NDËRTIMI MENDOR I NJERIUT

Pashtriku.org, 20. 01. 2017: Ndërtimi mendor i njeriut varet drejtpërdrejt nga mekanizmi ndërveprues i inteligjencës, ndjenjave dhe mjedisit të tij. Inteligjenca ofron mundësinë apo mjetin e ndërtimit të mendimit dhe të ndjenjave, ndërsa ndërtimi i mendimit dhe i ndjenjave, nëpërmjet perceptimit, ndikon në rritjen e inteligjencës, pra janë dy procese të ndërlidhura dhe të ndërvarura njëra me tjetrën.
Në lidhje me këtë proces sa të rëndësishëm po aq edhe të panjohur mirë, janë marrë shumë psikologë, biolog, fiziolog dhe filozof të ndryshëm nga e gjithë bota. Edhe pse thuhet se informatat për njohuritë psikologjike datojnë shumë herët, psikologjia si shkencë ka një histori të shkurtër. Ajo ka filluar të zhvillohet në dhjetëvjetëshin e fundit të shek. XIX.
Si themelues të psikologjisë konsiderohen Uilliam Xhejms (në Amerikë), Viliam Vundt (në Gjermani), Ivan Pavllov (në Rusi) dhe Alfred Bine (në Francë). Në shekullin XX zhvillimet në psikologji, që lidhen edhe me psikologjinë e edukimit, kanë rrjedhur në dy drejtime kryesore:
– psikologjia e sjelljes apo bihejvioriste dhe
– psikologjia mendore apo kognitive.
Psikologët ithtarë të psikologjisë bihejvioriste quhen bihejvioristë, ndërkaq ata të psikologjisë kognitive quhen kognitivistë. Për derisa për bihejvioritët është me rëndësi sjellja e individit si refleksion i ndërtimit mendor dhe shpirtëror të tij, ndërkaq për kognitivistët është me rëndësi inteligjenca dhe ndërtimi i të menduarit në bazë të përfytyrimeve. Edhe pse të dy drejtimet apo rrymat kanë qasje të ndryshme dhe shpesh e kundërshtojnë njëra tjetrën, që të dyja në parim merren me shpjegimin e të njëjtës gjë, të ndërtimit mendor dhe shpirtëror të individit.

Sjelljet nuk janë të shkëputura nga mendja dhe shpirti, ato janë pikërisht shprehje e ndërtimit mendor dhe shpirtëror, manifestim dhe reflektim i këtyre vlerave. Në fakt bihejvioristët duan të jenë sa më të saktë në vlerësimet e tyre për psikologjinë e njeriut nga se sjelljet janë veti që mund të maten më lehtë se sa koeficienti i inteligjencës apo ndërtimi mendor i tij. Por duhet kuptuar se njeriu, me çfarëdo lloji sjelljesh qoftë, nuk mund ta shpreh tërë potencialin e tij mendor dhe shpirtëror, shumë çka mbetet e paditur vetëm me anë të sjelljeve. Ndërkaq kognitivistët përqendrohen më shumë në potencialin dhe ndërtimin mendor të njeriut, në kuptimin e pasurimit, përparimit dhe kultivimit të vlerave mendore dhe shpirtërore të tij. Me pranimin e konceptit të përfytyrimeve në psikologji mund të thuhet se ndodhi një revolucion në njohjen e veprimit të mendjes së njeriut apo e ndërtimit mendor të tij. Tani mbi bazën e kësaj teorie mund të sqarohen edhe shumë probleme në lidhje me regjistrimin, përpunimin dhe memorizimin e të dhënave në një kompjuter digjital.
Paramendoni një kompjuter me inteligjencë të caktuar artificiale, kur dihet kapaciteti memories dhe shpejtësia e veprimit të tij me një fëmijë që ka një koeficient të caktuar të inteligjencës. Kompjuteri në memorien e vet ka vetëm programet me të cilat mund të veprohet, ndërsa fëmija lindë vetëm me disa reflekse apo përfytyrime instiktive, por kanë një potencial të pakufishëm të veprimeve. Memoria e kompjuterit ndërtohet nga të dhënat të cilat futen në të ndërsa mendja e fëmijës ndërtohet gjatë procesit të të nxënit.
Çka thotë psikologjia kognitive në lidhje me të menduarit?
Të menduarit është shprehje e ndërveprimit ndërmjet kapacitetit të përpunimit të informatave dhe mjedisit fizik dhe shoqëror të një individi. Njeriu pra pa ndërprerë i nënshtrohet procesit të marrjes së informatave të reja apo edhe informatave të njëjta. Nxënia e informatave bëhet sipas shpjegimeve më lartë në kapitullin për SNQ. Një informatë, apo informatat e pranuara fillimisht regjistrohen, pastaj varësisht nga forca, organizimi, kuptimi dhe rëndësia e saj, ajo ruhet në strukturat përkatëse të SNQ, respektivisht në kujtesën afatgjatë. Kjo nuk garanton se informata e pranuar tani ruhet për një kohë të gjatë në SNQ dhe kur të na nevojitet mund ta shfrytëzojmë. Që një informatë apo një mësim mund të ruhet apo memorizohet dhe mund të përkujtohet dhe të përdoret në situata të caktuara si refleksion origjinal, varet nga struktura biologjike e SNQ apo nga kapaciteti memorues dhe aftësia e ndërlidhjes së tërë potencialit biologjik të SNQ në ndërtimin e mendimit logjik (përfytyrimeve) në raport me situatën apo situatat e caktuara që organizmi është i detyruar t’iu përgjigjet apo t’i zgjidhë ato.
Pra ndërtimi mendor i njeriut varet drejtpërdrejt nga mekanizmi ndërveprues i inteligjencës, ndjenjave dhe mjedisit të tij. (shih baza trashëguese e inteligjencës. Inteligjenca ofron mundësin apo mjetin e ndërtimit të mendimit dhe të ndjenjave, ndërsa ndërtimi i mendimit dhe i ndjenjave, nëpërmjet perceptimit, ndikon në rritjen e inteligjencës, pra janë dy procese të ndërlidhura dhe të ndërvarura njëra me tjetrën. Inteligjenca është e lidhur me potencialin e lindur biologjik të SNQ, ndërsa ndërtimi i mendimit dhe i ndjenjave është i lidhur me procesin e perceptimit apo të nxënies gjatë tërë jetës.
Këto dy kategori e krijojnë mekanizmin e funksionimit të mendjes së njeriut. Për ndërtimin mendor të njeriut është menduar qysh në kohërat më të lashta nga vet populli, por është menduar dhe është shkruar më vonë nga shumë psikolog dhe ekspert të arsimit. “Për ta kryer një punë mirë, njeriut i duhen tri palë men” (Thënie popullore). Kjo thënie popullore është ilustrimi më i mirë se si populli është interesuar për çdo fushë të jetës së tij dhe si është përpjekur që ai të jep shpjegime të bazuara për probleme specifike si kjo, që edhe sot e kësaj dite shkenca ende nuk i ka dhënë përgjigje përfun¬dimtare për shkak të ndërlikueshmërisë dhe fshehtësisë së madhe të saj. Mirëpo në bazë të të dhënave shkencore e profesionale që ekzistojnë deri më tani, mendimi i njeriut në përgjithësi ndërtohet prej tri kategorive themelore, si:
– njohja,
– të kuptuarit dhe
– zbatimi.
Me studimet e vazhdueshme të bëra në këtë fushë ky proces është pasuruar edhe më tej dhe sipas Benjamin Blum (1956) dhe Norman Gronlund (1990) mendimi i njeriut është i përbërë prej gjashtë kategorive kryesore të ndërtimit mendor apo rezultateve të të nxënit, si:
– njohja,
– të kuptuarit,
– zbatimi,
– analiza,
– sinteza (mendimi kritik) dhe
– vlerësimi.
Në fakt tri kategoritë shtesë janë rezultat i kombinimit të aftësive të tri kategorive të para themelore, ngjashëm sikur me kombinimin e katër ngjyrave themelore që përfitohen ngjyrat tjera të shumta. (Giselle de Brois)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura