ELVIS HOXHA: 28 NËNTORI NUK ËSHTË FESTË, POR PROJEKT

Tiranë, 29. 11. 2015: Po shprehem në mënyrën më prozaike të mundshme: më 28 nëntor 1912, në Vlorë, shpallet pavarësia dhe themelohet shteti shqiptar. Data e pavarësisë, ose data e sovranitetit, është data kur një popull hyn në një program tjetër, atë të bashkëjetesës me kombe të tjerë nën formën e shtetit. Populli shqiptar zbuloi në këtë datë sovranitetin në akt.
Populli në kuptimin e sovranitetit është ajo pjesë e popullsisë që e sheh si të ligjshme, krejt të ligjshme, të qenit sovran. Për ditën ose datën e deklarimit kishin punuar për shumë kohë një numër i madh patriotësh. Patriotë nga të tërë trojet mbërritën ato ditë në Vlorë. Trojet kishin dërguar përfaqësues për të deklaruar nga ana e tyre përkatësinë në këtë sovranitet të ri. Të gjithë këta troje shpallnin se thirreshin njëzëri nën emrin Shqipëri.
Po tani Shqipëri pa më thuej si je? Sekuenca poetike e pyetjes rivjen pareshtur.
Të gjithë trojet, të pushtuar ose jo, e njihnin veten pjesë të një shteti. Në vargun e shpalljeve, shqiptarët bashkë me shtetin e tyre shpallnin edhe pushtuesit e tij. Sovraniteti është vetëdija e pushtimit. Pushtuesi nuk ishte më pushtuesi i një krahine, por i një shteti. Patriotët shpallën mendimin e tyre për liri dhe sigurisht ngjitur me ta ka pasur shumë që u thoshin se perandoria turke ka të drejtë të mendojë ndryshe dhe shumë të tjerë që e shihnin shqiptarin ortodoks si grek, pra shqiptarinë si të tepruar. Si zakonisht gjenden me shumicë dhe gjithnjë ata që rekomandojnë me një neutralitet kaq të qartë se sovraniteti i shqiptarëve e shqetëson ekzistencën e shteteve të tjerë. Por populli që deklaron sovranitetin është i vetmi popull politik.

Populli i sovranitetit e kuptoi thirrjen, e kuptoi shpalljen: shpallja e pavarësisë, në kushtet e një Shqipërie të pushtuar, është shpallja e një projekti, projektit të çlirimit progresiv të shqiptarëve dhe ndërtimit cilësues të shtetit. Që këtej e tutje shqiptarët nuk do të ecnin më kuturu nëpër shtigjet e qorrsokakët që u propozoheshin prej fuqive dhe konteksteve historikë.
Shqiptarët shpallën mëvetësinë politike në të njëjtin çast që shpallnin dhe mëvetësinë historike. Nëse e lexojmë pra shpalljen ngadalë dhe me vëmendje e kuptojmë se pasja e shtetit të tyre prej shqiptarëve nuk u krye atë ditë, por atë ditë nisi. 28 Nëntori nuk qe një fund, por një fillim, nisja e rendit historik të shqiptarëve. Kishte pasur nisje të tjera dhe ndërmjet tyre Prizreni dhe lidhja e tij.
Në 28 nëntor shpallej historia dhe rilexohej më fuqishëm Lidhja e Prizrenit. Pra, për të gjithë ata që na rekomandojnë të shohim në të ardhmen, ne kemi një përgjigje të shkurtër: duke punuar në të tashmen unë cilësoj në të ardhmen trashëgiminë time, duke punuar në të tashmen projektin e shkuar e di që e ardhmja nuk do të jetë tradhti. Nëse e ardhmja që më propozohet mua nuk jam unë, atëherë unë nuk jam projekti im, nuk jam projekti i vetvetes.
Kjo është pengesa që i vihet integrimit më të parë, më autentik. Nëse nuk kërkohet një integrim i tillë nuk ka pse kërkohet dhe as nuk ekziston kurrë më e drejta për të kërkuar ndonjë përgjegjësi. Për të gjithë ata që na kërkojnë të jemi civilë para se të jemi politikë, përgjigjja është e thjeshtë: një njeriu që i ke ndaluar të mendojë integrimin dhe kolektivitetin nën shenjën e shtetit historik mos i kërko shtetin ligjor e të pakorruptueshëm. Përderisa e ke ngujuar në forma të dobëta të shtetit përfaqësues, atëherë prit nga ai që me atë pak shtet të privatizojë, të korruptojë dhe dhunojë. Burimi i demokracisë është tek populli dhe jo tek shoqata e ndonjë grupi të civilizuar.
Po sot Shqipëri pa më thuej si je? Sekuencë poetike që nuk më hiqet nga koka.
Shqipëria sot është shumëfish: populli i saj, qeveria e dhunshme pavetëdijshmërisht, kudo ku deklarohet si qeveri (dhe kemi tri të tilla), një pjesë e madhe ekspertësh civilë, ose civilësh sepse janë ekspertë, një masë e madhe njerëzish që nisen larg nga mungesa e një fati në më të parin atdhe të tyre.
Mirëpo, rilindasit menduan vetëm popullin në çastin e shpalljes, ndoshta një popull që do të vinte e një vetëdije që do të çlirohej. Ata nuk menduan kurrë që po shpallnin një shtet që do të nxiste neutralitetin civil të ekspertit. Ata vetë ishin ekspertë por politikë, ata vetë ishin elitë, por e popullit, ata vetë ishin mërgimtarë por të një atdheu. Ata menduan një popull në ardhje si realizimin e një qëllimi që punohej prej dekadash, prej shekujsh. Askush nuk e di saktë se sa është punuar një ide veç atyre që i dhurojnë jetën dhe të tashmen e tyre.
Natyrisht që Patriotët nuk kishin menduar se në krye të Kosovës do të vendoseshin njerëz të tillë që do ta tkurrnin popullin, sovranin, që do ta inkriminonin, privatizonin, blinin e shisnin, rekrutonin dhe përjashtonin. Tërë këto lëvizje ndodhën kur kërkuam të bëheshim civilë dhe të përpiqeshim t’u ruanim paqen dhe stabilitetin të tjerëve.
Të shtunën e kësaj jave ne do të kemi ditën e 103-të të rimendimit të shpalljes së një projekti mbi njëshekullor. Projekti duhet të vazhdojë në zonat e dyshimta të sovranitetit tonë. Ato zona janë shumë, por më nevralgjikja është Kosova, aty ku dija qeveritare dhe eksperte punon kundër shqiptarëve. Gjendet gjithnjë mes nesh i frikuari nga dhuna e gjatë, pranë tij është përtaci mendor dhe i mirëpaguar, civili, që do na thonë se çështja e kufijve nuk është më në planin e botës së civilizuar.
Por populli historik e di mirë se historia nuk ka përfunduar. Historia e sovranitetit është histori e një populli. Për sa që ka popull të demokracisë, ka popull politik, popull të së drejtës, popull të sovranitetit. Ky lloj populli është ai që thotë në kohë botërore të paqtë a të zhurmshme të drejtën e vet, pa pasur frikë nëse shqetësohen të tjerët. Nëse të tjerët e mbrojnë të drejtën, ashtu si përgjithësisht këta civilët tanë aspak politikë mendojnë thesin e madh të ndërkombëtarëve, atëherë ndërkombëtarët nuk kanë pse nuk kuptojnë se është e drejtë e shqiptarëve të kenë një shtet, projektin e një shteti dhe një integrimi në një botë ku shtohet pa reshtur numri i shteteve.
Ndërkombëtarët duhet të kuptojnë se ulja e sovranitetit do ta rrënojë edhe në strukturë çdo shtet të shqiptarëve. Një popull që nuk ka një shtet maksimal në sovranitet, do të projektojë qeveri gjithnjë e më të korruptuara që nuk e shprehin të drejtën sovrane. Ndaj data kësaj here duhet të ketë vendin e vet: Prishtinën. Aty ku gjendja e deklaruar nga qeveria është më shumë kundër aktit që shpall kjo datë, aty duhet të jetë dhe manifestimi qendror i rimendimit të Pavarësisë.
Pavarësia ndër shqiptarët, qëkurse pas 1912-s erdhi 1913-a, nuk ka qenë kurrë ditë feste, por data e rimendimit dhe riaktivizimit të një projekti, të një projekti që në botë mban emrin e thjeshtë: Projekti i Shqiptarëve. Hendeku duhet menduar: Ismail Qemali dhe Isa Boletini shpallnin me jetët e tyre pavarësinë mbi tërë trojet, të pushtuar ose jo. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi shpallin sot zvogëlimin e territorit dhe sovranitetit të shqiptarëve. Manifestimi kësaj here është shpallja nën këtë temë e qenësisë së projektit të së ardhmes që u shpall më 28 nëntor 1912. Ne nuk kemi lindur sot, ne nuk do të vdesim nesër. Projekti ynë zgjat shumë më tepër se jetëgjatësia e Mustathaçit dhe rekrutëve të tij.

*) Elvis Hoxha është profesor i Filozofisë në Tiranë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura