NIKO STYLO: SHQIPTARËT NË GREQI JANË MË TË VJETËR SE GREKËT

Pashtriku.org, 22. 06. 2015 – Niko Stylos jeton në Mülheim an der Ruhr, në një qytet mesatarisht të madh gjerman. Ka vite që përmes mediave isha njohur me hulumtimet e tij të antikitetit, hulumtime këto që dëshmojnë se gjurmët e shqipes i kanë bërë ballë kohës dhe ende ekzistojnë të skalitura në gurë. Kush është Niko Stylos? Ai është i lindur në fshatin Ftinë të Prevezës. Ka studiuar në Itali statistikën dhe në Gjermani për ekonomi. Ka punuar më pas si mjeshtër i interierëve të brendshëm të restoranteve. Me gjuhën greke në kuptimin e vërtetë të fjalës ai erdhi në kontakt vetëm në shkollë. Kush fliste shqip në shkollë, ndëshkohej nga mësuesit. Por kjo atë nuk do ta dekurajojë. Kështu ai filloi të intersohet për arvanitishten, pra gjuhën shqipe. Ai gjeti fjalorin e Frang Bardhit latinisht-shqip dhe kjo bëri që të bindet se ajo që mësonte në shkollë nuk ishte e vërteta. Përkundrazi, e vërteta fshihej për arvanitasit. Më vonë ai vetë do të bëjë zbulime të rëndësishme për historinë e shqipes. Në mbishkrimet e padeshifruara deri atëherë me alfabet grek të pellgut të Mesdheut, shumë prej tyre në gjuhën etruske, Niko Stylos do të bëjë deshifrimin e tyre përmes gjuhës së tij amtare dhe me librat që do të shkruajë më vonë do të nxjerrë një të vërtetë të fshehur: këto epigrame janë në gjuhën e lashtë shqipe.
Niko Stylos me studimet e tij do të hedh poshtë tezat kinse shkencore që thonë se arvanitasit kishin ardhur në mesjetë nga Shqipëria në Greqi. Përmes zbërthimit të mbishkrimeve me alfabetin jonik ai dëshmon se shqiptarët në Greqi jo që nuk janë ardhacakë, por ata janë edhe më të vjetër se vetë grekët.

– Niko Stylo – 

Niko Stylos ka botuar shumë libra. Libri i tij i parë u botua në Essen të Gjermanisë në vitin 1978, “Duke farkëtuar thika” është libër me poezi. Libra të tjerë fillimisht në greqisht dhe pastaj edhe në shqip janë këta: “Etruskishte-toskërishte”, “Fjalori katërgjuhësh i Daniil Voskopojarit”, “Fjalori greqisht-shqip i Panajot Kupitorit”. Në pranverë ai do të botojë në greqisht librin “Achilles. Zoti i madh i panjohur”. Parathënjen e këtij libri e ka shkruar ish ministri i jashtëm i Greqisë, poashtu arvanitas, Theodoros Pangallos. Janë edhe disa libra të tjerë që z. Stylos tashmë i ka gati dhe ato do t’i jepen lexuesit në dorë gjatë vitit të ardhshëm. Njëri prej tyre është libri i Përliqevit “Skënderbeu”, kurse libri tjetër merret me poezinë në gjuhën greke të Abedin Dinos, i cili ka qenë ish-ministër i Jashtëm në Perandorinë Osmane.
Si ju lindi z. Stylos, interesi për gjërat antike, për të hulumtuar e studiuar tekstet mbishkrimore të lashtësisë?
NIKO STYLO:
Shiko, gjuha shqipe nuk i përket grupit të gjuhëve gjermanike, ajo është një gjuhë shumë e vjetër. Unë nuk kam probleme me nacionalizmin. Aspak. Unë flas hapur, sepse nuk kam të bëjë me politikën, por me gjuhësinë, me shkencën. Si më lindi interesimi për lashtësinë e gjuhës sonë, pyesni ju. Shumë thjesht mund t’ua shpjegoj këtë gjë. Unë këtë interesim e kam zhvilluar nga fakti se jam i lindur në një fshat të vogël, i cili ka qenë i banuar vetëm nga shqiptarët dhe ku është folur gjuha shqipe, ajo gjuhë që flitet në Greqi nga arvanitasit. Në Itali ne i quajmë ata që e flasin shqipen arbëreshë, në Turqi arnautë e kështu me rradhë, nuk është aspak e rëndësishme se si quhen ata. Për mua të gjithë këta janë shqiptarë, s’ka ndonjë domethënje të madhe se ku banojnë ata. Unë jam edukuar në sistemin shkollor grek dhe me propagandën greke. Kështu unë jam rritur me këtë propagandën nacionaliste greke.
… kjo propagandë, propaganda nacionaliste greke, çka thotë ajo për arvanitasit, për shqiptarët në Greqi? Çka u është thënë në shkollë për gjuhën tuaj, arvanitishten, d.m.th. gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën tuaj?
NIKO STYLO:
Po, këtë desha ta them që kjo propagandë nacionaliste synonte injorimin total të arvanitasëve. Ajo bënte përpjekje për injorimin e arvanitasëve, mirëpo ky injorim ishte si të thuash i pamundshëm, sepse ata ishin aty, ata ekzistonin. Por ajo megjithatë ka shpjegimet e saj për këtë prani. Kjo propoagandë e mohon autoktoninë e këtyre njerezëve aty ku ata janë që nga lashtësia, disa rryma thonë se arvanitasit erdhën këtu nga Shqipëria si emigrantë, të tjerë se arvanitasët erdhën këtej nga Azia e vogël, pastaj disa të tjerë se ata vijnë nga Kaukazi, e kështu me rradhë. S’ka rëndësi se çka thonë ata, e rëndësishme është se ne jemi aty ku jemi dhe jemi aty, siç thoshte babai im, para gurit. Unë, pas përfundimit të shërbimit ushtarak në Greqi, shkova për studime në Itali, shkova në Universitetin e Bolonjës dhe studiova atje statistikë. Në këtë kohë kam filluar të interesohem për këto çështje të lashtësisë së gjuhës shqipe dhe këto interesime kanë ardhur duke u rritur vazhdimisht. Pyetjet që unë ia drejtoja vetes ishin këto: kush jam unë? Prej nga vij unë? Cila është prejardhja ime? etj. Pra këto ishin çështjet dhe problemet që më interesonin dhe jo vetëm, por iu rreka studimeve intenzive që do të më jipnin përgjigje për këto pyetje, zgjidhje për këto probleme. Pra në këto kohë kur më preokuponin këto pyetje, çështje dhe probleme erdha në kontakt me kulturën etruske. Unë fillova një kurs gjuhe në Peruxha, italisht për të huaj, dhe këtu unë erdha edhe në kontakt me gjuhën etruske. Fillova të lexojë dhe të njihem me etruskët. Ka shumë teori mbi etruskët, por shumica prej tyre janë marrëzira dhe bajate. Por ka edhe një teori apo rrymë teorike që thotë se gjuha etruske është gjuha e shqiptarëve të lashtësisë. Këtë teori e mora me seriozitet dhe vazhdova të merrem edhe më tutje me studimin e gjuhës dhe kuturës etruske. Unë provova ta shpjegojë historinë, gjithë historinë e njohur të shqiptarëve, edhe atë të lokaliteteve tona atje në Ҫamëri. Ngadalëdalë kam bërë hapa përpara në këtë drejtim. Natyrisht unë nuk kam qenë perfekt. Në librin tim të parë mbi etruskët “Etruskishte-toskërishte”, botuar para më tepër se dhjetë vitesh, saktësisht ai u botua në vitin 1997 në Greqi, merrem me etruskët dhe kulturën e tyre. Natyrisht njohuritë e mia, atëherë nuk ishin këto që janë sot, mirëpo drejtimi i studimeve të mia ishte i drejtë dhe shumë gjëra që bëra unë ishin të sakta.
Kryesorja: drejtimi i përgjithsëm ishte i drejtë, pra këtu nuk u gabuat…
NIKO STYLO:
Po, drejtimi ishte në rregull. Një problem apo më mirë problemi më i madh që lidhet me gjuhën etruske, që vazhdon edhe në ditët e sotme, është alfabeti i kësaj gjuhe. Etrsukologët, njerëzit që merren me këtë cështje në Itali, nuk i kanë kuptuar shumicën e germave, të cilat për ta kanë mbetur germa të panjohura, këta në fakt nuk kanë njohuri të drejta fonetike se si shqiptohen ato dhe ata japin për këtë qëllim zgjidhje të ndryshme, por të shumtën e herave zgjidhje të gabuara. Dhe këta njerëz që japin zgjidhjet e gabuara nuk kanë njohur kurrë një tekst, të themi perfekt, në shqip.
Pra etruskologët, shumica dërmuese e tyre, nuk e njohin ose nuk posedojnë njohuri të mira të gjuhës shqipe.
NIKO STYLO:
Po, etruskologët, shumica prej tyre, nuk e njohin gjuhën shqipe dhe vetëm pak prej tyre thonë se etruskishtja është në fakt gjuha e vjetër shqipe. Dhe këta njerëz e marrin këtë alfabet ashtu siç mësohet ai në fakultet, ata i respektojnë ato që thuhen nga etruskologët në fakultet dhe me ndihmën e këtyre shpjegimeve përpiqen t’i zgjidhin problemet që u dalin përpara, mirëpo puna është se pikërisht ky alfabet është problemi më i madh, sepse ai nuk është i saktë. Dhe, nëse alfabeti nuk është i saktë, pra nëse diçka kaq themelore për një gjuhë nuk është e saktë, atëherë sigurisht që ne nuk mund të bëjmë asgjë, nuk mund të shkojmë përpara dhe të zgjidhim problemet e vështira me të cilat përballemi si filologë. Pastaj ka edhe një problem tjetër dhe ai quhet kohë, pra koha e krijimit të këtyre shkrimeve etruske. Shkrimet e fundit etruske janë nga viti 400 apo 500 para Krishtit. Dhe dihet që fjalët ndryshojnë në rrjedhën e kohës, së këndejmi çështja ndërlikohet edhe më shumë dhe vjen deri tek kjo problematikë për të cilën fola.
Në njërin prej librave tuaj kam parë se parathënien e tij e ka shkruar kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë se librat tuaj lexohen nga shqiptarë, jo vetëm nga lexuesit e thjeshtë, por edhe nga elitat. Si ndodhi që pikërisht Jakup Krasniqi t’i shkruajë një parathënie librit tuaj “Etruskishtja-Toskërishtja”?
NIKO STYLO:
Në gjithë hapësirën shqiptare kam kontakte shumë të mira me shumë njerëz dhe ka shumë njerëz që me metoda të ndryshme më ndihmojnë. Kështu u njoha edhe me z. Krasniqi, i cili pastaj shkroi për botimin shqip parathënjen. Një problem i madhë është se profesorët pothuajse në të gjitha universitetet shqiptare, pavarësisht se si quhen ato, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Tetovës apo i Vlorës, këta njerëz, si të themi janë në mesjetë, ata jetojnë në atë epokë mendjembyllur. Albanologët apo historianët, nëse gjejnë diçka, për të cilën ende nuk është shkruar, atëherë këta mendojnë se ajo është fantazi. Por puna ime nuk është aspak punë letrare, por rezultat i një hulumtimi të gjatë dhe të mundimshëm që i përket një fushe të caktuar.
Për ta është diçka e re, e pazakonshme…
NIKO STYLO:
Jo vetëm e pazakonshme, ata nuk duan ta respektojnë punën hulumtuese të tjetrit. Unë isha edhe në Universitetin e Tetovës, verës kemi pasur seminare, kam qenë edhe në Prishtinë, etj. Numri më i madh i profesorëve mendojnë se unë vetëm fantazojë, se ajo që bëj unë nuk është punë e mirëfilltë shkencore.
Për ta diçka është e pranueshme, vetëm nëse ajo vjen nga emra të mëdhenj të shkencës, prej njerëzve që kanë njohje ndërkombëtare, puna dhe rezultatet e të cilëve pranohen ndërkombëtarisht në këtë moment.
NIKO STYLO:
Po, por nuk është vetëm kjo, problemi ka të bëjë me gjuhën shqipe, fatin e saj historik, ky problem nuk është krijuar rastësisht, por me qëllim, me vetëdije. Këto teori i ka lindur një qëllim i caktuar. Ata që ia dolën mbanë t’i zhdukin këto mbishkrime, pothuajse gjithçka që është shkruar në gjuhën tonë, janë po ata që i kanë krijuar, i kanë përhapur këto teori dhe i kanë sjellë te këta njerëz nëpër universitete. Çka thuhet sot në Universitetin e Romës apo të Athinës? Unë nuk e di se a e dinë ata çfarë thonë, por kjo është një polemikë e pastër, nuk është hulumtim shkencor, në fund të fundit nuk është shkencë. Ata përpiqen që këto çështje kurrë të mos dalin në dritë të diellit.
Me sa kuptoj, ju doni të thoni se shqipja vjen nga ilirishtja, kurse ilirishtja…
NIKO STYLO:
Jo, unë nuk them që shqipja vjen nga ilirishtja. Këtë gjë e thonë të tjerët, njerëz të ndryshëm, por unë nuk e them. Unë them që ilirët janë vetëm një pjesë e paraardhësve të shqiptarëve. Paraardhësit e shqiptarëve vijnë nga kultura minoike e vjetër nga Kreta. Këta ishin njerëz të detit, detarë. Nëse i shikoni njerëzit në Greqi, arvanitasët janë në zonat që nuk i kalojnë lartësitë mbidetare 200 apo 300 metra, ata jetojnë në ato zona ku është deti, ullinjtë, etj., etj., kurse ilirët ishin vetëm një pjesë e paradhësve tanë shqiptarë. Pra, shqiptarët nuk është se vijnë nga ilirët, këtë gjë e thonë më së shumti në Shqipëri. Ka shumë teori në lidhje me këtë. Në Shqipëri thuhet se gjuha shqipe është më e vjetra nga të gjitha, ndoshta bëhet fjalë për një formë nacionalizmi kur thuhet se dialekti gegë është më i vjetri. Ka shumë njerëz si unë apo Robert Elsie, i cili ka thënë se dialekti më i vjetër i shqipes është në fakt dialekti i arvanitasve në Greqi. Sa më shumë fonema të ketë një gjuhë, aq më e vjetër është ajo. Në librin “Fjalori greqisht-shqip i Panajot Kupitorit”, unë kam futur edhe tri shkronja. Këto shkronja nuk janë të panjohura për ne, sepse ato i njohim nga alfabeti i Kristoforidhit, i Hahn-it etj. Ata kanë përdorur më shumë shkronja sesa që përdorim ne sot. P.sh. dialekti toskë ka tri lloje të “h”-së, e ka edhe “n”-ja nazale të ndryshme.
Siç thatë më herët ju, z. Stylos, jeni marrë gjatë dhe shumë intenzivisht me etruskishten, e cila dikur në lashtësi është folur pikërisht në Toskanën e sotme. Njeriut që nuk ka ndonjë njohuri të thellë të historisë së antikitetit apo ndonjë njohuri të thellë filologjike, i bie në sy menjëherë ngjashmëria në mes fjalëve që emrojnë krahinën italiane Toskana dhe krahinën shqiptare Toskëria apo Toskënia në gegërisht. A është kjo ngjashmëri thjesht një analogji rasti apo ka diçka që i lidh këto krahina. Kjo pyetje imponohet aq më tepër kur ne tani po bisedojmë rreth kësaj teme dhe ju thoni se etruskishtja ishte një lloj shqipe antike.
NIKO STYLO:
Sipas pikëpamjes sime, Toskana do të thotë ana e toskëvet. Toskëria është Epiri. Hahn-i, por edhe të tjerët shkruajnë se sinonimi për Toskërinë është emri i Epirus. Toska, Toskëria, Toskana është saktësisht e njëjta gjë.
Padyshim ngjashmëria fonetike është tepër e madhe për këdo…
NIKO STYLO: J
o vetëm ngjashmëria fonetike, nëse i lexoni tekstet, atëherë e shihni se keni të bëni me tekste të shqipes, me tekste perfekte të gjuhës shqipe. Unë jam përpjekur në librat e mi të shpjegojë këtë kongruencë, por ajo që them unë është shumë teorike dhe njerëzit kanë vështirësi t’i kuptojnë fjalët., etj. Tani unë po bëj një libër vetëm me fotografi. P.sh. Ja, shiko në librin tim “Etruskishte-Toskërishte”, faqe 229, e shihni, ja këtu, lexoje çka shkruhet aty…
Këtu unë lexoj fjalën “Clutmshta”.
NIKO STYLO:
Klutmshta, “klum” është fjala për qumsht. Këtë fjalë unë e shpjegoj në libër, ja këtu në faqen 228. Shqiptarët në gegërisht kështu i thonë qumshtit. Kristoforidhi thotë se shqiptarët në Maqedoni janë toskë dhe jo gegë. Unë isha njëherë në Prishtinë dhe po bisedoja me Avni Deharin nga Kumanova, ai ka qenë redaktor i librit tim të parë, ishim në një ndejë me të dhe me katër të tjerë. Dhe unë flisja, ja siç flas tani, në dialektin tim, dhe njëri vinte buzën në gaz, qeshte vazhdimisht nën zë derisa unë po flisja. Unë u çudita pse ai qeshte dhe e pyeta: pse qesh ti ashtu? Më përqesh? Jo, jo, më tha, ne nuk të përqeshim aspak, por po qesh me profesorët tanë që i kanë hequr këto fjalë nga fjalori ynë. Këta shkencëtarët tanë të mëdhenj, tha ironikisht Avni Dehari, i kanë nxjerrë këto fjalë nga fjalori i shqipes. Në internet kam një artikull, këtë mund ta gjeni vetë ose jua dërgoj. Në këtë artikull unë propozoj një alfabet të ri. Atë e kam dërguar në Universiteitn e Tiranës, por nga ai nuk kam marrë kurrë ndonjë përgjigje. Gjuha e shqiptarëve nuk është vetëm shqipja e shqiptarëve në Shqipëri, por e gjithë shqiptarëve kudo që ata janë, në fjalor duhet të përfshihen patjetër të gjitha fjalët e shqipes, sepse ato përbëjnë thesarin tonë që është gjuha shqipe. Sa i përket alfabetit, unë them që ato simbole duhet të futen, pavarësisht a i përdorin apo jo ato në Shqipëri. Ja, shih tek alfabeti i Kupitorit shkruaj që është i domosdoshëm përdorimi i këtyre simboleve. Për mendimin tim alfabeti më i mirë nuk është alfabeti i sotëm, por Alfabeti i Stambollit. Se dihet që në Kongresin e Manastirit më 1908 filllimisht qe vendosur përdorimi i dy alfabeteve. Alfabeti i Sami Farshërit është perfekt. Frashëri nuk ishte kushdo, por një njeri me dije të thella në fushën e gjuhësisë dhe ai i ka përfillur të gjitha fonemat. Po të më pyesnin nesër se për cilin alfabet je, unë do të thosha se ky alfabet duhet të përdoret apo së paku të mirren disa shkronja të tij. Ekziston një problem i madh në hapësirën shqiptare, sepse te ne nuk ekziston askund një institucion që do të merrejë ekskluzivisht vetëm me hulumtime gjuhësore. Ky është një problem i madh. Për mendimn tim njeriu që merret në mënyrë shumë serioze me këto probleme të gjuhës, për të cilat po flas unë, është Tomor Osmani nga Shkodra. Ai për mendimin tim është numri një në këtë fushë. Ai ka guxim të thotë se nuk e di për një çështje për të cilën ai nuk ka njohuri. Unë nuk kam takuar ndonjë profesor tjetër shqiptar që të më thoshte: “unë nuk di, nuk kam njohuri për këtë cështje, për të cilën më pyesni”.
Pse gjuhëtarët shqiptarë kanë vendosur për këtë gjuhë që e kemi, duke i përjashtur shumë fjalë nga fjalori i shqipes, duke e varfëruar në fakt leksikun e saj?
NIKO STYLO:
Unë isha para disa vitesh në Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë në Prishtinë, në vitin 2010. Aty pati shumë referate për fjalët që gjuha shqipe ka marrë nga gjuhët e tjera, me të cilat ka pasur të bëjë. Një ditë një vajzë mbajti një kumtesë për turqizmat në gjuhën shqipe, dhe ajo tha se 25 apo 35 %, përqindjet nuk i mbaj mend saktësht, të fjalëve në shqipen e sotme janë të huazuara nga turqishtja. Kumtuesja tjetër, atë ditë apo në ditën tjetër, nuk më kujtohet, u mor me greqizmat në shqipe. Edhe ajo tha pothuajse të njëjtat gjëra, shqipja ka marrë nga greqishtja kaq e kaq për qind fjalë, pra dikund rreth 30 %. Dikush tjetër u mor me sllavizmat, edhe ai tha se bëhet fjalë për nja 20 % fjalë sllave në shqip. Pastaj një grua u mor me latinizmat e italianizmat në shqip, edhe ajo foli për përqindje të lartë të latinizmave, përkatësisht të italianizmave. Atëherë, unë thash se nëse ne do t’i llogarisnim këto përqindje, atëherë ne jemi në shifrën mbi 100% të fjalëve të huaja në shqip. Dhe kjo, në konsekuencën e fundit, do të thotë se ne nuk kemi një gjuhë tonën. Një grua që foli për latinizmat tha se fjala “i sigurt” “siguri” është një huazim nga italishtja. Unë i thash se unë jam nga Preveza dhe babai im nuk e ka njohur italishten se tek ne nuk ka pasur kurrë italianë dhe kur e pyesja për diçka se a është i sigurt, ai më thoshte: “Kio është si gur”, pra kjo është e sigurt. Babai im kur ishte i bindur për diçka thoshte “si gur” dhe jo “siguro” apo “sigura”. Referentja që foli për greqizmat e përmendi fjalën “tema” si fjalë greke. Unë i thash asaj se unë e njoh mjaft mirë gjuhën greke, sepse në këtë gjuhë jam shkolluar. Unë mund të lexoj dhe kuptoj edhe greqishten e vjetër, edhe atë që është shkruar p.sh. në vitin 400 apo 450 para Krishtit, kurse gjuha e Homerit dhe autorëve të tjerë që vijnë pas tij është edhe më e vështirë, pra unë e kuptoj mirë greqishten e vjetër dhe atë të re dhe në gjuhën greke kjo fjalë nuk ka kurrëfarë kuptimi. Pastaj, thash më tutje, grekët nuk thonë “tema”, por “thema”, kurse shqiptarët këtë fjalë e kanë marrë nga italianët dhe e shkruajnë si “tema” dhe jo si “thema”. Por kjo fjalë mund të shpjegohet me fjalën shqipe “thom” “them”. Studentët filluan të duartokasin. Pra, nuk është mirë që gjithçka të kërkojmë gjetkë, është më mirë që ta studiojmë më mirë dhe më thellë gjuhën tonë dhe atje do të gjejmë shumëçka, për të cilën nuk kemi besuar deri më tani, sepse më tepër ne iu kemi besuar teorive të atyre që i kanë zhdukur gjurmët e shkrimit shqip. Sepse shqipja është një gjuhë shumë e vjetër, ajo është gjuha jonike apo dorike. Gjuha jonike është më e vjetër se kultura greke dhe gjuha e saj. Kjo gjuhë ishte gjuha jonë në lashtësi.

– Bisedën e zhvilloi: Xhevat Ukshini – Dhjetor 2013.

=======================

NIKO STYLLO: NJË KËRKESË DREJTUAR DEKANATIT TË HISTORISË DHE FILOLOGJISË TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS (MAJ 2009)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4172

………………………………………………….
 

……………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura