Pashtriku.org, 5 dhjetor 2017: Më 29 nëntor 2017, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë u përurua libri: “Rrëfime nga burgu” i autorit, Agim Sylejmani. z.Sylejmani në libër ka prezantuar rrëfime, shkresa të ndryshme poezi e tregime të 31 të burgosurve politikë shqiptarë nga Kosova dhe trevat shqiptare nën pushtimin e ish-Jugosllavisë. Filimisht kujtime nga burgu evokoi veprimtari dhe i burgosuri politik, Rafi Halili. Pastaj kumtesa për librin lexuan: PhdC. Afërdita Dërvishi, Ahmet Qeriqi, Pren Buzhala, Mehmet Hajrizi dhe Tahir Hani. Dhe krejt në fund foli autori i librit Agim Sylejmani.
– Agim Sylejmani –
Në vijim lexoni:
Fjalën e rastit të autorit të librit, Agim Sylejmani:
Të nderuar pjesëmarrës të promovimit të librit të parë nga cikli i librave “Rrëfime nga burgu”
Të dashur vëllezër e motra, shokë e shoqe të burgosur politikë
Së pari më lejoni t’ua uroj nga zemra festat e mëdha të Nëntorit, muaj aq i rëndësishëm në historinë tonë dhe i lidhur me aq shumë ngjarje që bënë kthesa në historinë tonë kombëtare. Jo rastësisht u radhitën Nëntori i parë, Nëntori i dytë dhe po e presim me aq padurim edhe Nëntorin e tretë, atë të vërtetin, Nëntorin e Bashkimit tonë Kombëtar, për të cilin u shkrinë me mijëra e mijëra atdhetarë, burra e gra të kombit.
Një kontribut të çmuar dhe të pazëvendësueshëm në këtë historibërje dhanë edhe një plejadë e tërë e ish të burgosurve politikë nga e gjithë hapësira shqiptare e pushtuar nga ish Jugosllavia, për të cilën, mjerisht, ka të tillë që akoma e vajtojnë dhe urojnë të na kthehet. Ata nuk e kuptojnë se ajo Jugosllavi, për të cilën ata vajtojnë, ka ikur në një rrugë pa kthim, me një biletë njëdrejtimëshe të moskthimit në histori. Për një rrugëtim të tillë të pa kthim të Jugosllavisë titiste e ndihmuan pikërisht të burgosurit politikë shqiptarë dhe pikërisht duke filluar me muajin Nëntor, kur ata ua kujtonin pushtuesve se ne jemi një komb tjetër, se ne kemi një identitet tjetër, kemi një gjuhë tjetër, kemi një flamur tjetër, për të cilin edhe sakrifikoheshin e flijoheshin tamam siç thonë edhe këngët, “sikur me le”. Nuk ishin të rastit as Shaban Shala e as Fazli Grajqevci, të cilët për këtë flamur ranë theror pikërisht nga një regjim i tillë gjakatar titist, pinjollët e të cilëve ne sot i hasim edhe në kupolën e pushtetit të Republikës së Kosovës, të kësaj Republike të cilën ata dhe baballarët e tyre e luftuan në mënyrën më të egër dhe me mjete të mesjetës.
Kjo plejadë e të burgosurve, ndoshta edhe nga modestia e tepruar, nuk rrëfeu kurrë për përjetimet e tyre. Ka aty këtu ndonjë shkrim apo krijim letrar për këtë, por pa plotësuar as për së afërmi atë katrahurë që përjetuan të burgosurit politikë nën regjimin titist, të cilët nuk ishin pak, por me mijëra. Ishte iniciativa e Mehmet Hajrizit që ne duhet të lëvizim në këtë drejtim. Për më tepër, ua kemi borxh gjeneratave për t’ua rrëfyer jetën tonë prapa grilave.
Ky libër pra, është libri i parë i ciklit të librave që do të vazhdohet të botohet. Ne duhet të flasim për veten tonë, për atë që përjetuam, për ato që na kanë bërë. T’ua themi me emra e mbiemra familjarëve tanë fillimisht, por edhe gjeneratës kush ishin ata që na torturuan, ata që na i shanin me nënë e babë, e ka prej tyre që sot jo vetëm shëtisin lirshëm rrugëve të kësaj Republike, për të cilën ne na torturonin në mënyrën më çnjerëzore të mundshme, por pushteti sot edhe i ka sistemuar në institucionet më të larta të kësaj Republike.
Jo rastësisht nuk bëhet as ligji i lustracionit për figurat publike. Prandaj të burgosurit duhet të rizgjohen dhe të ngritin zërin edhe për këtë çështje madhore. Ne ishim të ri, shumë të ri për nga mosha, por kishim guximin t’ua thoshim troç armiqve të popullit edhe kur ata ishin në kulmin e fuqisë së tyre.
Të burgosurit politikë janë shtresa më meritore për rizgjimin tonë kombëtar dhe në saje të punës, mundit e gjakut të tyre ne sot edhe po frymojmë shqip. Por, kjo shtresë po ngelet edhe shtresa më e anatemuar dhe e nëpërkëmbur edhe sot, si dikur, me ndonjë ndryshim të vogël.
Unë nuk mund të mbyll fjalën time pa ngritur zërin kundër burgosjeve politike që bëhen sot në shtetin për të cilin ne kemi dhënë aq shumë nga jeta jonë, kemi dhënë vitet më të mira të jetës sonë. Neve ndoshta kurrë nuk do na shkonte mendja se do vinin ditë kur pinjollët e atij regjimi gjakatar titist që na i mori vitet më të mira të jetës, do të burgosë edhe sot shokë tanë, ish të burgosur politikë. Ne nuk duhet të heshtim, ne duhet të flasim. Sot kanë burgosur prof. dr. Sadri Ramabajën vetëm pse foli se kush ishin ata që e arrestuan, kush e torturoi dhe si e torturoi. Ndërsa ne po heshtim. Nuk ka qenë në natyrën e të burgosurve politikë të heshtin kështu. Ne të gjithëve na kujtohet që edhe prapa grilave, aty ku nuk kishim asnjë armë në dorë, pos jetës sonë dhe idealit, por megjithatë nuk heshtnim, ngritnim zërin, protestonim, bënim greva të panumërta urie për shoku shokun. Prandaj, nuk duhet të heshtim as sot, e as nesër, sepse ditë të zeza po ua kurdisin sërish kombit tonë… Fazli Graiqevcët edhe sot po vriten burgjeve dhe sikur atëherë edhe sot po gjinden “ekspertë” ligjorë të tillë që ua caktojnë diagnozat e sëmurjeve apo arsyerave, sikur edhe për Astrit Deharin, këtë dëshmorin më të ri të kombit tonë nga shteti për të cilin ai dhe familja e tij dhanë aq shumë. Ne sot në fakt jemi mbledhur në promovim, por gjuha shkon ku dhemb dhëmbi. Ne kemi qenë të gjithë nëpër qelitë e burgjeve ku na priste i njëjti fat, por, ta them kushtimisht, të paktën ne e prisnim nga ata që kishin pushtuar dhe përdhunuar trojet tona, … Andaj nuk mund të mbyllim sytë e veshët, thuajse nuk po ndodhë asgjë.
Të dashur pjesëmarrës, e di se unë e zgjata, edhe pse nuk doja të flisja shumë, por kam vendosur të mos hesht më, prandaj nuk munda pa ua thënë edhe juve ato që më brejnë nga brenda.
Të dashur shokë, vëllezër e motra ish të burgosur politikë. Ju bëj thirrje që për jetën e kaluar prapa grilave t’i bëni publike, në mënyrë që ajo pjesë e jetës sonë të mos ngelet e panjohur as për shoqërinë, as për familjet tona, e sidomos për gjeneratat që do të vijnë dhe vetë historinë. Ata të cilët duan mund të marrin pjesë në këtë cikël librash që sapo ka filluar, me rrëfime për ngjarje e situata të ndryshme të kaluara në burg, që t’u sjellim dromca jete nga jeta jonë prapa grilave.
Unë ju falënderoj nga zemra për kohën që keni gjetur për të marrë pjesë në këtë promovim të këtij libri, i cili në fakt nuk është i imi, por është libri ynë, libri i jetës sonë prapa grilave. Edhe njëherë ju uroj nga zemra festat e mëdha të Nëntorit, me dëshirën e flaktë që sa më shpejt të festojmë Nëntorin e tretë, Nëntorin e Bashkimit tonë Kombëtar!
Mirë u pafshim së shpejti me një libër të ri që jam duke e përfunduar.
Prishtinë, 29. Nëntor 2017