OSMAN OSMANI: BASHKËBISEDIM ME VEPRIMTARIN FEHMI HAJRULLAHU, ISH I BURGOSUR POLITIK DHE VETERAN I UҪK’së

Bern, 30 mars 2017: Duke qenë një veprimtar i përkushtuar atdhetar, ish i burgosur politik, pjesëmarrës në luftë dhe veteran i UÇK-ës, si shok i idealit i Fehmi Hajrullahut pata edhe nderin, të zhvilloj këtë bashkëbisedim dhe nga ai të shkëpus pjesë në formë të një interviste.
Fillimisht do të doja të të pyesja: Kur ke filluar angazhimin tënd politik dhe me kënd ke filluar bashkëpunimin?
Fehmi Hajrullahu: Unë pata rastin të shkoj në shkollë të mesme ekonomike (drejtimi biologji – kimi), e cila ishte një nga shkollat më përparimtare të kohës. Kuadri arsimor si dhe nxënësit ishin ndër më të mirët. Ashtu siç flitej e shkruhej edhe në rrethe të tjera edhe tek ne flitej e shkruhej për Republikën, për të drejtat tona, për shqiptarizmin në përgjithësi. Krijuam një rreth të mirë kombëtar. Menjëherë pas kryerjes së shkollës së mesme pushteti më dërgoi thirrjen për të kryer shërbimin ushtarak, kështu që ngjarjet e pranverës 1981 më zunë në ushtri. Gjatë muajit maj të vitit 1981 kisha marrë ca ditë të lira pushimi. Sapo erdha në Kosovë shoku im Halit Osmani më njoftoi për veprimtarinë e PKMLSHJ dhe kërkoi që t’i bashkëngjitëm atyre. Pas kësaj u futa në dhjetëshen që e udhëhiqte Faton Topalli. Kjo dhjetëshe ishte bashkëpunimi i parë me ta, por fatkeqësisht më vonë UDB- ja jugosllave na ka rënë në gjurmë dhe kështu ne jemi arrestuar nga policia jugosllave dhe jemi dënuar po nga gjyqet jugosllave.

Fehmi Hajrullahu në Jezercë duke u përgatitur për betimin e ushtarëve të UÇK-së. Në foto është duke u shënuar edhe heroina e tri luftrave çlirimtare, Hyre Emini (Mira), e cila ra në altarin e lirisë bashkë me bashkëluftëtarin Tahir Sinanin në vitin 2001 në Maqedoni.
Në Kosovë para, gjatë dhe pas demonstratave gjithë-popullore të marsit e të prillit të vitit 1981 kanë vepruar shumë individë, grupe (formale e joformale) dhe organizata atdhetarësh shqiptarë. Ato kanë pasur pikëpamje të ndryshme dhe kërkesa e programe që janë dalluar nga njëra tjetra për shkak të kushteve e rrethanave, por edhe duke vepruar në fshehtësi, si dhe për shkak edhe të konspiracionit nuk kanë mundur të bashkëpunojnë mes veti.
A keni pasur asokohe, apo me më pas bashkëpunim me grupe tjera, si dhe a keni pasur ndonjë përvojë qoftë negative apo pozitive me grupe e organizata tjera?!
Fehmi Hajrullahu: Në rrethanat e ilegalitetit të thellë bashkëpunimi me njerëzit e tjerë atdhetarë ishte mjaft i vështirësuar. Zakonisht shfrytëzonim lidhjet e forta shoqërore dhe ato familjare. Bashkëpunova me Isuf dhe Rexhep Muhaxherin, rrethin e shokëve të shkollës së mesme, që atëherë ishim studentë në Mitrovicë. Po këtu, me rastin e përvjetorit të demonstratave të vitit 1981, më 12 mars 1982, në Mitrovicë më ka burgosur UDB- ja jugosllave.
Për shkak të aktivitetit atdhetar e revolucionar Ti je burgosur bashkë me bashkëveprimtarë të tjerë në vitin 1982 dhe jeni dënuar me burg (Ap-kzh-nr. 393/82).Pas mbajtjes së burgut, ke vazhduar veprimtarinë dhe me çka je marrë konkretisht. Me cilët veprimtarë tjerë ke bashkëpunuar?
Fehmi Hajrullahu: Pas daljes nga burgu kam bashkëpunuar me veprimtarët si Beqir Beqa, Njazi Beqa, Avdyl Kryeziun, Adnan Gashin, Naim Selmanin, Hysen Shehun, Fadil Ferizin, Avdyl Krasniqin,Sahit Salihun, Gyltene Tahirin, Nebahate Sadikun, etj. Për shkak te mundësisë se dekonspirimit shumicën e kohës është punuar me metodën në katër sy. Kryesisht kemi vepruar në ngritjen e vetëdijes kombëtare, shkëmbimin e literaturës ilegale, shpërndarjen e gazetave, pamfleteve të ndryshme dhe materialeve tjera propagandistike.

Fehmi Hajrullahu gjatë luftës çlirimtare me shërbim në UÇK dhe më pas edhe në TMK

Ti ke qenë edhe pjesë aktive e luftues çlirimtare që nga fillimi i saj. Kur iu ke bashkangjitur radhëve të UÇK- së dhe çfarë detyrash e funksionesh ke ushtruar në luftë?
Fehmi Hajrullahu: Uniformën e UÇK-së për herë të parë e kam veshur më 20 korrik 1998, dhe atë kohë ekzistonte Nënzona Operative e Nerodimes, e cila në kuadër të Komandës për Ferizaj kishte një batalion. Këtu m’u caktua detyra si Shef i Logjistikës për Komandën e Ferizajit. Pas shndërrimit të Nënzonave Operative të UÇK-së në Zona Operative të UÇK-së jam emëruar Shef i Sektorit të Logjistikës për Zonën Operative të Nerodimes. Këtë detyrë e kam kryer deri në demobilizimin e UÇK-së më 19 shtator 1999.

Vendim i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për emërimet e eprorëve të Zonës Operative të Nerodimes, ndër të cilët edhe Fehmi Hajrullahu si Shef i Sektorit të logjistikës për këtë Zonë UÇK-së.
Pas lufte një kohë ke shërbyer në TKM. Po më pas me çka je marrë?
Fehmi Hajrullahu: Prej datës 20.9.1999 kam kryer detyrën e Shefit të Departamentit të Logjistikës së Zonës së VI të TMK-së në Gjilan deri sa jam demobilizuar. Pas lufte përpos punës në TMK kam qenë drejtor në Stacion të Autobusëve në Ferizaj, deri sa më largoi nga puna kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa.
***
Grupi i të rinjve – “Ilegalët” (“Shote Galica”)
Në librin e Sinan Hasanit ti përmendesh si nismëtar i themelimit të grupin e të rinjve „Shote Galica“… Ky grup nga Aktgjykimi shihet se ishte mjaft aktiv… Si është krijuar ky grup i të rinjve?
Fehmi Hajrullahu: Në rrethin e Ferizajt ka ekzistuar një grup i të miturve të cilët kanë bërë një punë të madhe atdhetare me rastin e përvjetorit të demonstratave të vitit 1981, më 12 mars 1982 në Mitrovicë mua më ka burgosur UDB-ja jugosllave. Ky grup kryesisht kanë qenë i përbërë prej vëllezërish dhe motrash, që kanë pasur më parë familjarë të dënuar politik ose lidhje farefisnore me ta. Kështu që janë produkt i një fryme të përgjithshme atdhetare, të cilët grupin e formuan me vetiniciativën e tyre.
Aktiviteti i tyre politik kryesisht është zhvilluar për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe politike. Më pas veprimtaria e tyre, ndër të tjera shquhet në aksione të ndryshme, shkrim të parullave nëpër objekte e vendbanime të ndryshme, shpërndarje të trakteve e pamfleteve, duke marrë edhe pjesë në protesta dhe demonstrata të ndryshme.

Pjesë nga libri i Sinan Hasanit, botim në gjuhën serbokroate nga “Qendra për informata dhe publicitet” 1986, Zagreb. Në këtë libër të tij, faqe 347, Sinan Hasani veçon edhe grupin i të rinjve (të gjithë të mitur) “Shote Galica” që vepronte nga platforma e PKMLSHJ, i themeluar nga veprimtari Fehmi Hajrullahu, ish i burgosur politik dhe veteran i UÇK-së (nga zonën e Noredimës). Ky grup u krijua kryesisht nga familjarë të Fehmiut dhe shokëve të tij dhe, edhe pse të mitur, janë dënuar me shumë vite burg në vitin 1983. (shih edhe: PPPm Nr. 111/83, të datës 5.12.1983)
Të gjithë këta të rinj e të reja kanë mbajtur dënimet e tyre deri në ditën e fundit. Pas lirimit nga burgu me çka janë marrë?!
Fehmi Hajrullahu: Që të gjithë kanë mbajtur dënime deri në ditën e fundit. Duke qenë se janë dënuar si të mitur pas daljes nga burgu mundësia e tyre për një jetë më të mirë ka qenë shumë e vogël. Disa prej tyre për shkak të gjendjes së keqe ekonomike ose dhunës së pushtetit kanë emigruar jashtë si psh. Hysri Osmani, Selim Deliu, Naim Sadiku, Naim Hajrullahu, Nadije Ramadani Hajrullahu, Florije Hajrullahu dhe Fatmir Avdyli. Deri pas lufte pothuajse të gjithë kanë punuar në shtete të Evropës dhe Amerikës si punëtorë.
Ku janë sot pjesëtarët e këtij grupi dhe me çka merren?!
Fehmi Hajrullahu: Sot shumica prej tyre punojnë jashtë Kosovës. Naim Sadiku gjendet në Suedi, është koordinator për Skandinavi, drejtor i Qendrës Kulturore të Kosovës pranë Ministrisë së Diasporës. Ka qenë përkrahës aktiv i UÇK-së. Hyzri Osmani ka një firmë ndërtimore në Gjermani, ka të botuar edhe një libër…,Naim Hajrullahu, Nadije Ramadani Hajrullahu, Florije Hajrullahu, Selim Deliu dhe Fatmir Avdyli punojnë si punëtorë në shtete të ndryshme të perëndimit. Shahadije Neziri punon në arsim. Është poete dhe ka disa shpërblime. Fatmir Neziri ka kryer fakultetin e Artit figurativ.
Në librin e Sinan Hasanit ti – Fehmi Hajrullahu, përmendesh si iniciues i themelimit të grupit të të rinjve „Shote Galica“… Ky grup nga Aktgjykimi shihet se ishte mjaft aktiv… Në gazetën e Rinise ML te PKMKLSHJ, „Zëri i Atdheut“ jepen instruksione për të rinjtë dhe për pionierë, a ka shërbyer kjo për krijimin e këtij grupi apo, apo ka qenë nismë e tjetërkujt ?!
Fehmi Hajrullahu: Në rrethin e Ferizajt ka ekzistuar një grup i të miturve të cilët kanë bërë një punë të madhe atdhetare me emrin Shote Galica, i krijuar mbas burgosjes sime. Ne këtë grup kryesisht kanë qenë vëllezër dhe motra, që kanë pasur më parë familjarë të dënuar politik ose lidhje farefisnore. Kështu që janë produkt i një fryme të përgjithshme atdhetare, të cilët grupin formuan me nismën e tyre.
Të gjithë këta të rinj e të reja kanë mbajtur dënimet e tyre deri në ditën e fundit. Pas lirimit nga burgu me çka janë marrë secili/a prej tyre?!
Fehmi Hajrullahu: Që të gjithë kanë mbajtur dënime deri në ditën e fundit. Duke qenë se janë dënuar si të mitur pas daljes nga burgu perspektiva e tyre për një jetë më të mirë ka qenë shumë e vogël. Disa prej tyre për shkak të gjendjes së keqe ekonomike ose dhunës së pushtetit kanë emigruar jashtë vendit, si psh. Hysri Osmani, Selim Deliu, Naim Sadiku, Naim Hajrullahu, Nadije Ramadani Hajrullahu, Florije Hajrullahu dhe Fatmir Avdyli. Deri pas lufte pothuajse të gjithë kanë punuar në shtete të Evropës dhe Amerikës si punëmarrës.
Ku janë sot pjesëtarët e pjesëtaret e këtij grupi dhe me çka merren?!
Fehmi Hajrullahu: Edhe sot e kësaj dite shumica prej tyre punojnë jashtë Kosovës. Naim Sadiku gjendet në Suedi, është Koordinator për Skandinavi, Drejtor i Qendrës Kulturore të Kosovës pranë Ministrisë së Diasporës. Ka qenë përkrahës aktiv i UÇK-së. Hyzri Osmani ka një firmë ndërtimore në Gjermani, ka të botuar edhe librin me përmbledhje dokumentesh “Dhjete vite dhune mbi arsimin shqiptar te Ferizajt” te botuar me 1992 nga Forumi i Intelektualeve Shqiptare. Gjithashtu ka te përgatitur për botim një libër me poezi ne shtëpinë botuese ”Pegasi” me recensent Kristaq Shabanin.
Naim Hajrullahu, Nadije Ramadani Hajrullahu, Florije Hajrullahu, Selim Deliu dhe Fatmir Avdyli janë me punë si punëmarrës në shtete të ndryshme të perëndimit. Ndërsa Shahadije Neziri punon në arsim. Është poete dhe ka marrë disa shpërblime. Derisa Fatmir Neziri ka kryer fakultetin e Artit figurativ, pra është artist.
Në Kosovë vazhdojnë edhe më tej që të veprojnë klanet politike. Militantët partiakë krahas familjarëve e farefisit kanë përparësi në ndarjen e funksioneve dhe me rastin zënies së vendeve të punës. Po sa të ndërrojnë pushtetet , ndërrohen edhe zyrtarët dhe ata që bëjnë punën ndershëm zëvendësohen me militantë të partisë ne pushtet apo familjarë të pushtetarëve. Ne kemi dëgjuar se edhe ty me ardhjen në pushtet të LDK- ës në Ferizaj të kane larguar nga detyra për shkak edhe të bindjeve politike.
Si e vlerëson ti personalisht ketë situatë?!
Fehmi Hajrullahu: Gjatë fushatës zgjedhore Avdullah Svarqa (vëllai i Muharrem Svarqës), i cili punonte në stacion të autobusëve, ka ardhur në zyrë dhe më ka thënë se vëllai i tij – Muharrem Svarqa ka kërkuar që të takoheshim dhe të pinim nga një kafe. Duke pasur për bazë, rregullin dhe punën e mirë që e kisha bërë në stacion, dëshironte të më takonte. Kuptohet, kjo ishte vetëm njëra anë e mbulimit dredharak të tij. Megjithëkëtë i kam bërë me dije, se unë jam i gatshëm gjithmonë të takoheshim e të bisedonim për çdo gjë që ai do të dëshironte, por edhe i kam dhënë të kuptojë se nuk mund ta ndihmoj për vota. Me ardhjen në pushtet, Muharrem Svarqa më është hakmarrë, sipas motiveve politike. Kështu ai duke u mbështetur në këto motive, bordin e emëroi për të kryer urdhrat e tij. Ky bord përbëhej nga persona joprofesional dhe pa arsimim adekuat (pa i mbaruar studimet, fakultetin) dhe ku kishte edhe konflikt interesi, andaj si i tillë ishte edhe i jashtëligjshëm. Po ky bord, në ditën e parë të punës, pa ditur ende asgjë rreth ndërmarrjes, në bisedën e parë që e bëmë mua më pezulloi nga puna. Me sa e di unë, unë jam i pari si drejtor që Muharrem Svarqa më ka pezulluar nga puna. Më këtë rast nuk është përfillur asnjë procedurë ligjore e normative, pasi Stacioni i Autobusëve në Ferizaj ka qenë kompetencë e AKP-së, e jo e Komunës.. Mua më largon nga puna më 28.2.2014, për të rehatuar bashkë-partiakun e tij, Adem Salihun, i cili pa kurrfarë procedure qysh te nesërmen, ditën e shtunë të 01.3.2014 pushton vendin e punës. Tërë kjo paraqet diletantizëm politik..
Eksponent të caktuar të atëhershëm ia kanë zënë për të madhe PKMLSHJ –së, se me kërkesën për Republikë shqiptare të barabartë me të tjerat në kudër të federatës jugosllave, ka devijuar nga kërkesat tradicionale të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe se ka ulur çmimin e aspiratave tona kombëtare, derisa edhe me kërkesën Kosova- Republikë Shqiptare e barabartë me Republikat tjera të ish RSFJ-së, gjoja është tradhtuar aspirata për bashkim me shtetin amë Shqipërinë. Tani shumica e tyre ishin e janë mbajtës të funksioneve të ndryshme në Republikën e Kosovës dhe kanë “harruar“ edhe emërtimin shqiptarë si edhe Bashkimin Kombëtar. Bile po t’ua përmendësh sot atyre dhe pasuesve të tyre Bashkimin, pa hamendur fare, të akuzojnë për provokues ekstrem apo deri edhe për tradhti.
Cilat do të duhej të ishin detyrat e ish- veprimtarëve, të ish-burgosurve politik, ish të përndjekurve politik dhe veteranëve të luftës çlirimtare, aktualisht, sipas mendimit tënd?!
Fehmi Hajrullahu: Qëndrimi i ish veprimtarëve, ish të burgosurve politikë, ish të përndjekurve politikë dhe i veteranëve të UÇK-së duhet të jetë lufta e pa kompromis me të gjitha mjetet e mundshme gjer në jetësimin e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një shtet. Populli shqiptar padrejtësisht është copëtuar. Këtë copëtim historikisht nuk e ka pranuar kurrë, kështu që pareshtur ka bërë përpjekje për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Shumë nga ish veprimtarët nga lakmia për pushtet e mirëqenie të pamerituar personale, kanë devijuar nga kjo rrugë, porse është e qartë se me ta, ose pa ta, rruga për realizimin e aspiratave të shqiptarëve do të vazhdojë deri në realizimin e të drejtës tonë për të jetuar ashtu siç duam dhe ashtu ku duam ne!
Çka ndikoi sipas mendimit tuaj në krijimin e një klime të përshtatshme atdhetare e revolucionare?
Fehmi Hajrullahu: Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, duke iu falënderuar njerëzve të frymëzuar në mënyrë të drejtë kombëtare filloi një bashkëpunim më i afërt me Shqipërinë. Ishte kjo koha kur strukturat vasale ish-komuniste zbatonin urdhrat e Beogradit, por paralelisht me to në formë legale dhe gjysmë-legale shumë udhëheqës të niveleve të ndryshme shfrytëzonin të gjitha hapësirat e mundshme politike për të ngritur vetëdijen për domosdoshmërinë e fitimit të të drejtave të barabarta për shqiptarët. Mënyra më e mirë ishte bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë. Filluan të mbahen koncerte muzikore, të importohen libra të ndryshëm nga Shqipëria, të shfaqen filma shqiptar, drama shqiptare, të përcillen radiot e Shqipërisë dhe aty ku kishte mundësi edhe televizioni shqiptar . Në anën tjetër edhe veprimtaria ilegale kishte ndikim të jashtëzakonshëm për orientimin e drejtë të masave popullore.
Të gjitha këto së bashku ndikuan që të formohet një klimë e volitshme politike për të vazhduar në një shkallë edhe më të lartë artikulimi i kërkesave për të drejtat të cilat na i mohonin jugosllavët dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë, që punonin nën urdhrat e tyre. Kështu kur erdhi koha e demonstratave të vitit 1981, ishte ngritur aq shumë vetëdija kombëtare sa që ato në mënyrë masive u përkrahën nga popullata shqiptare. Nuk duhet harruar se këto ngjarje ishin udhërrëfyese edhe për ngjarjet në Poloni dhe shtete të tjera të cilat ndikuan që të zgjohen nga gjumi shumë popuj dhe ta kuptojnë se e drejta për të jetuar të lirë është e drejtë e cila nuk konsumohet kurrë.
Përpos aspekteve historike, pozitës gjeostrategjike e gjeopolitike, çka tjetër ishte dhe mbetet e pafavorshme për zgjedhjen së drejtë të çështjes shqiptare në Evropën juglindore?
Fehmi Hajrullahu: Historia e popullit shqiptar është një luftë e pandërprerë për çlirim. Po ta analizojmë hartën e Evropës vërejmë tri grupime të mëdha shtetesh:
1. Shtetet e dalura nga sllavët.
2. Shtetet e dalura nga fiset e ndryshme gjermane.
3. Shtetet latine.
Shqiptarët nuk i përkisnin asnjë blloku shtetesh të tilla andaj ata përbuzeshin. Lufta për të mbrojtur identitetin e vet ishte e pandërprerë dhe kjo i kushtoi shumë. Edhe sot ne po kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha për të ecur përpara drejt realizimit të të drejtave tona. Vendimmarrësit ndërkombëtar dhe këta vendorë nuk po na lënë të ecim përpara. Jugosllavët më parë sundimin e vet e realizonin nëpërmes njerëzve të cilët i shantazhonte të punojnë për ta, duke iu ofruar mirëqenie, ose edhe duke i shantazhuar përmes kushtëzimeve të ndryshme të UDB – së për të punuar për ta.
Kur jemi te kjo temë, cili është edhe aktualisht roli i politikanëve vendorë në këtë situatë komplekse që po kalojmë?
Fehmi Hajrullahu: Mjerisht edhe sot ne po udhëhiqemi nga njerëz të cilët në ndonjë formë apo tjetër janë të shantazhuar, andaj kemi një situatë kur nuk ka zhvillim të duhur ekonomik, kur fjala bie edhe një pakicë serbe me jo më shumëse katër për qind të popullsisë, luajnë me Kosovën sikur macja me miun. Ëndrrat e shumë gjeneratave për ndërtim të qëndrueshëm të mekanizmave shtetërorë, të institucioneve shtetërore, të një jete më të drejta dhe mirëqenie sociale, të një arsimimi kualitativ profesional e akademik nuk po realizohen. Nevoja për të organizuar mekanizma shtetërorë nuk po lejohen nga ndërkombëtarët, të cilët për interesa tjera gjeostrategjike e gjeopolitike marrin parasysh interesat (neo)kolonialiste të fqinjëve sllavë, duke u bërë kështu edhe pengesa kryesore për pengimin e integrimin ndërshqiptar dhe bashkimin e natyrshëm në të gjitha fushat ekonomike, kulturore, shoqërore e politike të trojeve shqiptare. Kjo nuk po avancohet edhe shkaku i udhëheqësve vendorë, të cilët janë zhytur thellë në korrupsion e kriminalitet dhe të cilët për të nxjerrë përfitime e prestigje personale, apo edhe për të shpëtuar veten, janë bërë vegla të politikave armiqësore të të huajve. Shqiptarët e Evropës juglindore posedojnë të gjitha mundësitë, potencialet, resurset e kapacitetet me pas një jetë më të begatshme për vendin dhe popullin e vet, por mjerisht për shkak të këtyre rrethanave krahasohemi me shtetet më të varfra botërore.
Si do të duhej, sipas mendimit tuaj të veprohej më tej drejt integrimeve të gjithmbarshme ndërshqiptare?
Fehmi Hajrullahu: Nevoja për integrime ndërshqiptare është rrugë që nuk mundë ta ndalë askush. Historia na mëson se vetëm kjo rrugë ofron ardhmërinë. Republika e Shqipërisë me kushtetutë e ka obligim kujdesin për të gjithë shqiptarët. Është e nevojshme të fillohet nga dhënia e dyshtetësisë për të gjithë shqiptarët, pastaj një shkollim nga abetarja e përbashkët deri te shkollimi universitar i përbashkët, integrimet ndërshqiptare kulturore dhe sportive, mbajtja e tribunave të ndryshme shkencore për të arsyetuar nevojën e bashkimit kombëtar, për të mirat që sjellë ai duke filluar nga zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale, kujdesi shëndetësor, etj. Ne jemi popull tepër i vogël për të jetuar të ndarë. Duhet filluar që të formohen parti me synime të përbashkëta kombëtare në të gjitha trojet shqiptare, parti të cilat frymojnë njëjtë sa i përket interesave te vendit dhe kombit.
Kjo është në të mirë jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të evropianëve, sepse nuk ka kurrfarë logjike që ne të kemi shumëçka të shumëfishtë, apo fjala bie së paku dy vota shqiptare, ndërsa gjermanët, francezët, italianët, etj., vetëm nga një.
Osman Osmani, janar-mars 2017

 __________________
OSMAN OSMANI: RINIA AKTIVE NË ORGANIZIMIN PËR BARAZI, PAVARËSI E VETËVENDOSJE
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=6304

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura