NJË PJESË NGA DITARI I BASRIE SAKIRI – MURATIT!

Pashtriku.org, 16 shkurt 2018: Në vitin 2016, Shtypshkronja ‘Blendi’ në Prizren, ka botuar librin: “Gjurmë të pashlyeshme…” të autores Basrie Sakiri-Murati. Basrie Sakiri-Murati është protagoniste e këtij libri, e cila përmes ditarit të saj sjellë ngjarjet më kulmore që kishin ndodhur në Besianë (ish’Podujevë), gjatë muajve shtator 1988 – qershor 1989. Në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës e sjellim një fragment nga ky libër:
***

 

E premte, 16 qershor 1989, ilegale
Te familja e të palodhurit, Sahitit (Shaban Mujës)

Nëpër rrugët e Prishtinës, nuk e di as vetë se ku dhe si kemi arritur te një shtëpi. Aty na priti një i ri, i cili përafërsisht kishte moshën njëzetepesëvjeçare. Kujtimi vetëm më dorëzoi tek ai, i shkëmbeu disa fjalë me atë dhe pastaj u largua. Në bazë të mënyrës se si u përshëndetën mes vete dhe komunikimit të tyre, e vërejta se ata njiheshin mirë. Mua më tutje më shoqëroi ai i riu, të cilin për herë të parë e shihja. Ai m’u prezantua me emrin Sahit. Ma merrte mendja se ky ishte pseudonimi i tij (dhe me të vërtet ashtu ishte), por nuk bëzana. Tani më e pata mësuar kodin e jetës ilegale. Pas pak, Sahiti më shoqëroi në katin e parë të shtëpisë dhe më tregoi se aty jetonte ai dhe familja e tij. Lart, kur hymë brenda, më njohu me nënën dhe vëllain e tij. Atyre u tha për mua se isha dashnorja e një shokut të tij. Gjoja kisha ikur nga familja dhe se ai shoku do të vinte të më merrte më vonë. Nga mënyra se si më prezantoi ai, u turpërova, por rruga të cilën kisha nisur nuk kishte zgjidhje tjetër. Duhej t’u bëja ballë edhe vështirësive të tilla. Mantelin, shaminë e dimitë i hoqa në katin e poshtëm dhe nëna e vëllai i Sahitit nuk e vërejtën shqetësimin tim dhe sipas mendimit tim nuk e kuptuan se isha ilegale. Për të mos i lënë përshtypje të dyshimtë familjes së tij, pata veshur prapë pantallonat. Nëna filloi të më pyeste me kureshtje. Sahiti pas pak ia tërhoqi vërejtjen që të mos më shqetësonte më, gjoja se unë isha fshatare dhe vajzë shtëpie e po më vinte turp. Vëllai i Sahitit, Shaipi, na përgatiti nga një kafe dhe na tha se duhej të shkonim në një vend tjetër.
Sipas mendimit të tij, aty ishim të pasigurt. Ai ishte student në fakultetin e Mjekësisë. Ndërsa nëna më vështronte e dyshimtë, sepse ashtu siç isha e lodhur dhe e veshur, me siguri nuk ia mbushja syrin se kisha braktisur familjen për një dashnor. Pasi u errësua, dikur vonë, morëm rrugën për në një bazë tjetër. Kur dolëm jashtë binte shi me erë. Sahiti, rrugës më pyeste shumë gjëra në lidhje me ilegalitetin dhe tregohej i afërt me mua, më trajtonte si një motër të tij. Duke ecur më tregoi se ishin katër vëllezër, por nuk kishin motër. »Shumë kam pasur dëshirë ta kem një motër, por ajo dëshirë më ka mbetur e paplotësuar«. Pastaj me humor më tha: »Oj Shype, unë motra e nuse nuk kam, vetëm kështu kur të bie shi ma lan pallton, se nuk ka kush tjetër.« Më pat pyetur edhe nga sa orë ruanim gjatë natës, por nuk i pata treguar, sepse kisha frikë se mos e zbulonte se sa vetë ishim ilegalë. Unë s’e kam ditur se ai kishte qenë aktivist i palodhur në organizatë, prandaj edhe na njihte shumë mirë neve ilegalëve të Llapit.

Ahmet Haxhiu (6 maj 1932 – 6 qershor 1994). Fotografia është marrë nga kopertina e librit “Ahmet Haxhiu – një jetë të tërë në lëvizjen ilegale” të autorit Ibish Neziri.

Në folenë e shqipeve, te Bacë Ahmeti (Haxhiu), fjalë pak e zemërçeliku
Në Prishtinë nuk takonim shumë njerëz, sepse ecnim nëpër rrugica të qytetit. Kur arritëm në bazë, hymë në një dhomë të madhe. Aty na priti një burrë pak i moshuar, që ishte afër të gjashtëdhjetave. Ai ishte si i zymtë dhe fliste pak. E para gjë që ma tërhoqi vëmendjen ishin disa makina të shtypjes, si shtypshkronjë. Ishte hera e parë që shihja makina të tilla. Nuk pyesja asgjë, vetëm vështroja dhe dëgjoja, sepse e ndjeja veten të vogël. Sahitin e dëgjova kur atë plakun dy-tri herë e thirri Bacë. Nga pamja dhe qëndrimi i tij, kuptova se para meje kisha një njeri të vuajtur, por të kalitur e me zemër çeliku. Dikur Sahiti shkoi dhe mua më la ulur aty në një kënd. Plaku punonte diçka me disa materiale. Më vonë më shoqëroi në dhomën e ditës, ku më njohu me nënën e tij plakë, e cila ishte e sëmurë dhe e shtrirë në krevat dhe me gruan e dy vajzat e tij. Gruan dhe vajzat i kishte shumë të mira. Me sa dukej, ato ishin mësuar me raste të tilla, për shkak se nuk reaguan shumë me praninë time, por më trajtonin si anëtare të familjes. Pasi hëngrëm darkë, shkova prapë në dhomën tjetër ku ishte baca, sepse aty e ndjeja veten më të sigurt dhe më mirë.
Botimi i gazetave ilegale «Minatori i ri» e «Rruga e Lirisë» Pak më vonë e hapi derën dhe hyri brenda një djalosh trupgjatë, me sy shqiponjë, flokë të zeza kaçurrele dhe me mustaqe. Ai më përshëndeti, por nuk u prezantua fare. Me bacën bisedonin për çështje politike. Unë vetëm i dëgjoja. Më vonë erdhi prapë Sahiti. Ata filluan ta bënin shtypjen dhe kopjimin e gazetës ilegale «Minatori i ri», e cila nga fillimi i vitit dilte për çdo muaj. Unë u ndihmova t’i palosnin dhe rregullonin ekzemplarët. Më vonë, nuk më kujtohet, atë natë apo një natë tjetër, e patëm shtypur për herë të parë botimin «Rruga e Lirisë». Për këtë botim baca qe gëzuar shumë. Këtë e tregonin sytë e tij, të cilët shkrepnin shkëndija.

Djaloshi syshqiponjë, ishte Fadil Vata
Ajo gazetë përmbante ngjarjet që zhvilloheshin brenda muajit. Duke i shumëzuar kopjet, makinat kopjuese nganjëherë nuk funksiononin mirë. Probleme kishim, sidomos me ngjyrën. Kopjet e prishura, djaloshi syshqiponjë i quante «Rabushë», sepse ashtu i quanin gjërat e prishura në rajonin e tij, në anën e Suharekës. Aty e pata kuptuar se ai vinte nga ai rreth. Me humor, ia lamë emrin «Rabushë» dhe që tani e tutje nisëm ta quanim kështu edhe pse përpara e thërrisnim «Fehmi». Vetëm pas arratisjes nga vendlindja, e kuptova se ai ishte patrioti i shquar dhe aktivisti i palodhur për lirinë e Kosovës, Fadil Vata. Atë natë pothuaj deri në mëngjes qëndruam duke kopjuar dhe renditur. Të nesërmen e ndjeva veten të lodhur, sepse kishte disa ditë që nuk isha ngopur gjumë, prandaj edhe fjeta pak gjatë ditës. E ndjeja veten të huaj, sepse isha në mesin e njerëzve të panjohur edhe pse ata silleshin shumë mirë me mua. Një ditë më vonë, pati ardhur Drita. U befasova kur e pashë se kishte ardhur te baca. Njëkohësisht ishte një befasi e mirë për mua, ngase m’u duk si të vinte një motër imja. Të paktën disa orë i kalova në praninë dhe shoqërimin e saj. Biseduam për shumë gjëra. Gjatë natës duke punuar në botimin e gazetës dhe pamfleteve, dëgjonim muzikë e këngë patriotike, të cilave më duket edhe sot ua ndjej melodinë e frymën atdhetare.
E shtunë, 17 qershor 1989, ilegale
Ditët numëroheshin, fotografimi i dytë për pasaportë

Për ditët që vlejnë të shkruaj më së shumti, nuk gjej dot fjalë, sepse zemra më rrah fort si tik-taket e një ore muri. Por, prapë do të përpiqem… I numëroja ditët në atdheun tim. Të shtunën pasdite Sahiti më tha se duhej të bëja sërish foto për pasaportë, sepse ato të parat ishin shumë të errëta dhe nuk kryenin punë. Problemi ishte rrugës deri te fotografi duhej të shkoja gjatë ditës dhe ekzistonte rreziku të më identifikonte ndokush. Vajza e bacës m’i rregulloi flokët pak më ndryshe nga pamja e të mbajturit të përditshëm dhe vesha një xhemper me ngjyrë të kaltër të mbyllët. Kur dolëm nga shtëpia, binte një shi imët, njësoj si ditën e mëparshme. Kësaj radhe morëm një ombrellë me vete. Pasi Sahiti ishte i gjatë dhe unë shumë më e shkurtër se ai, ombrellën nuk mund ta përdornim të dytë, prandaj ai ma la mua. Kështu, Sahiti u lag njësoj si një ditë më parë. Qëllimi i mbajtjes së ombrellës ishte jo vetëm të mbrohesha nga shiu, sepse gjatë tërë asaj pranvere u bëra imun ndaj shiut, por më tepër edhe të fshihja fytyrën, që të mos diktohesha nga njerëzit. Sa herë habitesha dhe e ngritja ombrellën pak, Sahiti më thoshte si me shaka: »Po ule dreqi t’hangt, oj Shype, se e more në qafë vetveten edhe mua!« Mënyra si shprehej ai, pavarësisht rrezikut, më bënte të qeshja. Fotografi na bëri fotografitë menjëherë. Pas një kohe të gjatë, kur ai erdhi në Gerlafingen të më vizitonte, Baca më pat treguar se foton time ai fotografi e kishte pas vënë në xham për reklamë. Dreq o punë, po sikur ta dinte se unë kërkohesha nga policia në të gjitha anët e Llapit ndoshta s’do të kishte pasur guxim të më fotografonte fare. Ky ishte supozimi im. Ndoshta e vërteta ishte ndryshe…
E diel, 18 qershor 1989, ilegale
Dita e parafundit në atdhe

Ditën e diel, te baca, tërë ditën erdhën miq dhe të afërm si: motrat, bijat dhe mbesat. Unë, megjithatë mendjen e kisha tjetërkund: i numëroja ditët, ose thënë më mirë, orët e fundit në atdhe. Kujtoja çdo gjë që lidhej me të dhe më dukej e pamundur një jetë larg tij. »Athua, si do të mund të jetoj në mërgim?«, e pyesja veten, por përgjigje nuk gjeja. Në mbrëmje erdhi prapë Drita, e cila më gëzoi pa masë. Në fillim ngurroja të bisedoja më të. Nuk e njihja sa duhet dhe ajo ishte shumë më e pjekur se unë, prandaj ende kisha kujdes se mos gaboja. Shihej qartë se kishte si përvojë jete, ashtu edhe veprimtarie. Me afërsinë dhe sinqeritetin e saj më bëri shpejt për vete dhe krijuam një raport të ngushtë. Ajo më pyeste shumëçka për të kaluarën time, ngase kishte dëgjuar edhe më parë për mua. Edhe unë dëshiroja të mësoja diçka për jetën e saj. Megjithatë rregullat duhej t’i respektonim, nuk kishim të drejtë të pyesnim shumë për shokët që dyshohej se ishin të organizuar. Sa më pak të dije, më mirë ishte. Së bashku me Dritën, Rabushën dhe Sahitin, atë natë qëndruam deri në mëngjes duke shtypur me makinë të shkrimit dhe duke fotokopjuar. Edhe në mëngjes kemi punuar, deri në orën 8:00. Ne shpejtonim, ngase disa pjesë të atyre gazetave që i shtypnim, Baca duhej t’i transportonte me udhëtimin tonë në mërgim. Punonim në dhomën e madhe të bacës, të cilën e kishte liruar për qëllime të lëvizjes dhe të organizatës.
Të hënën paradite fjetëm deri kah ora 13:00, se ishim tejet të lodhur. Drita dhe Sahiti dolën pasdite në qytet dhe më blenë rroba, një palë këpucë dhe disa gjëra elementare. Mua më erdhi keq, që ata harxhoheshin për mua. Drita më tha se këto ishin të nevojshme, sepse nuk dihej se ku shkoja. Gjatë asaj pasdite e shikoja orën shumë shpesh dhe e përjetoja thellë largimin nga Atdheu. (…)

(Fragment i shkëputur nga libri «GJURMË TË PASHLYESHME…», faqet 164 – 169)

___________________
KU MUND TA GJENI LIBRIN
Të nderuar lexues, librin «Gjurmë të pashlyeshme… », të autores Basrie Sakiri-Muratit: mund ta gjeni në Biblotekën e Qytetit në Besianë, si dhe në libraritë “Shqiproja”, “Rilindja”. Në Prishtinë, në Biblotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në librarinë “Artini-Toena”, ngjitë me Institutin Albanalogjik. Ndërkaq në Zvicër mund ta siguroni në librarin: “Buchhandlung am Stadtbach”, Bümplizstrasse 126, 3018 Bern dhe nga autorja e librit. (Editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura