellazge ajo që ka lidhje me njerzit që thuhet se i ndërtuan këto mure.” [7]

Fig.nr.3.Muret pellazgjikë të Dorzës. Ndoshta Partha antike.

          Kështu duke parë një trakt muri prehistorik të Foinikes ku “…I ndërtuar me blloqe drejtëkëndëshe gjigande ku përmasat e një guri arrijnë gjatësi 3,20 m, lartësi 2,20 m dhe trashësi 1,60 m…”[8], i cili datohet nga L.M.Ugolini jo më herët se viti 450 p.e.s; ndërsa N.G.L.Hamond keto mure me blloqe masive i daton midis viteve 325-300 p.e.s (Epirus, Oksford 1967, 713-716); duke i krahasuar këto trakte muri të Foinikes, por edhe ato të Zgërdheshit, akropolit të Lisit, Dorëzit, Gajtanit, Xibrit, Pecës me trakte muri të Toskanës në Itali, Mikenës dhe Tirintit në Greqi, të lind e drejta të bësh krahasime dhe të arësyetosh (Ndjekim Fig.1,2,3,4,4/1,dhe Fig.5,6, 6/1).

        Ndërkohë, që për nga teknika e ndërtimit, muret e Foinikes janë të ngjashme, dhe, të së njëjtës kohë me ato të Anatolisë, Italisë Etruske dhe atyre në Greqi. Pasi janë të ndërtuara me blloqe guri të mëdhenj të mbështetur tek njeri tjetri pa ndihmën e gurëve më të vegjël. Të tillë mure ka në Toskanë (Fig.5), por në Shqipëri, për mendimin tim, janë ato të Zgërdheshit, Gajtanit, Gurit të Zi, Shkodër, si dhe të Dorzit. (Fig.Nr.1,Fig.Nr.2 dhe Nr.3 të paraqitura më lart)

        Muret pellazgjike të Foinikes për mendimin tim nuk mund të krahasohen as me ato të Mikenës, por edhe as me ato të Tirintit, ku për këto të fundit thuhet se i kanë ndërtuar ciklopët, pasi duhet  të jenë më të hershme. Ndërkohë që janë të ngjashme, dhe, për mendimim tim, të së njëjtës kohë me ato të Argolidës, ose të Pelargikonit; me trakte muresh pellazgjikë në Anatoli, të cilat mund t’i përkasin Hatushës Hitite; si dhe me disa trakte muresh ciklopikë në Toskanë të Italisë. Kalaja e Foinikes, nisur edhe nga legjenda se aty ka pasur stanet Kroni, ndërsa pallatin mbretëror ai e kishte në Dodonë, për mendimin tim duhet të jetë ndërtuar në mugëtirë të kohrave, ndoshta pesë mijë, tetë mijë, apo dymbëdhjetë mijë vjet më parë.

         Unë mendoj, se muret e Foinikes janë më të hershme se  ato të Mikenës, por edhe atyre të Tirintit. Vetë ekzistenca e fshatit me emrin KRON-GJI në rrëzë të mureve të kalasë, vërteton se këtë fortifikim e ka ngritur Kroni, apo është bërë në kohën e tij. Ajo që është gdhendur në emrin e fshatit me emrin e babait të Zeusit, Kronit, është vula pellazgjike e tij Gjithashtu, legjenda na thotë se Kroni, pallatet i kishte në Dodonë, ndërsa stanet në Palavli të Foinikes. Madje, legjenda tregon, që edhe Hera, Zeusin e ka lindur në stanet e Palavlisë në Foinike.

         Mure si këto të Foinikes (Fig.nr.4,4/1), Toskanës (Fig.nr.5,5/1), Anatolisë (Fig.nr.6), Osanikës, Bosnje Hercegovinë (Fig.nr.7,7/1), Zgërdheshit (Fig.nr.1), Gajtanit (Fig.nr.2) dhe Dorëzit (Fig.nr.3), arkeologët, por edhe historianët i kanë quajtur, mure ciklopikë. Me këtë nënkuptohet që ato janë ndërtuar nga ciklopët. Legjendat, siç kemi treguar edhe në kapitujt e mëparshëm të këtij libri, i evidentojnë ciklopët në Epir dhe në Siçili, por edhe në Liki. Tani a i kanë ndërtuar ciklopët muret e Foinikes apo jo, këtë nuk mund ta dimë.

         Ky fakt e bën legjendën më të besueshme, pasi në Dodonën dimërkeqe të Homerit, nuk mund të dimërojnë bagëtitë, dhe, vendi më i përshtatshëm janë fushat bregdetare të Foinikes, prandaj aty janë ngritur edhe stanet dimërore. Gjithashtu, dimë se ciklopët punësoheshin për ndërtimin e kalave. Gjerak Karaiskaj le të kuptohet se edhe muret e Foinikes i kanë ndërtuar ciklopët kur pohon: “Në fortifikimet e Finiqit të bien në sy disa trakte muresh të ndërtuara me blloqe drejtëkëndëshe gjigante, ku përmasat e një guri arrijnë gjatësinë 3,20 m, lartësinë 2,20 m dhe trashësinë 1,60 m.” [9]

Fig.nr.4,4/1.Muret prehistorik, pellazgjikë të Foinikes së lashtë.      

        Gojëdhënat tregojnë se muret e Tirintit i ndërtuan ciklopët e punësuar nga Likia!!! Atëhere, pse Kroni, të mos punësonte ciklopët për të ndërtuar kalanë e Foinikes, ku të vendoste garnizonin e vet, për të mbrojtur bagëtinë nga grabitjet dhe rrëmbimet e fiseve përrreth. Po a ka pasur rrëmbime të bagëtisë atëhere? Legjendat, përsëri na vijnë në ndihmë: Herkuli rrëmbeu bagëtitë e mbretit legjendar të Thesprotisë, Geronit. Ja edhe fakti.

       Tani për të mësuar vjetërsinë e mureve të kalasë së Foinikes, nuk duhet të nisemi nga ato që thonë arkeologët, dhe, për më tepër, të tillë si Hamondi, apo edhe vetë Ugolini. Por duhet t’u drejtohemi historianëve, për të na gjetur kohën kur Kroni e ka ngritur këtë kala. Mund të thonë, që në këtë mënyrë, lashtësia mund të rritet në mënyrë progresive. Përsëri legjendat na ndihmojnë; sipas tyre muret e Trojës i ndërtoi Aiaku, Poseidoni dhe Apolloni. Nëqoftëse do të mësojmë se kur Aiaku shkoi si murator në Trojë; me siguri do të mësojmë edhe se kur është ngritur kalaja e Foinikes. Por jo në shekullin e IV p.e.s, siç na thotë Ugolini, por as edhe në shekullin e XIV p.e.s, por shumë e shumë më herët. Për këtë, mbase duhet pyetur vetë Kroni, kur i ka ndërtuar.

Fig.nr.5. Mur prehistorik pellazgjik (Etrusk) në Toskanë.(Itali).  

Fig.nr.5/1.Trakt muri pellazgjik (Etrusk) në  Tarkuinia, Toskanë, Itali.

Fig.nr.6.Trakt muri pellazgjik, ciklopik  në  Anatoli (Turqi).  

Fig.nr.7.Trakt muri pellazgjik në Osanik, Bosnjë-Hercegovinë.

Fig.nr.7/1.Trakt muri pellazgjik në Stolac, Bosnjë-Hercegovinë.

         Në mbështetje të mendimit se teknologjia e ndërtimit të mureve pellazgjikë në gadishullin Apenin tek etruskët, ato në Tirint dhe Mikenë; është e njëtë me muret pellazgjik të ndërtuara në Epir dhe Iliri po i drejtohemi një tipi muresh të tillë: “të ndërtuar me gurë të mëdhenj, ku midis boshllëqeve të tyre vendosen guralecë, apo gurë më të vegjël”.

        Ky tip muresh evidentohet në Mikenë dhe në Tirint, (Fig.nr.8 dhe Fig.8/1). Kujtojmë këtu atë që thotë mitologjia, se muret e Tirintit i kanë ndërtuar ciklopët e Likisë; i njëjti  tip muresh na shfaqet edhe tek muri etrusk ndërtuar në Vetulonia të Toskanës (Fig.nr.8/2). Po ti shikosh këto tri ndërtime, ato kanë pak ndryshime nga njeri tjetri, sidomos ai i Vetulonias  me Tirintin. Madje, referuar pohimeve të Shlimanit (Edvin Zhakes) edhe Akropoli i Trojës është ndërtuar me të njëjtin tip muri.

        Por për të njëjtën teknikë të ndërtimit, pra me “gurë të mëdhenj, ku midis boshllëqeve të tyre vendosen guralecë, apo gurë më të vegjël” (Fig.nr.2), na flet S.Islami për muret e Gajtanit: “…këto lloj vendbanimesh lindën aty nga fundi i epokës së bronzit-fillimi i asaj të hekurit…Janë rrethuar me mure  të fuqishme që arrijnë deri në 3,50 m gjërësi…Këto mure janë ndërtuar me blloqe gurësh të  mëdhenj të paskalitur, ose paksa të  skalitur, të  lidhur në  të  thatë, kurse hapësira midis tyre është  mbushur me gurë  të  vegjël dhe mesatarë…”[10].

___________

Referencat:

 32. Neritan Ceka, Ilirët, Bot.ILAR-2001, f. 35-36,148

 33. Milan Shuflaj,“Serbët dhe Shqiptarët”,Bot.TOENA-2004,Përkth.Kroatishtja,Hasan Çipuri, f.4-5

 34.Neritan Ceka, Ilirët, Bot.ILAR-2001, f,79,80

 35. Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f,46

 36.S.Islami-Historia e Ilirëve,Bot.Toena-2008, f.180

37. Jovan Adami, “Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri”, Bot.“8 NËNTORI”-1983,f.136-140,146,154.

 38.Patrick Colquhoum & Pashko Vasa, Pellazgët, Bot.Artini, Prishtinë-2017, Përkth.Angl.Majlinda Nishku, Përgatiti për botim Bejtullah Destani, f. 63

39.  Gjerak Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime ne Shqiperi, Bot. “8 Nëntori”-1980, faqe 60-61

40. Gjerak Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime ne Shqiperi, Bot. “8 Nëntori”-1980, faqe 60-61

41.  S.Islami-Historia e Ilirëve,Bot.TOENA-2008, f.181

– VIJON –

__________________

Besnik Imeri: Ndërtimet Pellazgjike, Dëshmitarët e Heshtur të Origjinës Tone të Mohuar (IV)


[1] Neritan Ceka, Ilirët, Bot.ILAR-2001, f. 35-36,148

[2] Milan Shuflaj,“Serbët dhe Shqiptarët”,Bot.TOENA-2004,Përkth.Kroatishtja,Hasan Çipuri, f.4-5

[3] Neritan Ceka, Ilirët, Bot.ILAR-2001, f,79,80

[4] Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f,46

[5] S.Islami-Historia e Ilirëve,Bot.Toena-2008, f.180

[6] Jovan Adami, “Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri”, Bot.“8 NËNTORI”-1983,f.136-140,146,154.

[7] Patrick Colquhoum & Pashko Vasa, Pellazgët, Bot.Artini, Prishtinë-2017, Përkth.Angl.Majlinda Nishku, Përgatiti për botim Bejtullah Destani, f. 63

[8] Gjerak Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime ne Shqiperi, Bot. “8 Nëntori”-1980, faqe 60-61

[9] Gjerak Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime ne Shqiperi, Bot. “8 Nëntori”-1980, faqe 60-61

[10] S.Islami-Historia e Ilirëve,Bot.TOENA-2008, f.181

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura