ORA E EUROPËS DHE NJË NGUT …

ORA E EUROPËS DHE NJË NGUT …

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 24 shkurt 2022

1. “Maskirovka” e re …

Afër lumit Don, Donit të qetë do zanafillte kjo doktrinë.

Tash 640 vjet që këtej (thellësi kohe prapa, 1380,) “hordhitë e arta” mongole kishin behur tek muret e Moskës.

Por princi i zgjuar Dimitri Donskoi do të hartonte një taktikë dhelpërake: do fshehte, do maskonte  regjimentin e tij në pyllnajë, duke rrethuar pashpresërisht kalorësinë e humbur mongole.

Ndaj dhe Donskoi është celebruar hero kombëtar dhe shéjt i Kishës ruse!

E pra, Mësimin e princit nga shekulli i 14-të e njohën dhe adoptuan të gjithë Kryebanorët e Kremlinit. Stalini qysh herët, më pas dhe traktoristi Hrushov gjithësesi. Ndërkohë që nuk do linte të arkivohej as Putini në betejat e tij të vona. Është kjo taktika e ” Maskirovkës”, e trillit, mbulesës dhe mashtrimit!

A nuk e shohim para syve tanë “maskirovkën” e tij të rinuar në rrethnajën e trishtë të Ukrajinës?

Veçse, mjerisht, tani mungon një “princ” nga anë e kundërt. Këndej Europës…

2. Solidarësia euforike…

Një fshat i qetë dhe i bukur rrëzë Alpeve. Kuvend burrash e këngë vajzash n’mansardë mbushnin kuptimin e jetës.

Por Kodralia nuk e kishte pritur asnjëherë të hynte në kronikë e kujtesë me një marsh legjendar.

Ishin vitet e krizës së Triestës. Italia kërkonte këtë qytet, të tërin, nën sovranitetin e saj. E gjithë Jugosllavia ishte në këmbë. Protesta të stisura popullore kudo. Në Kodralinë vrulltare, poashtu!

Ndërkohë do arrihej një  marrëveshje zonash ndarëse A dhe B në qytetin istrian. Njerëzia u paqëtua. Jeta kthehej në përditësinë e vet: me derte a gëzime që nuk i përkisnin më Triestës së pafajshme.

Mirëpo, ndryshe nga të tjerë, fshati që dashnonte majat me plisa bore, ngrente akoma parullën e zjarrtë “Jetën e japim, Trstën s’e japim”! Dhe kur një plak i urtë u tha: ikni ore te shpia se vetë Marshalli e ka dhënë, ata ia kthyen brohoritshëm: Tita i’a fal, por Kodralia kurrë!

Këtë fragment, këtë pikturë groteske kujtoj ndërsa vërej mbështetjen euforike që shpërthen për dridhmat e Ukrajinës në Kosovë.

Nisma parambledhësish, shkrime plot ndjenja simpatie a, madje, gatishmëri vullnetarësh, vërshojnë në tregtizën politike e morale të Prishtinës.

Një reflektim i ftohtë sikur fton për kthjellësi mendimi e menaxhim pasioni. E, ndaj, së pari, e dinë vallë populistët e mejhaneve se Kijevi qysh në vitin 2014 mund të njihte Kosovën! Ishte orientuar drejt botës transatllantike duke paguar çmim gjaku për këtë dhe njohja do t’vinte krejt natyrshëm në komponim qytetnie dhe gjeopolitike!

E dyta, e dinë poashtu se ç’Jalltë ose Maltë e re, mund të ketë vulosur fshehtë, ndoshta, fatin e saj? Dhe të një Rendi të ri Europe!?

Jam i prirur të besoj se edhe kur stuhia të shkojë, për të lënë pas lisa të mëdhenj të rrëzuar, “dashnorët” e Ukrajinës do vijojnë sagën e tyre. Mbase pa e ditur se, tashmë, gjithçka ka mbaruar!

3. Një ngut në Bruksel …

Ç’kuptim kanë bisedimet me Serbinë, në kohën që Rusia fut në luftë Europën?

Një ngut mjegullnaje për të trafikuar një marrëveshje të ligë?

Asnjë ngut. Fundja, le të priten standarde e balanca të reja ndërkombëtare që, mbase, nuk e defavorizojnë Kosovën.

Më parë se shpenzim energjie me truket e vjetra serbe, prijësit shqiptarë do të duhej të shohin brenda shtetit. Brenda vetes.

Dhe çdo të shihnin?

Konflikte provinciale, guvernë që duhet të bëj më shumë se qeverisje dorëpastër, dhimbje të humbjes, mund i lodhshëm e i pakrye për të gjetur e formuluar kauzën opozitare, kolona për vizëpritje që hap shtigjet e Europës ku harrimi rezervon merimangën e vet…

Përtej këtyre, ndërkaq, dy Republikat arbnore duhet të qëndrojnë afër më fort se rrallëherë më parë!

Është një Orë historie që s’mund të ndodh pa shqiptarë: ose do jenë të fituar ose viktimë e saj!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura