Një lajm i zi për poezinë shqipe kjo ikje e Petrit Rukës

Një lajm i zi për poezinë shqipe kjo ikje e Petrit Rukës

Nga Albert Habazaj, Vlorë 19 shtator 2021

Bij të vdekjes jemi të gjithë dhe nuk i shmangemi dot. Por ka vdekje dhe vdekje. E kam fjalën në përmasat e përfshirjes që merr dhembja në hapësirë nga mbarimi i jetës së njeriut. Çdokush që ikën nga kjo jetë shkakton dhembje në familje, në të afërm, në fis, në mëhallë, në lagje, në miqësi e më tej, në varësi të vlerave që ka lënë në gjallje i ikuri dhe ndihmesës që ka dhënë për përmirësimin e jetësës dhe zbukurimin e shpirtit njerëzor. Kjo ikje e Petrit Rukës mua më bëri dëm. Do të më falni, por unë që shkruaj me kaq dhembje këto rreshta nderimtarie për një filigran të kulturës shqiptare, si Petrik Ruka, kam ngritur trarë të rëndë dhembjeje mbi supe, në ballë, në zemër, në gjak dhe jam në këmbë e në udhëtim do të jem sa të kem frymë. Edhe për Petritin e tepelentë të Turanit, të Tërbaçit tim, të Labërisë sonë, të Shqipërizës sonë hallerëndë, sepse ne jemi gjen nga gjeneza poetike, qytetare dhe kombëtare e Petrit Rukës. Ai ishte një njohës i shkëlqyer i historisë së popullit shqiptar dhe gdhendës mjeshtëror i baladave. Shkrimin e tij “Çfarë mund të mësojë poezi nga folklori brilant i Labërisë?” e ruaj si visar në arkivin tim.

Petrit Ruka qe i madhëruar në thjeshtësinë e tij, i thjeshtë në diturinë e tij të dobishme, njerëzor i mrekullueshëm e i dashuruar me vendlindjen si ai, atdhetar tokësor gati unikal, që na ka lënë poezi të larta me vlera sa lokale aq universale, sa “Atdheu fillon te zemrat”. Ai ka patur shumë miq se ishte i mirë shumë dhe unë nuk zë dot vendin e askujt e as kam ndërmend të hedh jetëshkrimin e tij letraro-kulturor, se na e ka lenë të shkruar me gërma të arta me jetën e veprën e tij brilante. Petrit Ruka ishte ndër poetët që unë kam dashur e do ta dua shumë,sepse atje kam gjetur edhe veten time në një trajtë tjetër. Përveçse me katër klasikët e Vlorës, Ali Asllani, Petro Marko, Shevqet Musaraj e Fatos Arapi, që lanë gjurmë në letrat shqipe, kronologjikisht jam krenuar më tëhu me poetët Hiqmet Meçaj e Xhevahir Spahiu dhe në vijim me treshen e famshme të Tepelenës: Petrit Ruka, Ilirian Zhupa, Qazim Shemaj, që bënë bujë letrare në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Jo se iku, por me Petrit Rukën e kam patur komunikim më të shpeshtë, sepse takoheshim shpesh nëpër veprimtari të ndryshme, letraro-artistike dhe kulturore-atdhetare. Për një kohë ai qe Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” – “Nderi i Kombit”, ndërsa unë sekretar i Shoqatës “Labëria” për Vlorën. Në vitin 2019, kemi qenë anëtarë të jurisë në Festivalin e Parë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë” në Pilur, ku kompozitori Eno Koço ishte kryetar, Petrit Ruka dhe unë anëtarë. Kemi dhe një kujtim të bukur ato dy net magjike në Pilur, të cilin po e publikoj në këtë shkrim homazh për Petritin tonë.

Kam diçka të thjeshtë, por që më duket e veçantë dhe dëshiroj ta përmend. Çdo njeri ka portofolin me vete, kuletën, ku mban karën e identitetit, kartën e bankomatit, një sasi parash e gjërat përditshmërisht të mundshme më të nevojshme. Edhe unë kam kuletën time, ku mbaj kartën e identitetit, kartën e bankomatit, të gazetarit, ca para ditore, si dhe pak gjera të çmuara si këto dy poezi të të paharrimtit tonë Petrit Ruka. Njëra i kushtohet nënës “Nëna nuk ka foto” dhe tjetar babait të tij “Pse, shitet dhe uji?”, shkëtuptur të dyja nga gazeta “Telegraf”, botuar në suplimentin “Pena Shqiptare”, e shtunë, 27 tetor 2018. Nuk kam dëshirë të shkruaj më tej, dëshiroj të derdh pak lot me vëllazëri poetike për Petritin tonë e pastaj do të vijoj parë udhëtimin.

Ç’ qe ky lajm i zi për Labërinë, poezinë shqipe dhe kulturën kombëtare! Kjo ikje e Petrit Rukës kaq e hidhur na pikëlloi deri në tronditje. I dritëroftë kujtimi i emrit Poetit tonë labëror!

Me dhimbje miku nga Vlora, Albert Habazaj

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura