Një doktrinë e përmbysur dhe sllobodanizmi i përtrirë…

Një doktrinë e përmbysur dhe sllobodanizmi i përtrirë…

(Mbi një paralele të mundshme)

Nga Rexhap Kasumaj, Berlin – 30 korrik 2021

1.

Doktrina e famshme e Carl Clausewitz-it, komandar ushtrie e moralist i shquar i Prusisë, definonte luftën si vijim i politikës me mjete të tjera.

Mirëpo, që atëherë, kohët, teoritë, taktikat dhe intrigat kanë ndryshuar.

Dhe doktrina e tij tani lexohet s’prapthi. E kjo domethënë: është politika një vijim i luftës me mjete të tjera.

2.

Nuk njoh në Ballkan një tjetër komb më koherent në strategjitë e tij. Dhe ato, si është e ditur tashmë, janë vulosur njëj armiqësie të egër ndaj të gjithëve përreth. Veçanërisht ndaj shqiptarëve që, si thonë autorë Elaboratesh të tyre, ua kanë zënë udhën. Ah, atë udhën e artë të Alpeve dhe Detit tek u përhihet larg si fatamorganë shkretíne.

Ndrroheshin epoka e regjime, sisteme e rende botërorë, por Shtegu i fiksuar shéjtnohej në përhershmëri. Vërtetë, ai pësonte një latesë e hollohej, veçse filli nuk i këputej dot.

Asnjëherë në histori!

3.

Programi i ish-banorit të ngujuar të Hagës, Millosheviq, shtyhet, ndaj, tutje ngulmërisht. Dhe njëj adaptimi rrethnaje të gjeopolitikës së re, robëton betejën e vjetër.

Projekti i fillimviteve 80-të nga shekulli i ikur, paraskiconte aherë formulën gjaksore: “Të gjithë serbët në një shtet”! E që s’ishte tjetër, veçse sinonim lajmëtar i Rajhut të madh serb.

Europa e Murit shkërmoqej shpejtësisht. Gjithçka shkëndijonte në horizont. E, si pasojë, do binin pa vonuar, për të dytën herë, dhe kryeqytetet e sajesave sllave. 

Që këtej, ora kishte behur. Dhe rrallëkush ka ndjesinë të lexojë hershëm, si Belgradi, zemrekët e saj. Gatitjet bëheshin me ngut. Ideja, e pajuar justifikimesh të epërme akademike, qarkullonte qndër ballkanës të kotur.

E pra, një Krijesë shtetërore serbe e lindur nga pluhnaja e Jugosllavisë së dytë, do shtrihej deri tek varret në perëndim dhe deri tek tempujt një jug!

Në fakt, këtë përpunim pak të figurshëm, do i’a bënte letrari i politikës, Vuk Drashkoviq. Ishte opozitar i rreptë i Fyhrerit të tij, mirëpo kur vinte puna për Serbinë e madhe, shpallte solemnisht: jam ushtar besnik i Sllobodanit!

Më pas, si shfaqet ende gjithnjë, do lëvizte syprinshëm kompasin e urrejtjes. Dhe e lëvizte në sinkron me grafikonin e disfatës që dukej në breg.

Një media gjermane i pat bërë portretin e saktë e të shkëlqyer: ishte folklorik në politikë dhe mediokër në letërsi!

Ndaj dhe, së voni, nuk heziton të redizajnohet vazhdimisht. Nëse do të humbte politikën, së paku, anise mediokre, shpreson të shpëtojë letërsinë!

4 .

Meqë Platforma, frymëzuar e lëmuar në Rrugën plot trazim “Franca 7” në Belgrad, mori një ndalesë të parrëzueshme nga armët e Mëdha, mentorët e saj heshtën një grimë kohë.

Nuk ishte përulje. Reflektim. Aq më pak katarsis kolektiv i tyre. Kjo kulturë është për t’a e largët si yjet, tash e, mbase, përgjithmonë. Rrjedhimisht, në qendra mendimi e politike, vrujonte një embrion i Formës së re dhe për Kohën e dytë të saj!

Kjo ide, tashmë, e planimetruar hollësisht, është hedhur në qarkullimin e arenës së turbullt ballkanëse. Dhe ka një emërtim disi romantik e të pafaj në fshehtësinë e saj.

Është pagëzuar

“Bota serbe”!

Megjithëse krahu i saj tek “varret” në perëndim është thyer, ajo vijon të shtrijë largvajtshëm pretendimin e paarkivuar deri tek “tempujt” në jug!

Nëse kufijtë nuk u rinuan dot, aherë, synon “Bota…”, do zhbëhen fare. Masë kolonësh e pushtime të reja virtuale pa flamuj, pa tanke, pa gjak e pa robër lufte, do ngulojnë e barbarojnë gjithandej tokës së huaj…

5.

Unë përpiqem, dhe këtë sikur më dikton natyra ime, t’mos i përkas mendimit grupor.

Si thotë dhe hebreu i urtë Dan Ben-Amoz (libri “Maskat në Frankfurt”), urrej ëndjen, admirimin a urrejtjen grupore.

Por kjo nuk i merr aspak të drejtën pyetjes sime: a ka një lidhje imanente dhe fijesh të planizuara të mezidukshme mes “Botës serbe”, të qetë e anësh skenës, dhe Lëvizjes së zjarrtë e dashunore “Open Ballkan”?

Njëmend, megjithëse e kovertuar, sërish pa një mund  vrojtimi të përimtuar, ato vërehen qartë si agu kthjellor.

Por athua të jenë spontane apo të paracaktuara nga ata që “Botën serbe” e duan mbi të gjitha dhe nga të tjerë që ose nuk e kuptojnë prapahilen ose, kushedi për ç’llogari t’panjohura, hedhin vallen e saj?!

Sidoqoftë është punë e tyre. Unë qëndroj larg me veprimin, por poaq larg dhe me fjalën t’ime për të: për shkronjën dhe praktikën e saj të errtë!

6.

Nuk e di a është e mundur që ujku të zbutet. Më duket kam dëgjuar a lexuar diku ndër vite.

Por ç’e do: edhe nëse zbutet, e shumta bëhet një qen.

Sepse t’një familje janë. Madje qeni, ndryshe nga ujku që nuk e fsheh zanatin, mund të jetë dhe i pabesë…

Dhe i tillë, do të ndihmojë shpesh më shumë llojin, se sa të zo’në e vet! 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura