ORGANIZATAT POLITIKE SHQIPTARE NË EVROPË 1979 – 1985 (1)
Nga Xhafer Durmishi – Skenderi, Suedi, maj 1992 – shkurt 2024
Nga tri fotografi të botuara në “Zëri”, të Sabri Novosellës, Metush Krasniqit dhe Jusuf Gërvallës, fitohet përshtypja se LNÇKVSHJ është udhëhequr nga treshi Sabri – Metush – Jusuf.
Jusuf Gërvalla nuk e ka njohur Metush Krasniqin në cilësinë e kryetarit të LNÇKVSHJ. Në qoftë se shërbehemi, për hir të qartësisë, me gjeometri, nuk ka ekzistuar trekëndëshi Sabri – Metush – Jusuf, dhe as segmenti Metush – Jusuf, pra lidhja e drejtpërdrejt Metush Krasniqi – Jusuf Gërvalla. Këtë nuk e pohon drejtpërdrejtë as Sabriu, por përpiqet ta parashtroj në mënyrë indirekte: “Për këtë Jusufi e njoftonte vazhdimisht degën e LNÇKVSHJ në Turqi dhe Metush Krasniqin, kryetarin e Lëvizjes në Kosovë”.
Për të painformuarin citati i tillë duket i kthjellët dhe të lenë përshtypjen se lidhja e drejtpërdrejtë Metush – Jusuf ka ekzistuar. Për ata që formulimin e tillë e kuptojnë se lidhja ka ekzistuar, ky është një mashtrim. Për ata që e dinë këtë, e ky është një numër i vogël, Sabriu në frazën e vetë e ka gatuar mbrojtjen. Jusufi e njoftonte degën në Turqi (së pari pra – shënim i Xh. D.) dhe Metush Krasniqin, kryetarin e Lëvizjes në Kosovë (së dyti – shënim i Xh. D.). Del se të painformuarit, 99,9 % e lexuesve gënjehen, ndërsa për të informuarit është mburoja: Jusufi kishte lidhje me kryetarin Metush Krasniqi, por kjo lidhje ishte nëpërmjet Sabri Novosellës, i cili informohej së pari, e që ky pastaj e njoftonte kryetarin në radhë të dytë.
Jusuf Gërvalla nuk ka pas kurrë lidhje me Metush Krasniqin. Për këtë nuk ka asnjë dëshmi. Pasi që nuk ekziston asnjë letër, asnjë artikull, asnjë udhëzim me vlerë që ka qenë i njohur në Gjermani apo dikund tjetër, kjo duhet të merret si e pavërtetë. Ai që do ta nxjerrë Metush Krasniqin si person me lidhje të drejtpërdrejta – pa ndërmjetës – me Jusufin, duhet të sjellë fakte.
Në një bisedë me Jusufin në verën e vitit ’81 lidhur me udhëheqësinë e Lëvizjes, ai thotë: “Sabriu është kryetari i Lëvizjes”.
Kaq për (jo)lidhjen Metush Krasniqi – Jusuf Gërvalla.
– 1. Lidhja Sabri Novosella – Jusuf Gërvalla
Kjo lidhje ka ekzistuar, dhe si reale është më lehtë të ilustrohet me shembuj të shumtë.
Ta shohim nga afër!
Sabri Novosella është ai i cili i ka ofruar anëtarësim Jusuf Gërvallës në LNÇKVSHJ. Jusufi pranon menjëherë me kënaqësi të madhe. Është meritë e Sabri Novosellës që duke e organizuar Jusuf Gërvallën në LNÇKVSHJ bëri që energjitë dhe talenti i tij të derdhen e të kanalizohen menjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështjen e popullit shqiptarë në ish-Jugosllavi. Përveç Sabriut, Jusufi nuk ka njohur asnjë kuadër më të lart, as personalisht e as përmes ndonjë vepre. Natyrisht se Sabriu i ka fol Jusufit se ekziston Komiteti Qendror (KQ), Kryetari e gjëra të tjera.
Në dhjetor të vitit 1979 Sabriun për t’iu shmang ndjekjes e burgosjes, rrethanat e qesin në Turqi, ndërsa Jusufi, për arsye se Bardhosh Gërvalla punonte në Gjermani, shkoi në Gjermani. (Sabri Novosella dhe Jusuf Gërvalla e lëshuan Kosovën pothuaj njëkohësisht në gjysmën e dytë të dhjetorit 1979).
Nënvizoni, jemi në mesin e dhjetorit 1979. Prej dhjetorit 1979 e deri në Mars 1981 Jusuf Gërvalla nuk ka asnjë lidhje të vetme me Sabri Novosellën, e lere më me Metush Krasniqin.
Si e udhëhoqën LNÇKVSHJ, Sabri Novosella e Metush Krasniqi prej dhjetorit 1979 e deri në mars 1981 për shkak të kushteve të ilegalitetit, përveç udhëtimit tim dhe të një shoku tim në Turqi për ta takuar Sabriun (në janar 1981), nuk e di. Por puna e LNÇKVSHJ, sidomos ajo publicistike, në Kosovën e robëruar është e pakrahasueshme me punën e Jusuf Gërvallës në Gjermaninë e lirë.
Dalja e Jusufit jashtë si personalitet i njohur, bëri jehonë të madhe në Kosovë. Jehona ishte e ngjashme edhe në Gjermani. Ai u kontaktua nga Ibrahim Kelmendi, i cili i kërkoi ndihmë për nxjerrjen e “Bashkimit” si organ i Frontit të Kuq Popullor. Ibrahim Kelmendi vetë e kishte botuar vetëm një numër në verën e vitit 1979. Jusufi i ofroi çdo ndihmë Ibrahimit, duke i lënë në dispozicion artikuj të shumtë të cilët Ibrahimi i zgjidhte sipas dëshirës. Jusufi i nxori dhe përgatiti 3 numra të “Bashkimit”, nga gjithsejtë katër sa dolën. Vetëm pas dy muajsh, në shkurt 1980, në Gjermani Jusufi nxori numrin e dytë të “Bashkimit”. Në maj 1980 nxori numrin e tretë dhe në janar 1981 numrin e fundit të “Bashkimit”.
Në fillim të vitit 1981 Jusufi e ndërpreu bashkëpunimin (në nivelin apo në cilësinë e redaktorit dhe ideologut të Frontit të Kuq) me Ibrahim Kelmendin, çka bëri që Bashkimi të mos dali më.
Në gusht 1980 doli numri i parë i “Lajmëtarit të lirisë”. “Lajmëtari i lirisë” doli gjithsejtë në tre numra. Nr.1, gusht 1980, nr.2, tetor 1980, nr.3 janar 1981. Në një pyetje të drejtpërdrejtë Jusuf Gërvallës, pse e ke nxjerrë “Lajmëtarin e lirisë” pa e përzier atë me organizatën të cilës i takonte, Jusufi përgjigjet: “Unë nuk kam pas lidhje me LNÇKVSHJ e me KQ, unë nuk kam marrë asnjë direktivë për të nxjerrë ndonjë gazetë. Kam vepruar kështu që të mos mundet nesër të më thotë dikush se me kënd u more vesh që e nxore gazetën në emrin e LNÇKVSHJ-së”.
- Revista “Lajmëtari i lirisë”
Se ka dal një revistë me emrin “Lajmëtari i lirisë”, Sabri Novosella e ka marrë vesh kah fundi i janarit 1981, d.m.th. pasi që janë nxjerrë të gjithë numrat dhe është ndërprerë dalja e tij.
Prej gjysmës së dhjetorit 1979 deri në gjysmën e janarit 1982, për këtë kohë sa Jusufi e Sabriu ishin njëkohësisht në mërgim, (25 muaj), kanë qenë në kontakt vetëm 10 muaj, d.m.th. 40% të kohës. Gjatë 25 muajve, përveç shumë trakteve, thirrjeve e artikujve, Jusufi herë pjesërisht e herë tërësisht punoi në nxjerrjen e 4 gazetave të ndryshme:
“Bashkimi”: shkurt 1980, maj 1980, janar 1981,
“Lajmëtari i lirisë”: gusht 1980, tetor 1980, janar 1981,
“Liria”: nr. 3, maj 1981, nr. 4-5 korrik/gusht 1981,
“Zëri i Kosovës”: nëntor 1981, janar 1982.
Pra prej 11 numrave të gazetave në të cilat pati dorë në nxjerrjen e tyre, vetëm 2 ishin të LNÇKVSHJ-së, të asaj organizate në të cilën ai ishte anëtar. Puna e tij për LNÇKVSHJ në mërgim nga aktiviteti i tij i gjithmbarshëm është vetëm 18,18%.
(VIJON)
© Pashtriku.org
________________
ORGANIZATAT POLITIKE SHQIPTARE NË EVROPË 1979 – 1985 (2)
Nga Xhafer Durmishi – Skenderi, Suedi, maj 1992 – shkurt 2024