SADRI RAMABAJA: POLITIKA SI STRATEGJI VEPRIMI DHE MISION HISTORIK

Prishtinë, 30. 01. 2014 – Lëvizja Vetëvendosje! është forca politike më tipike shqiptare e kësaj epoke. E inicuar nga të rinjë me formim e rezon politik antikolonial, ajo rezulton të jetë një amalgamë e veçantë e mendimit politik progresiv që mbrun në vete brumin dhe tharmin e nacionalizmit modern pozitiv urban, me ideologjinë shumështresore të socialdemokracisë më progresive evropiane. Ajo tashmë konsiderohet për shumëçka si fenomen politik.
Në zgjedhjet e fundit lokale, bashkëdyzimi pragmatik i mendimit politik të Rilindjes sonë Kombëtare me idologjinë progresive të së majtës evropiane, e solli VV në pushtet në kryeqendrën e Republikës së dytë shqiptare.
Qeverisja e re komunale, çdo ditë do ta tregoj se VV mund dhe duhet ta bëjnë qytetin, bërthamën e shtetit.
Rezultatet e zgjedhjeve rezultuan të jenë ambivalente. Në përbërjen e asamblesë komunale VV ka vetëm 10 asamblistë/te. Larg të qenunit forcë politike që do të mund ta realizonte Alternativën e saj qeverisëse pa ndeshtrasha të ndjeshme. Imponimi që iu bë përmes fuqisë reflektuese të numrave në Asamble në zgjedhjen e kryesuesit, e para së gjithash në përbërjen e Komiteti për Politikë dhe Financa, si motori lëvizës i Kuvendit, siç njihet ky trup politik në teoritë parlamentare, flet shumë për hendikepin veprues që në start. Në anën tjetër, potenca egzekutive e VV, e demonstruar qartë në këtë periudhë relativisht të shkurtër, duke shfrytëzuar përparësitë që i jep ligji kryetarit të Komunës dhe ekzekutivit, i ka lejuar VV të krijoj hapësira të reja veprimi politik.

Detyrat strategjike që ka ky ekip për t’i realizuar në muajt në vijim, e bëjnë që kjo ambivalencë, jo vetëm ekipin e egzekutivit dhe grupin e asamblistëve të VV, por gjithë organizata, të kaloj në gjendje gadishmërie, alarmi dhe veprimi permanent. Kjo për faktin se Vetëvendosja duhet të dëshmohet pikërisht në Prishtinë se është e aftë të veprojë në të gjitha nivelet.i
Mirëpo, duke marrë parasysh se ky është edhe viti i zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës, VV duhet të prijë edhe në debatet politike të nivelit qendror me tema të ndjeshme. Debati për privatizimin, respektivisht abuzimin me pasurinë publike, siç qe ai rreth fabrikës së amortizatorëve, është shembulli më tipik i reflektimit gjithëpërfshirës.
Vetëm duke u dëshmuar të përkushtuar, por edhe të aftë për futje në veprim të të gjitha energjive, VV në sytë e qytetarëve dëshmohet e aftë për ta marrë pushtetin edhe në nivelin qendror.
Që t’ ia arrijë kësaj, ajo ka nevojë që qytetarëve t’ ju përcjell mesazhe të qarta, duke i bërë ata ta ndjejnë se qyteti dhe shteti, kur është në duart e VV është në duar të sigurta.
Më lejoni që rreth kësaj të sjell më poshtë disa ide më konkrete.
Lëvizja VV me gjithë angazhimin shumë serioz gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, duke mos promovuar sa duhet këtë ndjesi, nuk pati rezultatet e pritshme në nivel Republike. Madje, në disa qendra, rezultati lnte shumë për të dëshiruar. Ky fakt e bën real gjykimin se VV është larg të qenunit forcë politike që do të mund të cilësohej popullore.
Vendimi i Këshillit të Përgjithshëm për shpërndarjen e strukturës dhe ristrukturimin e plotë, ishte, shih për këtë, vendimi më i pjekur politik që prej vitit 2010, kur VV hyri në garën për pushtet.
Qytetarët e Kosovës tashmë e kanë të qartë se me këtë qeveri procesi i shndërrimit të shtetit në Republikë të dështuar, është i pashmangshëm. Vazhdimi i dialogut me Beogradin e ka bërë qeverinë serbe pjesëmarrëse në proceset vendimarrëse në Prishtinë dhe rrjedhimisht partnere në qeverisje. Në këtë kuadër EULEX-i i tillë si është apo me format tjetër, si po paralajmrohet, vetëm sa do ta lehtësojë këtë bashkëqeverisje të Kosovës mes Thaçit dhe Daciqit, respektisvisht pasuesve të tyre të preferueshëm nga disa qendra (Isa Mustafës dhe Aleksandër Vuçiqit),
Për ta pamundësuar këtë degjenerim të gjendjes dhe përshkalëzim të së keqes, VV ka nevojë të shndërrohet në Lëvizje të mirëfilltë popullore. Dhe e tillë bëhet duke filluar nga koka. Model i mirë mund të shërbejë Partia Socialdemokrate Gjermane (SPD) me Programin e saj të miratuar në fillim të viteve gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Fjalën e kam për Programin e Godesbergut, që i mundësoi Villi Brandit triumfalisht të përurohet kryetar i Berlinit më 1961, ndërkaq më 1969 ta shndërroj SPD në forcë politike që kaloi mbi 40% dhe ta ketë edhe kancelarin e parë të pasluftës. ndërkaq në vitin 1972 të bëhet forca e parë politike në nivel republike.
Lëvizja Vetëvendosje! është forca politike më tipike shqiptare e kësaj epoke. E inicuar nga të rinjë me formim e rezon politik antikolonial, ajo rezulton të jetë një amalgamë e veçantë e mendimit politik progresiv që mbrun në vete brumin dhe tharmin e nacionalizmit modern pozitiv urban, me ideologjinë shumështresore të socialdemokracisë më progresive evropiane. Ajo tashmë konsiderohet për shumëçka si fenomen politik.
Vetëvendosja ka nevojë të shndërrohet në Lëvizje popullore, që merr përsipër misione historike. Natyrisht për t’ u shndrruar në lëvizje popullore, VV nuk ka nevojë të bëhet me çdo çmim forcë politike numër një. Të tillë nuk e bën vetëm numri i zgjedhësve dhe vendet që merr ajo në kuveondet komunale dhe në atë republikan. Lëvizje popullore ajo do të bëhet shumë më shumë duke marr vendime të karakterit strategjik gjithëpërfshirës. Në këtë marshim ajo do të shndërrohej në forcë politike e aftë për marrjen e pushtetit edhe në nivel qendror dhe vetëm kështu do t’i shumfishoheshin garancitë për realizimin e Alternativës së saj qeverisëse.
Fitorja e VV në Prishtinë dëshmon se qytetarët kanë arritur ta njohin më mirë Alternativën qeverisëse të prezantuar gjatë fushatës, se sa në qendrat tjera, por edhe i kanë identifikuar individët e supozuar si bartës të pushtetit. Për zgjedhjet e pritshme për kuvendin e Republikës reflektimi mund të jetë edhe më pozitiv.
Analiza e thellë pas zgjedhjeve lokale duket se është reflektuar përmes vendimit për ristrukturim. Ky reflektim do të duhej të shndërrohet në strategji veprimi e prekshme dhe e dukshme gjithandej.
Qytetarët duke i analizuar mirë këto veprime të karakterit thellësisht strategjik, do të fitojnë besim të plotë në mundësinë e realizimit të Alternativës qeverisëse, respektivisht shtyllave qenësore të saj që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social. Madje ata gjithnjë e më shumë do ta kenë më të qartë, por edhe do të krijojnë besimin se VV është e gatshme për qeverisjen e vendit.
Dhe përmes Prishtinës VV ka mundësi ideale që të dëshmojë këtë, ka mundësi që të fitoj besueshmërinë se ajo aktualisht është forca më serioze politike. Ndërkaq për vitet që pasojnë, përderisa VV të kryej misionin e saj të funksionalizimit të Republikës dhe bashkimit kombëtar, gjithnjë në përputhje dhe akordancë me procesin integrues evropian, ajo mund të mbetet “atdheu politik”, adresa reale politike e qytetarisë aktive dhe e zgjedhësve.
Të këtillë Vetëvendosjen e bën ajo strategji që në themel ka ndërveprimin mes politikës të ngritur në nivei strategjie dhe mision historik njëkohësisht.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura