GJEKË GJONAJ: ‘BIZNESI’ ME DIPLOMA!

Ulqin, 26 dhjetor 2019: Shtetet fqinje Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, e disa të tjera janë përfshirë mjaft nga akademikë të rrejshëm, të cilët diplomat e tyre në shumë raste i kanë marrë në universitetet e vendeve fqinje. Për aferën e diplomave pa u munduar fare në shtetet e ish-Jugosllavisë jemi njohur në fillim të vitit 2000, kur siç mësuam nga mediat, filloi zbulimi i një numri të madh diplomash fantazmë të falsifikuara dhe fenomeni zgjat edhe sot e kësaj dite. Edhe pse në disa nga shtetet e përmendura dhe të tjera në Ballkanin Perëndimor u zbuluan dhe u prenë disa kanale të kontrabandimit të diplomave, ky “biznes” fitimprurës po merr gjithnjë e më shumë hov dhe po sfidon institucionet shtetërore. Natyrisht se ky fenomen, i cili po shkatërron në radhë të parë sistemin arsimor të këtyre vendeve, diku është i shprehur më pak e diku më shumë. Raste më të shpeshta të diplomave që blihen janë zbuluar në ato vende që kanë treguar vullnet politik të cilat kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe për njohjen (nostrifikimin) e ndërsjellë të diplomave. Thuhet që janë shumë të rralla rastet që diploma të blihet nga universitetet e vendit, për shkak të çmimit të lartë dhe nga frika se mos vallë ndokush e zbulon falsifikatin.
Po, si arrihet deri te diploma e falsifikuar!? Njohësit e këtyre punëve thonë se për të ardhur deri te diploma ka dy kanale: njëri, i përbërë nga kontrabandistët e thjeshtë të diplomave dhe tjetri, kanali politik. Ata qytetarë që duan të arrijnë deri te diploma, në të shumtën e rasteve gjejnë njerëz që kanë lidhje që nga universiteti deri te Ministria e Arsimit. I tërë aktiviteti i paligjshëm zhvillohet në një rreth 5-6 vetash, të cilët gjenden në vende dhe pozicione të ndryshme. Thuhet se në disa shtete fqinje secili që ka marrë një diplomë ka paguar 5-10 mijë euro, varësisht se për cilin fakultet është fjala. Kur bëhet fjalë për kanalin politik të marrjes së diplomave, thuhet që ai është shumë më i sofistikuar dhe nuk mund të zbulohet edhe pse është mishshitësi publike që disa politikanë në poste të larta shtetërore kanë marrë tituj akademikë pasi janë shndërruar në aktorë relevantë të skenës politike. Sipas njohësve të rrethanave mundësia e zbulimit të falsifikatit të tyre është më e vështirë, sepse ata, duke shfrytëzuar autoritetin dhe lidhjet e tyre, diplomat në të shumtën e rasteve i marrin “në rregull” nga universitetet shtetërore. Këta individë (studentë), thonë ata që merren me këto punë, regjistrohen në mënyrë të rregullt dhe për ta mbahet dosje e rreme në secilin fakultet, ku evidentohet stazhi i nevojshëm studentor, nënshkrimet, provimet dhe notat, kështu që ata legalisht marrin diplomë të falsifikuar. Duke marrë për bazë faktin që në disa shtete të Ballkanit universitetet shtetërore kontrollohen nga partitë politike, thuhet që marrja e diplomave dhe e titujve shkencorë paraqet një procedurë të thjeshtë për politikanë. Kjo për fatin e keq se ekziston një treg i zi ku me ndihmën e “ ndërmjetësit ” mund të gjesh personin e duhur dhe siguron diplomën që do pa e lodhur trurin. Përveç njerëzve nga jeta politike, pa pasoja ligjore diplomë fantazmë të falsifikuar e marrin edhe studentët me xhep më të thellë. Në këtë rast, ata për çdo notë u japin mitë profesorëve dhe këtë e bëjnë në mënyrë indirekte. Për shërbimin për studentin, të tjerat shkojnë për profesorin, thonë ata që i dinë mirë këto punë. Falë kësaj perandorie të fshehtë falsifikatorësh qindra qytetarë shqiptarë e të tjerë veçmas në periudhën e tranzicionit u diplomuan , madje brenda pak orësh. Befas, pa ndjekur asnjë ligjëratë, pa pasur studentë të gjeneratës, pa u njohur me profesorin në katedër dhe pa e përjetuar asnjë minutë të vetëm jetën studentore dhe “ethet” e provimeve”. Nuk përjashtohet mundësia që disa politikanëve u duhej diploma për të zënë vendin e drejtorit, kryeshefit, sekretarit, apo postin e nënkryetarit të komunës e poste të tjera të ngjashme edhe në nivel shtetëror. Ose për të përparuar në partinë e tyre. Thënë shkurt për punësim ose përparim në hierarki.
Ajo që e rëndon gjithë këtë proces të paligjshëm është fakti se në këtë aferë, siç mësojmë nga mediat, janë përzier dekanë, profesorë, punëtorë të administratës e studentë.
Fenomeni i diplomave të kontestueshme nuk përjashtohet as në Malin e Zi . Për dallim nga shtetet tona fqinje në vendin tonë janë bërë publike shumë më pak diploma të rreme e plagjiatura. Jo, pse këtu nuk ka raste të këtilla , por për shkak se tek ne institucionet përkatëse ende nuk i janë qasur seriozisht hulumtimit të diplomave të tilla.
Është imperativ i kohës që institucionet shtetërore t’i qasen në mënyrën e duhur këtij fenomeni shqetësues dhe shkatërrues të shoqërisë . E ajo do të ishte zbulimi (hulumtimi) i diplomave të tilla dhe procesuimi i rasteve të tilla.
Mendojmë se sanksionimi (ndëshkimi ligjor) i të gjithë atyre individëve me diploma të rreme dhe plagjiatorëve është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Në këtë mënyrë do të ruhej autoriteti dhe integriteti i universiteteve tona dhe gjeneratat e reja do të fitojnë dije, kulturë e civilizim, pa të cilat asnjë shtet nuk ka përparim. Prandaj është me rëndësi që ky problem të zgjidhet, përmes një hetimi të plotë dhe sistematik të formave të pista të shitblerjes së notave, diplomave, plagjiaturave, apo formave të reja, duke filluar kështu një etapë (faqe) të re në arsimin e Malit të Zi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura