BESIM CENGU: KARNAVALET ILIRE NË MALËSINË E TETOVËS – DËSHMI E EKZISTENCËS TË ELEMENTIT SHQIPTAR QË NË LASHTËSI /FOTO + VIDEO/

Tiranë, 17. 03. 2016: Ashtu sikurse shkenca e arkeologjisë e cila provon ekzistencën e moshën dhe vjetërsisë së një populli nën tokë, ky evenimenti i sotëm konsiderohet si një pjesë e kësaj shkence ekzakte që fakton moshën, vlerat, vjetërsinë e ekzistencës tonë në mbitokë. Karnavalet përveç pranisë së lashtë të elementit tonë këtu si autokton, shprehin edhe praktikën e përditshme jetësore, traditën e stadin e saj emancipues e kulturor. Kushtimisht kjo praktikë është dëshmia më e mirë dhe argumentuese për origjinën e një populli dhe nivelin kulturor të tij.
Kjo praktikë e popullit tonë e shndërruar në manifestim është dukuri e plotë e përhapur pothuajse në të gjitha trevat shqiptare. Kjo do të thotë, së pari, është një rrënjë e ngulur thellësisht në tokë si substaciale që përbën fakt. Rrënja shkon më tej në vjetërsi deri në kohët pagane që i përkasin fillesës së njerëzimit dhe fillesës së krijimit të vetëdijes kolektive. Pra nuk i përket as kohës së qytetërimit egjiptian, as atij grek, por shumë më herët përtej këtyre civilizimeve. Së dyti, është se aktivitete të tilla janë dëshmi kokëfortë e elementit të konsoliduar kulturor, dhe që domosdo është pronë e privilegj për popujt e lashtë dhe të civilizuar.

KARNAVALET ILIRE NË MALËSINË E TETOVËS

Kjo lashtësi e kjo kulturë e vjetër praktikohet në jetën praktike të popullit tonë, në përditshmërinë e jetës së tij, në organizimet e ndryshme gëzimesh, hidhërimesh, ritesh. Në dasma, psh, veç praktikimeve të tjera vend të rëndësishëm karnavalet, loja e burrave, grave, plakave, pleqve, vajzave e djemëve, imitimi e përsiatja e çdo gjëje që njeriu bën në jetën e tij, që ndjen e e përjeton në përditshmërinë e tij. Kanë qenë të përcaktuara e janë edhe sot e kësaj dite mjeshtrat apo mjeshtret që kanë luajtur e luajnë role të ndryshme që pasqyrojnë jetën, pasqyrojnë gëzimet, brengat, prokupacionet, që shprehin autenticitetin e kompleksit njerëzor dhe pastaj përcjellin mesazhe jete, shprese dhe optimizmi, dhe çka është më e rëndësishmja ndërtojnë konstitucionin e vet shpirtëror e mbajnë gjallë identitetin e vet.
Psh, në krahinën e Lumës nuk mund të kuptohen dasmat pa karnavalet, pa lojën plot talent e finesë të njerëzve që i njohin mirë dhe i luanin dhe i luajnë edhe sot e kësaj dite me shumë pasion. Burrat e djemtë në lojën e tyre, si bie fjala, “Dhampiri me lugatin”, apo paraqitja përmes lojës mjeshtrore të vajzave, grave dhe plakave që kryejnë gjithfarë rolesh, prej shtrigës e deri te dimiskija (ora apo zana). Rrotullimi i tepsisë në sofrën e bukës është ritmi ynë, ritmi i jetës, i këngës, i ninullës në kaptillin e djepit, dmth, është ripërtëritja e jetës. Jo më kot kjo praktikë është e përhapur në gjithë hapësirën shqiptare.
Vlen shumë fakti se në këto lojra-karnavale gërshetohen deri në përsosmëri, imitimi, aktrimi, elementet koreografike, vallja, muzika, ritmi, loja instrumentale etj. Vetëm një popull i vjetër i ka prone vlera të tilla. Disa popuj që nuk i kanë i stisin për të vendosë një çikë autoritet lashtësie. Të gjitha këto organizohen me mjetet që njeriut i duhen përditë për të përballë jetën, kali, qeni, delja, lëkura e deles, këmbora, shkopi i bariut etj.
Karnavale organizohen edhe në qytete e treva të tjera, por me dhimbje e themi se këto praktika si në qytetin e Korçës apo Shkodrës janë plagosur seriozisht prej ndikimeve që nuk janë shqiptare, por janë të huazuara prej popujve të tjerë ballkanikë e më tej. Praktikimi i tyre kanë ndryshim me karnavalet ilire, sepse ndërsa në vendbanimet urbane karnavalet kanë të bëjnë me trajtime e funksione kritikuese për dukuritë e përditshme që vihen re në jetën sociale, politike, kulturore etj, në karnavalet ilire kemi të bëjmë me identitetin te qenien tonë, vlerat e përjetimet jetësore, përpjekjet për të ndërtuar jetën që nga fillesa. Këtu qëndron ndryshimi i madh, por edhe rëndësia e madhe që kanë.
E veçanta e oranizimit të karnavaleve në Malësinë e Tetovës qëndron në një fakt tepër domethënës e të veçantë që përkon në atë se ato nuk kanë kurrëfarë ndikimi prej karnavaleve nga vendet dhe treva të tjera edhe në vendin tonë, ndikime të cilat e zbehin seriozisht rolin dhe qëllimin e tyre, por për më tepër humbasin identitetin që përbën thelbin e autoktonisë së shqiptarëve.
Me qëllimin dhe kujdesin për të qenë sa më shumë original dhe objektiv për t’i qëndruar korrekt edhe faktit shkencor, kemi ngritur lart kujdesin e seriozitetin e këtij aktiviteti kombëtar. Për nga mënyra se si organizohen këtu karnavalet, para nesh dhe të gjithëve, sillet një copëz Ilirie me të gjitha dimensionet e saj, mënyrën se si jetohet dhe se si ndërtohet konstitucioni shpirtëror kolektiv. Secili prej nesh përjeton një jetë të asaj kohe, një praktikë e psikologji të veçantë që vetëm populli ynë e ka.
Ruajtja e karnavaleve ilire nga ndotja apo ndikimi i praktikave të tjera, mban gjallë origjinalitetin dhe identitetin tonë. Realisht sot në këtë epokë agresioni social e kulturor nga të gjitha drejtimet është esenca dhe rëndësia e kësaj veprimtarie të përvitshme në Buzovcë të Malësisë së Tetovës. Rezistenca përballë këtij agresioni është atdhetari e patriotizëm, është reagim për të qenë si të tillë, gen i pastër ilir me tiparet dhe të veçantat, specifikat dhe reflektimet që nga origjina dhe lashtësia.
Jo më kot ne jemi këtu, pikërisht në këtë vend. Mali i Sharrit ka luajtur rol tepër të madh të integrimeve kulturore brenda nesh, brenda shqiptarëve por edhe me të tjerët. Kryqëzimet e rrugëve e karvaneve kanë qenë të shumtë në këtë trevë. Por ku ka kryqëzime e udhëqarkullime njerëzish, bagëtish e mjetesh, ka sendërtuar edhe kontakte civilizimesh e kulturash. Shumë rrugëkalime e lëvizje karvanesh nëpër to, shumë shtegtime njerëzish e bagëtish që kolonin këtu për në Tetovë, Shkup, Fushën e Pollogut, Selanik, Turqi e gjetkë, kanë integruar njerëzit e kulturat.
Vargmali i Sharrit, prej Nerodimes e deri në Korab, është pika e referimit për qenien dhe ekzistencën tonë si komb, përbën shtyllën kurrizore që ngërthen e mban në unitet homogjenitetin tonë pellazgo-ilir. Po u ndërpre vazhdimësie a qenies tonë në këtë pjesë palcore, rreket të humbasë edhe kompaktësia e shtrijes së hapësirës shqiptare si territor e si jetesë. Jo më kot akademiku thellësisht antishqiptar Vasa Çubriloviq në elaboratin e tij famëkeq i kushtonte rëndësi të posaçme shpopullimit të kësaj treve me të gjitha mjetet e format dhe popullimin me kolonë sllavë me synimin e qartë dhe të orjentuar strategjik afatgjatë që të krijojnë vendbanime të konsoliduara dhe nëpërmjet këtij akti të shfarosin çdo gjurmë pellazgoilire, dmth, shqiptare. Ai dhe pasuesit e tij deri në ditët e sotme, kanë parasysh dhe të qartë këtë rëndësi kruciale të qitjes fare të shqiptarëve, ndaj dhe kërkojnë mjerisht edhe sot e gjithë ditën, me këmbëngulje dhe isistim, që institucionalisht të zhdukin pikërisht këto gjurmë të lashta parahomerike e pagane që dëshmojnë vjetërsinë tonë, praninë shumëshekullore të elementit ilir e më tej pellazg, jetesën e rolin determinant të shqiptarëve para të gjithëve në Ballkan e më tej.
Të nderuar pjesëmarrës në këtë festival të karnavaleve ilire,
Dita e sotme le të jetë një këmbanë që duhet të bjerë në veshët (deri tani gati të shurdhët) të institutive tona shkencore, sidomos Akademisë së Shkencave në Tiranë, institutive studimore të kulturës shqiptare, të Ministrive të Kultures në Tiranë, Shkup e Prishtinë, për t’i kushtuar sa më shume rëndësi këtij manifestimi. Populli shqiptar në këto troje nuk duhet të mbesë kurrë jetim. Vetëm kur kujdesi e vëmendja e vazhdueshme për të do të jetë institucionale, atëhere do të shpalosen vlerat e njëmendëta gjithëkombëtare.
Ne po shpresojmë.
Faleminderit.
Bozovcë, Tetovë, më 13 mars 2016

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SPORTI …

Bislim Aliu, ishte njëri nga sportistët dhe intelektualët më të suksesshëm të Llapit Bislim Aliu Aliu i përket…