NEXHMIJE MEHMETAJ: NË DITËN E PARË TË SHKOLLËS NË GJUHËS SHQIPE – LARG ATDHEUT

Zvicër – Delemont, 27. 10. 2013 – E hënë, 2 shtator 2013, në Kantonin Jura të Zvicrës filloi Viti i Ri shkollor i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe. Nxënësit e rinj ishin të shoqëruar me gjyshër, e disa me prindër, disa prej nënave të tyre kishin qenë nxënës të shkollës shqipe. Gëzohem që gjuha shqipe po përcillet brez pas brezi te shqiptarët në mërgim.
Prindër që e duan shqipen, e që janë shumë të ndërgjegjshëm që fëmijët e tyre duhet ta mësojnë gjuhën shqipe, gjuha tonë që i shpëtoi çizmes së rëndë të pushtuesve shekullor. Është një dëshirë për mua sikur këta fëmijë të arrijnë të lexojnë dhe të shkruajnë në atë shkallë që dua unë. Me një cilësi të mirë. Të dalin me sukses!
Ora 13.30…, mësimi shqip zhvillohet në godinën e shkollës, në rrugën “Avenue de la Gare” në Delemont. Për mua është një ditë e një orë e natyrshme. Për nxënësit fillestarë është një ditë e shënuar, një orë e madhe e jetës. Që nga sot me fillimin e mësimit të gjuhës shqipe larg vendlindjes do të hapet një botë tjetër, një dritare e madhe nga ku shihet me zë dhe me shpirt ATDHEU. U shpërndava të gjithëve librin e parë ABC që do të mësojnë gjuhën shqipe, gëzimi i tyre u shtua! Abetaret i kishim dhuratë nga Kamenica – Kosova.
Të dashur fëmijë me këtë libër fillon gjuha jonë e bukur shqipe. Ju përgëzoj për mësimin që do ta bëni. Këtë vit shkollës shqipe iu shtuan edhe 15 nxënës të rinj: Amisa Mushkolaj, Alisa Morina, Adea Kuqi, Erëza dhe Kosovare Qeli, Blerta Neziri, Denis Lekaj, Enea Ajeti, Endi Tolaj, Elona Ramadani, Era Thaçi, Olti Hoxha, Florian Seferi, Medina Dërrmaku, Toni Hajdini. Prej tyre dy janë shqiptaro – zviceran.Rruga drejt gjuhës shqipe nuk është krejtësisht pa pengesa. Disa prindër banojnë larg pikave shkollore janë të zënë me punë dhe nuk kanë mundësi të sjellin fëmijët në mësimin e gjuhës shqipe. Disa të tjerë mjerisht nuk flasin shqip me fëmijë në familje, as fjalën shqip nuk donë t’ua mësojnë bijve e bijave. S’ka gjë më të keqe kur një njeri mohon origjinën e tij, dhe aq më tepër gjuhën dhe kulturën amtare. Disa të tjerë edhe pse banojnë krejt afër shkollës fëmijët nuk i dërgojnë në shkollën shqipe. Dhe, nuk e mësojnë gjuhën e kombit të vet.
Për krijimin e reportazhit zgjodha bisedën me fëmijët e klasës në Delemont. Po i përcjell disa prej tyre ashtu siç folën, me ndonjë ndërhyrje të vogël redaktimi.

Bisedën e fillojmë me nxënësen, që ka filluar mësimin e shqipes më parë.


ELIESA XHAQKU

– Eliesa Xhaqku, jam nga fashati Hogosht, Kosovë, jam në klasën e 4-të. Ka tri vite që vij në shkollën shqipe.
– A të duket e vështirë gjuha shqipe?
Jo. Është e lehtë. Por gjuha shqipe është e mirë. Gëzohem shumë kur vij dhe kam dëshirë të recitoj dhe këndoj shqip. Kam qejf të marrë pjesë në festa. Këtë verë kur ishim në Kosovë mami m’i ka blerë veshjet kombëtare.

AMISA MUSHKOLAJ

– Si e ke emrin?
– Amisa Mushkolaj.
– Çfarë klase je?
– Të parën.
– Si quhen prindërit tuaj?
– Babi Isa, nëna Shqiponjë?
– Sot ke filluar shkollën shqipe?
– Po.
– Si e ke pritur këtë Ditë?
– Jam gëzuar. Unë di me fol shqip, por dua të mësoj të shkruaj dhe të lexoj shqip. A di ndonjë vjershë. E di vjershën “Shqiponja”.

ALISA MORINA

– Si e ke emrin?
– Alisa Morina.
– Si quhet babi yt?
– Lintor.
– Po nëna?
– Besjana.
– Sot ke filluar shkollën shqipe?
– Po.
– Si e ke pritur këtë ditë?
– Shumë jam gëzuar. Më pëlqen të mësoj gjuhën shqipe. Nuk dua ta harroj shqipen. Është mirë me fol dy gjuhë – shqip dhe frëngjisht.

FLORIAN SEFERI

– Si e ke emrin?
– Florian.
– Sa vjeç je?
– Kam 6 vjet.
– Si quhet babi?
– Sami.
– Nëna si e ka emrin?
– Stephanie.
– Ti shumë mirë flet shqip. Kush të ka mësuar?
– Flas shqip me babin. Me mamin flas gjermanisht.
– Mirë këtu do të mësosh si lexohet dhe si shkruhet shqip.
– Po.

OLTI HOXHA

– Si quhesh?
– Olti.
– Sa vjeç je?
– 6-të.
– Prej cilit vend je?
– Prej Peje dhe prej Prishtinës. Babi është nga Peja dhe mami nga Prishtina.
– Si quhet babi?
– Besim, e Mami Ariana.
– Çfarë pune bën mami.
– Është mjeke.
– Ti këtu do të mësosh shqip.
– Po. Kur të shkoj në Kosovë me fol shqip me gjyshen dhe me dajën.

ENDI TOLAJ

– Si quhesh?
– Endi Tolaj.
– Sa vjeç je?
– I kam 6-të.
– Si quhet babi?
– Dervish.
– Po nëna?
– Valbona.
– Këtu në shkollën shqipe ke ardhur të mësosh shqip.
– Po. Nuk “du me harru do fjalë” shqip.
– Me kënd flet shqip?
– Me babin, me mamin.
– A shkon në shkollën zvicerane?
– Po.

KOSOVARE QELI

– Si e ke emrin?
– Kosovare.
– Si quhet babi?
– Hasan.
– E nëna si e ka emrin?
– Hatixhe.
– Në cilën klasë je?
– Të parën.
– Me kënd ke ardhur sot?
– Me motrën dhe gjyshin.
– A je gëzuar që ke ardhur në shkollën shqipe?
– Po, kam qejf.

DENIS LEKAJ

– Si quhesh?
– Denis Lekaj.
– Në cilën klasë je?
– të 3-tën.
– A të duket gjuha shqipe e vështirë?
– Pak.
– Si quhet babi yt?
– Mentor.
– E nëna jote si quhet?
– Kreshnike.
– Pse dëshiron të mësosh shqip?
– Se jam shqiptar. Nuk dua ta harroj gjuhën shqipe se është e jona.
– Të lumtë! Më kënaqi përgjigjja jote.

ERËZA QELI

– Si e ke emrin?
– Erëza.
– Prej cilit vend jeni në Kosovë?
– Jam prej fshatit Burnik afër Ferizajt.
– Si ndihesh sot në ditën e parë të gjuhës shqipe?
– Shumë mirë.
– Jam tepër e gëzuar.
– A di të lexosh shqip?
– Po, më ka mësuar mami. Por kam ardhur këtu të mësoj edhe më shumë gjuhën e bukur shqipe. Edhe dua të marrë pjesë në festa të shkollës shqipe. Se shumë më pëlqejnë festat tona shqiptare.
– Të lumtë!
– Nexhmije Mehmetaj, është mësuese e Shkollës Shqipe në Kantonin Jura të Zvicrës.

=======================

– GJUHA E BUKUR SHQIPE –

Në vijim shikoni këto video, ku dy artistët tanë më të shquar: Reshat Arbana dhe Mirush Kabashi, recitojnë poezinë “Gjuha Shqipe” të At Gjergj Fishtës:


________________
– SHENIM PLOTËSUES – 

Jura, një nga kantonet e Zvicrës, një zonë malore e bjeshkëve të Juras, që ngrihet gjatë luginës me ujë të kristalt, deri në kufi me Bazelin, Bernën dhe Neashatelin, është e njohur për burra e gra të shquara në fushën e arsimit e të shkollës. Organet përkatëse të kantonit Jura i përkrahin kulturat minoritare gjuhësore të huaja edhe atë shqiptare. Vet shteti vlerëson artin dhe kulturën dhe u lejon mësimin e gjuhës amtare në shkollë. Në ketë mënyrë nxënësit që vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe krijojnë një dygjuhësi të lehtë në të folur e shkruar. Në aspektin artisik – kulturor shqiptarët në Jura kanë arritur krijimin e identitetit artistik të fëmijëve të tyre. Kjo periudhë është shënuar në shtator të vitit 1993 kur ata kanë themeluar Shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe përmes LAPSH-it.
Në kuadër të Shkollës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Kantoni Jura është bërë i mundur konceptimi i veprimtarisë jashtëmësimore e jashtëshkollore. Kjo veprimtari, zhvillohet jashtë orarit mësimor, brenda ose jashtë lokalit shkollor. Është e kuptueshme që kjo veprimtari bashkërendohet me ato shkollore dhe e ndihmon atë. Te nxënësit ky aktivitet ngjall emocione, nxit nisma individuale, kalit vullnetin dhe rrit entuziazmin dhe krenarinë. Ky aktivitet bëhet nën drejtimin e mësueses së mësimit plotësues.
Drejtimet mund të jenë:
– Grupi i lektorëve pranë bibliotekës,
– Grupi i këngëtarëve,
– Grupi i vallëtarëve,
– Grupi i teatrit,
– Vizatuesit më të mirë,
Nga aktivitetet që do të zhvillojë shkolla mund të jenë:
– Ekspozita me vizatimet e punët e dorës të nxënësve të atij vit shkollor,
– Korrespondencat me bashkënxënësit e trojeve shqiptare,
– Pasditet argëtuese kushtuar Festave kombëtare ( këngë, recitime, valle, ekspozita etj)

Mësuesja Nexhmije Mehmetaj, gjatë aktiviteteve festive me nxënësit(set) e Shkollës Shqipe në Kantonin Jura të Zvicrës.

( … )

– LEXONI SHKRIMIN E KALUAR –

NEXHMIJE MEHMETAJ: NË ‘FOLENË’ E SHKOLLËS SË LARTË PEDAGOGJIKE TË CYRIHUT U MBAJT KONFERENCA ‘GJUHA SHQIPE NË DIASPORË – QUO VADIS/ KU PO SHKON?’

https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=1746

=====================================

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura